E enjte, 25.04.2024, 01:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Magjia e gjuhës dhe buzëqeshja e shpirtit

E marte, 27.07.2010, 09:58 PM


Magjia e gjuhës dhe buzëqeshja e shpirtit

 

Nga Baki Ymeri

 

Vetë titulli, Në ty e kam shpirtin, sugjeron një shpirt të frymëzuar që digjet për transmetim ideshë përmes artit të fjalës,  përmes zjarrit të ndjenjës, përmes fjalëve që e fisnikërojnë magjinë e gjuhës shqipe me buzeqeshjen e shpirtit të një shpirti të trazuar. Autor i 18 librave zhanresh të ndryshme letrare, Hysen Këqiku shkëlqen mbi të gjitha si poet. U lind më 1944 në Velegllavë të Dardanës (ish  Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Llojan të Kumanovës,  gjimnazin në Preshevë, kurse gjuhën dhe letërsinë shqipe e studjoi në Shkup dhe në Prishtinë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa nga veprat e tij vlen të theksohen disa tituj: Nëpërkëmbësi, Ti dil nga loja, Kufij që preken,  Dritë mbi Lotinë, Ujëvarë e patharë, Qëndresë me besa-besë, Kujtim malli për shkollën time I,  Melodi e pritjes, Një atdhe me dashuri, Vegim i përflakur”, “Melodia e pritjes”, poezi për fëmijë e të rritur, kurorë sontesh, drama etj.

 

Autori jeton dhe vepron në Gjilan, ndërsa librin e tij më të ri, Në ty e kam shpirtin, (Kurora, Gjilan, 2010), e ka strukturuar në 4 cikle: Flakëroj rreze në flakë, Hapat e mi në reliev, Yjet luajnë valle, dhe Psherëtimë për nënën, me vargje në kërkim të shpresës së kallur, me betim pëpr t’u bërë si ti nëse të lakmoj, me kujtesën që na mban “Në vargoj të ngrirë”,  me ankesën që proteston, me zhurmën e heshtur që ta përkujton poezinë, me artin e fjalës dhe zërin e harrimit, me shiu s’ka frikë nga zjarri, me yllin që e ruan dashurinë, “në ecjen tonë mbi rasht”, “në këtë pjesë të Evropës”. Martirët për të jetojnë në zemrat tona, autori i përkulet atdheut, shkruan për shtëpinë në vendlindje, jeton me heshtjen, të kundron kur qan shiu vjeshtor, mediton duke dëgjuar simfoni ditore, e preokupon harta gjeografike e atdhetarizmit, shkruan për mamanë, për mrekullinë dhe rrezen e re të lirisë, militon për arsimin shqip në vendlindje, pa e ndalur këngën për ty. Ja disa nga perlat e tij:

 

 

NË KËRKIM

TË SHPRESËS SË KALLUR

 

E kërkova

në dhembjen

      e pezmatuar

në degën e tretur

      të zogut

                   të harruar

shtigjeve

të shkelura

 nëpër llucën

      e pistë

rragamave

nga erërat

pluhurngritura

 

në qepallën

      e teremekura

                   të harrimit

 

në gjuhën e memecit

       me shikim të tretur

 

në vrapin e lepurit

që merr rrokullisjen

       tatëpjetëzës

 

edhe në dashurinë

      e shtegtarit

me vrapin e kthimit

në ujin

      amull

të lumit të tharë

 

 në rreshkun e buzëve

      për pikën e ujit të etur

edhe në rrasën e gurit

 ku drekojnë

      zanat që shitojnë

 

në plasaritjet e mbushura

      me dyzetenjëkëmbësh

 

në përqafimet e harruara

në motet e bjerra

 në melodinë

       e fyellit të harruar

rafteve të kullave

nëpër mote

e kërkuam...

në vetveten

      e nëpërkëmbur

      në ofshama

 

në dënesjet e miturakut

                   bonjak

                  e pa djep

në lulakun e grimcuar

                  nga molcat

në kaptellin e grabitur

                  nga djepësit

në kupën e vajtimit

në vajin e vashës për nusërim

 

 

 

II.

Ajo 

nuk kishte

pamje

as formë

 

vendbanimi i saj

       ishte thellë

                  i strukur

aq thellë

      në fund të pusit

                  të kallur

ajo vuante

për një pikë ujë

       të kroit të harruar

kishte ethe

dhe asnjë vend

                  pa mornica

e katandisur me thonjtë

      e mbetur në gurin e krisur

 

ajo e kishte humbur

      kumtimin

                  e kuptimit

 

vuajtjes ia kishte kërkuar

       shpresat e grimcuara

me thonjtë e miut

      në folenë e macjes

                  së uritur

      në degën e tharë

për t’u takuar

      me kuku-në e qyqes

me soditje të papërcaktuar

hapësirës së kallur...

 

si të bëhet

për ta pasur

 

hap e kurthë

kurthë e hap

 

U BËFSHA SI TI  NËSE TË LAKMOJ

 

Kot më thua të këndoj

zemra s’ma thotë

goja fjalë nuk nxjerr

 

Njëqind vjet  me ulurima

 

Kot më thua të shikoj përpara

e kaluara  më la çalaman

në mjegullën e zezë sterë

 

Në ulurimën KORB

 

Mos më lut të vallëzoj

të përbej në lirinë tënde

unë s’e pata as s’e njoha

 

Të lutem mos më lut për buzëqeshje

llavërimat më kërcënojnë me skërmitje

 

U bëfsha si ti nëse të lakmoj

me çizme lufte të pafsha për jetë e mot

 

FLAKËROJ RREZE NË FLAKË

 

Çuditërisht

heshtjen e dua unë

lërmani mua

ta përkëdhel në faqe

në gushë

edhe djersët t’ia lëpij

 

Të ngjashmit më afrohen

më thonë

tungjatjeta

 

Ah, jeta, jeta

 

E keqja jonë më e madhe

përdëllimë

lojë lirie e gjaku

 

O hapi im i dashur

unë vetëm në heshtje të kujtoj

në dhembje

në dritë të hënës

 

Në ty

stis gjurmët drejt dhembjes

në vargoj

në lot ndarjeje

unë të dua heshtje

edhe në zhurmën tënde

flakëroj atë rreze në flakë

 

JAM TI, TË BETOHEM

 

Rrugëtar jam

prej lindjes e deri në perëndim

 

Dua ta shoh flamurin

në ballkonin tënd të festës

 

Nuk është lodharak hapi im

ai i ngjan trokut

në luginën e logut

 

Le të laget nga shiu

i ngrohtë dhe luftërat

 

Jehona e kushtrimit më shtyn

 

Bekimin ma fal A’Ini[1]

në gurë herioglifesh skalitur

 

Veten s’e quaj as Kohë qetësie

as i dalë nga flaka e rrufesë

jam Ti, të betohem

se më ndjek mua rrugëtarin

 

NË MEJTIM NA MBANË

 

Me agun e vesuar

një ditë lind e re

me dyert e shpresës

të tretura përtej gjumit

 

Anijet e brengave përshëndesin

pendimin e tretur në harrim

 

Në mesditën e zukamave

kur trupi nuk lëshon hije

degët e akacies mprehin ferat

lule s’ka as bletë

-udhëtar në një ëndërr të shkretë

 

Në muzgun e mbrëmjes

stuhia tallet me mua

engjëjt heshtin lart mbi re

vetëm hëna kur shfaqet

me bukuri në mejtim na mbanë

 


[1] Ati Ynë



(Vota: 28 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora