E merkure, 24.04.2024, 02:02 PM (GMT+1)

Editorial

Shqiptarët etnikë banojnë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre

E premte, 07.12.2007, 07:19 PM


Nga Esat Stavaleci

Gjendja në të cilën ndodhet sot çështja shqiptare

Përgjithësisht, 95 vjet pas Pavarësisë së Shqipërisë, kërkon një shqyrtim të veçantë: më shumë politik, se historik; më shumë meditues, se verbalizues; më shumë kritik, se oportunizues, sepse:edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, përku ndër zhvillimeve, veçanërisht në disa segmente të veçuara të saj, siç është rasti me Kosovën, çështja shqiptare vazhdon të jetë ende me ca të panjohura;edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët ende jetojnë të pjesëtuar për gjashtë;edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarëve ende u mungon një strategji kombëtare se si t'i qasën realizimit të objektivave të tyre kombëtare;edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, çështja shqiptare ende nuk kundrohet dhe nuk shtrohet si një dhe e bashkuar, prandaj ende kemi:

një Shqipëri kombëtarisht të cunguar; një Kosovë, pa status të përkufizuar dhe një pjesë të saj përfundimisht të paçliruar; një Kosovë Lindore, nga të huajt të sunduar; një entitet shqiptar në Maqedoni, të pabashkuar;

një komunitet shqiptar në Mal të Zi, kombëtarisht të paemancipuar; një Çamëri, pothuajse të harruar; shqiptarët në Turqi, gati të asimiluar; një mërgatë shqiptare, partiakisht gati të shpartalluar; një diplomaci shqiptare, ende të paunifikuar; një politikë kombëtare, ende të paformësuar.

Thelbi i fjalës sime nuk është shprehja e skepticizmit ose mbjellja e mosbesimit për të ardhmen e shqiptarëve, sepse po të thuhej fjala e fundit, e para, në të ardhmen më të afërt ose më të largët, Ballkanin do ta dominojnë shqiptarët, por mobilizimi për ti bërë realitet objektivat tona, për t'i shfrytëzuar rrethanat e kohës në të cilën po vendoset për fatet e popujve.

Një histori e shkurtër

Nëse do të përmblidhej, qoftë edhe me një fjali të vetme, e kaluara jonë e hidhur, do të mund të nxirrej përfundimi vërtet i parrëzueshëm se Evropa cenoi rëndë tërësinë tonë territoriale, dhe bëri përpjekje që të na shlyejë nga harta gjeopolitike e saj.

Përfundimi i dytë, gjithashtu i parrëzueshëm, që do të mund të nxirrej në lidhje me pushtimin e tokave tona nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, është se as Serbia, as Mali i Zi dhe as Greqia "nuk kishin mbështetje historike për të përligjur lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare".

Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se gjysmës së tyre ndodhi nga ana e monarkive fqinje. Serbia qe e para që bëri pastrimin etnik që në luftën ruso-turke(1877-78), ndërsa pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), qeveritë e Beogradit, Cetinës dhe Athinës, filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre.

Edhe pas vitit 1918, Jugosllavia vazhdoi për dekada, fushatën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Edhe pse gjatë Luftës së Dytë Botërore, prej aleatëve të mëdhenj shqiptarëve iu premtua respektimi i parimit të vetëvendosjes, procedurat ndodhen ndryshe. Kthimi i shkurtër në histori është në të vërtetë, një thirrje që " t'i kthehemi vetës sonë dhe përgjegjësive tona, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara, që të mos pësojmë në të ardhmen si komb".

Çfarë nuk kemi mësuar nga e kaluara?

Nga e kaluara jonë e hidhur nuk kemi nxjerr mësim që sot të ndërgjegjësohemi që, jo vetëm të mendojmë, por edhe të shprehemi dhe të veprojmë, si një popull dhe si një komb politik. Në fjalët dhe në fjalimet tona ende ka shumë porosi folklorike , pa vra mendjen se: po të bëhej me sharki a me çifteli, ne shqiptarët të parët në Hënë do të kishim mbërri!

Mirëpo,duhet të pushojmë ta fajësojmë historinë dhe Evropën për padrejtësitë ndaj nesh, sepse ato janë të pakontestueshme. Neve na duhet konsolidimi kombëtar pikërisht që të mos na përsëritet e kaluara. Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta. Ne, sikur, ende nuk e ndiejmë nevojën që të funksionojmë si një tërësi kombëtare. Prandaj, energjinë tonë krijuese do të duhej ta shpenzonim dhe ta shteronim në rrafshin kombëtar, në projekte kombëtare.

Kosova

Nuk ka dyshim se bërja e shtetit të Kosovës paraqet projektin kombëtar më serioz të shqiptarëve sot.

Me gjithë deklarimet se çështja e Kosovës, sikur "ka marrë fizionominë e një çështjeje të zgjidhur", ajo ende "mbështillet me një mjegullnajë diplomatike" në lidhje me sanksionimin e statusit të saj politik-juridik dhe ndërkombëtar.

Në këtë "mjegullnajë", nxiten ndjenja të skajshme: në njërën anë, optimizëm i pamatur dhe, në anën tjetër, pesimizëm i kulmuar. Që të dyja ndjenjat mund të prodhojnë pasojat e veta. Optimizmi i pamatur "mund të çojë në shkujdesje të tepruar, ndërsa shkujdesja e tepruar në çmobilizim të energjive". Pesimizmi i kulmuar "mund të çojë në veprime të papërmbajtura dhe të pakontrolluara".

Tri aftësi na kanë munguar dhe, për rrjedhojë, ato kanë prodhuar ato ndjenja të skajshme:

Së pari, aftësia për ta kuptuar realitetin ashtu siç është ai dhe për të ndërtuar një qëndrim ndaj tij.

Së dyti, aftësia për ta vlerësuar objektivisht forcën tonë për t'i bërë realitet objektivat tona.

E treta, aftësia për të kuptuar se cilat forca jashtë nesh, sinqerisht, përkrahin dhe mbështesin realizmin e objektivave tona.

Sikur të mos na mungonin këto tri aftësi, do të kishim mund shumë më herët se sot, të nxjerrim disa përfundime në lidhje me çështjen ende të hapur të Kosovës:

E para, se në konfliktet etnike përgjithësisht, "vështirë gjendet një zgjidhje ideale

që do të miratohej nga të dyja anët, ose që, do të kënaqte secilën prej tyre veç e veç".

E dyta, se në rast të moszgjidhjes së konfliktit, "do të mund të kërcënohet rreziku i përjetësimit të tij".

E treta, se "kapacitetet (ende) të ulta të shqiptarëve që pa ndihmën e ndërkombëtarëve t' a mbyllin kapitullin e Kosovës" me realizimin e vullnetit të popullit, "nuk do të mund të ofronin garanci të mëdha".

Kosova është "në pritje të një statusi" i cili do ta shpjerë në të ardhmen e pretenduar të, megjithëse , nuk do ta dërgojë "në stacionin e fundit". Më shumë se "zgjidhja e plotë" dhe "statusi përfundimtar", në horizont shihen zgjidhja e parrumbullakuar dhe statusi kalimtar. Se vërtetë do të ndodhë kështu, paralajmërohej në raportin e ambasadorit Kai Eide, në vitin 2005:

një, se "Çështja e Kosovës do të zgjidhet ndryshe" nga ajo e ish-republikave të Jugosllavisë që do të thoshte se Kosova do të privohet nga e drejta për të vendosur vetë për të ardhmen e vet, dhe dy, se serbët e Kosovës në veriun e saj "do të gëzojnë një autonomi të gjerë".

Prandaj, Kosovës iu imponua që të hyjë në negociata me Serbinë; prandaj prej Kosovës u kërkua që, paraprakisht, të miratojë projektin e decentralizimit, po sikurse edhe planin për të ashtuquajturën "trashëgimi serbe" dhe kornizat e legjislacionit mbi të drejtat politike të pakicës serbe që u detajizuan në Planin e Ahtisaarit.

Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të quhej "e rrumbullakuar" nëse ajo nuk do të shoqërohej me njohjen e plotë të subjektivitetit politik- juridik dhe ndërkombëtar të saj.

Statusi politik i Kosovës nuk do të mund të quhej "përfundimtar" nëse në Kosovë do të vazhdojë të ketë një prani të fuqishme, jo vetëm ushtarake, por edhe ndërkombëtare civile dhe nëse veriu i Kosovës do të ketë një status të veçantë,etj.

Megjithatë, një fakt është shumë domethënës. Nëse eventualisht do të pavarësohej,si$ janë paralajmërimet me shpallje të saj nga ana e Kuvendit, Kosova do të dalë nga një "marrëdhënie e dominimit", pra e të qenit e dominuar prej Serbisë.

Mirëpo, përkundër shpalljes eventuale të pavarësisë, e ardhmja e Kosovës do të vazhdojë të jetë një proces që do të synojë një kontratualitet me OKB-në, me BE-në dhe me NATO-n.

Çështje mbi çështjet do të jetë sovraniteti që, sipas fjalorit të së drejtës ndërkombëtare, paraqet një cilësi të subjektit të së drejtës ndërkombëtare mbi bazën e së cilës cilësi e ka pushtetin, është i pavarur nga çdo pushtet tjetër dhe e ka pushtetin më të lartë.

Edhe pse as sovraniteti dhe as pavarësia nuk janë absolutisht të pakufizueshme, në shembullin e Kosovës, qoftë për shkak të pranisë ndërkombëtare, qoftë për shkak të pamundësisë së shtrirjes së qeverisjes në gjithë territorin, kufizimet e sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës si shtet, do ta bëjnë të invalidushëm atë, pa mundësi të shprehjes së tij në kuptimin e plotë, as polik dhe as gjeografik.

Arsyet për një prani relativisht të theksuar të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë janë nga më të ndryshmet, prej vlerësimit të saj për kapacitetin ende të ulët të institucioneve të Kosovës për ta administruar plotësisht vendin, nëpërmjet të ndjenjës që, pothuajse është shndërruar në qëndrim të saj, për shkallën e lartë të mosbesimit ndërmjet shqiptarëve e serbëve, deri te njëfarë marrëveshje, të pashkruar, për kufizimin e sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës.

Përkundër hapjes së perspektivave për një të ardhme të Kosovës,mund të ngritën, edhe me këtë rast, më së paku, dy shqetësime.

Një, mundësia e përsëritjes së UNMIK-ut, nëpërmjet të BE-së që, në njëfarë mënyre do të nënkuptonte edhe "përsëritjen e Bosnjës në Kosovë". Në këtë mënyrë, do të mund të krijohej një mentalitet i ri vartësie në Kosovë.

Dy, mundësia e izolimit të territoreve ku jetojnë serbët, me pasojë prishjen e kompaktësisë territoriale deri te defunksionalizimi i institucioneve të Kosovës në një pjesë të territorit të saj. Që të dyja këto gjendje do të mund të kërcënonin me rrezikun e invalidimit të statusit të ri politik që po mëtohet të vendoset nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërsa, shqetësim në vete sot paraqet vendimi : të shpallësh apo jo pavarësinë, pa pëlqimin e qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes. Këshilla jonë është: asnjë shtet nuk ka ekzistuar para se të formohej. Kosovës për qeverisje të plotë i duhet sovranitet dhe pavarësi e pacunguar. Ekzistojnë, më së paku, katër grupe shkaqesh që favorizojnë pavarësinë e Kosovës dhe mbi të cilat do të duhej të merrej vendimi për sovranitetin dhe pavarësinë e plotë të Kosovës.

Së pari, meqë Kosova është aneksuar nga Serbia në udhë jolegjitime, pavarësia e Kosovës, në asnjë mënyrë, nuk mund të jetë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Ç'është e vërteta, pavarësia e Kosovës, përpara se të kualifikohej si "një rast klasik i secesionit të një pjese të një shteti sovran", siç shprehen serbët, do të duhej të kundrohej, në fakt, si një "anulim aneksimi ilegjitim". Në të vërtetë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar kishte rënë vetë Serbia, e cila me 1912 e aneksoi Kosovën, nëpërmjet pushtimit ushtarak. Prandaj, në vend se Serbia të pranojë veprimin e saj ilegal që ka bërë duke shkelur ligjin ndërkombëtar , me aneksimin e Kosovës, tash përdor një argument të paqëndrueshëm shkencërisht, historikisht dhe aktualisht, për "të ruajtur sovranitetin mbi Kosovën" të cilin, siç dëshmojnë faktet, e mbajti në mënyrë jolegjitime për një periudhë shumë të gjatë, pa pyetur asnjëherë popullin shumicë të Kosovës dhe pa i marrë atij pëlqimin. Kështu, qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë, janë dyfish të pathemelta:qoftë "në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit", qoftë "në aspektin e së vërtetës materiale", meqë Kosova përkundër pohimeve serbe, "nuk është as djep i popullit serb, as djep i shtetit serb".

Së dyti, vendimi mbi të ardhmen e Kosovës nuk mund të injorojë pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, me gjithë faktin se nuk gëzonte statusin e republikës, por ç'është e vërteta, ishte pjesë përbërëse e ish- Jugosllavisë, me territor dhe kufijtë e vet, të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj. Kosova ishte drejtpërdrejtë e përfaqësuar në Federatën e ish-Jugosllavisë, po sikurse republikat e saj, e jo nëpërmjet të Serbisë, sepse ashtu do të kishim një situatë paradoksale "të inkuadrimit të Serbisë në Serbi dhe të tri Serbive me tri vota në Federatë", ndërsa njësitë tjera "do të kishin nga një votë". Se Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë dëshmojnë shumë fakte historike dhe juridike.

Së treti, e ardhmja e Kosovës nuk mund të kundrohet e krahasueshme me secesionizmin në disa nga vendet e botës. Këtë duhet ta kenë parasysh ato shtete që ende mbahen të rezervuara ndaj pavarësisë eventuale të Kosovës. Ato do të duhej t'i kërkojnë dhe t'i gjejnë "pikat e përbashkëta" me disa vende të botës që janë pajtuar me heqjen e sovranitetit mbi territore të tjera. Kështu, raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë të krahasueshme me ato ndërmjet Indonezisë dhe Timorit Lindor. Singapori është një vend tjetër që duhet marrë parasyh. Rasti i Kosovës ka ngjashmëri edhe me atë të Namibisë. Prandaj, pavarësia eventuale e Kosovës nuk duhet krahasuar me secesionizmin në disa anë të tjera të botës, ku lëvizjet secesioniste "nuk janë duke vepruar në territore të aneksuara që në mënyrë të njëanshme (kundër vullnetit të popullit dhe të sovranëve të mëhershëm)u janë bashkuar shteteve aktualisht ekzistuese, por ato janë duke operuar në territore që kanë qenë pjesë e këtyre shteteve në kohën kur këto shtete kanë filluar së ekzistuari", siç është rasti me Transdnjestrovle në Moldavi ose me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji. Më në fund, shqiptarët e Kosovës nuk janë të krahasueshëm as me katalonët, uelsianët, baskët, skocezet, korsikanët..., sepse ata nuk u përballen, sikur shqiptarët e Kosovës, me dëbim masiv, nga shtetet që i kontrollojnë.

Së katërti,ekzistimi i Shqipërisë si shtet shqiptar, nuk mund të qëndrojë si pengesë për statusin shtet i pavarur dhe sovran të Kosovës, po sikurse që, të sjellim shembuj nga historia e krijimit të shteteve, "as ekzistimi i Rumanisë nuk qe pengesë për krijimin e shtetit të Moldavisë ose që ekzistimi i Francës nuk paraqiste pengesë për kantonet-shtete në Zvicër". Më në fund, edhe nëse Kosova do të konstituohej si shtet i shqiptarëve (ashtu dhe do të duhej të ndodhte)," ekzistimi dy shteteve shqiptare në Ballkan do të ishte më parë hendikep, se sa përparësi gjeopolitike e popullit shqiptar në Ballkan", duke pasur parasysh synimet historike të shqiptarëve për të jetuar së bashku.

Kosova i përmbush të gjitha kushtet e qenies shtet i pavarur dhe sovran. Nëse bëhet fjalë për territorin, në OKB janë të anëtarësuara 34 shtete me territor më të vogël se sa Kosova. Nëse bëhet fjalë për popullatën, në OKB janë të anëtarësuara 58 shtete me popullatë më të vogël se sa Kosova. Nëse bëhet fjalë për pranimin ose jo të shteteve të reja, në OKB në periudhën prej 1990 - 2002, janë pranuar 34 shtete të reja. Prandaj, nuk thuhet kot se "Aty ku janë të pranishme faktet, fjalët bëhen të panevojshme".

Mbi bazën e argumenteve dhe fakteve që u theksuan më lartë, sado qoftë në vija të përgjithshme, statusi i ri politik, juridik dhe ndërkombëtar i Kosovës do të duhej të ishte ekuivalent , pa asnjë mëdyshje, me pavarësinë dhe sovranitetin, me subjektivitet të njohur ndërkombëtar, në gjithë territorin e saj, përfshirë pjesën veriore të Kosovës dhe të ashtuquajturat komuna me shumicë serbe. Për Kosovën janë të papranueshme përsiatjet dhe kërkesat serbe, të kamufluara në projektin për decentralizimin, për krijimin e dy entiteve ose për ndarjen e Kosovës. Vetëm një shtet me territor të unifikuar dhe shtrirje të institucioneve dhe të ligjeve të tij në gjithë atë territor, do të mund të pengonte invalidimin e tij.

Gjendja e çështjes shqiptare në segmentet e tjera të veçuara të saj

Shqiptarët në Maqedoni ende nuk gëzojnë një status adekuat kushtetues. Deklarimi i pavarësisë së Maqedonisë ndodhi pa u sqarua pozicioni i etnikumit shqiptar dhe pjesëmarrja e tij në rregullimin kushtetues të këtij vendi, pra pa u përkufizuar premisat dhe raportet brendapërbrenda formacionit të ri shoqëror. Për pasojë, regjimi sllavo-maqedonas nuk ndërtoi një qëndrim të drejtë ndaj shqiptarëve etnikë, duke mos ngritur një mekanizëm konsensual që do të mund të ndalonte mundësinë e majorizimit të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre që, formalisht, u njiheshin më parë, me gjithë pamundësinë e realizimit të tyre në praktikë. Në këtë mënyrë, Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1991 u bë gjeneratori themelor i krizës në raportet shqiptaro- sllavo-maqedonase, për shkak të pozitës denigruese kushtetuese -juridike të shqiptarëve në të, në mënyrë të veçantë për shkak të trajtimit të tyre si pakicë kombëtare. Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një "marrëveshje historike" ndërmjet shqiptarëve dhe sllavo-maqedonase që, megjithatë, qoftë me parimet dhe zgjidhjet dhe në mënyrë të veçantë, me zbatimin e tyre në praktikë, nuk arsyetoi kualifikimin që iu dha. Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tiparet e theksuara demografike të numrit të tyre dhe të koncentrimit të lartë dhe të gjerë në trojet e veta etnike, si dhe të përbashkëta jetësore në këtë republikë dhe, mbi këtë bazë, konservoi për ta statusin e denigrues të "pakicës kombëtare", madje pa i përmendur fare, përveç se në kuadër të "bashkësive" që përbëjnë "shtetin shumetnik", edhe pse shqiptarët, në fakt, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik që, si krejtësisht i barabartë me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtet- formues, kështu që Marrëveshja e Ohrit nuk e eliminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni-trajtimin e shqiptarëve si minoritet. E ardhmja e Maqedonisë mund të ndërtohet vetëm me përkufizimin e saj si shtet i popujve që nënkupton njohjen e subjektivitetit shtet-formues dhe kushtetues - juridik të barabartë të popullit shqiptar në Maqedoni, si pikënisje për nxjerrjen e një kushtetute të re të saj. Në Maqedoni duhet të vendoset një koncept i ri shtetëror "që pamundëson dominimin sistemor të një etnikumi mbi tjetrin" dhe që i cilëson shqiptarët si popull autokton, si pjesë integrale e popullit shqiptar në Ballkan, në hapësirën kontinuele gjeografike ku ai jeton në shumicë etnike, pra që nuk i cilëson si "pakicë kombëtare", por si popull me të drejtën e vazhdueshme dhe të pashteruar të vetëvendosjes kombëtare. Avancimi i statusit kushtetues- juridik i shqiptarëve në Maqedoni ka mbështetje në shumë argumente e fakte të pakontestueshme historike, politike dhe kushtetuese - juridike, nga të cilat po përmendim:

Se shqiptarët në Maqedoni kanë qenë gjithmonë, pra historikisht, element konstitutiv i shtetësisë së Maqedonisë, nga Republika e Krushevës (903), ASNOM- i (1944) dhe Kushtetuta e Maqedonisë(1974).

Se ata jetojnë në trojet e veta etnike dhe se janë popull autokton në ato troje;se ata i veçon kompaktësia e tyre etnike, territoriale,historike, kulturore dhe gjuhësore;se ata në trojet e veta etnike janë popull shumicë dhe se ata nuk mund të trajtohen si "pakicë kombëtare": as për nga numri i popullsisë së përgjithshme, as për nga shkalla e vetëdijës dhe as për nga zhvillimi shpirtëror dhe kulturor i tyre.

Se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një grup të shquar etnik dhe vetëdija e tyre mbi përkatësinë asaj bashkësie të vjetër etnike nuk mund të injorohet njëanshëm.

Shqiptarët që jetojnë në Jug të Serbisë që, në fakt, përbën Kosovën Lindore, sistematikisht janë të rrethuar me represionin dhe dhunën e pushtetit serb. Represioni dhe dhuna e pushtetit serb në komunat shqiptare (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), janë rritur në mënyrë të veçantë pas artikulimit të kërkesave të shqiptarëve për autonomi politiko -territoriale të tyre, me të drejtë bashkimi me Kosovën. Kjo kërkesë e tyre u shpreh nëpërmjet një referendumi të mbajtur me 1 e 2 mars 1992. Regjimi serb shqiptarët e këtyre trevave asnjëherë nuk i ka trajtuar si subjekt të rëndësishëm politik në mënyrë që të përfillë kërkesat legale dhe legjitime të tyre. Përkundrazi, ka shuar me represion dhe me dhunë çdo përpjekje të shqiptarëve për avancimin e pozitës politike e kombëtare të tyre, edhe pse ata, në fakt, përbëjnë shumicën e popullsisë në ato territore. Pretendimet e Serbisë për të mbajtur "nën pushtim" Kosovën Lindore nuk mund t'i qëndrojnë kohës sepse, më në fund, komunat shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës " i janë bashkëngjitur Serbisë" në kohë paqeje, e jo si pasojë lufte. E drejta e popullit për vetëvendosje nuk konsumohet me një herë.Shqiptarët e Kosovës Lindore gjithnjë e më shumë po theksojnë përkushtimin e tyre për t'i (ri)lidhur fatet me Kosovën, duke mos e konsideruar Serbinë, as si shtet të vetin dhe as si "ombrellë sigurie" për të ardhmen e tyre. Serbia, në të vërtetë, është sjellur dhe vazhdon të sillet armiqësisht ndaj shqiptarëve etnikë dhe ky fakt përbën thelbin e krizës në marrëdhëniet e shqiptarëve dhe të serbëve dhe e bën shumë të themeltë kërkesën e tyre për t' iu (ri) kthyer etnisë së vet. Madje, madje, kërkesën e shqiptarëve për t'u bashkuar me Kosovën nuk duhet konsideruar si vetëm dhe kryesisht, kundërpërgjigje të tyre represionit dhe dhunës që kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë serbët mbi ta, por si e drejtë legale dhe kombëtare e tyre, e mbështetur në parimin e vetëvendosjes, të prononcuar edhe në të drejtën ndërkombëtare, si faktori më përcaktues për fatet dhe të ardhmen e popujve të rrezikuar.

Me gjithë ca nismave që janë ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, ata vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë dhe të jenë të privuar nga liritë dhe të drejtat kolektive kombëtare. E kaluara e shqiptarëve në këto troje ishte e hidhur, po sikurse që mbetet denigruese pozita e tashme kushtetuese - juridike e tyre, ndërkohë që pushteti malazias shtihet i shurdhër për shumë kërkesa legale dhe të ligjshme të shqiptarëve për emancipimin qytetar e kombëtar të tyre, kështu që ata përherë ndihen të diskriminuar në raport me malaziasit. Përfaqësimi i shqiptarëve në pushtet dhe në jetën publike përgjithësisht është fare i pakonsiderueshëm. Duke u nisur nga fakti se ata jetojnë në trojet e veta etnike, në një rrip të pandërprerë territorial me shqiptarët e tjerë në Ballkan, nuk mund të injorohet kërkesa e vazhdueshme e tyre për ndryshimin e statusit kushtetues të tyre në mbarë republikën, veçanërisht për zgjerimin dhe forcimin e pushtetit lokal në trevat ku përbëjnë shumicën e popullsisë, po sikurse që nuk mund të injorohet as e drejta e tyre për vetëvendosje, në kushtet dhe rrethanat, që mund t'i krijojë e ardhmja e Ballkanit dhe e popujve që jetojnë në të.

Kapitull më vete paraqet çështja çame, e cila përmendet ndonjëherë "sa ndërgjegje për të larë". Prania e shqiptarëve në Greqinë fqinje është shumë e hershme. Shqiptarët etnikë banojnë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre, të cilat janë në vazhdimësi të pandërprera me territorin e Shqipërisë dhe të cilat kanë qenë për mijëra vjet pjesë përbërëse e territorit shqiptar, pavarësisht nga kufijtë që u vendosën në vitin 1913. Çështja çame mbetet e hapur, por e paaktualizuar, as sa duhet dhe as si duhet nga shteti shqiptar. Ka mbetur i pazgjidhur problemi i pronave të shqiptarëve në Çamëri, po sikurse që ka mbetur i pazgjidhur problemi i njohjes, në shkallë të kënaqshme, i të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve që jetojnë aty. Çështja çamë kërkon trajtim politik. Ky është thelbi i problemit." Çështja çame është përdorur për pazare politike me qëllim krijimin e një stabiliteti ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë". Qeveria e Shqipërisë po e neglizhon këtë çështje. Nuk ka dyshim se çështja çame mbetet njëra "nga pikat kyçe" , nga ato pika që "mbajnë pezull" marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve. Përfundimi është i qartë: "nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, nëse nuk zgjidhet çështja çame": kthimi i çamëve në tokat e tyre, e drejta e pronës dhe të gjitha të drejtat e tjera që burojnë nga dokumentet e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora