E enjte, 25.04.2024, 07:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Julia Gjika: Të shkosh atje

E hene, 26.07.2010, 09:59 PM


Julia Gjika

 

TE SHKOSH ATJE

 

      Atje janë  rrënjët. Atje janë ata që ndruan jetë.

 

E dëgjoj  zërin e xha Petit, te qeshurën shpërthyese të Kalipsosë, Netën  që na ftonte për të pirë një gotë dhallë. Oborri i shtëpisë së tyre mbushej nga zërat e fëmijëve, apo shpezëve: pula, këndezë, lepuj, e c’farë s’mbante ai oborr? Shtëpia rrëze malit te Moravës i kishte dyert hapur për këdo që vinte nga larg.

 

     Freskia e mëngjesit të ndihmon të ngjitesh me lehtësi deri ne majën e Moravës, pa ndjerë pikë lodhje. Sumbullat e vesës shkëlqejnë si margaritarë në barin e njomësht.Pas mbeten rrugët me kalldrëm, që i kanë shtruar duart e mëdha të burrave të fshatit, vapa e zakonëshme e verës, zukama e bletëve në grykat e cezmave që ndodhen ne krye të rrugicave. Fluturat, pilivesat, bashkë me lule delet humbasin në barin e gjelbër te kodrave e fushave që shtrihen deri tutje në kufi me qytetin, apo fshatrat ngjitur. Mborja duket një nga lagjet e Korcës, kaq janë afruar shtëpitë e reja, është ngjitur Korca, por ka zbritur edhe Mborja.

 

     Të shkosh në kishën e Ristozit, ditën, natën, të pushton mbretëria e  paqes sekrete, e sheh  në cdo gur, në dritaret, në cati, në kryqin e mbështjellë nga një vel i kaltër

 

     Të shkosh rrëzë malit të Moravës, tutje në pyllin e Bozdovecit,  përms lajthishtes, forca e ajrit të shtyn përpara. Të dëgjosh pëshpëritjet e pemëve, të shikosh si hapet gjethja e re, apo kur rezja e parë e mengjesit puth majat e pishave, të  ruash castin magjik si zgjohen lulet apo zogjtë, të freskohesh në burimin e Cardhakut.

 

      Të shkosh në cdo skaj të atij fshati të vogël, të hapet para syve bukuri e rrallë, të përshëndet dhe të fton duke të pëshpëritur në vesh: Këtu janë rrënjët, këtu janë ata që jetuan dhe ndruan jetë.

 

Tani, sapo jam kthyer  nga Kleri. Baballarët  tanë kanë qënë nga ajo derë rrëzë malit të Moravës.

 

        Tani jam atje. Përpara meje është ura e vogël me dërrasa mbi përroin që zbret nga mali, sa herë e  kalonim për të vajtur në shtëpine e xha Petit, duke lënë zërat tanë dhe hapat e gëzuar. Kleri do të na priste e para, pastaj motrat e saj, Miranda, Irini e vogla, vëllezërit, Koco dhe Vaska apo kushërinjtë e derës ngjitur, Piro dhe Visari.

 

Kur shkundej mani madhështor oborri i gjithë ishte  në festë. Kleri do të shtronte një plastmas dhe djemtë herë i vinin krahët pemës , herë shkundnin degët e tij. Kokrrat e manit binin si breshër  mbi ne dhe linin ngjyrën vishnjë në bluzat, fustanet e në këmishët e djemve. Gishtat dhe buzët  merrnin ngjyrë manushaqeje të errët. Kleri si më e ditura në punët e fshatit, n’a mësonte të pastroheshim me kokrrat e manit te papjekur, ato e hiqnin menjëhere ngjyrën e thellë. Unë pëlqeja të vija  në shtëpi ashtu e ngallosur me ngjyrat e manit.

 

     Përroi që zbriste me gurgullimë nga mali, shkonte poshtë urës me dërrasa, pastaj vazhdonte rrugën e ndahej në vija uji, që shkonin përpara shtëpive të fshatit. Vezullimet e ujrave të përroit, binin mbi mullirin e vetëm që kishte fshati. Xha Peti, babi i Klerit, herët në mëngjes, pa dalë akoma drita, ishte aty, duke pritur bashkëfshatarët, apo ata që vinin nga fshatrat rrotull, si Drenova e më tej, zinin radhën për të bluar misër e grurë. Kush  mëngonte bluante.

 

      Tani sapo jam kthyer nga Kleri.  Ajo e ndroi Mborjen  me Amerikën. Shtëpinë rrëzë malit me një  shtëpi  tre katëshe. Kleri  është bërë gjyshe. Nipcja lindi në Greqi, ku emigruan për herë të parë, pastaj pas disa vjetësh erdhën në Amerikë. Panajoti, djalë i zgjuar po del cdo vit shkëlqyshëm në mësime si shumë fëmijë të tjerë shqiptarë, është trembëdhjetë vjec, flet tri gjuhë,  greqisht, anglisht dhe shqipen më mirë se të kish lindur dhe rritur në Shqipëri. Prindërit e tij, gjyshja Kleri, gjyshi  Sotiraqi, kujdesen që gjuhën e nënës, djali t’a ketë byzylyk floriri në dorë.

 

       Tani unë jam atje,  duke u ngjitur për në Mborje. Pas le shkollën tetëvjecare në te djathtë te udhës, pastaj Vilën e Beut  në të majtë, kishën e Ristozit, ndërtuar me 1390, pastaj dëgjoj vetëm zhurmën e hapave të mija në urën e vogël me dërrasa. Mulliri i xha Petit është i heshtur, symbyllur, shtëpia në kodrinë duket tjetër, gjelbërimi i pranverës ka shpërthyer, por mungon mullixhiu, mungojne zërat e atyre që lindën dhe u rritën në këtë truall, e qeshura shpërthyese e Kalipsosë. Mani qindra vjecar duket i heshtur, degët e tij rine varur, rrënjët kanë dalë mbi sipërfaqen e tokës, më kujtojnë damarët në duart e mëdha të xha Petit.

 

        Prej këtu, nga Amerika e largët, kam shkuar atje. Atje Petevica nuk është më, të  pjekë lakrorë në sac, apo të na japë një gotë me dhallë. Petevica  ka ikur me njërin nga djemtë në Greqi. Xha Peti nuk e ndroi truallin, ai ndroi jetë këtu. Vendi ku prehet, nuk është shumë larg nga shtëpia, nga era e malit, shushuritja e gjetheve  të manit, nga mulliri, kjo ishte e gjitha c’farë ai donte. Ai ndroi jetë para se njerëzit e tij të merrnin udhët e botës.

 

         Tani jam këtu, sapo jam kthyer nga Kleri. Ajo gatoi petulla me kos. Kujtuam fshatin, baballarët tanë të mirë, që kur nxirrej nga rakia e re apo vera, ja shtronin për shtatë pale qejfe nën hijen e manit, me një gotë te vogel nga ajo e ballit te kazanit, qe e mblidhnin pike – pike, e gdhinin atje rrëzë malit me historitë e tyre. Ne të vegjëlit provonim mushtin që na jepte Kalipsoja.Kujtuam nënat tona  dhe ngritëm nga një gotë verë në kujtim të tyre.

 

          Tani jam atje. S’mund te ndahem dot nga të qënurit atje. Eci nëpër rrugët me gurë. Janë të pastra, nuk ka plehra si dikur, mborjarkat i pastrojnë vetë. Një nga rrugët mban emrin e mullixhiut, xha Petit, rruga Peti Juka. Kjo më bën të ndjehem krenare. Xha Peti, mullixhiu , njeriu më i mire, që admirohej nga të vegjël e të mëdhenj në fisin tonë, do të kujtohet nga të njohur e të panjohur, nga fëmijët e fëmijëve të mborjarëve, për bukën e duarve të tij. Shtëpitë e ndërtuara me gurë  lëshojnë hijet e gjata në rrugët e ngushta. Dëgjoj një ze, tringëllin një zile e derës, hapet një portë.

 

-Urdhëro, ti je e shtëpisë. Këta njerës te mbrekullueshëm nuk më paskan haruar, apo e hapin derën dhe kanë kënaqësi të presin mysafirë? Ku jam?- pyes vehten dhe vehtes i përgjigjem. Jam në Mborje. Korca shtrihet në kembët e saj. Po ata ku janë? Ata që mbushnin gjithë jetë rrëzën e malit? Ku është buzëqeshja e ëmbël e Irinkës, ajo fytyrë e saj ëngjëllore me prenka, me flokë të kuqeremta, si flokë dielli? Po Miranda, Kocua, po të tjerët?

 

          Tani jam atje dhe ndjehem krejt e huaj.

 

Kujtohem që dikur kam ecur në këto rrugica. Një qen më ndjek pas, nuk më le vetëm për asnje cast, mulliri i xha Petit  është në gjumë, degët e hardhisë janë ulur gati prekin tokën, vreshti i gjithë kokë ulur, nuk më shikon në sy. Arra e madhe, kacka sic i thoshim ne, tund degët dhe më fton te ulem nën hijen e madhe .

 

Kanë ikur, me flet një zë me psherëtima, krahët e të rinjve i mori kurbeti, ndaj hesht mulliri i xha Petit, ndaj ka rënë në gjumë të thellë. Duhet  t’a zgjosh të të tregojë.  Por c’të të tregojë më parë? Për dorën që e prekte në të gdhirë deri sa ngrysej, ka mall. Ka mall për këngën që e zgjonte me natë, para se të zgjoheshin zogjtë e pyllit, ka mall për zërat e njerëzve që era i percillte  lart  majës së Moravës deri tutje në pyjet e Bozdovecit, ku do të ruheshin, jehonën do t’a dëgjonin udhëtarët, të cilëve u binte udha andej për t’u freskuar.

 

           Tani sapo jam kthyer nga Kleri, nga shtëpia e madhe e saj që e ndërtoi këtu në Amerikë. Aty  u takova me Eglën.  Ajo, me gjithe familjen e saj, jeton në nje shtet tjetër. Sot ne u bashkuam dhe sollëm kujtimet tona, njerëzit e gjakut, ata që nuk janë më, ata që kanë mbetur atje, te tjerët në të katër anët e globit. Ne shkuam  atje, ku janë rrënjët e të parëve tanë, deri diku nxorëm mallin për ata që na mungojnë, për vendin që na rriti.

 

Julia Gjika

Korrik, 2010  



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora