E enjte, 25.04.2024, 12:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Dibran Demaku: Koha e përmendoreve

E marte, 27.07.2010, 09:57 PM


Dibran Demaku

 

KOHA E PËRMENDOREVE

 

Tregim

 

  Dasho Dreni u kthye i lumtur në shtëpi. Fytyra i ndriste nga gëzimi.Festimi i përvjetorit të rënies së djalit të tij kishte kaluar siç është më së miri dhe ashtu siç kishte dëshiruar ai.Ai dhe familja e tij ishin edhe më tej të nderuar dhe të respektuar.Kaq kishte dashur ai.Tash sikur edhe të vdiste do të shkonte i lumtur nga kjo botë.

  Me një hap të vendosur hyri në odën e vet.Aty takoi djalin e vet Dritin.Driti po shikonte ekranin e televizorit në të cilin ende po transmetohej përvjetori i rënies së tij.Fytyrën e kishte disi të zbehtë.Por kjo nuk e shqetësoi fare Dashon.-„Do të jetë zbehur nga qëndrimi i gjatë i mbyllur në shtëpi dhe pa u takuar me rrezet e diellit“-mendoi Dashoja.Ndërkaq Driti nuk bënte zë vetëm shikonte në  ekranin e televizorit.

  Dasho Dreni u ul në qilimin e kuq dhe krejt të ri në odën e tij.Shikimin e kishte disi të shpërqendruar.Në sytë e mendjes si në ekran të televizorit edhe njëherë i kaloi e tërë festa e sotme…

  …Shokët e luftës  si dhe fshatarët e rrethinës kishin organizuar festën e përvjetorit të rënies së Dritit të tij.Dashos i kishin rezervuar vendin e nderit. Dashoja krenar dhe i lumtur ishte ulur në vendin që ishte rezervuar për te aty në rreshtin e parë.Dhe ai e meritonte këtë vend si babai i dëshmorit.Afër tij ishin shokët e luftës së birit të tij dëshmor.Në rrjeshtin e dytë ishte  e tërë familja dhe të afërmit e Dashos.Respekti dhe nderimet që i bënin shokët e të birit të rënë dëshmor dhe atij vetë si baba dëshmori e bënte të ndihej krenar.Shokët e Dritit të rënë si dhe pjesëmarrës të festës afroheshin dhe përshëndeteshin me Dashon.Edhe Dashoja përshëndetej me ta dhe i falenderonte për respektin që i bëhej birit të tij të rënë në luftë si dhe nderimin që i bënin Dashos.A nuk ishte kjo një ndjenjë e mrekullueshme?Për këtë çast Dashoja kishte ëndërruar gjatë,gjatë…

  Shokët e luftës së Dritit të rënë për liri dilnin para foltorës njëri pas tjetrit dhe flisnin fjalët më të zgjedhura dhe më të zjkarrta për Dritin dhe luftën e tij deri në rënie.Dhe sa krenar dhe i lumtur ndihej Dashoja gjersa dëgjonte këto fjalime…

  Edhe tash kur ai ndodhej në odën e tij ndjente një gëzim të papërshkruar dhe kraharori i ngrihej peshë,ndërsa fytyra i shkëlqente e tëra…

  Driti e shikonte babanë ashtu pa fjalë dhe habitej me ndjenjat e tij.Habitej me gëzimin e babait të tij...

  Festën e përvjetorit të rënies së vet Driti e kishte ndjekur në televizor,krejt i vetëm dhe në një heshtje të plotë.Në një heshtje që i ngjante varrit.

  Ai dëgjonte se si flitej për luftën e madhe të tij dhe rënien heroike!Dhe trishtohej… Pyeste veten:_“Pse vallë këta njerëz janë kaq të pasinqertë dhe gënjeshtarë!?“…Dilnin në podium dhe flisnin për te edhe ata që as e njihnin dhe as e kishinj takuar ndonjëherë! Revoltohej…Dhe neveritej…Pastaj ju kujtua edhe momenti i rënies së vet…

  …lufta tashmë kishte përfunduar dhe luftëtarët e lirisë ktheheshin nëpër shtëpitë e veta…

Për të rënët filluan të ngriheshin përmendore…Familja e Dritit  dhe e babait të tij, Dashos, ngjarjet e pasluftës i shikonin me një ndjenjë të posaqme.

  Babai, Dashoja,pas përfundimit të luftës disi ishte i ngrysur dhe pa qejf…Nga fshati i tyre kishin rënë për liri shumë djem të rinj.Për ta  filluan të ngriheshin përmendore.Familjet e tyre ishin të nderuara dhe të respektuara.Vetëm familja e Dashos dhe një numër i vogël familjesh nuk kishin të rënë në luftë.Bile gojëkëqinjtë thonin se familja e Dashos dhe disa familje të tjera as që kishin qenë në fshat sa kishte zgjatur lufta.Se ata ishin zhdukur diku dhe ishin kthyer në fshat vetëm pas përfundimit të luftës…Fjalët dhe diskutimet e tilla që  i vinin në vesh Dashos ishin shqetësuese për te dhe familjen e tij.Para luftes Dasho dhe familja e tij kishin qenë të nderuar dhe të respektuar në fshatin e tyre dhe në rrethinë.Ndërkaq tash pas përfundimit të saj gojëkëqinjtë po e merrnin nëpër gojë atë dhe familjen e tij.A nuk ishte kjo një ndjenjë shqetësuese?!...

  Për shumë ditë e javë ai u mbyll në odën.Nuk dilte fare nga oda dhe nuk priste askend në.Basshkëfshatarët filluan të shqetësoheshin për te.Disa nga ata filluan të pëshpërisnin poshtë e lartë se Dashon e kishte zënë një sëmundje e pashërueshme…Andaj ai nuk po dalka fare nga oda…Ndërkaq Dashoja në odën e tij bënte plane se si familja e tij të ishte edhe më tej e nderuar dhe e respektuar.Dhe pasi mendoi dhe shoshiti me mendjen e tij shumë variante më në fund vendosi që ta sakrifikonte të birin e vet më të ri-Dritin…Vendosi që Dritin ta shpallte të rënë në luftën e fundit dhe t`i ngrinte përmendore.Pasi vendosi, i ftoi në odë të gjithë anëtarët e familjes dhe u kumtoi atyre vendimin që kishte marrë…

  Ata mbetën të habitur dhe të shtangur për vendimin e të zotit të shtëpisë.Asnjëri nga ata nuk kundërshtoi.Vetëm ulën kokat dhe psherëtinë si çdo herë tjetër.Sepse e dinin se vendimet që merrte Dashoja ishin ligj për familjen e tyre…

  Nënës së Dritit dhe bashkëshortes së Dashos i filluan lotët.Nga ai çast i bëhej  sikur Driti i saj i vogël-sugari i nënës,kishte vdekur…

  Vendimin e Dashos për rënien e Dritit filluan ta zbatonin menjëherë.Njerëzve të fshatit si dhe miqëve dhe dashamirëve të tyre në rrethinë dhe më larg filluan t`u thoshin se Driti i tyre,sugari i babait dhe i nënës,kishte rënë diku në luftë.Këtë lajm e kishte sjellë njëri nga shokët e Dritit që me duart e veta e kishte varrosur Dritin pas rënies së tij në një rrëzë mali,shumë larg nga fshati i tyre.Njerëzit mbetën të habitur nga ky lajm.Bile ndonjëri bënte be se e kishte parë Dritin pas luftës shëndosh e mirë.Për këto thashethëme Dashoja dhe familja e tij nuk e qanin kokën…Ata kishin vendosur kështu dhe kthim prapa nuk kishte.Driti kishte rënë në luftë dhe kjo ishte e tëra.Caktuan edhe datën e rënies së tij dhe i ngritën edhe përmendore.

  Që nga ajo ditë Dasho Dreni dhe familja e tij filluan përseri jetën e tyre normale.Nderi dhe respekti për familjen e tij si babai i dëshmorit,Dashos ia ngrohte damarët e trupit.Ngado që shkonte për te gjithnjë rezervohej vendi i nderit…

  Ndërkaq, për Dritin filloi një jetë krejt tjetër nga ajo e zakonshmja.Me vendimin e babait ai kishte rënë në luftë dhe për te ishte ngritur edhe përmendore.Ai,pra,kishte rënë dëshmorë dhe si i tillë edhe duhej të jetonte.Që nga ajo ditë për fashatarët e tij dhe të rrethinës ai ishte dëshmorë dhe jetonte në përmendore.Në përmendoren që ia ngritën në mes të fshatit.Në përmendoren që mbante foton e tij dhe ishte e stolisur me lule…

  Në fillim Driti jetonte me një ndjenjë të përzier në zemër.E dinte se ai bënte dy jetë:Një të mbyllur dhe i fshehur,larg syve të njerëzve,si dhe jetën e dytë në përmenore i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë.Kjo jetë e dyfisht sikur e shqetësonte,por me kalimin e kohës sikur u mësua.Ditën e kalonte i mbyllur dhe i mirëruajtur nga ndonjë anëtarë i familjes,ndërkaq natën dilte dhe shëtiste.Shkonte edhe tek përmendorja e vet.Por gjithmonë i druajtur dhe i kujdesshëm që mos të vërehej nga të gjallët…Dhe kështu një ditë e një natë..Dhe kështu shumë ditë e shumë net…Shumë javë e stinë…Deri në përvjetorin e parë të rënies…

  Ditën e përvjetorit të rënies së vet,derisa të tjerët festonin në mes të fshatit,ai festën e përcillte nga ekrani i televizorit.Në ekran shiheshin pjesëmarrësit,që ishin të shumtë.E aty në mes të tyre  në një vend të nderit qëndronte babai i tij Dashoja i cili në ekran dukej i lumtur dhe krenar.I nderuar dhe i respektuar.Driti i shikonte në televizor dhe habitej me ndjenjat e tyre.Habitej me krenarinë e tyre.-„Pse vallë duhej të ndodhte kështu?!Pse babai dhe familja e tij ndiheshin krenar me  jetën e tij të dytë,me jetën në përmendore,ndërkaq jetës së tij normale sikur i frikësoheshin?!“-mendonte Driti.

  I frikoheshin andaj edhe e ruanin.E ruanin që të mos e shihte askush nga njerëzit e fshatit dhe të rrethinës…Ndërkaq „shokët e tij të luftës“që ai nuk i kishte takuar asnjëherë i thurnin lavde dhe i këndonin këngë…

  Driti në një çast e ngriti zërin dhe bërtiti;-„O zot,pse duhet të ndodhë kështu?!Pse njerëzit janë kaq mashtrues dhe të pacipë?!“

  Nga krenaria e rrejshme e babait dhe familjes së tij u neverit.U neverit edhe nga fjalimet boshe të „shokëve të tij“-tek flisnin para përmendores së tij…

  Pas mbarimit të festës babai i tij dhe të gjithë të tjerët ishin të lumtur dhe krenarë.Qeshnin dhe llafosnin me gëzim…Vetëm Driti jetonte me heshtjen e vetë dhe në „qetësinë“ e tij.

  Nga neveritja që ndjente për të gjithë këtë mashtrim ju bë sikur në zemër ju këput diçka…

  E nesërmja tronditi fshatin dhe rrethinën.Trupi i vrarë apo i vetëvrarë i Dritit u gjet afër përmendores së tij.Sytë i kishte disi të humbur dhe shikimin nga përmendorja e vet…

Lajmi i kobshëm e tronditi Dashon dhe familjen e tij.Në fillim nga tronditja sikur të gjithë e humbën mendjen.Nga dhëmbja dhe pikëllimi sikur iu shtanguan nervat dhe nuk u lëviznin.Sikur u kishte ngrirë gjaku dhe zemra.

  Pas disa çastesh mjaft të vështira Dashoja sikur e mori veten.Përsonin që e solli lajmin e kobshëm e luti që ta shoqëronte deri tek përmendorja,ku gjendej trupi i pajetë i të birit.

  Me hapa të ngadaltë dhe me këmbët e rënduara sikur i nxirrte nga toka iu afrua trupit të të birit.I pa sytë e tij të hapur tek shikonte përmendoren e vet.U mundua që me shuplakën e dorës të ia mbyllte kapakët e syve,por ata nuk mbylleshun.Kishin ngrirë.Fytyra e Dritit kishte marrur një pamje të buzëqeshur.Sikur i buzëqeshte përmendores së vet.Apo sikur tallej me te.Këtë nuk mund ta përcaktonte Dashoja.Duke shikuar të birin ashtu të shtrirë dhe të vdekur e tradhtuan lotët.Ata i rridhnin faqeve papushim.Dikur i fshiu me shuplakën e dorës.Shikimin e ktheu nga ana tjetër.Anëtarët e tjerë të familjes si dhe shumë kureshtarë kishin ardhur ndërkohë dhe shikonin si të ngrirë.Apo të tillë i dukeshin Dashos?Në shikimin e Dashis sikur ata u shndërruan në gurë.Në gurë të heshtur dhe të palëvizshëm.Ata sikur ishin shndërruar në gurë varri.

  Edhe njëherë e shikoi trupin e pajetë të të birit.Ju bë se ai po i buzëqeshte dhe po e përshëndeste.Shikimin e ngriti në fytyrën e të birit në përmendore.Ai po i fliste nga përmendorja.Dashoja po i dëgjonte fjalët e tij që e goditnin thellë në zemër.I biri po i thoshte:-„Pse je kaq i pikëlluar,baba?!Ti dje tërë ditën ishe i gëzuar dhe krenar.Ngrite kokën dhe fshiji lotët.Ti vetë e deshe vdekjen time,andaj ngrite kokën dhe mbahu krenar!Unë nuk kam vdekur  mbrëmë.Unë nuk kam vdekur as sot.Unë kam vdekur para një viti!Ky nuk është trupi im dhe as kufoma ime.Kjo është hija ime, baba!Hija ime që ka ardhë të shikojë përmendoren e vet.Atë përmendore që ti me  aqë dëshirë e ngrite.Dhe ishe krenar me  të deri dje.Me përmendoren time,baba,duhet të jeshë krenar edhe sot…Edhe nesër…Gjithmonë…!“

  -Ky nuk është trupi i birit tim!-ju drejtua të pranishmëve Dashoja.-Është vetëm hija e tij.Biri im Driti ka rënë në luftë…Shokët e tij e kanë varrosur diku larg…E ne i kemi ngritur përmendore…Kjo është vetëm hija e tij…Ka ardhur sot që të çmallet me përmendoren e vet…Dhe me mua…Dhe me të gjithë ju…Andaj mos u çuditni…As mos u habitni….As mos u tronditni…!...Hijen e birit tim Dritit të rënë në luftë,dëshmorit të babait,ta varrosni afër varrit tim!...Që sa here të zbardhë mëngjesi ta shikoj fytyrën e tij dhe ta prek me dorë!...Sepse Driti është dëshmori im…Është dëshmori juaj…i të gjithëve…Dhe u rrëzua pranë trupit të të birit…Dha shpirt me sy hapur…Me shikimin nga fytyra e të birit në përmendore…

  …Vonë pasdite familja dhe të afërmit i varrosën pranë e pranë aty buzë përmendorës së Dritit…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora