E enjte, 18.04.2024, 01:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Fadil Curri: ''Gjysma dashurish'', risi në prozën e letërsisë femërore

E marte, 27.07.2010, 09:57 PM


“GJYSMA DASHURISH”, RISI NE PROZEN E LETERSISE FEMERORE

 

NGA FADIL CURRI, MBI LIBRIN "GJYSMA DASHURISH" TE IRENA GJONIT

 

 "PROZE E REFLEKSIONEVE TE POETIZUARA DREJT GJETJES SE TE PANJOHURES"

DOLI NE QARKULLIM LIBRI ME FIKSIONE "GJYSMA DASHURISH" I IRENA GJONIT. GJENDET NE LIBRARITE E RRJETIT "ADRION" SI DHE LIBRARITE "TOENA".

 

Irena Gjoni duket se me guxim intelektual hyri në Republikën diturore dhe artistike së pari me librin poetik “Tatuazh në shpirt të detit” (2003), me librin shkencor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (2008) e këto ditë edhe me librin në prozë "Gjysma dashurish".

Tufa e prozave "Gjysma dashurish" i autores Irena Gjoni, është krijim letrar që ngërthen në vete

njohjen e guximshme të së panjohurës, përpjekjet për sheshimin e saj nga mjegulla e kohëve e epokave, letrarizimin e ngjarjeve e personazheve baladeske në dioptrinë e modernitetit, rinjohjen e riformatizuar, lindja e vdekja e mbërthyer sipas vullneteve jovullnetare. Mbarështrimi i motiveve, frymëzimeve dhe ofrimi recepientëve lexuesorë bëhet me refleksione të poetizuara në këtë prozë dhe formon stilin e autores ndaj lexuesit me nëntektstualitet ndërkohor. Fati përsëritet paafatshëm, rrokulliset herë i vogël, herë i madh, përsëri i del përpara njeriut farfuritshëm, duke ia kujtuar të mos e harrojë veten se mund ta pësojë, nëse nuk përvojësohet nga ai.

Autorja e bën një punë humane, sikur do një fotografi të moçme, të zhubravitur dhe gati që po shuhet, ta shpëtojë duke ia dhënë një fotografi a portretisti ta ripërjetësojë para se të tretet përfundimisht.

Duket se prore ka lëndë trajtimi unin e njeriut, shpirtin e mendjen e tij që lindin e zhvillohen binjakërisht. “Të duket e çuditshme që unë kam qenë gjithë këto vite te ti? Ndoshta, sepse unë s’kam qenë te ti. Unë kam qenë vet ti. Ndjenjat e mia më treguan historinë e shpirtit tënd. Në këtë ekzistencë të përjetshme u ngjita drejt qiellit të ndritshëm, ku përjetësia nuk mbaron”. Prandaj, zhdërvjelltësia ideore “që kam qenë…, …sepse s’kam qenë”, krijon bukurinë e zgjidhjes enigmatike me disiplinë zbërthyese në këtë përballje kundërshtish të rrethanave të përshkruara në prozë. Dhe lexuesi është në një ankth të pritjes së kësaj zgjedhjeje për një zgjidhje të mirëfilltë. Rruga e mistereve të jetës së njeriut është analoge me atë të ideshmërisë dhe të karakterit, sikur lexuesi i vëmendshëm në prozën “Monologu i embrionit” e gjen në paralindje ose sapolindje, gen, frymëmarrjet e para.

Në prozën “Sozia” autorja sikur bën deshifrimin e fatit dialektik në histori dhe fenomenin e rinjohjes sipas baladave e legjendave e riformëson me atë modernitetor. Personazhet takohen në një udhëtim detar, të cilët nisin bisedën në gjuhë të huaj, por më vonë rrëfimi për fatin jetësor të tyre shkakton rinjohje shpirtërore, si të një gjeneze që janë.

Po ashtu, dukuria e njohjes së të errëtës në prozat e këtij libri, vërehet kur mëtohet të spikatet çështja e mentaliteteve të ndryshuara, por edhe e dashurive të palajthitura.

Ndër tregimet më të arritura të Irena Gjonit është edhe “E vdekura”. ““Më ço bir, të lutem! Më ço copa – copa!” - dhe i përkëdheli lehtas flokët. Me dorën që i dridhej, filloi të copëtonte (...). “Edhe sikur copa-copa, copa-copa” i oshtinë në vesh. Nuk dëgjoi asgjë, veç zhurmës karakteristike të prerjes së kockës. “Nëna duron”, mendoi me vete. U duk sikur dëgjoi një rënkim të lehtë. “Nënë, më fal, por po e bëj vetëm për ty””. Këtu pasqyrohet fati i njeriut të vdekur, të cilit i mohohet e drejta edhe e varrimit pas vdekjes, si në të gjallë që i mohohej e drejta e jetës dinjitoze.

Demitologjizimi modernitetor i fatit të njeriut të nënqiellit preokupues nuk do të mund të arrihej në përmbledhjen e prozave emocionuese, nëse ngadhnjyeshëm nuk i zotëron dy rrethana gati të domosdoshme: Flijimi për të zbërthyer misteret e identitetit shpirtëror dhe guximi i autores të krijojë miqësi ndërkohore të temave me lexuesit në këtë kohë të deletrarizuar, të cilat janë arritje kulturifikimi në letrat e sotme prozaike. Rrallë shkrimtarë e bëjnë këtë me sukses, si vërehet nga "Gjysma dashurish" e Irena Gjonit. Gjithashtu kjo përmbledhje ka identitet të risisë së stilit prozaik në letërsinë shqipe të re femërore, i cili stil është tejet mbresëlënës për lexuesin e disiplinuar që me kujdes e lexon, percepton dhe e riformëson idenë e autores me plotërinë e shkathtësisë së mbarështrimit tematik. Këtë e mundëson ngjeshja e brumit preokupues dhe gjuha e pastër gjatë narracionit.

Tërë proza e këtij libri përshkohet me gjuhë të përkujdesur, pjekuri praktikumi të saj, krijim të personazheve që herë të kujtojnë atë te “Plaku e deti” të Heminguejit ose te “Muri” i Sartrit, të cilët flasin me nëntekstualitet, që herë duken groteskë, herë flasin me gjuhën e kukullzës. Autorja zgjidhjet nuk i bën prepotente, por i le me identitet gjysmak të përafërta, që lexuesi oponent ta gjejë atë. Ndaj edhe titulli i librit “Gjysma dashurish” mëton të formësohet në një dashuri të bërë të tërë edhe në sferën e origjinalitetit të shkrimit në prozë dhe këtë duket në hap të parë na bind se mund ta bëjë autorja Irena Gjoni.

Ka edhe veçanti të tjera risimtare kjo prozë, për të cilat shpresoj se kritika do t’i vë në spikamë.

 

 

IRENA  GJONI

Master në Letërsi

 

IRENA GJONI ka kryer Studimet Universitare për degën gjuhë – letërsi. Në vitin 2007 ka përfunduar Studimet Pasuniversitare dhe ka fituar gradën “Master” për letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është në ndjekje të shkollës doktorale po pranë këtij Universiteti. Ka punuar si gazetare në median e shkruar kombëtare dhe lokale, në Radio “Gjirokastra”, në radio dhe televizion lokal të Sarandës. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë, mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini” Sarandë si dhe gazetare në mediat lokale. Është nënkryetare e “Klubit të krijuesve Jonian”, si dhe redaktore e revistës “Arti  Jonik”, anëtare e Këshillit Artistik të Bashkisë Sarandë.   

            Që prej viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm. Në vitin 2003 ka botuar librin me poezi “Tatuazh në shpirt të detit”. Në 2008  boton librin studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të  Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (material me të cilin ka fituar Gradën “Master”), si dhe vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish” (2010).



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora