E shtune, 20.04.2024, 08:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuri Plaku: Simbolika e barit

E hene, 26.07.2010, 09:36 PM


SIMBOLIKA E BARIT

 

Nga Nuri Plaku

 

   Në vazhdën e përdorimit të gjerë të elementëve të shumtë simbolik nga poetë të ndryshëm, jan bërë mjaft të përdorshëm disa nga objektet dytësorë të kësaj kategorie, të cilët kan marrë dora-dorës, ngarkesa të plota semantike. Gjethet e pemëve, muajtë e vitit, stinët, lumi, lulkuqja, trëndafili, vjeshta, zogj të ndryshëm e plot të tjerë, përbëjnë një iventar të pasur dhe i mbushin tekstet e poezive me kuptime të shumëfishta, të drejtpërdrejta apo të tërthorta.

   Një element i tillë është edhe bari. Ai shfrytëzohet nga mjaft krijues për të hyrë në lidhje të ndryshme referenciale me objekte të tjerë dhe për të  ndërtuar një varg të rëndësishëm paradigmash që rrezatojnë emocione dhe kumte kontekstuale polisemike të larmishme.

   Bari në këtë përdorim është po aq i lashtë sa edhe vetë poezia dhe po aq gjeografik sa edhe vetë gjeografia e saj. Diku më shumë e diku më pak, kuptimësia e tij “fryn” si një fllad i lehtë, për të freskuar rrjedhat e pafundme të krijimtarisë së përhershme letrare.

  Funksioni kryesor figurativ i këtij objekti, lidhet me humbjen dhe përtëritjen, veçanërisht me vdekjen dhe rilindjen ciklike të jetës. Në këtë rrafsh, simbolika e tij trasmeton konotacione optimiste të natyrës e cila ushtron pushtetin e saj të plotë mbi gjithëshka, në bazë të ligjit të pashmangshëm të zhvillimit biologjik të qenieve, duke na trasmetuar kështu, mesazhin e filozofisë së shndërrimit të njeriut në pluhur. Pluhuri është simboli pararendës i kësaj filozofie, ndërsa bari është simboli pasues.Vdekja është thelbi i këtij koncepti, lidhur me  mosharrimin  e natyrës për ta zëvendësuar atë. Është një lloj fshirjeje përtëritëse e cila dëshmohet në procesin dialektik të jetës, për mundësinë rigjeneruese të saj.

   Simbolika e barit në poezinë shqipe shenjohet e shfaqur që me krijimtarinë e hershme folklorike, gati në të gjitha gjinitë. Në përralla, legjenda, proverba, këngë apo tekste rituale, kudo kemi gjithmonë të pranishëm “rrezatimin” e tij të pashtershëm. Nga “Kostandini dhe Doruntina” p.sh. midis shenjave të tjera paralajmëruese si; “era e dheut”, apo “oborri i mbushur me varre”,  kemi edhe “dritaret e mbyllura me bar.

  E hëngri barin.”,E mbuloi bari.”, “Kur të më bijë bari.”, jan shprehje të njohura idiomatike të cilat kan kuptimin e harrimit dhe jan bërë mjaft frekuente në folklor. “Mos e lini rrugën e miqësisë të zëri bar, se atë e ardhura dhe e vajtura e mban!”, është një tjetër sentencë pikante e po këtij kuptimi.

  Përdorim më të spikatur bari e gjen në poezinë e kultivuar. Edhe këtu, fushën më të madhe të trajtesave e zë vdekja. Në funksion të saj, bari vihet në një përdorim të bollshëm duke formuar një rrjedhë të plotë “ngopjeje” figurative. Nëpërmjet tij, fundi i njeriut na vjen poetikisht i përzjerë me një pikëllim të thellë shpirtëror, ç’ka e bën fenomenin më të prekshëm e më konkret.

   Tek autorë të huaj ky element vjen po me të njëjtën vëmëndje trajtimi si edhe ndër autorët shqiptar. Madje operimi me të si dhe nëntekstet  e shumta filozofike, krijojnë tiranta lidhëse midis letërsive të ndryshme dhe autorëve të tyre të veçantë. Mjeshtëria e trajtimit dhe gama e gjerë e konceptimit të tij, mund të përdoret gjithashtu edhe si një element krahasues midis tyre.

 Imazhi i gjelbërimit të beftë të barit mbi dheun e ri të varrit, përgjithsishtë jep një shije të thellë kërcënuese. Mbuluar varrin kur ta kem me bar/ As emrin tim njeriu mos ja thuaj.”(U. Shekspir. Sonete, Tiranë,Toena, 2000, fq.41)

O diej! O bar i varreve, o ndryshime e përparime të përjetshëm!”(U.Uitman. Fije bari. Tiranë, N.Sh.Botimeve,1956, fq.157)

Ndërsa Zhak Prever është i drejtpërdrejt në paraqitjen e idesë së harrimit.

“Ç’bëni,/ Hani sipër barit, së pari/ Gjersa, në mos sot,/ Nesër, nën vete, ju ha bari!...” (Zh. Prever. Brilante të shekujve, Tiranë, 1997,Albin, fq. 132)

   Bari ka një kujtesë të përjetëshme e cila lidhet me harresën e ikjes pa kthim. Pikërisht me këtë plan e lidh kujtesën e barit Ezra Pound:

“Nikoptis, unë jam shpirti yt! Kam ruajtur këta/ Pesë mijë vjet; dhe sytë e tu të vdekur…/ Pa shih si bari i lehtë është rritur, të mbështesësh kokën/ Dhe të ka puthur me mijëra gjuhë gjethesh”(E. Pound. Poezi & Kanto të Zgjedhura. Tiranë, Aleph, 2009, fq.24)

   Nga kjo kujtesë, buron edhe një lloj përjetësie e cila shfaqet në komunikimin me të vdekurit nëpërmjet barit. Mjafton të vendosësh “veshin në bar” thot Odiseas Elitis dhe do të dëgjosh mërinë e të vdekurve:

“Me veshin në bar do të dëgjonim/ Mërinë e të vdekurve…”(O. Elitis. Poezi.Tiranë, Onufri, 2001, fq.117)

  Në gamën e gjerë të trajtimeve figurative, operohet edhe me kundërvënie të tjera, duke hedhur dyshime madje edhe tek vetë kujtesa e tij.

 “Bari është i rëndë në varreza. Era/ thotë; e trishtë është, ndonëse s’është lojë/ Që të tjerë e jo ai ruan dukjen/ E të gjallëve dhe shikon këta mermer të lodhur.”(M. Luzi. Poezi botërore, Tiranë, Onufri,1998, fq.33)

   Në mjaft shembuj vihet re se tek poetët shqiptar figura e barit mbart ngarkesa simbolike më të dukshme e më funksionale sesa tek autorët e huaj.

Shpesh vdekja tek këta poetë, pavarësisht tmerrit të saj të pranueshëm, konkretizohet me një fije të hollë apo një xhufkë bari, për tu bërë e dukshme, e prekëshme e për tu kthyer në metafizikë të qenies. Malli për të ikurin, hapësirat torturuese të mungesës së krijuar, nevoja e komunikimit shpirtëror, ka aktivizuar në përfytyrimin e tyre imazhin e një realiteti të personifikuar pikërisht mbi fijen e barit. Kjo veçori lidhet me nivelin e lartë të dhimbjes e cila zhvillon përfytyrimin deri në besimin e metamorfozës. Njeriu i vdekur në përfytyrimin e këtyre poetëve na shfaqet i transformuar në barin e mbirë mbi varrin e vet.

    “Nuk dihet cili vdes nga ne i pari/ T’u duhemi të tjerëve më vonë/ Për shëmbull, një të hollë fije bari/ Një fije bari sipër varrit tonë.”

      (D. Agolli.“Gdhihet e ngryset”, Tiranë, “DRITERO”, 2000, fq.269)

 “Le të rritet bari mbi kokën time/ Mbi kokën time le të rritet bari im/ Bari im mbi kokën time le të rritet/ Le të rritet/ Le të rritet bari im mbi kokën time”.(A. Shkreli. Zjarr i fjetur. Tiranë, Toena, 2001, fq.63)

“Ai bie mbi varret e përjetshëm të prindërve, i kris e i gjakos/ Si të ishin të gjallë/ Dhe ne presim që sërishmi të ktheheni bashkë me barin.”(R.Gjoza. Bukë dhe verë, Tiranë, Globus R. 2006, fq. 123)

“Ah, ku ke rënë kështu, ku je tretur?/ Ka mbirë bari nga sytë e tu,/ Ka mbirë bari nga zëri yt./ Ah, ku ke rënë kështu, ku je tretur!/ Nënë, nënë, do vijnë dëborat,/ Do të bien mbi barin që ka mbirë nga zëri yt…” 

 (F. Reshpja. Në vetmi, Tiranë, Arbëria, 2004, fq.37)

   Ose: “Kjo që frymon është era e vdekjes/ Bari që kapërcen brinjët /Në hekurishten e vjetër të gjoksit.” (L. Leshanaku. Palca e verdhë, Prishtinë, “Gjon Buzuku”,2000,  fq.91)

 “Ajo mbas pak do zbresë mes gjelbërimit/ Dhe unë s’do ta shoh

më/Vdekja do ta bëj të padukshme/Thinjat do t’i bëhen bar dhe bimë/ Kam heshtur para saj.”(M. Zeqo. Michelanea 1.Tiranë,Aparkeas-Abraxas, 2006, fq. 237)

“Mbi varre mbi varre përpëlitet bari/ E bardha vjen me lumenjtë nga mallet/ Dhe mbush kupën të zbraztën kupë.”(B. Çapriqi.Vepër e cituar, fq.18)  Ideja e mbirjes së barit dhe metamorfoza e trupit të njeriut, lidhet me  tretjen e mishit dhe shndërrimin e tij në pluhur. Është pluhuri ai që do t’i ushqejë rrënjët e kësaj bime. Por kur ndodh e kundërta, kur njeriu nuk tretet, kur ky proces pengohet si rezultat i një amaneti të rëndë, atëhere bari merr konotacione të tjera shprehëse që shkojnë deri në dhimbje të thellë. Pikërisht ky element përbën një nga variantet më të larmishme të trajtuar ndër poetët tanë.

 “Eshtrat e tyre s’i tret dheu,/ Rrënjët e barit dhëmbin.” (R.Gjoza. Vepër e cituar, fq.76)

Ose: “Qaj, moj qyqe, bar mos mbijë/ Vdekjes vet t’i dridhet buza.”

         (Xh. Spahiu.“Nesër jam aty”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1986, fq.128)

   Shpesh personifikimi i njeriut nëpërmjet barit jepet më i dukshëm, duke e shkëputur qendrën e rëndesës së përshkrimit të tij, nga gjendja anësore në atë më të drejtpërdrejtë. Në këtë rast, autori fokusohet mbi barin duke e bërë atë objekt më vete. Kësodore, simboli bëhet më aktiv, më referues, më interpret dhe fenomeni i metamorfozës shfaqet më i kompletuar duke tërhequr vëmendjen e tij në formësimin e përfytyruar.

 “Kaloj pranë leheve të varreve/ Ku Kashtë e Kumtrit degët vari/ Aty përjetësisht dremisin/ Njerëzit me kokë të gjelbër bari” (Sh. Bali. Hënë, përkthema këtë libër në qiell.Tiranë, Globus R, 1997, fq.19)

   Te ky autor kemi një përshkrim më të dukshëm e më të thelluar të metamorfozës. Bari hyn në ndërgjegjen e tij dhe shkakton përjetime turbulluese edhe për vet qenien e poetit. Jepen disa variante midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis faktit dhe parandjenjës së kobshme të vdekjes, duke e zgjeruar gamën e përdorimit figurativ të objektit në disa plane.

 “Në këtë varr të sapohapur/ Asnjë kurm/ Brenda s’ka/(Veç një pike gjaku; diellit që poshtë ra)/ Rrotull tij bari/ Fëshfërin fësh – fësh/ Kokën e kujt, o bar, pas ca ditësh do bësh?” (Sh. Bali. Po aty, fq.26)

 Shpesh bari te ky autor bëhet edhe paralajmërues i vdekjes, edhe blasfemi, sidomos kur ai gërshetohet me figura të tjera ndihmëse si ajo e fluturës.

 “Një flutur sillet rreth kokës sime/ Mos vallë/ Ndjen erën e barit/ Nën rrënjët e flokut të zi?/ Nuk e di, nuk e di.” (Sh. Bali. Po aty, fq. 27)

   Diku tjetër bari jepet si një domosdoshmëri absolute e natyrës, si “kundrapeshë” e ligjit të saj.  “Bari/ Sipër të rënëve/ Mbin për të krijuar kundërpeshë/ Ndaj tonelatave të dheut/ Sipër të rënëve.”

      (S. Buçpapaj.Frika nga Atdheu, Tiranë, Nacional, 2009, fq.71)

 Filozofia e humbjes jepet edhe nëpërmjet shfaqes së paktit të natyrës dhe të Zotit. Në këtë rast, shfaqet qartazi prova e rëndë e tokës, për ekzistencën e qenies. Dhe si gjithmonë, fitimtar del vetëm bari…Ky është preludi historik i jetëve. Askush nuk ka të drejt të pretendoj për përjetësinë, veç atij, të zgjedhurit prej Zotit; barit.

“Gjithë verës viti ka patur dymbëdhjetë stinë/ Iku shpezëria…/ Plepi i vetmuar nga elegjitë/ Firmosi marrëveshje me barin…/ Nga i gjithë ky ring asgjësimi/ Më i fituar del bari sipri varrit/ I vdekuri kupton tashmë/ Se s’është çështje sedre, por ekzistence…./ E Zoti bën duke zhbërë./ Për të pohuar madhërisht pohimin./ E rëndë, e rëndë qenka prova e tokës.” (A. Tufa. Rrethinat e Atlantidës. Tiranë, ALEF, 2002, fq.71)

   Por bari nuk është vetëm fitimtar mbi varre. Fitorja e tij shfaqet kudo, edhe mbi objekte të tjerë të shfardoshëm. Madje forca e tij arrin të “pushtojë” edhe ngrehinën e luftrave, kalatë, ato që mbartin mbi vete kacafytjet shekullore të ushtrive. Nëpërmjet këtij lloj “pushtimi” është ndërtuar poezia “Fija e barit në mur” e Agollit. Autori ka arritur të japë një nga pasazhet më të bukur të këtij lloji, të kthjellët, plot intensitet filozofik dhe emocion. Historia e luftrave të vazhdueshme në fund të fundit ka treguar se pavarësisht humbjeve dhe fitoreve të njëra tjetrës, asgjë s’është më e rëndësishmë përpara barit. Midis dy ushtrive armike është një kala por të dyja ato janë të përfshira nga një rivalitet i tretë; rivaliteti i barit. Bari është flamuri i fundit që valvitet mbi muret e pamarra të kalave, të cilat, pavarësisht nga funksionet e dikurshme utilitare, në fund të fundit, ato mbeten përsëri “robina” të tij. Pikërisht kjo është filozofia e jetës.

   “Një fije bari ndrin e brishtë/ Në murin e kalasë/ Shkëndijëz në vetminë e trishtë/ Në madhështinë e lashtë./ Vetmisë i flet kjo fije bari/ Në rrudha muri rritur/ Në rrudhat ku vështroi ushtari/ Me ushtën lart të ngritur./ Ajo u ngrit si shtizë e gjelbër/ Atje tek ushtat ranë/ T’i thotë botës kaq të vjetër,/ Se bari merr kalanë…” (D. Agolli. Vjen njeriu i çuditshëm, Tiranë, “DRITERO”, 1996,  fq.47) 

Një ide e tillë trajtohet edhe tek Isikava Takuboku, mbi “rrënojat” e një kështjelle.

 “Gjithnjë rritet bari/ Mbi rrënojat e kështjellës Kodzukata/ I shtrirë mbi bar/ Vështroj qiellin…/ Qielli mua më ngre lart…”(I. Takuboku. Lojë poetike me tanka. Tiranë, UEGEN, 2005. fq.19).

   Ndërsa Lorka e realizon këtë ide nëpërmjet pullazeve, të cilët venë në kokë “kësula bari”.

 “Hëna ka vdekur, ka vdekur/ Por ringjallet në pranverë…/ Kur pullazet do të vënë në kokë/ Kësula bari të vogla.”(F. Lorka. Poezi. Tiranë, EXSTRA, 1997, fq. 48)

Siç vihet re tek Agolli kemi një imazh poetik më të bukur dhe më domethënës për filozofinë e trajtuar sesa tek dy autorët e tjerë. 

 Bari është i vetmi objekt që nuk e tradhëton kurrë qellimin e tij të natyrshëm, mbirjen. Ai shfaqet kudo ku ka tokë e dhera, gurë e ngrehina, si për të dhënë mesazhin filozofik, se është zot i plotfuqishëm i tokës, “rroba e blertë e Zotit”, mbretëria e të cilit ka si mision mbulimin e hapësirave të kudondodhura. Edhe në këtë funksion jepet forca e tij zotëruese.

  “Zogjtë dhe bari/ Janë të vetmit dëshmitarë/ Që nuk i tradhëtojnë jetët./ Le të jetë/ Qoftë një shkëmb i vetmuar/ Mes oqeanit pa kufi/ Atje kurrë s’ka kaluar një anije/ Patjetër/Atje do të mbijnë fije bari/ Dhe me to/ Të ndërtojnë fole/ Zogjtë.” (S. Buçpapaj. Vepër e cituar, fq.241)  

   Ai është zotërues jo vetëm i hapësirave, territoreve të gjera masive dhe dimensioneve të pafundme gjeografike, por edhe i njësive mikroskopike të tokës, i udhëve dhe zotërues i një plase gurësh krijuar në kalldrëmet e tyre. Gjthëshkaja lidhet me autoritetin e tij absolut.

 Mbi barin që mbin anës udhëve – duke kaluar barin që s’ka fund.”(U.Uitman. Vepër e cituar, fq. 75)

Oh, në çdo kohë/ Ruaju!/ Që të mos mbytesh/ Si gurët e udhës/ Në pranverën e barit.”(I. Takuboku. Vepër e cituar,fq.34)

“Edhe bari në pyll s’do harrojë/ S’do harrojë të shtrenjtën pranverë.

 (A. Bllok.Lirika të zgjedhura. Tiranë, Globus R, 1996, fq.41)

“Qyteti vdiste/ Mbi rrugët, sheshet, trotuaret/ Mbinte bari si qimet mbi një fytyrë të vdekuri/ Ti ikje tutje” (I.Kadare. Poezi. Tiranë, “Naim Frashëri”, 1979, fq.181)

 “Pa se në ç’do gur kalldrëmi të plasaritur kishte mbirë bar.”

   (R. Gjoza. Vepër e cituar, fq.73)

   Një element tjetër fizik i barit që shfrytëzohet në përdorimin e tij figurativ, është edhe denduria e mbirjes, ngjeshja fizike në rritje, mizëria e pafundme e fijeve.

    “Fushës të mos vish/ Sa ka fusha bar/ Jeshilojnë nizamë.”

        (F. Arapi.Eklipsi i ëndrrës, Tiranë, Toena, 2002, fq.115)

   Diku tjetër figura e tij përdoret duke shfrytëzuar korrjen e tij nga njeriu si veprim ekonomik. Në këtë rast kemi shfrytëzimin e tërthort, si krahasim gjithashtu për të dhënë rrafshimin masiv të ëndrrave apo të një popullsie të tërë nëpërmjet raprezaljeve të kryera mbi të.

“Dhe tok me barin që u tha/ Nën kosë, plot ëndrra fërfërijnë.”(I.Kadare. Vepër e cituar, fq.223)

“Mbi to vetëm një kopësht është ngritur si mirazh,/ Kosovë e kositur në vend të barit.” (N. Lako. Këmbë dhe duar, Tiranë, Toena, 2002, fq.37)

 Nga periudhat fjalët bien/ Si bari nën kosë/ E lulet rektojnë nëpër shi.(D. Mehmeti. Klithmë është emri im. Tiranë, Toena, 2002, fq.76)

Dihet që bisku i barit ka një forcë të madhe mbirjeje. Edhe ky element shfrytëzohet gjeresisht nga poetët, duke e bërë kuadrin e konsumit total të figurës së tij edhe më të larmishëm.

 “Dinak ky park,/ Nën heshtjen hyjnore/ Gëlojnë grackat./ Bari i topitur,/ Papritur sulmon,/ Gudulit.”(Dh. Pojanaku .Xhindet kërcejnë polka. Tiranë, Onufri, 1998, fq.27)

 Ndodh gjithashtu që bari të shfrytëzohet në përdorim ironik. Kemi një lloj “ironizimi poetik” që bëhet shumë shprehës për idenë e paraqitur në poezi.

  “Mbreti urdhëroi popullin të hantë bar…/ Dikush urinoi në bar…/ Dhe populli përtyp bar.” (R. Gjoza. Vepër e cituar, fq.136)

Ndërsa Zeqo e kompleton atë me “përvojë kozmike”, duke formuar një dukuri tepër të rrallë.

Ç’do fije bari e ka një përvojë kozmike.” (M.Zeqo. Michelanea5. Tiranë, Globus R, 2008, fq. 594)

  Një mundësi tjetër funksionale e barit është edhe përdorimi i tij krahasues. Në këtë rol, ai bëhet tepër aktiv, duke ndërtuar krahasime mjaft efikase, nëpërmjet shfrytëzimit të vetive fizike të lëndës si; konstrukti elegant i fijes dhe brishtësia e saj.

“Vetëm para teje bie në gjunj e falem/ O shpirti im drithërues si një fije bari.” (N. Gjetja. Biri i njeriut. Tiranë,  Toena, 2004, fq.156.)

“Mbi bar/ M’u bë se qanin dy fëmijë./ U drodha si një fije bari;/ Kur qajnë fëmijët, qaj.” (Xh. Spahiu. Poezia Shqipe.Tiranë, “Naim Frashëri”,1990, fq. 196)

“Tani bari yt, toka ime, mërmërit si vashat/ Emrat e të dashurve.”

  (Q. Sheme. Përroi që rrjedh ndan strehës sime. Tiranë, “Naim Frashëri”, 1984, fq.49)

 “Ah,ç’ishe ti, e holla – një fijëz bari/ Dridhja e shpirtit tend, xheloz bënte qirinjtë.” (P. Rista. Mënd+afsh. Tiranë, Globus R, 2007, fq. 82)

“Mbante  midis dhëmbëve/ Nje fije bari/ Ishte si një fije shkrepse

/ Ishte si fije bari.” (Xh. Tosku. Asgjë më pastaj. Tiranë, “Skanderbeg books”, 2005, fq. 47)

Ose: “E bari i zverdhur fishkëllen lehtë, shpirtërisht, butë/ Si djaloshi biond kur kthehet nga një takim dashurie,/ Natën, i vetëm, nëpër fushë.”  (L. Lleshanaku. Vepër e cituar. fq.132)

“Mund të vijnë e të shkojnë udhët, mund/ Të lindin fëmijë të bukur si bari.” (A. Shkreli. Vepër e cituar. fq.148)

   Simbolika e barit arrin një hapësirë më të gjerë sidomos në përdorimin e tij metaforik. Metaforat e barit mbartin shtresime kuptimore mbushur me reflekse kolorative të shumëllojta. Ky përdorim e mbart gjendjen e objektit në proces të vazhdueshëm dinamik, në zhvillim të natyrshëm stinor, duke shfrytëzuar të gjitha funksionet e tij fizike. E mbi të gjitha këto funksione vihen në shërbim të jetës. Bari është jetë. Jetë me mbirjen dhe të blertën e tij. Në poezinë botërore ky përdorim kulmohet veçanërisht me Uitmanin. Bari nën penën e këtij poeti ngrihet deri në nivelet e shenjtërimit duke u quajtur “mandile e Perëndisë”.

Një foshnjë tha, Ç’është bari? Dhe më solli një tufë/…Besonj se është flamur i ndjenjave të mia, i thurur me rroba të gjelbra – në ngjyrën e shpresës/ Ose ndoshta është mandile e Perëndisë.”(U. Uitman. Vepër e cituar. fq.114)

Shenjtërimin e barit e gjejmë edhe tek poeti maqedonas, Radovan Pavlovski. “Dhe ka një bar të shenjtë/ Që kurrë nuk fishket/ Ai është strall/ Dhe nxjerr xixa/ Në çfarëdo errësire.” (R. Pavlovski. Poezi nga Europa Juglindore. Tiranë, Globus R, 2006, fq.130)

   Në përdorimin e tij metaforik dominon veçanërisht ngjyra, e gjelbërta e tij, freskia e saj ç’ka presupozon vet dlirësinë e jetës, lulëzimin dhe shëndetin e natyrshëm.  Jepet ideja e brishtësisë, e hyjnores. Kjo e bën barin më afër shpirtërores sesa lëndës. Përshkrime të tilla jan pikante dhe gjejn një përdorim më të gjerë e më të hershëm.

“Një e gjelbër si bari më mbulon.”, thotë Safo. (Safo.Vepra e plotë. Tiranë, UEGEN, 2008, fq.40)

”Të të shërbej kur ti të jesh më nge/ Të mbaj të freskët barin nëpër udhët/ Ku do të shkelësh ti për ç’do mëngjes.(R.Tagora. Kopshtari. Tiranë, “Naim Frashëri”, 1961, fq.10)

 Oh, eja eja në liqenin tim/ Shullëri gjelbëron nga bar’i njomë.”(R. Tagora. Po aty. fq.21)

“Bëhu i blertë si unë/ Më tha bari një natë.” (D.Mehmeti.Vepër e cituar, fq. 47)

 “Jam fis me fijet e barit.” (A.Vinca. Psalmet e rrënjës. Tetovë, Çabej, 2007, fq.22)

“Lis e rrap s’kam dashur të jem kurrë/ Veç një fije bari përmbi gur.(D.Agolli. Pelegrini i vonuar. Tiranë, DRITERO, 1998, fq.109)

“Ai i ka ndi lutjet e mia/ të blerueme me barin e kujtimeve të mia?”

 (F. Gunga. Flaka e fjalës. Tiranë, “8 Nëntori”, 1975, fq.29)

“Sa dhimbshëm/ Mbi bar/ Kumbon çikati…/ Mes fijeve të gjelbërta/ Më ngatërrohen rreshtat e një letre.” (I. Takuboku. Vepër e cituar. fq.49)

  “Do vij dhe barin tënd do ta lag/ Barin e vyshkur në shpirt.” (D. Agolli. Lypësi i kohës, Tiranë, DRITERO, 1998, fq.121)

  “O dendësi bari e gjelbër e kraharorit tënd.” (M. Ahmeti. Delirium. Tiranë, Ora, 2006, fq.60)

“Të martat janë bari i livadheve që i përtypin të mërkurat.”

(M. Zeqo. Michelanea 5, fq.137)

E qimet e mia/ Janë bari/Që bleron rrëpirat e Parnasit/ A Tomorrit.”

(M. Zeqo. Michelanea 4, fq.300)

Ose, “Po mua më pëlqen  të qëndroj pranë asaj pike të zezë/ Që i jep fund fjalëve të shkruara prej bari.”

       (N. Lako. Vepër e cituar, fq.91)

 “Fshiji lotët e dhimbjes me pendët e zogjve/ Fytyrën e dinjitetit mos e mbulo me barin e zhgënjimit.” (F. Kulli. Këpucët e mjegullës. Tiranë, ADA, 2009, fq.95)

  Ky ishte një vështrim analitik i hedhur mbi barin dhe simbolikën e tij të shumfishtë të çilat dëshmojnë për trajtat elegante të përdorimit të tij të shumanshëm. Duket sikur ajo që mungon në këtë trajtesë është përdorimi i funksionit të tij aromatik, për të cilin natyrshëm trasmetohet nëpërmjet poezive si një ndjesi e thellë konceptuale që lidh përfytyrimin tonë me një shoqërim të vazhdueshëm emotiv.



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora