E premte, 19.04.2024, 02:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Frederik Stamati: Arvanitasit e Peter von Hess-it

E merkure, 28.07.2010, 09:35 PM


Arvanitasit e Peter von Hess-it

 

Nga Frederik Stamati

 

Heronjtë shqiptarë në luftën për çlirimin e Greqisë nga Turqia, ashtu siç i ka lënë në litografet në Muzeun "Benaqi", piktori gjerman Peter von Hess.

Nuk është pak që të tërheqësh vëmendjen e të tjerëve mbi ty, për më tepër kur bota ka shumë heronj. Këtë e bënë edhe arvanitasit, po aq shqiptarë sa edhe ne për nga gjaku, në luftën për çlirimin e Greqisë nga Turqia në fillimet e shekullit të nëntëmbëdhjetë.

 

Aq e madhe ishte trimëria e tyre, sa sot mund të konsiderohet legjendare.

Një ndër shumë piktorë që u impresionuan nga lufta e Greqisë për pavarësi ishte gjermani Peter von Hess.

 

Kuptimi më i mirë i asaj që do të paraqesim më poshtë e do që të themi nja dy fjalë për të, duke u bazuar në Enciklopedinë Trekani. Ai lindi në Dyseldorf në vitin 1792 dhe vdiq në 1871 në Monako, ku edhe kishte frekuentuar për pak kohë Akademinë.

 

Duke braktisur neoklasicizmin akademik ai dha piktura me skena të goditura të jetës së përditshme. Shumë subjekte të pikturave të tij janë të frymëzuara nga lufta e viteve 1813-1815. Gjatë vitit 1818 udhëtoi nëpër Alpet e Italisë ku u frymëzua për të punuar në gjininë e peizazhit.

 

Në vitin 1833 shoqëroi mbretin e ri Otto për në Greqi. Si rezultat i këtij udhëtimi dolën dy kompozime të mëdha me portrete të shumta dhe që ishin: e para "Hyrja në Nauplion", (Nauplion, Neples i thonë grekërit, në gjirin e Argolidës, ishte kryeqyteti i parë i shtetit grek të sapoformuar), në vitin 1835 dhe e dyta "Mikpritja kushtuar mbretit në Athinë", e vitit 1839. Këto ndodhen në pinakotekën e Monakos, ku ruhen koleksionet më të mëdha të veprës së tij.

 

Në Bulevardin "Sofia Venizellos" të Athinës ndodhet Muzeu "Benaqis". Është bazuar në koleksionin shumë të madh të Antonis Benaqis. Shumë dashamirës të tjerë i dhuruan këtij muzeu të famshëm objekte dhe piktura nga trashëgimia e tyre. Deri në vitin 2000 ky muze numëronte 351000 objekte, piktura, libra, fotografi dhe njësi arkivore.

 

Në katin e tretë të këtij muzeu, në një kamare të madhe janë ekspozuar tridhjetë e dy litografi. Litografët janë stampat. Përmbajtja e tyre është luftë. Stampat nuk janë të mëdha dhe mund të krahasohen me një fletë të formatit A 4.

 

Dy etiketa, njëra në greqisht dhe tjetra në anglisht shpjegojnë, përmbledhurazi përmbajtjen. A nuk do të ishte më e saktë që ta citojmë shkrimin?

"Çlirimi i Greqisë":

 

"32 litografi të lyera me dorë nga Peter von Hess (1792-1871), nga albumi "Die Befreiung Griechland, in 39 Bildernentëorfen, (Çlirimi i Greqisë, që përmban 39 portrete), riprodhojnë skena nga betejat greke për pavarësi.

 

Von Hess, një piktor i shquar i skenave të betejave, vizitoi Greqinë për herë të parë në 1832, si një anëtar i shoqëruesve të Otonit. (Le të shpjegojmë pak jashtë etiketës se cili ishte Otoni. Ky ishte djali i mbretit filogrek të Bavarisë, Ludvigut I, i zgjedhur nga Fuqitë e mëdha si mbret i Greqisë. Ishte ai që shpalli Athinën kryeqytet.

 

Se si shkuan punët më vonë, deri në braktisjen e fronit, është tjetër gjë dhe nuk na intereson në këtë shkrim). Ai, (Peter von Hess) ishte porositur nga mbreti Ludvig I i Bavarisë të paraqiste në piktura mbërritjen e djalit të tij si mbret i shtetit të sapoformuar.

 

Në të njëjtin vit von Hess bëri vizatime të ngjarjeve në Luftën Greke të Pavarësisë, bazuar në Historinë e Revolucionit grek, të botuar në 1832 nga filoheleni skocez Thomas Gordon, i cili ishte një dëshmitar i këtyre ngjarjeve.

 

Pikturat murale (1841-'44), të realizuara nga këto skena u destinuan të zbukuronin portikun verior të kopshtit mbretëror në pallatin në Mynih dhe kishin si qëllim që të krijonin një përshtypje pozitive të Greqisë dhe të lidhjeve të reja të ngushta me Bavarinë. Këto piktura u shkatërruan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke lënë origjinalet e vizatimeve dhe litografët e mëvonshme si një kujtim i vetëm i tyre."

 

Arvanitasit që frymëzuan Peter von Hess janë:

 

"Fitorja e Odise Andrucios dhe Gouras në Fontana, Greqia qendrore.

Vdekja e Marko Boçarit në Karpenisi 8 gusht 1823.

Kolokotroni në Lerna, Peleponez, qershor 1822.

 

Andrea Miaouli duke shpartalluar flotën turke.

Fitorja e Gjergj Karaiskaqit në Arachova, 14 nëntor 1826.

 

Nuk do të bëj komente për këto piktura, sepse do të ishte vetëm një përshkrim pa vlerë i imazhit. Po ua lë specialistëve të artit, të cilët do të dinë të na japin atë se çfarë është më e rëndësishme. Njëkohësisht do të doja t'i kërkoja ndjesë lexuesit për cilësinë e fotove, jo për t'u justifikuar.

 

Këto fotografi janë marrë në kushtet e errësirës së muzeut dhe ata që merren me këto punë e dinë se çfarë do të thotë të marrësh fotografi të sakta në një muze, ku fjala "strikt" është e pafuqishme. Janë po këto arsye se pse nuk po jap për botim pikturën që paraqet Gjergj Karaiskaqin. Le të shpresojmë për të ardhmen!

 

Disa pak fjalë për këta arvanitas:

Odise Andruco ose Luani i Rumelisë. U rrit jetim në Oborrin e Ali Pashë Tepelenës, të cilit edhe i shërbeu. Ishte frymëzuesi i Këshillit të Kapedanëve të Rumelisë, që synonin bashkimin e Greqisë në luftë kundër turqve.

 

U mbështet edhe tek Ali Pashë Tepelena, gjë që i kushtoi shumë. Ziliqarët e famës së tij e akuzuan si tradhtar. Ai u ekzekutua. Në ato kohëra nuk pyetnin shumë. Rehabilitimi i tij u bë shumë vjet më vonë. Tani qëndron në muze.

 

Marko Boçari, shqiptar nga Suli, i vrarë nga ushtarët e Mehmet Pashë Bushatlliut në betejën e Karpenisit. Për të është shkruar edhe herë të tjera, gjë që na bën të mos ndalemi më gjatë në figurën e tij, që ka merituar libra.

 

Teodor Kolokotroni. Suliot për nga origjina, ideator i një mbretërie të përbashkët greko-shqiptare, mik me myslimanë aq sa edhe me të krishterët. Mbas një burgu të kotë për mosmarrëveshje me qeverinë greke, u fal dhe u shpall kryekomandant i ushtrisë. U vra me pabesi në vitin 1843.

 

Andrea Miaouli ose "Admirali i Madh". Pirat në fillim dhe pastaj komandant flote. Ndihmoi me luftë dhe para revolucionin grek.

 

Gjergj Karaiskaqi. Nga kaçak, rob tek Ali Pashë Tepelena, u bë një nga njerëzit më të besuar të tij. Në 1824 qeveria greke e shpalli tradhtar, e degradoi, por pastaj e fali. U plagos në rrethana të dyshimta dhe vdiq në betejën e Akropolit në vitin 1827.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora