E marte, 23.04.2024, 06:00 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Fredi Babani: Mbi romanin e Reshat Kripës “Sekreti i varrit te vetmuar”

E hene, 26.07.2010, 09:56 PM


Mbi romanin e Reshat Kripës 

“Sekreti i varrit te vetmuar”

 

Nga Fredi Babani

   

            Zoti Reshat Kripa ka dalë në rreshtat e parë të lëvruesve të letërsisë së re shqiptare, të ringjallur në këto afro 20 vjet të demokracisë. Është meritë e autorit që, edhe pse në moshë të pjekur, të shkruajë sikur të jetë i ri, madje më i ri se të rinjtë. Tek ai është gërshetuar përvoja e gjatë e mbijetesës në diktaturë me idealet që nuk vjetërohen kurrë, për liri e demokraci.

            Në romanin “Sekreti i varrit të vetmuar”, zoti Reshat Kripa rreh një shteg të pashkelur më parë. Tregimi i tij është i qetë, i çiltër, pa emocione të tepruara.Ai paraqitet soditës i paanshëm, duke i dhënë mundësi lexuesit të arrijë vetë në po ato përfundime që ka dashur të shprehë autori. Kemi te bëjmë me një konceptim origjinal të narracionit, ku ngjarjet rrjedhin natyrshëm, larg skemave shablone të realizmit të ashtuquajtur socialist. Kemi kështu një shkëputje përfundimtare nga letërsia e viteve nën diktaturë. Në atë kohë, shkrimtarët mbeteshin pengje të “partishmërisë proletare”. Ata ishin të detyruar të shprehnin apriori jo mendimet e tyre, por ato mendime që u impononte partia. Për fat të keq, në atë grackë ranë dhe mjaft talente, që llogaritën më tepër famën se misionin qytetar. Gracka të tilla Reshati i ka shpërthyer.

            Reshati është tepër i kujdesshëm t’i lerë personazhet të shfaqen qartazi njerëzore, me të mirat e dobësitë e tyre. Ai mbetet me konseguencë i tillë, sepse nuk përpiqet të trillojë, por i mbledh me kujdes ngjarjet nga jeta, i përpunon artistikisht dhe i përgjithëson në veprën letrare. Dhe ngjarje të tilla ka shumë në roman.

            Po marr një shembull kuptimplotë nga romani. Përshkrimi i përplasjes midis forcave partizane dhe atyre nacionaliste e ka zanafillën në një ngjarje reale të ndodhur gjatë luftës së dytë botërore në Dukat të Vlorës. Por, e mbushur plot me të vërteta të tjera po aq reale, e përpunuar artistikisht, ajo mbetet shëmbëlltyrë e qartë e fatit tragjik që mundon kombin tonë deri në ditët e sotme.Vrasja prapa krahëve e komandantit partizan që kërkonte të ndalte gjakderdhjen, bashkë me bashkatdhetarët e tij të krahut tjetër politik, tingëllon mjaft e vërtetë.Tashmë janë të njohura metoda të tilla, të përdorura nga manipulatorët e huaj, si kombësi apo si ideologji, në shumë treva shqiptare. Kështu ka ndodhur me komandantin trim të çetës së Devollit. Me manipulime të tilla u goditën forcat nacionaliste të Kolonjës, u kryen raprezaljet në Dragot të Tepelenës, apo në fshatrat e Dëshnicës së Përmetit. Madje edhe goditja e forcave nacionaliste të Hysni Lepenicës nga italianët, ishte pasojë e veprimeve manipulative të komunistëve përgjegjës të vëllavrasjes. Metoda të tilla nga komunistët hipokritë, që herë pas here ndërrojnë ngjyrën e lëkurës si kameleoni, janë përdorur deri vonë, në ditët tona.

            Duke lexuar romanin “Sekreti i varrit të vetmuar”, ndeshemi me një trajtim original të luftës mes të mirës dhe të keqes. Personazhet përfaqësues të këtyre dy kategorive morale ndeshen midis tyre me armë krejt të kundërta. Keqbërësi nuk është kurrë trim. Ai vepron me metoda tinzare, nuk del asnjëherë ballë për ballë, edhe se shpesh trumbeton, sikurse dhe sot, gjoja përballje. Ai vret prapa krahëve, pastaj qan me lot krokodili, shpif dhe e hedh barrën e fajit tek të tjerët. Ai shfrytëzon dobësitë njerëzore për të krijuar shumë monstra si vetja, sepse vetëm në atë mënyrë mund të përligjë vetveten e të gjejë ngushëllim. Një dukuri e tillë jepet në roman nëpërmjet evoluimit të karaktereve të Uranit, Skifterit e Kjarës. Kështu ka ndodhur edhe në jetë. Në truallin e dobësive të karakterit lindi aradha monstruoze e sigurimsave, grupimi famëkeq i bashkëpuntorëve të sigurimit, derëzestë denoncues, me hir apo me pahir e deri tek ata që mburreshin se kishin përqafuar një ideologji të huaj për shqiptarët. Fati i të gjithë kësaj hordhie nuk ka si të mos jetë tragjik. Veç se, nga mënyra si janë trajtuar në roman, lexuesi mban qëndrim emocional të ndryshëm. Dikë e përbuz me urrejtje, dikë vetëm e përbuz e ndonjë viktimë të dobësisë së vet e përbuz me keqardhje. Kështu mbyllet galeria e personazheve të të keqes.

            Por Reshati na kumton se ka edhe njerëz me karakter shkëmbor, ithtarë të së mirës, që kursesi nuk përkulen, por i qëndrojnë me dinjitet fatit tragjik. Karaktere të tilla, si i profesorit të matematikës apo komandantit të Ballit, janë përgjithësim i vlerave të shumta e më të mira të kombit tonë. Edhe fundi i tyre është tragjik, por i lavdishëm e misionar. Janë të këtij brumi edhe viktimat e tjera të pafajshme, si Luani dhe Petriti, të cilët ishin paracaktuar të asgjësoheshin, sepse mendja diabolike e atdhemohonjësve e kishte kuptuar që ata nuk do të bënin kurrë kompromis me të keqen.  Të tilla janë edhe nënat, motrat dhe bashkëshortet, si Sadija e Donika, që duruan edhe ato me dinjitet fatin e tyre tragjik, shumë prej të cilave, siç përshkruhet në roman, me “kokë në torbë”, shkëputën nga gjiri i harresës, për t’u krijuar një fole të denjë prehjeje. Raste të tilla janë evidentuar në Korçë, në Përmet e gjithandej.

            Nuk është rastësi që ky roman përgjithësues edhe për trevat e tjera shqiptare merr jetë me ngjarje dhe episode të Vlorës. Vlora është shquar kurdoherë për karakter të fortë. Ndeshja midis dy rrymave të fuqishme diametralisht të kundërta nuk mund të ishte askund më tipike se në Vlorë. Ndaj edhe heroizmi i pjesës më të mirë e më të respektuar të kombit nuk mund të spikasë askund më mirë se këtu.

            Duke lexuar romanin e Reshat Kripës provoj t’i bëj ndonjë korigjim edhe ndonjë shprehje si “shpresa vdes e fundit”. Reshati më mëson se shpresa nuk ka vdekje. Ajo transmetohet ndër breza, deri sa të bëhet realitet në funksion të së mirës.

            Romani “Sekreti i varrit të vetmuar jep edhe një mesazh shumë domethënës. Në këto kohë të trazuara artificialisht, kur e keqja është ende e pranishme midis nesh, nuk duhet të harrojmë të kaluarën. Vrasjet prapa shpine dhe intrigat, në një çast harrese, mund të kthehen sërish, siç ndodhi në 97-n. Të mos harrojmë thirrjet apatride për destabilizimin e vendit. Le të mbajmë në vëmendje përpjekjet për të krijuar një nocion sa absurd aq dhe të rrezikshëm të “popullit opozitar”, si përpjekje për të na përçarë tani që duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, që të integrohemi edhe ne në familjen e madhe e të sigurtë europiane.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora