E enjte, 25.04.2024, 05:19 PM (GMT+1)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Sistemi i drejtësisë - Tepricë teknologjike

E shtune, 31.07.2010, 06:00 PM


SISTEMI I DREJTESISE - TEPRICE TEKNOLOGJIKE

 

"Sistemi i korruptuar gjyqësor nuk mund ta luftojë korrupsionin".

Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Kosovës

 

...Ashtu siç nuk mund ta luftojë korrupsionin një parlament dhe  një qeveri  të zhytur në krime dhe korrupsion.        

Idriz Zeqiraj, punëtor Baustelle

 

"Prokurorët e Kosovës kanë kapacitet, guxim dhe vullnet që të merren me lëndet më të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit"!

Ismet Kabashi, kryeprokuror i Kosovës

 

"Hajde rrenë, hajde"!

Populli në kor

 

E vërteta absolute:

Personeli gjyqësor janë bij të këtij popullit, si gjithë të tjerët. Ata janë të shantazhuar, të kërcënuar, të frikësuar, bilëz edhe të tmerruar nga bandat e kuqe  vrastare, të mbrojtura fort nga pushtetarët.

Shumë më të korruptuar janë pushtetarët akuzues, se sa gjyqtarët e akuzuar.

 

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

 

     Ende nuk kishte mbaruar lufta, më sakt - masakra, në Kosovë. Një mik i imi, ish-burgaxhi politik, në njërën nga zyrat e Përfaqësisë të Kosovës, në Tiranë, më tha: "Këta të UÇK-së po thonë se pa luftë nuk e lëshojmë pushtetin"! - Po pse, a pak është gjakosur Kosova, - iu gjegja me habi e trishtim, meqë kisha vënë re ecejakët intriguese të tyre me kallësit e Shqipërisë dhe bishtnimin që i bënin luftës dhe aksioneve të tjera në shërbim të saj.

 

     Përfaqësia e Kosovës ishte bërë si "Hani i Dilit", ku hynin e dilnin,madje, pa pyetur fare, edhe ata që çdo ditë hidhnin letra kobzeza për zyrtarët, në kutinë postare, të kësaj Përfaqësie: "Jeni të dënuar me vdekje. Në rastin më të parë të mundshëm, do të ekzekutoheni"!

 

     Miku im, i cili për afro një dekadë kishte "kullotur" LDK-në dhe Qeverinë në mërgim, tashmë, bënte flirte me ata që "pa gjak nuk e lëshojnë pushtetin", ose të "UÇK-së", të cilët asnjëherë nuk u bënë pjesë e saj! Sigurisht, ai dinte më shumë rreth projekteve ogurzeza të bandës staliniste-enveriste, të organizuar dhe të dirigjuar  nga Sigurimi Shqiptar dhe SHIK-u i Kosovës. Dhe, kjo u dëshmua bindshëm kur me skenarin e gatshëm, të marrë nga Partia Komuniste e Shqipërisë, në fund të LDB-re, komunistët,dhunshëm, zunë karriket sunduese, tani, komunistët stalinistë të Kosovës, nën përkujdesjen personale të presidentit Rexhep Mejdani, krijuan Qeverinë e Përkohëshme, pa përfillur asnjë kod apo normë të demokracisë, hynë, pas masakrës serbo-sllave, në Kosovë dhe vazhduan dhunën pushtetare, me metoda tipike staliniste-enveriste.

 

     Miku im u konvertua nga e djathta në të majtën, ngjiti shkallët e karrierës, duke u bërë edhe anëtar i Kryesisë të Partisë të "UÇK-së"! Thënë troç, ai kishte qenë "kolonë e pestë" brenda partisë mëshirëmadhe të dr. Rugovës. 

 

     E bëra këtë parantezë, për të kuptuar fillin nga ku nisë krimi i organizuar politik dhe korrupsioni galopant i të majtës të Kosovës, e cila, për demagogji e mashtrim të elektoratit, deklarohet si forcë e djathtë, madje duke kërkuar edhe legalizim në organizmën partiake të djathtë evropiane.

 

     Sllogani shumë i përdorur dhe i përfolur se gjyqësori në Kosovë është i korruptuar, tashmë, ka marrë qytetarinë. Me cinizëm të pacipshëm kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë: "Sistemi i korruptuar gjyqësor nuk mund ta luftojë korrupsionin". Në dukje, kjo është e përligjur. Por, shtrohet pyetja tjetër: A mund ta luftojë korrupsionin një parlament dhe një qeveri e zhytur në korrtupsion dhe në krim të organizuar?! Dhe, përgjigja rrjedh natyrshëm: KURRE DHE ASNJEHERE".

 

     Nisma e EULEX-it për luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit, që ia ka zënë frymën shoqërisë dhe shtetit të brishtë të Kosovës, hasi në kundërshtinë çuditëse të Partisë në pushtet. (E përsërisim, LDK-ja ka pushtet fiktiv në koalicionin aktual, ndaj edhe nuk është objekt i këtij shkrimi). Marrëzisht të zëshëm ishin Jakup kryeparlamentari dhe kryeministri Thaçi. Kjo zgjoi dyshimin e bazuar se krimi dhe korrupsioni nisë që në krye, ashtu si "PESHKU QE QELBET NGA KOKA". I pari mbeti besnik i mbrojtjes të hapur i të keqes të madhe, duke hedhur "topin" gjetkë, pra,te "drejtësia e korruptuar". Ndërsa i dyti, nën presionin e opinionit, të opozitës dhe të të gjithë personaliteteve ndërkombëtare, që mbikëqyrin Kosovën, u detyrua të bëjë ca retushime të zgjyrosura, vetën në fjalor, por, pa e prekur asfare thelbin e çështjes, çerdhen e krimit! Dhe, kjo është logjike. NJERIU NUK MUND TA LUFTOJE VETEVETEN.

 

     Për ta dendësua mjegullën demagogjike, Hashim kryeministri "ndryshoi" brenda natës, duke na lënë "GOJEHAPUR E VESHPIPEZ" të gjithëve. Po të mos shfaqej vizivisht në ekran, ne do ta vinim në pikëpyetje ngjyrimin e zërit: Është apo jo ai Hashimi i një dite më parë, kur ngulmonte se "EULEX-i kërkon linçime politike, por, unë jam kryeministër dhe nuk do ta lejoj këtë"!

 

     Kryeministri ynë, pa mundur ta fsheh artificialitetin e kthesës surprizuese, për të qenë më i zhurmshëm, angazhoi median e shkruar dhe atë elektronike, të cilat i ka bërë çifigje të veta, duke i nxjerrë në ekran ca juristë servilë, dallkaukë, rrenacakë dhe përlavdërues pa mbulesë.

 

     Njëri ndër ata, Ismet Kabashi, kryeprokuror i Kosovës, lëshoi në etër deklaratën bombastike, gënjeshtrën e shekullit: "Prokurorët e Kosovës kanë kapacitet, guxim dhe vullnet që të merren me lëndet më të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit"!!!?

 

     Dhe, populli i habitur se nga na doli ky "trim", duke qeshur, deri në gajasje, lëshoi thirrjen - batutë: "HAJDE RREN; HAJDE"!

 

     Dhe, pyesim "trimin" kaposh se çfarë provash ka dhënë deri tani, në zbulimin dhe ngritjen e akuzave për krimin e organizuar dhe korrupsionin, për ta besuar atë për kapacitet, guxim dhe vullnet në këtë luftë jetike për fatin e Kosovës?! Janë, të paktën, 950 vrasje në pusira e prapa shpine, me motive tërësisht politike dhe përfitime materiale, me shënimin sipër dosjes "vrasje enigmatike"! Dhe, deri me tani ne nuk kemi dëgjuar zërin kasnec të kryeprokurorit Kabashi! Edhe për rastet e korrupsiuonit masiv, zotëria në fjalë ka HESHTUR SI PESHKU!

 

   Denoncimet në Parlament për krime dhe gjobëvënie, reket, madje me emër dhe mbiemër, janë një shans i humbur, për ta shpërfaqur "trimërinë" kryeprokurori ynë lavdëraç. Aq bindshëm ishin kallzimet dhe aq kriminale ishin veprimet jo ligjore dhe kundranjerëzore, sa që një vend demokratik e ligjor, siç pretendohet e reklamohet Kosova, nga paria qeveritare e shtetërore, kryeprokurori i vendit do të fillonte hetimet ende pa mbaruar ajo seancë kuvendore.

 

     Rregulli, ligjësia e drejtësia nuk janë monopol i individëve apo i institucioneve të veçanta, edhepse disa punë e detyrime janë të ndara dhe kanë adresë. Çdo qytetar i një vendi ka më shumë se obligim moral, në rast nevoje, të jetë syçelë dhe të bëjë detyrën, në rastin konkret, të kallëzimit, të kërkojë hetim dhe ndjekje penale. Dhe, këtë e bëri, e provoi populli i Kosovës, madje masivisht, në rastin e vrasësit të porositur nga SHIK-u Nazim Bllaca. Por, çuditërisht, kryeprokurori "trim", të cilin nuk duhej ta zinte gjumi, nga krimet seriale e makabre të SHIK-ut, nuk u dëgjua i gjallë, SIKUR TE MOS I BENTE HIJE ME KESAJ BOTE?!!

 

     Kulmor është rasti i gjykatësit Rrahman Ratkoceri, në gjyqin e "Grupit të Llapit". Përkundër bindjes të një gjyqtari profesionist, voton kundër vendimit të dënimit të këtij grupi shumë të përfolur. Dhe, i kërcënuar, zbulon sekretin e votimit kundër, duke bërë shkelje të rëndë të normës dhe të etikës profesionale.

 

     Rasti "Ratkoceri" është matësi më i mirë i "lirisë" dhe i "demokracisë" në Kosovë. Është rast unikal në Evropën demokratike, që lakuriqësoi Parlamentin, Qeverinë dhe Shtetin e Kosovës, ku nuk mund të mbulohen e fshihen mëtej elementet e komunizmit dhe të fashizmit mjeran.

 

     Ratkoceri nuk meritonte më pak se aq, pra, bërjen PERRALLE ME TUPAN, sepse sharti i parë për një mysliman të devotshëm është me ia DIJTE HALLIN VETIT! Ai pranoi të bëhej palë e një paneli gjyqësor serioz dhe dështoi turpshëm. Ai nuk mund të fajësohet pse votoi kundër, apo pse zbuloi votën e tij sekrete. Por, asesi nuk i falet pjesëmarrja në gjykim, meqë e dinte se ata që kanë vrarë dje shqiptarë të pafajshëm, mund të vrasin edhe sot, edhe nesër, madje pa u trembur fare, meqë jetojmë në shtetin babiloni - Kosovë, ku gjithçka mund të këtë, por vetëm drejtësi nuk ka, sepse nuk ka kush ta bëjë atë.

 

     Rasti "Ratkoceri" nuk është individual. Përkundrazi, ai është kolektiv, sepse vuri në provë të gjitha institucionet e vendit: Parlamentin, Presidencën, Kryeministrinë dhe, në veçanti, Drejtësinë!!!!

 

     I pari që duhej të reagonte, ligjërisht, duhej të ishte kryeprokurori i vendit. Ai,me ekipin e tij, duhej të ngulmonte dhe zbulonte se kush ishin kërcënuesit e kolegut të tyre Rrahman Ratkocerit? Të njëzëshëm duhej të ishin edhe institucionet e lartcekura. Tmerrësisht e dhimbshme, për fatin e Kosovës dhe të popullit të saj, jo vetëm nuk aktivizuan levat përkatëse të ndjekjes të rastit, por, përkundrazi, morën në mbrojtje, madje apriori, të akuzuarit, duke devalvuar verdiktin e drejtësisë si dhe duke përcjellë mesazhin shumë të keq, në shkallë vendi, se kushdo mund të vrasë shqiptarë, ditën dhe natën, nga prapa gardhit apo të arrestuar e pastaj t´i ekzekutojë ngeshëm, duke ja faturuar dikujt tjetër krimin, qoftë edhe "jashtëtokësorërve"!

 

     Kur kryeparlamentari i Kosovës mbrojti hapur të akuzuarit të SHIK-ut dhe, më vonë, të korrupsionit, duke akuzuar denoncuesit, që ishin anëtarë të çetës të kryeçetanikut të Drenicës - Adem Jasharit, kryeprokurori duhej të hidhte dyshimin e bazuar, se ky zyrtar, i kapardisur në ulësen e parë të legjislativit, mund të ishte pjesë e kupolës të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në Kosovë. Dhe, një hetim profesional, duke llogaritur edhe pasuritë e vëna në këto pak vite, do të rezultonte ana e errët e zyrtarit në fjalë dhe të shokëve të tij pushtetarë.

 

     Nën hetim mund të viheshin edhe një duzinë të aktivizuarish partiak, të zellshëm në mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve, duke i konsiderua si marrëdhënie interesi, madje jo vetëm personal, por edhe grupor.

 

     Sot, për të gjitha të këqijat në Kosovën tonë, akuzohet sistemi i drejtësisë, duke u etiketuar, nga pushtetarët, njëzëshëm, si më i korruptuari. Asesi nuk përjashtohet mundësia edhe të ndoca elementëve të korruptuar e batakçinj nga ky sistem. Por, e vërteta, madje absolute, është se personeli gjyqësor janë bij të këtij populli, si gjithë të tjerët. Ata janë të shantazhuar, të kërcënuar, të frikësuar, bile të tmerruar nga bandat e kuqe vrastare, të mbrojtura fort nga pushtetarët. Shumë më të korruptuar janë pushtetarët akuzues, se sa gjyqëtarët e akuzuar.

 

     Dhe, kjo mund të provohet edhe me pasuritë e palëve në konflikt. Njerëzit e jurisprudencës kanë një përgatitje solide profesionale, kanë ushtruar detyrën edhe më parë, kanë pasur edhe një pasuri bazë. Ndësa shumica e pushtetarëve tanë aktual, në të shumtën, zbresin nga fshati, ME ARSIM TE PERGJYSMUAR DHE ME DIPLOMIM TE DISKUTUESHEM; me pasuri hiçe, me nga një biçikletë të arnuar gomash, nga shpimet e ferrave të fshatit, madje ka syrësh me një të kaluar asociale, sidomos ikanakët e kthyer nga kurbeti.

 

     Sot, shumica e pushtetarëve tanë posedojnë vetura luksoze, disa prej tyre edhe të blinduara; kanë blerë ose pushtuar, dhunshëm dhe kundraligjshëm, troje të mëdha hapsinore; kanë bërë kulla e vila, madhore e luksoze, në fshat dhe në qytet, më sakt, në kryeqytet; kanë depozitime valutore bankare, në emra të farefisnisë; janë aksionarë, të pa shpallur, në shumë biznese fitimprurëse, gjë që njerëzit e sistemit të drejtësisë nuk i gëzojnë këto privilegje, madje edhe po të duan, nuk arrijnë të bëhen profiterë korruptivë, në përmasën që janë pushtetarët.

 

     Bëhet fjalë për 200 mijë çështje gjyqësore të pazgjidhura, ndrëkohë që janë 320 gjykatës e prokurorë. Mund të mos jenë të mjaftueshëm, por edhe të pakët nuk janë. Nisur nga autorësia e krimeve, siç pohojnë në mirëbesim njerëzit e drejtësisë, krimet e rënda dhe ato të mesme u përkasin atyre që thirrën në "UÇK-në" dhe luftën. Prandaj, askush prej gjyqtarëve nuk preferon të meret me shqyrtimnin e atyre dosjeve, duke i konsideruar si "zonë të rrezikshme", sepse mund ta pësojnë si kolegu i tyre Ratkoceri. Strategu i luftës, kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, këtë fakt e ka denoncuar me kohë, por, duke sqaruar se ata janë kriminel rrugash, të cilët janë strehuar në shoqata të ndryshme, kinse të dala nga lufta, gjë që është falsifikim i turpshëm. Njerëzit e luftës, thoshte heroi Zemaj, nuk janë të zhurmshëm, daullexhi e dallaveraxhi. Ata, që, vërtet, janë rrjeshtuar në luftë, nuk janë të rrugës, por të pushkës dhe të punës.

 

     Vite me parë, një ministër i drejtësisë, në vizitën e bërë në burgune sigurisë të lartë, në Dubravë të Istogut, i rrihte krahët një vrasësi të dyfishtë, duke iu drejtuar personelit policor të burgut: "E shihni këtë djalë? Vërtet, ky, tani është në burg, por,mos harroni se ështëë çlirimtar"!!?? Zotëria i partisë vrasëse nuk thoshte se ky i dënuar është vrasës i porositur dhe duhet të trajtohet si të gjithë kriminelët tjerë. Përkundrazi,linte me kuptuar se nesër do të jetë kuadër, ashtu siç janë shumë vrasës ose urdhërdhënës të vrasjeve seriale në Kosovë!!

 

     Dhe, partia e krimit do të përgatiste terrenin për ta ikur nga burgu vrasësin e porositur,nga partia vrasëse, gjë që ashtu edhe ndodhi. Dhe, po ky vrasës, i ikur me ndihmën e partisë vrasëse, muaj më parë, sipas njoftimit zyrtar të policisë, vrau përsësi në pusi! Dhe, thonë se ka siguri në Kosovë???!!!

 

     Për habinë e të gjithëve, disa gazetarë, edhepse të zëshëm, bëjnë lojë fjalësh, me SHKEL E SHKO sugjerimesh si: "Është policia e Kosovës ajo që duhet t`i ndjek vrasësit dhe hajnat e Kosovës; është gjyqësia e Kosovës ajo që duhet t`i gjykojë ata, ndërsa EULEX-i vetëm t´i  mbikëqyrë", pra, t`i aprovojë përrallat "ligjore", me dhënien e pafajësisë!

 

     Dhe, këta gazetarë e dinë mirë realitetin ekzistues në Kosovë; e dinë që kjo është e pamundur të bëhet, sepse krimi mbrohet nga kupola shtetërore! Por, si me porosi, e zbusin gjendjen alarmante, promolgojnë zgjidhjen, duke u bërë argatë e të së keqes. Është kontradiktore kjo, me atë që dinë e njohin me themel, kur thonë se "Kosova ka imazhin e lidershipit kriminal", ku bëhet fjalë për një "shtet të shpikur të banditëve"! Dhe,ky nuk është vetëm imazh, por edhe realitet.

 

     Është më shumë se fatkeqësi, është tragjedi e vërtetë për një popull, për një shtet, i cili, në vend që të udhëhiqet nga norma e ligje bashkëkohore dhe demokratike, zgjedh për drejtim metodat tipike të komunizmit stalinian. Rasti i Shqipërisë enveriste, ku për çdo gjë vendoste Sigurimi shtetëror, imponoi një normë e diktaturë staliniste. Polkitikën e kuadrit nuk e bënte asnjë institucion, asnjë ministri, por e bënte Sigurimi për të gjithë kuadrin e lartë (me fakultet) në shkallë shteti.

 

     Shembull: Ishin vitet `70-a. Ditët e fundit të studimeve, autori i këtij shkrimi, në një rast bisede me kolegët, përmendi një fshat të izoluar e bjeshkor të Tepelenës, si hiç të preferuar për të punuar mësimdhënës atje. Dhe, çuditërisht, Sigurimi i kudondodhur, do të "përkujdesej" që pikërisht në atë fshat të bëhet emërimi! Deri në këtë shkallë ishte përgjimi.

 

     Mjerisht, stalinistët e Kosovës u kthyen për dekada prapa, duke ia lënë në dorë SHIK-ut të bëjë politikën emëruese të kuadrit. Shkarkimi i ministrit Zenun Pajaziti, realisht, nuk ishte i motivuar nga shkaqe objektive. Ne, garda e vjetër e Lëvizjes, burgaxhinjtë polititikë, jemi të prekur nga kjo masë e padrejtë, sepse e kemi shenjë të mikut tonë Kadri Zeka.

 

     Në lokalet e ministrisë të brendshme nuk janë vjedhur dëshmitë, por ato janë marrë, madje krejt ngeshëm, sepse aty është e punësuar një armatë e tërë SHIK-ase. Dhe, çuditërisht, edhepse ca syrësh të përfolur në rastin "Bllaca", ata përsëri vazhdojnë punën, bilëz pa u trazuar fare! Zoti Pajaziti as nuk iu ka emëruar dhe as që mund t`i largonte. Aty i ka gjetur dhe ka qenë i detyruar të bashkëpunojë me atë fole gjarpërinjësh.

 

     Në Shqipëri nuk kishte vijë ndarëse në mes të Sigurimit vendor dhe të Shërbimit intelegjent. Ato ishin një dhe kuadri dy palësh ishte goditës i njëkohshëm mbi shqiptarët e gjorë. Dhe, është për të dyshuar se asnjë ndryshim nuk do të kenë këto organizma homologe edhe në Kosovë. Shërbimi intelegjent i tanishëm, përderisa zgjidhet nga kupola staliniste aktuale, nuk mund të këtë asnjë besueshmëri. Ashtu siç nuk mund të këtë rend dhe ligj, përderisa shërbimet e tilla janë njëpartiake.

 

     Është për keqardhje të madhe mënyra se si iu qas kësaj maskarade presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, sepse nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, për të reformuar diçka që është jashtë çdo mundësie të individit, qoftë ai edhe presedenti i vendit.

 

    Dramaturgu i njohur çek, ish - burgaxhiu politik dhe në post diktaturë, president i Çekosllovakisë - Vaclav Havel, thoshte se "UNE KURRE NUK E GENJEJ POPULLIN TIM. Jam i hapur dhe i drejtpërdrejt me popullin". Edhe Presidenti Rugova kishte shumëçka të përbashkët me Havelin çek, në veçanti sinqeritetin me popullin. Gjithçka çfarë u tha dr. Rugova shqiptarëve në vitet `90-a, u dëshmuan të sakta në përmbyllje të shekullit, në vitet 2000-a! Ai njihte, deri në qelizë, popullin, kombin e vet. Ai njihte shkëlqyeshëm historinë shqiptare, madje që nga lashtësia dhe deri në ditët tona, të cilët, për fat të keq, më shumë kanë qenë të angazhuar në luftëra SI MERCENARE, SE SA SI ÇLIRIMTARE. Andaj, shqiptarët janë më të vonuarit në rajon dhe në Evropë.

 

     Dr. Rugova i dinte peripecitë e formimit të shtetit shqiptar, të cilit, njësoj si lirinë e Kosovës që nuk arritën ta realizojnë vendorët, gjithashtu edhe pavarësia e Shqipërisë iu dhurua nga Evropa, me rrjedhojën e cungimeve të dhimbshme dhe të mëdha territoriale.

 

     Presidenti Rugova e dinte se qeveritë në Tiranë, në vitet `20-a, binin edhe pa e mbushur javën, me tekat alogjike të krerëve shqiptarë të kohës. Dhe, ishte vetëm Mbreti i Shqiptarëve - Zogu i I-rë, i cili ia doli të themelojë shtetin ligjor shqiptar. Mjerisht, pushtimi italian i dha fund këtij shteti ligjor dhe që nga ajo kohë kanë rrjedhur plot 71 vjet, pa pasur mundësi të funksionimit të shtetit të mirëfilltë shqiptar as sot e kësaj dite!

 

     Prandaj, Presidenti Rugova, profet i shqiptarëve, ashtu siç parashikoi çlirimin e Kosovës, nga bota demokratike e liridashëse, po ashtu sugjeroi protektorat ndërkombëtar kalimtar për Kosovën. Polarizimet ndrëshqiptrare, si rrjedhojë e tendencës sunduese të neokomunistëve në moshë, por shumë të vjetër dhe të mykur në mendësinë e tyre tipike staliniste e anakronike, promolguan skajshëm proceset për vetësundim dhe vetëqeverisje shqiptare.

 

     Sllogani, tashmë, i dalë boje, i përsëritur dendur nga presidenti Fatmir Sejdiu, se "askush  nuk mund të jetë mbi ligjin", duhet zëvendësuar me "luftë pa kompromis kundër kriminelëve vrastarë politikë e material si dhe korruptivë ekonomikë". Dhe, këtë mund ta bëjnë vetëm ndërkombëtarët.

 

     Presidenti Sejdiu duhet të mësojë nga sinqeriteti dhe çiltëria e çekut Havel dhe shqiptarit Rugovë, në raportet me popullin. Ai duhet të jetë i bindur, tashmë, se edhepse në koalicion me stalinistët, partia e tij nuk ka hapësirë qeverisëse dhe nuk mund të vendosë për asgjë. Edhepse e pa faj, LDK-ja ndanë fajësinë e mëkateve të PDK-së, ndonëse nuk po vendosë për shkurorëzim.

 

     Qeveria jonë nuk vjen as nga bota akademike dhe as nga lufta. Ajo vjen nga rruga dhe me metoda të rrugës, ka marrë edhe pushtetin. Për koinçidencë, edhe pasuritë marramendëse, personale e grupore, duke pasur parasysh intervalin kohor, i ka vënë në përmasat e cilësisë të rrugëve. Pra, emëruesi i përbashkët i të keqes të madhe, sot në Kosovë, është RRUGA!

 

     Kosova është larg të qenurit shtet ligjor. Dhe, me këtë ritëm dhe këta pushtetarë, as që mund të shpresohet të bëhet shpejt. Drejtësia ka stagnuar, ka dështuar dhe nuk funksionon dhe kjo jo për fajin e gjyqësisë, por të politikës dhe të bandave të saj. Ajo kufizohet me dënimin e ndonjë shuplakaxhiu apo xhepisti si dhe në rastet kur krerët shtetërorë japin sinjalin kur duan ta heqin qafe dikë.

 

     Shërbimin më të madh që Presidenti mund t`i bëjë popullit të Kosovës është kërkesa për dekretimin e ligjit të nxjerrjes të sistemit të drejtësisë si tepricë teknologjike, me justifikimin se bandat kriminale në Kosovë janë solide dhe mirë të organizuara dhe sistemi aktual i drejtësisë, nuk i përballon dot, nuk mund t`i disciplinojë ato. E mira e Kosovës do të ishte që krahas NATO-s, në vend të EULEX-it, mbikëqyrjen dhe ligjshmërinë ta ushtronte njëri nga shtetet çliruese të Kosovës, duke marrë edhe përgjegjësitë përkatëse, në zbatimin e ligjit, me korrektësinë që ka ai shtet për qytetarët e vetë. "E fshehta e Ponishenelës" thuhet për një të fshehtë që e dinë të gjithë. Ose e fshehta publike, siç e ka quajtur i pari zoti Adem Salihaj, veprimtarinë kriminale të SHIK-ut. Do të ishte e marrëzishme çdo fshehje dhe heshtje e mëtejme e kësaj gjendjeje ngulfatëse për popullin e Kosovës, i cili jeton me frikën e aktivizimit të çdokohëshme të bandave vrastare. Prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë të Kosovës, duhet të presin kohë më të mira, për ta ushtruar profesionin e tyre pa frikë dhe pengesa.

 

     Sihariqi i kryeministrit Thaçi se "pavarësisë të mbikëqyrur po i vjen fundi", ka gëzuar partinë e tij, SHIK-un dhe bandat kriminale aktive dhe pasive në Kosovë, por jo edhe masën tjetër të popullit. Populli i Kosovës nuk ka asnjë hamendje se të gjithë ata që u vranë në pusira e prapa shpine, në rrugë dhe në oborret e shtëpive të tyre, për motive politike dhe përfitime materiale, po të mos ishin ndërkombëtarët në Kosovë, do të ekzekutoheshin, eleminoheshin e dënoheshin legalisht, duke i zgjeruar listat e vdekjes, të hartuara nga SHIK-u, qysh pa filluar masakra në Kosovë, të cilën, neve po na pëlqen ta quajmë luftë. Dhe, këto lista, tashmë, janë begatuar me emra të rinj. Vallë, kush e ka radhën e linçimit?!

 

     Konfirmimi i Komitetit Amerikan për Politikë të Jashtme, me përfaqësues David Filips, se "në Kosovë ka krim të organizuar dhe korrupsion deri në kupolën shtetërore", se "SHIK-u jo vetëm nuk është shuar, por ai me reket dhe forma tjera kriminale realizon 200 milion Euro në vit", iritoi  në atë masë kryeparlamentarin e Kosovës, sa foli përçart, si një njeri i ardhur nga rruga: "Secili ta pastrojë shtëpinë e vet"!

 

     Me një përgjigje të tillë kreu i parlamentit  rrënoi të gjithë atë që, mundimshëm, ndërtoi Hashimi në Amerikë. Në pamundësi për t´u kundërvënë me fakte, stalinistët aplikojnë arrogancën dhe injorancën. Po kaq marrëzishëm u shpërfaq para botës edhe shtypi partiak komunist me sharlatanë, mjerisht, edhe deputet. Stalinistët e Kosovës vetëm me fjalë janë pro amerikan, pro evropiano - perëndirmorë, ndërkohë që me mendje dhe zemër janë lindorë, të ideologjisë sllave, ruse, aziatike. Dhe, shpërthimet e pa kontrolluara nxjerrin të palarat e shpirtit.



(Vota: 25 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora