E premte, 29.03.2024, 11:49 AM (GMT)

Kulturë

Gjon Keka: Fuqia e mendimit të GJND-së

E merkure, 28.07.2010, 08:59 PM


Fuqia e mendimit të GJND-së

 

Nga Gjon Keka

 

Shteti i mbikëqyrur i Kosovës sërish këto ditë është gjendur në fushën ndërkombëtare, tani jo për të luajtur lojëra politike e diplomatike, por për të peshuar të drejtën e saj në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe vetëvendosjes së popujve. Fuqia e mendimit dhe të vërtetës historike rreth deklarimit të pavarësisë së Kosovës nga ana e GJND-së se ajo ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, është një ngadhënjim dhe avancim jo vetëm i së drejtës historike, por edhe i së drejtës ndërkombëtare si lëmi e veçantë e shkencave juridiko-politike. Ngadhënjimi i vullnetit të popullit të Kosovës për të jetuar të lirë dhe të pavarur ishte thelbi që gjente mbështetje në rrënjët e së drejtës ndërkombëtare dhe asaj historike të kombeve e popujve. Mbështetja dhe miratimi i këtij vullneti nga ana e GJND-së tregon qartë se popujt janë të lirë të vendosin për fatin dhe të ardhmen e tyre historike, e plotëson dhe e forcon shtyllën e së drejtës ndërkombëtare të popujve për vetëvendosje dhe nuk ka asnjë rregull apo ligj që ndalon rrugën e lirisë dhe vetëvendosjes së popujve.

 

Duhet sqaruar se rasti i Kosovës është konsideruar si një rast “sui generis” gjë që ka bërë që vendet tjera të mos nxiten të bëjnë lëvizje tjera të krijimit të një precedenti, prandaj edhe mënyra e qasje së gjithë procesit deri te deklarimi i pavarësisë së saj është mbështetur në parimet e dala nga propozimi final i emisarit special te OKB-së, Martti Ahtisaari. Gjithashtu duhet nënvizuar se GJND-ja me një përmbledhje koncize të historisë, situatës dhe proceseve në Kosovës që nga paslufta duke përfshirë këtu edhe rekomandimin në mënyrë eksplicite për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës nga emisari Martti Ahtsisaari, pastaj Rezolutën 1244, Kornizën Kushtetuese erdhi në përfundim se deklarata e pavarësisë së Kosovës e shkurtit 2008 e dalë nga vullneti i popullit nuk është aspak në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe atë të vetëvendosjes së popujve, por është pjesë e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare.

 

Ka qenë e ditur se Kosova nuk mund të mbetet gjithmonë në status quo gjithashtu nuk mund të mbetet gjithmonë pjesë e dëshirave serbe që sa herë të duan ata të zhvillojnë negociata, sepse që nga marsi i vitit 2006 e deri në fund të vitit 2007 kur edhe u bënë përpjekjet e mëdha për zgjidhjen e statusit të Kosovës pala serbe ishte pala jokonstruktive dhe jokooperuese thjeshtë ishte pala që nuk pajtohej me realitetin se alternativa e vetme për Kosovën ishte shtet i mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Dhe që nga ajo kohë e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, politika dhe diplomacia serbe e strucit mbeti pengesa kryesore dhe e sëmura ideologjike dhe doktrinare e rajonit, gjë që e la Serbinë një ndër vendet që nuk donte dhe nuk arrinte të hynte në shekullin e XXI për shkak të shovinizmit të saj brenda garniturës politike e shtetërore. Sepse, hyrja e Serbisë në shekullin XXI do të thoshte pranim i realitet dhe dalja në rrugën e arsyes, por si duket ajo ishte mësuar tanimë në shpellën e errët të nacionalizmit dhe çmendurisë verbues.

 

Po nga kjo çmendi milosheviqiane Serbia kishte kërkuar që GJND-ja të jap mendimin në lidhje me deklarimin e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 me shpresën se gjykata do ta kundërshtonte dhe do t'ia mohonte Kosovës vullnetin e së drejtës për vetëvendosje. Por kjo ëndërr serbe mbeti vetëm ëndërr e keqe dhe ajo vdiq kur iu hapën sytë Serbisë përball GJND-së e cila e vërtetoi realitetin se Kosova dhe e drejta e saj për të jetuar të lirë dhe të pavarur ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe atë të vetëvendosjes. Serbia vdiq sa politikisht e diplomatikisht po aq edhe juridikisht për ta kthyer ëndrrën e saj në tryezë ndërkombëtare. Historia ishte në anën e Kosovës dhe së drejtës së saj, Serbia ishte dhe mbeti humbëse dhe kështu do të mbetet përderisa nuk shërohet nga sëmundjet e saj të nacionalizmit të verbër.

 

Sidoqoftë opinioni juridik i GJND-së ishte ligjërisht i detyrueshëm për çdo faqe të proceseve të historisë së Kosovës për vetëvendosje, por edhe për faqen e ndritshme të bazamentit të së drejtës ndërkombëtare e cila përqafonte thellë vullnetin e deklaruar të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Fuqia e votës së GJND-së në 10:4 kur dihet se GJND ka 15 gjyqtarë të përhershëm të kombeve të ndryshme të caktuar nga Asambleja e KS të OKB-së, atëherë shihet qartë se sa i fuqishëm ishte ky mendim këshillëdhënës dhe se sa e ligjshme ishte deklarata e pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk ka asnjë dilemë se e drejta historike dhe ajo ndërkombëtare forcuan në tërësi themelet e deklaratës së pavarësisë së Kosovë të 17 shkurtit 2008. Mendimi ligjërisht i drejtë i GJND-së ishte jo vetëm një suksesi i madh e i moderuar i procesit të së drejtës ndërkombëtare dhe të vetëvendosjes, por edhe një fuqizim i themeleve bazë të vullnetit të popullit të Kosovës dhe ardhmërisë së tij politike dhe historike. Prandaj vlerësimi juridik i GJND –së i 22 korrikut 2010 ka rëndësi të madhe politike, por edhe juridike për të ardhmen e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, ngase ajo i kontribuon në mënyrë të rëndësishme forcimit të shtyllave bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të vetëvendosjes me rastin e pavarësisë së Kosovës si e drejtë legjitime.

 

Po ashtu ky është një mendim ngazëllues, sepse GJND-ja shpalosi një të vërtetë historike dhe faktike duke e mbështetur atë mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe së drejtës ndërkombëtare, duke e vendosur kështu Kosovën në rrugët e saj juridike ndërkombëtare, por edhe duke i dhënë kështu një nder e respekt të madh traditës së të drejtës ndërkombëtare dhe të vetëvendosjes, por edhe të drejtës historike të popujve.

Me një fjalë mendimi i GJND-së i 22 korrikut është një vendim historik që i dha fund ëndrrave serbe dhe kërkesave të saj të paarsyeshme dhe kështu pavarësia e Kosovës tani është një proces i pakthyeshëm. Tani shteti i mbikëqyrur i Kosovës duhet të fokusohet dhe të punoj pandalshëm në heqjen qafe te korrupsionit, krimit të organizuar, rrezikut nga terrorizmi, ndreqjes së imazhit të shtetit etj etj. Gjithashtu institucionet duhet të punojnë në rritjen e njohjes nga shtetet që ende nuk e kanë njohur deri më tani. Tani sidomos pas vlerësimit dhe miratimit të së drejtës për vetëvendosje nga ana e GJND-së, Kosova e ka bazën e fortë që të filloj ofensivën diplomatike për njohjen totale dhe përgatitjes së rrugës për anëtarësim në OKB si dhe rrugës së integrimeve euroatlantike në proceset në vijim.

 

Shteti i mbikëqyrur i Kosovës tani ka nevojë imediate për të përmbushur kuadrin e njohjeve të përgjithshme ashtu që suksesi i vlerësimit të GJND-së të mos jetë vetëm një sukses i vetëmjaftueshëm, por si një motivim për t'i përvjelë mëngët dhe për të filluar punën rreth njohjes nga të gjitha vendet e botës demokratike dhe të ndërtimit të një shteti demokratik, juridik dhe evropian. Prandaj po e përmbylli më një thënie të mençur të kryeministrit anglezë Winston Churchill në lidhje me suksesin dhe rrugën e gjatë të punës drejtë një qëllim të lartë se “suksesi nuk është përfundimtar...ai është një kurajo e rëndësishme për të vazhduar tutje”. Dhe si asnjëherë më parë, Kosova tani këtë sukses të madh duhet ta shndërroj në vepra të mëdha në proceset e saj përpara drejt rrugës së integrimeve euroatlantike.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora