E premte, 19.04.2024, 05:52 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Varfëria "shuan" familjen Popa që tronditi diktaturën

E enjte, 29.07.2010, 09:14 PM


Nga Artur Korriku

 

DURRES - Vdekja e një prej pjesëtarëve të familjes Popa, e cila në vitin 1985 tronditi themelet e diktaturës, rikthen një histori sa të dhimbshme aq dhe të pabesuesh-me për brezin e sotëm. Një jetë e tërë ferri. Pas dekada përndjekjeje e persekutimi nga regjimi komunist, pas degdisjes larg nga vendi i tyre, varfëria dhe harresa nga njerëzit është mallkimi më i fundit për familjen Popa. 25 vjet më parë, 6 fëmijët e një farmacisti të njohur në qytetin e Durrësit shkaktuan 'tërmet' në Tiranën zyrtare me arratinë e tyre në ambasadën italiane. Katër motrat dhe dy vëllezërit mundën të iknin larg frikës e prangave të një pushteti totalitar, por nuk mundën të flaknin tej fatin e keq. Ata po shuhen një e nga një në heshtje, në mizerje. Sot, prej tyre kanë mbetur vetëm tre, pasi dy prej motrave dhe një vëlla kanë vdekur. E fundit që u nda nga jeta ditën e hënë ishte Teanoja 72-vjeçare, e cila u varros dje në mesditë në varrezën e re të qytetit të Durrësit. Një vit më parë vdiq Iliana. Ndërsa në vitin 1994, në Romë qe ndarë nga jeta njëri prej vëllezërve, Nikola, pas një ataku kardiak. Tashmë në jetë kanë ngelur Ermioni, Zhaneta dhe Akile i paralizuar.

"Vdekjet që na kanë ndodhur këtu në Durrës, veç dhimbjes njerëzore janë shoqëruar me shqetësimin e madh të mungesës së parave për të përballuar shpenzimet e funeraleve. Që të dyja motrat i ka varrosur Bashkia me shpenzimet e saj. Ne marrim nga 7 mijë lekë në muaj si pension fshati, që nuk dalin as për bukë", - pohuan dje motrat, Ermioni dhe Zhaneta Popa. Ato sqarojnë se Teanoja vdiq të hënën në mbrëmje nga një trombozë dhe që atë natë dhe deri dje në mëngjes (në orën 10:00) trupi i pajetë qëndroi në morgun e spitalit të Durrësit. Në varrimin e 72-vjeçares Popa morën pjesë vetëm 5 vetë (dy motrat e saj, dy fqinjë e shoferi). Kaq ishte kortezhi. Njerëzia nuk dinin gjë. Një ditë pas vdekjes të së motrës, Ermioni u takua me kryebashkiakun Dako, të cilit i kërkoi ndihmë për të përballuar funeralin. Dako, po atë ditë urdhëroi ndërmarrjen komunale të marrë përsipër varrimin e Popës. Në një intervistë dhënë dje për "Gazeta Shqiptare", Ermioni Popa tregon rrethanat e vdekjes së motrës së saj, si dhe mjerimin që po i vret në pleqëri.

Si ndodhi vdekja e Teanos?

Teano do të thotë rreze drite. Ajo u sëmur të hënën në drekë dhe ne u bëmë copë për t'i ardhur në ndihmë. Jemi krejtësisht të pakënaqura nga urgjenca e spitalit të Durrësit, e cila mbërriti me vonesë në shtëpinë tonë. Na u desh shumë punë për ta shtruar në spital. Neve na duket se edhe shërbimi që iu rezervua në spital ishte i pamjaftueshëm, mund të kishin bërë më shumë për të.

Po më pas si vepruat?

Ne jemi shumë dobët ekonomikisht. Secili prej nesh përfiton 7 mijë lekë pension në muaj. Këto para nuk na dalin as për të ngrënë e jo për të përballuar një funeral. Kështu që motrën e çuam në morg derisa të rregullonim punët e varrimit.

Si e zgjidhët këtë problem?

Të martën në mëngjes i dola para kryebashkiakut Vangjush Dako dhe i tregova për hallin që na kishte gjetur. Ai menjëherë urdhëroi që varrimin ta kryente ndërmarrja komunale. Ata na u gjendën, dhe të martën pasdite makina e varrimit së bashku me arkivolin ishin në morgun e spitalit. Por morgu ishte mbyllur, kështu që varrimin e bëmë sot (dje) në orën 10:00.

A kishte pjesëmarrje në varrim?

Ishim gjithsej 5 vetë. Ne dy motrat, dy komshinjtë përballë dhe shoferi i makinës. Kemi ngelur vetëm 3 vetë nga fisi ynë dhe nuk kishte kush të na ndihmonte që të njoftonim miqtë që na kanë ngelur.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora