E shtune, 20.04.2024, 10:51 AM (GMT+1)

Editorial

Daniel Gàzulli: Mbi identitetin kombëtar dhe shqipen e njësueme

E hene, 26.07.2010, 10:00 PM


Mbi identitetin kombëtar

dhe

shqipen e njësueme

 

Nga Daniel Gàzulli

 

Në ballë të bibliotekës kam librin e Prof. Rexhep Qoses “Porosia e madhe”. Në një kartelë të komjutërit kam shkrimin e tij “Identieti Kombëtar dhe Gjuha Standarde”. Më vjen të shtroj pyetjen: A vërtetë asht i njejti autor? E, tue huazue atë fjalë aq shpesh të lakueme po prej tij, “identitet”, pyes: Po cili asht identiteti i vërtetë i Prof. Rexhep Qoses, ai i “Porosisë së madhe”, apo i shumë shkrimeve të pëçarta të tij në dhjetë vjetët e fundit?

            Po e nis këtë shkrim me një citim prej atij artikulli: 

Pikërisht tani kur shtohen gjasat historike për funksionimin e popullit shqiptar si komb modern, në jetën tonë kulturore dhe politike shfaqen disa dukuri dhe bëhen disa përpjekje me ndikim çintegrues në jetën shoqërore e në njësinë shpirtërore të popullit. Ato janë:

1. përpjekjet për ndryshimin e parimeve themelore të gjuhës së sotme standarde dhe për krijimin e një gjuhe tjetër standarde për shqipfolësit e dialektit gegë;

2. tejshquarjet, tejtheksimet e vetëdijeve fetare dhe sjelljet e anshme të disa institucioneve

politike e shtetërore ndaj ndonjërës prej këtyre vetëdijeve;

3. përpjekjet për krijimin e një identiteti të ri kombëtar - të identitetit kombëtar, në të vërtetë mbikombëtar, kosovar”.

            Kështu  e nisë Prof. Qosja temën e tij që  e ka aq për zemër: “Identiteti Kombëtar dhe Gjuha Standarde” 

            Gjendemi para paradoksit ma vulgar që po përdorin gjithë ata që janë kundër gjuhës së njësueme letrare shqipe, tue e zëvendësue ate me famëkeqen “gjuhë standarde”, një pjellë e dështueme historikisht e kombëtarisht. 

            Ky soj i pandreqëshëm lëshon tymçe atdhetarie pikërisht për të mbrojtë ate që asht asgjamangut e kryekëput kundër identitetit dhe unititit kombëtar.

            Ta shtjellojmë fare shkurt citatin e sjellun prej Prof. Qoses, pse ma tej do të na duhet me u marrë me shtjellime të tjera.

            a) Askush nuk kërkon me ndryshue parimet themelore të gjuhës së sotme standarde, por të rishikohen ata në mënyrë që të kemi një gjuhë letrare shqipe vërtetë të njësueme; vetëm atëherë ajo do të jetë një element i qenësishëm në themel të identitetit kombëtar; Prof. Qosja dhe të tjerët e dinë mirë se “labërishtja e standartizueme” nuk asht njësim i shqipes, as element themelor i identiteti kombëtar. E shumta ajo mund të jetë element bazë etnopërfaqësues i Labërisë.

            b) Gjuha letrare e njësueme nuk duhet të jetë për shqipfolësit e dialektit geg, por mbarëkombëtare.

            c) Vetem në mendje të çorodituna mund të lindë ideja e krijimit të një identiteti të ri kombëtar, a, aty edhe mbikombëtar; çashtja shtrohet në një identitet të fortë kombëtar, mbarëkombëtar e jo mbikombëtar. Prof. Qosja do me çue pluhun me këto akuza absurde pse do me mbrojtë pjellën e dështueme të 1972.

            d) Aq “i shqetësuem” asht ai në “identitetin” e tij të fosilizuem, sa e shqetëson ringjallja a rikujtimi i prejardhjes sonë të krishtenë – çka deri më 1990 nuk do të mundnim as ta përmendnim -; ndërkohë po ai nuk ka mungue t’i drejtojë gishtin edhe Europës “se duhet t’i bajë llogaritë edhe me identitetin tonë islam”.

            Nuk e ndjej të nevojshme me u zgjatë ma me te, pse çdo mendje e shëndoshë nuk do ta ketë të vështirë me kuptue se “Identiteti Kombëtar dhe Gjuha Standarde” e Prof. Qoses, gjithçka mund të jenë, por jo në mbrojtje të identitetit kombëtar.

            E tue na kujtue se identiteti ynë na u përcaktoka nga “adetet” (sa bukur i shkon kjo fjalë osmane mendësisë së tij!), arrin në marrëzinë se Europa deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX na paskish njësue kombësinë me fenë; pra simbas tij, në Europën e krishtenë, deri në fund të shekullit XIX nuk na paskish pasë rusë, suedezë, francezë, anglezë, spanjolë etj.

            Shikoni se ç’armë të papastra përdor ai, mjaft të mbrojë “gjuhën standarde”, pse as e ha maraku për gjuhën e njësueme – jo më kot i shmanget përdorimit të cilësorit “e njësueme”, pse e di që gjuha e tij “standarde” nuk asht e njësueme – e sa kohë nuk asht e tillë, ajo nuk mund të jetë një element themel i identitetit shqiptar.

            Një mendje më thotë mos me u marrë me atë shprehje vrastare të Adem Demaçit: “Të mbrojmë gjuhën standarde shqipe nga përçarësit e kombit shqiptar”, aq ma tepër pse nuk kam pse me u çuditë: Vitet e burgut që ai vuejti nën regjimin Tito-Rankoviç, nuk i vuejti për ide përparimtare, po pse ishte idhëtar i diktatorit Enver Hoxha. Po diçka krejt të thjeshtë më duhet me ia thanë: Askend ma shumë se ata që janë për një gjuhë të njësueme letrare shqipe nuk e ha maraku për unitetin mbarëkombëtar. Tue vazhdue me mbrojtë atë “standard” e tue mos përmirësue rregullat e drejtshkrimit, kështu po, i bahet dami ma i madh, deri në shkatrrim, shqipes së njësueme. Kam mjaft dyshim se tashma Demaçi vështirë t’i rrokë këto parashtrime: ai ban pjesë jo vetëm në Haxhiqamilët e gjuhësisë shqiptare – për fat të keq jo të paktë – por edhe në Haxhiqamilët e enverizmit historik.

            Po ka edhe ma keq.

            Për të mbrojtë idenë e tyne të ngultë, kryekëput antikombëtare, se “gjuha standarde” nuk duhet prekë, pikërisht si më 1972 (e ma parë e mbas, prej 1945 deri më 1991), një farë Nurellari nuk ngurron me pafytyrësinë ma të pashoqe të akuzojë se kush e prekë ate na i kryeka shërbimin ma të madh “shkjaut”. Lexoni deri ku arrin ky tip i tjetërsuem: Kur vizitova për herë të parë Beogradin jam ndjerë si në gjëmba duke menduar se gjendesha në strofullën e antishqiptarizmit. Mirëpo ndryshe nga çfarë prisja, u ballafaqova me një dashamirësi të shtirur por të theksuar të beogradasve që nuk humbnin rast pa më thënë se ata nuk kishin asgjë me shqipëtarët e Shqipërisë por me Kosovën.  Një aplikim i pacipë dhe i pakursyer i taktikës mijëravjeçare, dividi et impera (përça e sundo). Me keqardhjen më të thellë kam zbuluar kohët e fundit se kjo përpjekje e Beogradit nuk ka shkuar tërësisht dëm përderisa zërat që i janë kundërvënë gjuhës letrare shqipe janë shtuar në Kosovë dhe zënë një vend domethënës qoftë në debatin publik e qoftë në bisedat në të cilat përfshihem shpesh në ambiente private me miq të mi të Kosovës”.

            Pra, simbas tij, ata që mendojnë e ngrejnë zanin se ka vend e duhen rishikue rregullat e drejtshkrimit e të sendërtohet një gjuhë e mirëfilltë e njësueme letrare shqiptare, na bankan punën e Beogradit.  

            Se kush ka ba dje e vijon me ba edhe sot punën e Beogradit, të Athinës e të Stambollit, e ka dëshmue historia. Një gja asht e sigurtë: Pikërisht ata përdorin këte armë të pabesë sa herë duen me mbrojtë idetë e tyne fosile e mjerane.

            E mund të vazhdohej me Emil Lafen, Gjovalin Shkurtajn etj. (nuk po iu parave titujt shkencorë që ua kanë dhanë, se pak më duken se i meritojnë, në mos tjetër moralisht), por, le të ndalemi këtu e t’i kujtojmë gjithë kësaj skote: ASKUSH MA SHUMË SE ATA QË KËRKOJNË RISHIKIMIN E RREGULLAVE TË DREJTSHKRIMIT VENDOSË MË 1972 E SENDERTIMIN E NJË GJUHË TË MIRËFILLTË LETRARE KOMBËTARE, ASKUSH, PRA, MA SHUMA SE ATA, NUK SHQETËSOHET PËR MBROJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR E TË UNITETIT TË TIJ, PAVARËSISHT NGA PIKËPAMJET POLITIKE, FETARE, MENDËSITË KRAHINORE E KËSHTU ME RADHË.  Mjaft me bomba tumçe! Mjaft me rrahgjoksje të mbrojtës të identitetit kombëtar e të unitetit! Identiteti dhe uniteti mbrohen tue pasë vetëdijen ma të thjeshtë se ky popull ka nevojë për gjuhë të njësueme letrare shqipe – prej saj buron mandej gjuha standarde.  

            Të kthehemi edhe një herë tek Nurellari. Le të citojmë rishtas prej tij një fragment: “…….zënë një vend domethënës” (evidentimi prej meje, DG). Nurellari përdorë mbiemnin e përbamë prej paskajores, do me thënë, këtë trajtë themel të foljes në shqip. E mirë, a nuk po kërkojnë pikërisht këte Prof. Bahri Beci, Prof. Nuhi Veselaj, Prof. Primo Shllaku etj., vendosjen e paskajores në themel të foljes në shqip? Vallë përdorimi prej tij i kalkut “domethënës” prej paskajores “me thënë” dëshmon se “përpjekjet e Beogradit nuk kanë shkuar tërësisht dëm”?!           

A nuk asht kjo marrëzi e jueja, zotni Nurellari, që nuk ju njoh e nuk ju di, e as më lindë dëshira me ju njohë, një qendrim kryekëput enverist, si dikur që po të shprehje një mendim “jashtë vijës së Partisë” (po e shkruej me të madhe si atëhetrë kur Atdhe shkruhej me “a” të vogel), të cilësonin shërbëtor i Athinës e i Beogradit, i imperializmit e revizionizmit?

            Nëse shtrimit të problemit madhor të nevojës së ngutëshme për rishikimin e normave të drejtshkrimit, që të na çojë në sendërtimin e një gjuhe latrare të mirëfilltë të njësueme e kombëtare, do të përpiqemi t’ia zamë frymënm njak sa të bëzahet pak, kjo po, kjo çon në një komb të përçamë, jo dëshira me pasë një gjuhë vërtetë të njësueme. 

            Ja dhe vneri i matejshëm i Prof. Qoses: “ ...... kjo do të thotë jo vetëm përmbysje e gjithë krijimtarisë shkencore e artistike të krijuar me këtë gjuhë ...”.  Ma qartë nuk ka si thuhet: Të hedhim në koshin e plehnave të harresës pesë shekuj krijimtari, prej Buzukut te Migjeni, prej Fishtës te Visaret e Kombit, që të mos përmbysim krijimtarinë shkencore e artistike të krijueme me këte gjuhë (Nënkupto: standarten). Cinizmi e qendrimi çintegrues kombëtar asht në dritë të diellit – krijimtaria e Qoses e kompani të mbetet, kush pyet për Eposin e Kreshnikëve, Fishten, Mjeden, Koliqin, Esat Mekulin etj?! Joqë, po të jesh i ndershëm, e di mirë se askush nuk ka synim me përmbysë as krijimtarinë shkencore e as ate artistike të “të krijuar me këte gjuhë” (sikur na po kërkojmë një gjuhë tjetër, serbishten, b.fj., që Prof. Qosja e ka aq për zemër?!).

            E se “ … ato frymëzohen prej motivesh të tjera. Nuk është e vështirë të dihet se në bazën e këtyre motiveve, shumë më tepër politike se sa kulturore, qëndron mendësia feudale, në të vërtetë ai patriotizmi që Faik Konica e quante patriotizmi i mëhallës”.

            Po “patriotizmi” Juej, Profesor, i ç’mëhalle asht?    

            Asnjë argument shkencor, por vetëm akuza denigruese me shigjeta të helmta që dalin prej llogoreve enveriste.   

            Deri ku na e ve “kufinin te thana” Prof. Qosja? “ ... nevojën e pasurimit dhe të përsosjes së gjuhës standarde duke futur në përdorim thesarin leksikor dhe frazeologjik të të gjitha trevave shqiptare, në mënyrë të veçantë të trevave veriore, që çmohet pak a shumë i lënë pasdore”. Pra edhe këtu: “.. që çmohet pak a shumë i lënë pasdore”. Tashma edhe fëmijtë e dijnë se fjalori i Veriut nuk asht “pak a shumë i lënë pasdore”, por i përjashtuem si të ishte leksik barbar. Doni një shembull të thjeshtë, Profesor? Ja, nuk m’u desht as një orë punë me gjetë (pra mos me gjetë) se në FGJSH mungojnë fjalë të përdorimit të përditshem në Sapë (Zadrimë) si: akulltar/-e, anx:ë/-a, azull/-i, ballot:ë/-a, bam/-i, -e, bërgajn:ë/-a, birth-i (pse kemi turqishten çiban), brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë, deh!, me u dejë, ding, me u djergë, kërcalë, me llokë, mangën/-a, miellc:ë/-a, me miklue (përkëdhelë), me përdahë, pllojcë, porrc/-i (apendisit/i), shij:ë/a, e deri tek neologjizma aq e bukur që ndeshim te proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Këtu ka njëgjasend: ose fjalët gege që nuk janë në tosknisht nuk merren si shqipe, ose të quhet Fjalori i ! Tosknishtes. Si mund të përjashtohet nga gjuha amtare me kaq papërgjegjësi thesari i saj ma i vlefshëm!? Me ç’të drejtë shkencore e morale bahet tosknizimi i fjalëve gege (kur nuk e ka tosknishtja e detyrimisht janë përfshi në FGJSH)?! Po e përsëris, me ç’të drejtë morale, që rri mbi të gjitha të drejtat, “u shkim një ortak bore prej shpatit të malit” e bajnë “u shqim …? Që kur “q-ja” na qenkish ma e fisme se “k-ja”?

            Ja, kësaj i thonë degdisje e “identietit” (më që ju u pëlqen kaq shumë kjo fjalë) në një thelë … labe.

            Gjovalin Shkurtaj na kërcënon si dikur motit: “ ne gjuhëtarëve na mbetet detyrë kryesore që të marrim në duar gjuhën stantarde e të mos e lëmë të tjetërsohet sipas qejfit të secilit prej përdoruesve të saj. (nënvizimi imi – DG). Pra, o gjuhë standarde, o ne gjuhëtarët marrim masa. Në dëshironi mund të shkrueni në gjuhë të hueja, makare në serbisht a greqisht, por jo në gegnisht.


***

 

Kjo asht  klima që kanë krijue gjuhëtarët “zyrtarë” në diskutimin për sendertimin e një gjuhë të njësueme latrare kombëtare prej nga mandej del edhe gjuha standarde.

Po çfarë kërkojnë në të vërtetë “përçarësit i kombi shqiptar” të Adem Demaçit?

1) Pasunimin e gjuhës shqipe me të gjitha trajtat e saj fonetike e morfologjike ma përfaqësuese e shprehëse, gjithëpërfshimëse, që të lejojnë zhvillimin e papremë të saj, jo ta fosilizojnë si po ndodhë me famëkeqen gjuhë standarde;

2) Përfshimja e trajtave themel të shqipes në gjuhën e njesueme, si janë paskajorja e pjesorja e shkurtë;

3) Rishikimi i rregullave të shumësit të emnave e të mbiemnave;

4) Rishikimi i “ë”-së së shurdhët në trup të fjalës në raport me zanoren “a”, por tue e ruejtë gjithmonë “ë”-në në fund të fjalës si në normat e sotme;

5) Zbutja e fenomenit të rotacimizit kur në trajta të tjera të të njejtes rrajë shfaqet me “n”, si b.fj tek “synoj”, pra edhe “syni”, e jo “synoj” – “syri”;

6) Përjashtimi nga normat e drejtëshkrimit i fjalëve me theks fundor nën ndikimin e osmanishtes si; babà, joqë: babë; parà, joqë: pare; kafé, joqë: kafe etj.

7) Ruejtja e leksikut në trajten që ai shfaqet ku ka perdorim origjinë si: me u shkimë, e jo “shqimet”.

Veçanarisht në të folun një numur i madh intelektualësh toskë përdorin mjaft shpesh pjesoren e shkurtë, aty edhe paskajoren, kanë tendencë të shqiptojnë me “a” në trup të fjalës shumë prej fjalëve që në tosknisht shfaqen me “ë” të shurdhët, bajnë shumësin e emnave dhe mbiemnave si në gegnisht (doemos, si baj edhe unë të pakryemen e foljes si në tosknisht, e jo vetëm të pakryemen).

Tashti pyetja që shtroj unë asht e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: Pranimi i këtyne ndryshimeve e pasunon shqipen apo e vorfnon ate? Ban të lexueshëm e të kuptueshëm si Naimin ashtu edhe Martin Camajn, apo po të bahen këto ndryshime njerëzit nuk do të kuptojnë ma Prof. Qosen? E fosilizojnë ma tej apo i çelin hapsina zhvillimi bashkëkohor? Shprehin një identit kombëtar gjithëpërfshimës, apo identitetin e një pakice lokale? Lejojnë që shqiptarët të shprehenh natyrshëm në gjuhën amtare, apo na krijojnë vështirësi me kuptue Jakup Krasniqin?

Shkurt, pse nuk pranoni të shtroheni e të diskutoni çashtje konkrete të gjuhës, të nderuem “firmatarë” e jo firmatarë të Rezolutës së Kongrsit të Drejtshkrimit, po lëshoni tymçe “patriotike”?!

Asht koha me i thirrë mendjes e jo me u strukë në llogore të vjetra ku rrezikuem të shpërbaheshim si komb.

Nëse ndjeheni bashkëfajtorë në sendertimin e normave të drejtshkrimit më 1972, gaboheni. Ju as diskutuet e as vendoset. Ju ishit aty që të miratonit “njëzëri” dhe kaq. As u pyeten, as u ngarkon njeri me përgjegjësi.

 Vetë Prof. Qosja e ka shprehë se:  "Zgjedhja e toskërishtes për themel të gjuhës së njësuar letrare është vendim para së gjithash politik, i marrë duke u pasur parasysh vullneti i klasës politike në pushtet".(R. Qosja, Gjurmime albanologjike, SShSh, 26, Prishtinë, 1996, f. 59). Atëherë, për ç’element identiteti kombëtar e merr sot sa kohë që zgjedhja ishte “para së gjithash politik, i marrë duke u pasur parasysh vullneti i klasës politike në pushtet"?

Pak a shume edhe studiuesja franceze O. Daniel thotë të njejten gja: "Gjuha shqipe ka pësue ndërhymjen e shtetit totalitar, siç ishte Shqipnia gjatë periudhës së pushtetit stalinist. Tue u frymëzue nga politika staliniste, politikanët shqiptarë, tue dashtë të modelojnë një shtet homogjen nën flamurin e komunizmit, … imponuan mbi gjithë territorin "gjuhën e njësuar", që në fakt, nuk ishte rezultat i afrimit të dy dialekteve të shqipes… "

  Që më 1940 N.Resuli shprehej se: ”Gjuha e përbashkët e ardhme sipas zhvillimit të evolucionit historik të saj e gjer më sot, vecse në mos u vërtetofshin shkaqe të ra që t’i këmbejnë drejtimin që ka marrë, shkon drejt dialektit të Shqipërisë së Mesme”. Një hamendësim ogurzi, pse, për fatin tragjik të shqiptarëve, u vërtetuen “shkaqe të ra” që ia ndërruen drejtimin që kishte marrë, u vendos diktatura komuniste, që nuk do të pyeste as Idriz Ajet e Selman Rizë, as Çabej e Mahir Dom, le ma Rexhep Qosen.

atë Kongres u vendios ajo që dihet, por jo njësimi i shqipes, aq ma pak ajo që këshillonte Prof. E.Çabej «afrimin sa më të madh të dy dialekteve në shkrim »

Nuk kishte rruge tjeter, thonë gjuhetaret, ose gegnishtja, ose tosknishtja. Asnjë motiv tjetër me përligjëje shkencore nuk mund të ketë në teorinë e “pamundësisë së shartimit në mes dy dialekteve”. Pse një shartim të tillë nuk e ka kërkue kurrkush. Pse një shartim i tillë nuk mund të bahet. Pse vetë konceptimi i shartimit tosknisht – gegnisht asht një ide barbare: gjuha standarde mbështetet tek format e përbashkëta, takuese, gjithëpërfshimëse, mospërjashtuese, pra në mbarë shqipen, jo në shartimin në mes dialekteve. Pse, siç e thamë ma parë, do të merren ato trajta që i ka tosknishtja me mbështetje ma historike e ato që i ka gegnishtja me mbështetje ma historike, sidomos ndeshjet në mes tyne; apo, siç thonte i madhi Çabej, marrja parasysh e shtrimjes territoriale të dukurive gjuhësore, në mënyrë që “kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit”, e se të sendertoheshin rregulla sa më përfshirëse, përgjithësuese, të formuluara thjesht e qartë, që të përvetësohen e të zbatohen më lehtë”.

Çfarë po kërkohet? Asgja ma shumë se sa thuhej në Rezolutë të Kongresit: "Kongresi porosit që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj, si edhe çështjet e reja që nxierr praktika gjuhësore, Rregullave të drejtshkrimit t'u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura".

Ata që përjashtojnë debatin mbi këte temë kaq të randësishme, ata po, janë për përçamje kombëtare, kambëngulja e tyne asht disintegruese e mund të sjellë rrjedhoja të paparashikueshme, e jo ata që kërkojnë një shqipe letrare të njësueme prej nga do të rrjedhë mandej edhe gjuha standarde.

Ky nuk asht patriotizem mëhalle, siç po na thotë prej Olimpit Prof. Qosja, po atdhetarì e kullueme, shqetësim i atyne që u dhemb pse po birret shqipja, jo se po birret gegnishtja.

Natyrisht, unë nuk pres asgja të mirë prej institucioneve, në duer të të njejtave persona prej 40 vjetësh, por intelektualët e mirëfilltë nuk duhet të heshtin. Intelektuali, si thonte i madhi Lasgush Poradeci, ka gjithmonë përgjegjësi, aq ma tepër për një çashtje themel të një kombi ende në evoluim të përshpejtuem, jo rrallë eklektik.



(Vota: 29 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora