E premte, 19.04.2024, 03:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmira Nikolli: Ndërtimet pa leje rrethojnë Memorialin e Skënderbeut

E merkure, 28.07.2010, 08:24 PM


Ndërtimet pa leje rrethojnë Memorialin e Skënderbeut

 

Nga Fatmira Nikolli

 

Lezha na pret krahëhapur, ashtu si në vitin 1444 priti Skënderbeun e princër të tjerë shqiptarë në Kuvendin që mori emrin e qytetit. Gjergj Kastrioti, në këtë qytet bashkoi forcat kundër perandorisë osmane, e po aty i pushuan eshtrat, kur ndaloi së marri frymë. Sot, aty ku para 5 shekujsh ai u varros, ka një monument që e përkujton. Muret e kishës së kthyer në xhami, e më tej sërish në kishë, janë të paplota e të rëna. Ndërkaq, rreth tij ka edhe mure të tjera "gjysmakë" e të vjetër, që iu takojnë objekteve të tjera në atë zonë. Memoriali i vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë duket si i vetmuar. Në hyrje të tij, një tabelë sqaron oraret e ditët kur mund të vizitohet, ashtu si edhe çmimin e biletave. Është korrik e megjithëse messezoni, nuk ka lëvizje. Sapo hyn brenda rrethimit të tij, në të majtë gjendet një dyqan që shet objekte artizanale. Të nxehtin e thatësirën e deri para pak ditëve, duket se e ka ndjerë edhe bari përreth memorialit. Është i zbehtë apo thuajse i thatë. Drejtohemi drejt varrit dhe hyjmë brenda. Dera është e hapur dhe nuk ka njeri. Në dysheme është një kovë dhe një leckë. Teksa lexojmë mbishkrimet mbi betejat e heroit, e përfitojmë nga rasti për të fotografuar, ia beh një zonjë. I prezantohemi dhe ajo na thotë që kujdeset për pastërtinë e monumentit. E pyesim për ciceronin dhe na sqaron se ai është larguar për pak kohë me grupin e arkeologëve që po fillojnë gërmimet në zonën përreth memorialit. Na thotë se aty duhet paguar bileta dhe ne marrim biletat. Kur e pyesim se sa vonohet ciceroni, zonja shprehet se do ta lajmërojë që të nxitojë. Ciceronin Marash Noka e presim në ambientin e jashtëm të memorialit, e gjatë kësaj kohë vëmë re se brenda murit rrethues kanë mbirë dy ndërtesa. Siç shihet, fundkorriku e ka gjetur Memorialin e Skënderbeut në Lezhë të rrethuar nga ndërtimet pa leje. Vetëm brenda rrethimit të tij janë dy syresh. Njëra prej tyre është një vilë trekatëshe, ndërsa tjetra, një shtëpi dykatëshe. Që të dyja janë pothuaj ngjitur me memorialin. Këto, vetëm brenda rrethimit, sepse jashtë tij ka një bum ndërtimesh. Lokale, pijetore, hotele, bare, restorante, shtëpi banimi, dyqane ...e lista vazhdon. Ato variojnë nga më modernet e deri tek më "të lodhurat".

 

Ndërtimet pa leje

 

Ciceroni quhet Marash Noka dhe ka gjashtë vite që punon tek memoriali. Kur ai kthehet duke kërkuar ndjesë, i pyetur mbi ndërtimet pa leje, na thotë se ato kanë mbi 10 vite që janë aty, duke sqaruar më parë se ai vetë ka 6 vite që punon aty si ciceron. Ai nuk di të thotë se nga e kanë marrë guximin ata banorë të ngrenë mure në një zonë arkeologjike, por shprehet se nuk kanë lindur "dje". Nëse e matim në metra largësinë nga memoriali e deri tek banesa më e afërt, me siguri ajo nuk shkon më shumë se 15. Kështu, përkundrejt mureve të vjetra më të hershme se mesjeta, na qëndrojnë hijerënda edhe muret e reja të kohëve të fundit. Kohët aty përplasen përmes dëshmive të tyre, shekujt janë përballë po ashtu, edhe pse njëra palë me të drejtë e tjetra me të padrejtë. Pyesim një zotëri që shkon drejt tyre, se pse i kanë ndërtuar shtëpitë aty, por ai na sheh shtrembër dhe ikën, sigurisht pa u përgjigjur. Kur e pyesim për dy ndërtimet në brendësi të rrethimit të varrit, ai na thotë se janë objekte pa leje, me të cilat duhet të merret Policia Ndërtimore. "Unë nuk e di nëse ka pasur ndonjë vendim për shembjen e tyre këto kohët e fundit, por di që është përfolur se do të shemben", - thotë Noka për banesat. Më tej ai na thotë se zonë arkeologjike është që nga vendi përreth varrit e deri lart në Kalanë e Lezhës. Konstatojmë që në këtë zonë, duke filluar nga varri e duke iu ngjitur kodrës gjer në kala, ndërtesat janë të panumërta, pra e gjithë zona arkeologjike. Beton i shekullit 20 e 21 mbi muret e hershme. Sa i takon kësaj, Noka thotë: "Kanë vite që janë të ndërtuara, kryesisht pas viteve 1990". Për këto, ai nuk di të thotë nëse janë me leje apo jo.

 

Turistët

 

Më tej ciceroni na flet për turistët që vizitojnë monumentin. "Numri i turistëve këtë vit është pothuajse i njëjtë me atë të vitit që shkoi. Mund të them që numri i turistëve të huaj këtë vit ka qenë më i madh, ndërkaq është njësoj ai i turistëve vendas", - na thotë Noka. Sipas tij, memoriali vizitohet nga pothuaj 1500-2000 veta në muaj, ndërsa numri i tyre për një vit shkon pothuaj 11 mijë veta.

 

Gërmimet

 

Ndërkaq, në zonë kanë filluar gërmimet arkeologjike. Siç mësojmë prej ciceronit, është një ekip arkeologësh shqiptaro-gjermanë që po punojnë aty. Meqenëse anëtarët e ekipit nuk i takuam dot, sepse ishin zhvendosur për pak kohë, Marash Noka na thotë diçka për punën e tyre. "Ata tani po punojnë në afërsi të memorialit, ndërsa më tej do të vijojnë punën në zonën e Kalasë. Gërmimet bëhen në kuadër të një bashkëpunimi kulturor me Gjermaninë dhe i financon Institutit Arkeologjik Gjerman (DAI) dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë." Sipas tij, aty po punojnë dy arkeologët shqiptarë, Gëzim Hoxha e Bashkim Lahi, e përveç tyre edhe dy gjermanë. Në këtë zonë, gërmime nga ky ekip ka pasur edhe vitin e kaluar. Atëkohë u zbuluan pjesë të mëdha të një ndërtimi të mbuluar me fragmente të qindra amforave, i cili daton nga shekulli I p.e.s. Ky ndërtim mbështetej pjesërisht mbi mure të vjetër, të cilët sipas teknikës së tyre duhet të kenë qenë pjesë e murit të qytetit në fazën e hershme të tij. Sondimet dolën në rezultatin se aty kishte edhe shtresa të periudhës së vonë romake. Synimet për këtë vit, sipas Nokës, janë gërmime të mëtejshme që të hidhet ende më shumë dritë mbi historinë e Lezhës.

 

Monumenti

 

Memoriali i Skënderbeut është ngritur brenda Katedrales së Shën Nikollës. Katedralja e Shën Nikollës në Lezhë ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kjo katedrale, në shek. XVII qe shndërruar në xhami. Themelet e saj janë të shek. XIV dhe katedralja është e tipit bazilikat, me gjatësi 17 m dhe gjerësi 8 m. Xhamia qe në këmbë deri aty nga 1967-ta dhe ishte funksionale e mjaft solide edhe si ndërtim, edhe si minare. Më 1968-ën, Xhamia Selimie iu nënshtrua gërmimeve arkeologjike dhe u restaurua. Në këtë kohë çatia edhe minarja u hoqën dhe objekti mori emrin "Memoriali i vendvarrimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut". Më 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, që ishte në zotërimin e Venedikut, u organizua Kuvendi i Princërve Shqiptarë, ku morën pjese Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Pal Dukagjini, Teodor Korona Muzaka, Lek Zaharia, Lek Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, Stefan Cenojevici etj. Ky kuvend u bë në Katedralen e Shën Nikollës dhe krijoi "Lidhjen Shqiptare" me Skënderbeun si kryetar të saj, me titullin: "Kapiten i Përgjithshëm" (Capitaneus Generalis). Sipas tregimit të Marin Barletit, turqit i morën kockat e Skënderbeut, i mbështollën me flori dhe argjend për t'i përdorur si hajmali të pathyeshmërisë në beteja. Zbulimet e vjetshme arkeologjike sipas arkeologut Gëzim Hoxha shkojnë mjaft mirë në përputhje me ato çka studimet më të hershme arkeologjikë kanë thënë se nën Memorialin e Skënderbeut ndodhej një kishë shumë e hershme e cila është rinovuar në shekullin e XII-të, është rinovuar përsëri në shek e XIV-të dhe në të cilën u varros heroi i kombit, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe që pas pushtimit turk u kthye në xhami. Pas tërmetit të 1979-ës, këtu u ndërmorën kërkime arkeologjike të një niveli të lartë dhe u vendos të ngrihej ajo që u quajt përkujtimorja ose Memoriali i Skënderbeut". Arkeologu Hoxha qe shprehur se "me sa duket kjo ka vazhduar të përdoret për një kohë të gjatë dhe ka mbetur e pastër. Në një kohë kaq të gjatë përdorimi, që nga shekulli XII-të dhe ndoshta deri në kohën e Skënderbeut, ka mbetur e pastër se ka qenë në përdorim. Ne e kemi gjetur të mbuluar me dhe, dhe nuk ka pasur shumë kulturë brenda për ta gjykuar përfundimisht. Është e nevojshme që të gërmojmë edhe rrethinën e këtij objekti dhe kjo do të na japë mundësi për të gjykuar me saktësi dhe për datimin, funksion Ndërkohë që të dhënat që historia ka ofruar për vendin ku mund të jetë varri i Skënderbeut, i ka përplasur historianët mes dy tezave. Dihet që heroi është varrosur në një kishë të rëndësishme të Lezhës, Shën Kollit, vendndodhja e së cilës gjithashtu është mjaft e diskutueshme. Dokumente të mbajtura në kohë të ndryshme, herë e pozicionojnë brenda mureve të kalasë e herë tjetër në qytet.

 

Memoriali Skenderbeut Etyd nga K.Traboini:

http://www.youtube.com/watch?v=cpF_Q5oa4Ak

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora