E premte, 19.04.2024, 06:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Një studim akademik në gjykimin e profesionistëve

E hene, 26.07.2010, 09:34 PM


Një studim akademik në gjykimin e profesionistëve

 

Rreth librit Çështje të promocionit të shëndetit me autor Apollon Gjebrea

 

Nga Mihal GJERGJI

 

Apollon Gjebrea, trashëgimtar i një familje atdhetare gjirokastrite. Biri i Shaqir Gjebresë, diplomuar në Montelje të Francës në vitin 1934, ndërsa nëna e Apollonit, Zehraja, vajza e Sabri Kallajxhiut, sekretarit të Sami Frashërit në “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll, diplomohet për mjekësi në vitin 1931, në Universitetin e Barit. Biografia e “trazuar” e Ramize Gjebresë, motrës së Shaqirit, do ta ndiqte prapa gjithë jetën. Në këtë djep mënçurie morën krahë ëndrrat e Apollonit. Mes shumë vështirësive u formua: i plotë si intelektual e profesionist, fisnik dhe i përkorë në sjellje, me inteligjencë imponuese në bashkëbisedime, por edhe këmbëngulës e konseguent në realizimin e detyrimeve humane të profesionit, i cili është edhe mision njëkohësisht. Gjurmimet shkencore dhe përvojën shumëvjeçare, e ka grumbulluar si bleta nektarin. Punimi interesant “Çështje të promocionit të shëndetit”, njëkohësisht është edhe “jetëshkrimi” i punës së tij gati gjysëm shekullore.

 

Prof.Dr.Ylli Sarolli

Pedagog i Shkencave të Shëndetit në departamentin e Shëndetit Publik të Fak.Mjekësisë

 

Shumë vite më parë, atëhere kur Shqipëria gjendej dhe përpëlitej në udhëkryqet e veta, në fillimet e pluralizmit dhe të tranzicionit nga sistemi i vjetër në atë demokratik, pata rastin fatlum të njiheshim edhe nga afër me Dr. Apollon Gjebrea-n, që në vitet që do të pasonin, do të bëhej një nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë, më të aftë e më të përkushtuar, por edhe me një gatishmëri shembullore e tepër të veçantë, për të ndihmuar kolegët, e jo vetëm ata me më pak përvojë në fushat e shëndetit publik, si edhe doemos specializantët dhe studentët, posaçërisht në fushat e Edukim-Promocionit të Shëndetit.  Të diskutoje në ato kohë për promocionin e shëndetit në Shqipëri ishte ende jo fort e lehtë dhe për mua, sa për shkaqe të mosnjohjes, po aq edhe të traditës së zhvillimeve të deriatëherëshme, por po aq edhe për shkaqe që lidheshin me mungesën e informacionit të nevojshëm, që buronte nga izolimi i gjatë dhe nga vështirësitë e mëdha që kalonte aso-kohe vendi, sistemi shëndetësor dhe çdo individ i shoqërisë shqiptare. Pikërisht në këtë periudhë e në këto rrethana i ka fillimet e veta edhe ky tekst sa bashkëkohor aq edhe i kërkuar e i domosdoshëm për çdo njeri, që në jetën e vet i përkushtohet shërbimit ndaj çëshjeve të shëndetit.

Ishte koha kur Dr. Apollon Gjebrea, si një mjek i sjellë në dikaster me një përvojë të gjerë të gjithanëshme në kujdesin shëndetësor parësor e dytësor, por që ishte gjithaq i aftë (ndonëse thuajse krejtësisht i “vetëspecializuar” dhe i “vetëkualifikuar”) edhe në fushat dhe çështjet e ‘organizimit shëndetësor’ dhe të parandalimit. Pas diskutimeve shumë të hapura kolegjiale e miqësore me shumë përkushtim e dashamirësi, (unë në atë kohë isha në pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Higjienës dhe Epide-miologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë – që mbulonte edhe sistemin e Edukimit Shëndetësor, dhe njëherësh shef i Katedrës së ‘Higjienës’ në Fakultetin e Mjekësisë) menduam se, tashmë kishte ardhur koha dhe nevoja po e kërkonte përfshirjen e lëndës së Edukimit Shëndetësor & Promocionit të Shëndetit në kurrikulat e reja të përgatitjes, dora-dorës të mjekëve specializantë në Shëndet Publik, e më pas edhe për studentët.

E vërteta është se askujt më mirë e më me kompetencë e përkushtim se dr. Apollonit, nuk mund t’i besohej që ta merrte përsipër këtë detyrë, qoftë për përgatitjen e syllabus-it të lëndës, sikurse edhe për mësimdhënien e saj.  Kështuqë, kur u krijuan kushtet subjektive, me shumë kënaqësi, e ftova t’i.futej punës për vënien në jetë… Tani kam rastin që t’a falenderoj për këtë e t’i shpreh publikisht vlerësimin tim më të lar-të për nismën sa të vështirë për rrethanat, aq edhe të lodhëshme, të guximshme e shoqë-risht të dobishme, që ka ndërmarrë atëhere (jo pa pengesat subjektive të zakonshme për çdo lloj risije) për të konceptuar e hartuar të parat materiale bashkëkohore në gjuhën shqipe, gjithsesi gjithpërfshirëse mbi promocionin e shëndetit, duke mbushur në këtë mënyrë një vakuum të krijuar për shkaqe subjektive, e deri diku, edhe objektive.

Në kushtet kur çështjet e promocionit të shëndetit përbëjnë thelbin e filozofisë së re të problemeve që lidhen me mbarëvajtjen e shëndetit komunitar, lënda e re e promocionit të shëndetit, si nevojë e kohës, erdhi natyrshëm. Në saje të situatave kërcënuese në vend përballë rrezikut të futjes dhe përhapjes të infeksionit HIV/AIDS, me kontributin mjaft të spikatur të doktor Apollonit për Informim-Edukim-Komunikimin përkatës të publikut, dhe sidomos me të rinjtë në sistemin arsimor (por më pas edhe të kolegëve të tjerë), veç sensibilizimit të madh të opinionit, është futur tashmë në kurrikulat e shkollave edhe edukata seksuale.

Botimi i kësaj përmbledhjeje trajtesash, si një imperativ i kohës, mendoj se përbën një hap tepër të rëndësishëm më tej, drejt rritjes edhe më shumë të perceptimit më profesio-nal të nevojës për futjen dhe shtimin e hapësirës së PSh në kurrikulat e të gjitha shkollave mjekësore. Këtu është fjala jo vetëm për specialitetet e mirëfillta tradicionale të shëndetit publik (higjienat, epidemiologjia dhe lufta parandaluese kundër sëmundjeve ngjitëse, mikrobiologjia, organizimi shëndetësor) por madje edhe të atyre të profileve të tjera universitare e pasuniversitare të mjekësisë, qofshin edhe ato më të mirëfilltat klinike mjekësore.

Megjithatë, botimi vjen me theks të veçantë për nè specialistët dhe pedagogët e shkencave të shëndetit. Një meritë e spikatur e autorit qëndron dhe në faktin se me një këmbëngulje të admiru-eshme, me kompetencë profesionale e me një punë sistematike, pasionante e të palodhur, duke ecur paralelisht në përgatitjen e materialeve të ciklit të leksioneve, bëri gradualisht dhe sistemimin dhe kompletimin e tyre, me synim për një publikim të mundshëm sa më të plotë. Doktor Apolloni, veç aftësive shumë te shprehura për komunikim publik, kishte edhe një aftësi dhe eksperinecë shumë të mirë e të spikatur edhe për mësimdhënie. 

Nuk e teproj kur vërej se ai ka arritur të na japë një material, të cilin do t’a dëshironin shumë shkolla mjekësore, dhe jo vetëm të rajonit.  Prandaj është kënaqësi e veçantë për mua të marr në duar të përfunduar një material të tillë tepër profesional, të shkruar me një gjuhë shumë të qartë e të kuptueshme për të gjithë, të lidhur me realitetet tona konkrete, dhe të hedh me tepër kënaqësi këto rreshta parathënieje, që gjithsesi thonë shumë pak për atë çka paraqitet dhe vlerat e mëdha që bart në të vërtetë ky botim.Është rasti të kujtoj se gjate tri-katër dekadave të fundit, në trajtimin e problemeve të shëndetit, ecuria është zhvilluar kryesisht në tri linja kryesore:

(a) interesi për Higjienën si disiplinë shumëdegëshe, është zgjeruar drejt përfshirjes së mjedisit si dhe mirëqënies psikosociale, e më pas eci drejt një përqasjeje ekologjike;

(b) administrimi i shërbimeve dhe i institucioneve shëndetësore - ka lëvizur drejt menaxhimit të tyre, e më pas drejt menaxhimit të shëndetit; dhe së fundi, por jo për nga rëndësia

(c) ‘propaganda’ dhe ‘informimi shëndetësor’ u shndërruan në mënyrë të mirëfilltë në Edukim Shëndetësor kompleks sa më të gjithashëm dhe sa më intensiv, për individët dhe publikun (që e quan veten të ‘shëndoshë’) drejt arritjes së bindjes dhe, më pas përfshirjes së njerëzve në veprime dhe veprimtari ‘shëndetësuese’, pra në Promocionin e mirëfilltë të Shëndetit.  Këto janë kulmuar me strategjinë dhe metodat e Promocionit të Shëndetit për të gjithë, dhe me ‘Politikat e Shëndetshme’ kaq të nevojshme për të gjithë sektorët e jetës ekonomiko-shoqërore, komunitetet, vendet dhe rajonet e botës. Këto gjithashtu i dhanë shtytje veprimeve ndërsektoriale dhe pjesëmarrjes aktive të sa më shumë individëve, faktorëve dhe aktorëve, vetë komuniteteve, si dhe organizmave qeverisëse, që të marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë secilit për ecurinë e shëndetit të përbashkët, për gjykimin e zgjidhjen sa më të mirë e të plotë dhe bashkërisht e hap-pas-hapi, të problemeve të mbarëvajtjes së tij, duke synuar - gjithëpërfshirjen.

I gjithë libri përshkohet nga fryma e këtyre zhvillimeve revolucionarizuese që sendërto. . het në lindjen e Shëndetit të Ri Publik dhe që, në përmbajtjen e botimit, paraqitet nga përmbajtja e lëndës, hyrja, 26 trajtesa tematike të zbërthyera në mënyrë mjaft eksplicite, bibliografia mjaft relevante, falënderimet përkatëse dhe shkurtimet që janë përdorur.

Mendoj se ka vlera pozitive shtesë, edhe fakti që në trajtesat e librit, nuk mungon edhe fryma kritike për dukuritë negative tek né. Një vend të rëndësishëm zenë qysh në fillim materialet me çështje të përgjithëshme dhe konceptet themelore të shëndetit dhe faktorët përcaktues të tij, sidomos ata subjektivë; e drejta për shëndet dhe të drejtat e pacientëve; shoqëria e hapur, mjekësia e shëndetësia dhe promocioni i shëndetit në kushtet e kësaj shoqërie; parandalimi dhe edukimi për shëndetin; si edhe një vështrim i shkurtër në mjekësinë sociale e atë komunitare.

Bukur dhe me një stil elegant e shumë të qartësuar, i cili përshkon të gjithë materialin, janë trajtuar njohuritë themelore për edukimin dhe konceptet bazë në edukimin për shëndetin; sjelljet humane të lidhura me shëndetin dhe ndërhyrjet ‘shëndetësuese’ për to; kultura në lidhje me shëndetin dhe motivet për zhvillimin e edukimit përkatës. Materiali përmban gjithashtu edhe paraqitjen e një sërë parimesh dhe konceptesh kryesore për komunikimin në procesin e EpSh, si dhe parimet etike, që duhen respektuar
gjatë këtyre proceseve.

Një moment tjetër konsiston në faktin se teksti dhe materialet e trajtuara aty, nuk sjellin vetëm informacionin e domosdoshëm dhe parimet mbi edukimin për shëndetin & promo-cionin e shëndetit. Në të jepen dhe teknikat më kryesore të trajnimit në EpSh; burimet pjesëmarrëse në proceset edukativo-shëndetësore; motivimi për PSh në bashkësi dhe për-fshirja e saj në këto procese; kështu botimi bëhet një mjet udhërrëfyes instruktiv jo vetëm teorik, por edhe me shumë vlera praktike, për të konceptuar dhe ushtruar me vizione dhe vetëdijesim sa më të plotë, veprimtarinë edukativo-promocionuese të shëndetit, si pjesë integrale e profesioneve tona mjeko-shëndetësore. Në të ka një gërshetim mjeshtëror të eksperiencës vërtet shumë të gjerë personale të vetë autorit, me njohuritë bashkëkohore socio-shëndetësore të këtyre fushave, çka e bën materialin akoma edhe më të plotë, të kuptueshëm, të dobishëm dhe praktik. Natyrisht që një botim i këtillë nuk mund të ishte as i plotë dhe as në nivelin e arritur, pa një mbështetje në të gjitha materalet relevante të OBSh-së dhe në dokumentat e tjera ndërkombëtare për këto probleme si: Strategjia “Shëndet për të Gjithë” e OBSh-së; “Kujdesi Shëndetësor Parësor”; “Karta e Ottaëas për Promocionin e Shëndetit”; “Shëndeti 21”; “Objektivat e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara”, e shumë deklarata të tjera specifike të Konferencave Ndërkombëtare për Promocionin e Shëndetit, të cilat autori i ka qëmtuar, shfrytëzuar e përmbledhur me shumë përkushtim e mjeshtëri, në dobi të qëllimit që ka, për t’ua vënë të përpunuara sa më qartësisht, në dispozicion studentëve dhe gjithë punonjësve profesionalë mjeko-shëndetësorë, por doemos edhe të gjithë drejtuesve të të gjitha niveleve, madje jo vetëm e thjeshtësisht atyre të shëndetësisë.

Mendoj se duhet theksuar sërish fakti që kjo përmbledhje trajtesash (ku autori nuk le pa përmendur e vlerësuar edhe kontributet e kolegëve) do të jetë shumë e vlefshme jo vetëm për drejtuesit e institucioneve shëndetësore dhe atyre jo-shëndetësore, por edhe për të gjithë ata punonjës të sektorëve të tjerë të jetës ekonomiko-shoqërore-kulturore (arsimi, mediat, kultura, ekonomia e biznesi, sporti, arti etj.) veprimtaria e të cilëve lidhet me gjithfarë mënyrash me ecurinë mbarëvajtëse ose jo të shëndetit të publikut, jo vetëm të sotëm por edhe të brezave që do të vijnë. Së fundi, dëshiroj sinqerisht ta përgëzoj autorin që, në kushtet e një vakuumi thuajse të plotë, ka arritur të na japë një vepër të sintetizuar dinjitoze, gjerësisht informuese dhe mjaft instruktive, shumë të nevojshme e të dobishme dhe njëheresh kaq tepër qartësuese, në të cilën reflektohet filozofia dhe ecuria e zhvillimeve më bashkëkohore, për trajtimin e problemeve të shëndetit. Këto janë të domosdoshme për formimin e duhur përkatës të brezave të rinj të mjekëve, të infermierëve, stomatologëve, farmacistëve, pedagogëve, sociologëve etj., si edhe për vetë specialistët e të gjitha fushave të ndryshme të Shëndetit Publik. Duke u përgatitur si duhet me një vizion të tillë, natyrisht që me kontributin e të gjitha shkencave të shëndetit (për shkak të karakterit tepër shumëplanësh dhe mund të thuhet gjithëpërfshirës të tyre), do të mund t’u paraprihet më mirë zhvillimeve komplekse të pritshme, për një të ardhme më të prosperuar të shëndetit të vendit e të kombit tonë.                                                                     

                                                                                                  

Dr. Lekë Sokoli

Drejtor ekzekutiv i Institutit të Sociologjisë

 

Në vijim të krijimtarisë së tij shkencore dhe pedagogjiko-publicistike, Apollon Gjebrea, i njohur si mjek i shumanshëm, pedagog i spikatur dhe veprimtar shoqëror mjaft i njohur, sjell një libër të ri mjaft të veçantë me titullin “Çështje të promocionit të shëndetit”. Siç del dhe nga nëntitulli, libri është konceptuar si një cikël ligjëratash, apo trajtesash, për studentët dhe për personelin mjeko-shëndetësor. Por, në të vërtetë libri i drejtohet një lexuesi shumë më të gjerë. Ky libër është mjaft i mirëpritur jo vetëm për studentët dhe profesionistët e fushës, por edhe nga studentët dhe profesionistët e fushave të tjera, sikurse edhe nga opinioni i gjerë.

Mund të themi pa ndrojtje se libri “Çështje të promocionit të shëndetit” është një botim i vlefshëm për të gjithë dhe për të gjitha fushat, pavarësisht nga fusha e studimit dhe veprimtarisë së cilitdo.  Le të  argumentojmë:

Libri ka një gjerësi tematike që kapërcen kufijtë e një fushe të caktuar, siç është mjekësia, apo edhe shëndetësia. Në të njëzetegjashtë kapitujt e librit autori ka trajtuar një gamë shumë të gjerë problematikash: të shëndetit (individual e publik) dhe të promocionit të tij, të mjedisit, të psikologjisë, të së drejtës, të edukimit, të kulturës (veçanërisht të kulturës së jetesës), të sjelljes, të komunikimit, të etikës, të humanizmit etj. Autori ka trajtuar me një vëmendje të veçantë çështjen e “shoqërisë së hapur” dhe marrëdhënieve specifike midis subjekteve me ndikim të rëndësishëm në çështjet e shëndetit. Pra, mund të themi se autori “luan” në një fushë të hapur, me “lojtarë” të ngjyrave të ndryshme, siç janë: mjeku, infermieri dhe pacienti, nxënësi dhe edukatori, studenti dhe pedagogu, studiuesi dhe administratori, gazetari dhe opinionisti, punë-marrësi dhe punëdhënësi, politikani e ligjvënësi, ekologjisti, psikologu, sociologu, intelektuali, veprimtari i institucioneve të shoqërisë civile, zyrtari,  qytetari.

Mua, si studiues i sociologjisë, më rezulton se një pjesë e konsiderueshme e problematikave të shtjelluara në këtë libër, janë trajtuar në një këndvështrim vërtet sociologjik. Madje, tej këndvështrimit të përgjithshëm, autori ka trajtesa të mirëfillta sociologjike, siç është ajo për shoqërinë e hapur, por jo vetëm. Autori, bazuar në formimin dhe përvojën e gjatë jetësore si vëzhgues dhe studiues i vëmendshëm, ka trajtuar gjerësisht çështjen e dimensionit shoqëror të shëndetit dhe të sëmundjeve, duke hyrë me profesionalizëm në fushat e sociologjisë, siç është “Sociologjia e shëndetit dhe sëmundjes”. Madje ai ka operuar sociolo-gjikisht në tri “zona” kryesore, që janë: mënyra e konceptimit të shëndetit dhe sëmundjes

(1) studimi i matshëm i tyre

(2) dhe shpjegimi i modeleve të shëndetit dhe sëmundjes

(3) Madje ai sjell edhe një skemë të tijën personale për konceptimin e shëndetit të cilën e vlerësoj si mjaft interesante, sidomos për aspektet njerëzore. Në këtë vështrim besoj se, natyrshëm, më lind e drejta t’i them studiuesit Gjebrea:  Mirëserdhet me dinjitet në sociologji! Duke studiuar këtë libër, më vjen në mendje pohimi i Niçes i cili, me filozofinë e tij të hollë, pohonte këtu e 130 vjet më parë, se “njeriu e zgjedh vetë sëmundjen e tij”. Kjo, në kuptimin që ai zgjedh një rrugë, një regjim, një mënyrë jetese, bëhet bartës i një vesi apo disa veseve, etj.; pra ndikon në lindjen ose jo të një sëmundje të dhënë, apo dhe në një qëndrim të caktuar ndaj sëmundjes pas shfaqjes së saj. Kjo logjikë është një faktor plus në klasifikimin e librit “Çështje të promocionit të shëndetit” ndër librat shumë të afërt me sociologjinë, apo ndër librat sociologjikë.

Çështjet e shëndetit dhe sëmundjeve afrojnë me sociologjinë, jo vetëm nga problematika e afërt, por edhe për nga metodat e kërkimit. Në kohën tonë testet mbi gjendjen shëndetësore të një popullsie të dhënë janë sa mjekësore aq edhe sociologjike. Gjendja shëndetësore e një individi (grup individësh), nuk mund të analizohet pa mbajtur parasysh “kuadrin social” në të cilin ai jeton dhe vepron, thënë ndryshe, pa marrë parasysh një sërë variablesh sociologjike, siç janë: mosha, gjinia, vendbanimi, profesioni, niveli i arsimimit, niveli dhe tradita kulturore, përkatësia sociale dhe niveli i ekonomisë, deri te përkatësia etnike, fetare etj., etj. Pra, siç argumentohet në libër, shëndeti është rezultante e shumë faktorëve, apo variableve, të cilët meritojnë të analizohen në bashkëlidhje me njëri-tjetrin, duke përfshirë edhe faktorët psikologjikë (perceptimet). Veç studimeve epidemiologjike sasiore (kuantitative), autori me të drejtë vë theksin edhe në rëndësinë e studimeve cilësore (kualitative), të cilat ai i ka vlerësuar gjatë përvojës së vet social-profesionale, dhe përshkruar në tekst.

Profesor  Gjebrea,  në librin e tij, i kushton një vëmendje të veçantë qartësimit të koncepteve mbi shëndetin dhe sëmundjet. Ai e vlerëson sëmundjen si gjendje të padëshirueshme, apo edhe të rrezikshme. Ndaj edhe ndërhyrja për përmirësimin dhe kurimin shihet, nga njëra anë, si një ndërhyrje e përligjur dhe, nga ana tjetër, ajo përbën një detyrim, në rrafsh shoqëror, moral dhe etik. Ky është një këndvështrim që e ndeshim në trajtesat e hershme të sociologëve të mëdhenj, siç janë për shembull traj-tesat me shumë ndikim të Talcott Parsons, lidhur me sëmundjen për “rolin social”, ku proceset e rregullimit dhe kontrollit social janë elementë shumë të rëndësishëm. Këtej dalim të një parim metodologjik në vlerësimin e gjendjes shëndetësore. Sikurse çdo dukuri “publike” edhe shëndeti publik duhet testuar me metoda të kërkimit që janë karakteristike për shkencat sociale, sidomos për sociologjinë. Për shembull, nuk mund të bëhet një vlerësim i gjendjes shëndetësore të popullsisë duke u bazuar thjesht në statistikat zyrtare. Sepse ato i referohen pjesës së popullsisë që, gjithsesi, ka pasur kontakt me mjekun dhe institucionet e shëndetit. Pra u referohen më shumë rasteve gjithsesi “të trajtuara”, dhe kryesisht aspekteve klinike. Por, cili është perceptimi i njerëzve për atë që quhet sëmundje, cila është gatishmëria e tyre për t’u drejtuar hershëm në institucionet e shëndetit në gjendje ende jo të sëmurë, sa investojnë ata për parandalimin e mundshëm të sëmundjeve etj., etj., çështje këto që kërkojnë studime të mirëfillta sociopsikologjike. Ne, në shkencat sociale, thuajse sa herë që trajtojmë probleme sociale, i referohemi parimit të gjithëpranuar se parandalimi është kurdoherë më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm se kurimi. Mund të themi, përgjithësisht, se sociologët janë të prirur ta shohin problemin e sëmundjeve dhe të shëndetit të lidhur me faktorë jo thjesht të karakterit individual, por mbi bazën e tipareve më tërësore të shoqërisë. Ata e drejtojnë vëmendjen te faktorët kulturorë, te modelet dhe mënyra e prodhimit, te niveli i konsumit (si cilësi e sasi), te niveli i ndotjeve, deri te cilësia e marrëdhënieve shoqërore në institucione të ndryshme të shoqërisë etj., pra te të gjithë ata faktorë që ndikojnë në frenimin apo stimulimin e gjendjeve të padëshirueshme shëndetësore të individëve dhe grupeve sociale, apo edhe të një popullsie të dhënë. Në librin e kolegut Gjebrea këto çështje janë trajtuar me qartësinë e një pedagogu e studiuesi, me kompetencën e një profesionisti plot përvojë, me ndjeshmërinë e një mjeku humanist të përkushtuar.

 

Prof.Dr. Bajram Hysa

Shef’ i Departamentit të Shëndetit Publik në Fak. e Mjekësisë të Univ. të Tiranës

 

Libri Çështje të Promocionit të Shëndetit’ i perceptuar, konceptuar dhe përpunuar nga Dr. Apollon Gjebrea, me pjesëmarrje edhe nga bashkëpunëtorë të tij të nderuar në departament, në kompleksitetin e këtyre fushave (në shumicën e tyre të patrajtuara e të parrahura më parë) është botimi më i parë, që përfaqëson një risí të mirëfilltë në literaturën tonë të shkencave të shëndetit dhe të atyre socio-shëndetësore.

Ky botim mendoj se përmban vlera të shumëfishta të filozofisë bashkëkohore të shëndetësisë, me synim për të ndihmuar në kuptimin dhe perceptimin holistik të shëndetit; që mund të përmbushet me anë të pjesëmarrjes në bashkëpërgjegjësi nga të gjithë, për mbarëvajtjen e tij.  Shëndeti kërkohet që të vështrohet e të trajtohet si çështje e secilit individ dhe çdo familjeje, e cilësdo bashkësi dhe grupi shoqëror, e çfarëdolloj institucioni (sipas veçorive të lidhjeve të veprimtarisë së vet, për ndikimet e mundshme mbi shëndetin vetjak dhe të përbashkët të njerëzve), sikurse dhe e gjithë shoqërisë në tërësi.

Vlerat e këtij libri, në vështrimin përmbajtësor, janë vërtet të mëdha e tepër të veçanta, sa do të duhej mjaft kohë e vend për t’u përshkruar, por unë do të përpiqem që të përmbledh ato më të përgjithëshmet, veçanërisht ato në kuptimin utilitarist. Mund të them personalisht, dhe jam i bindur se nuk jam i vetëm, se puna kaq këmbëngulëse kërkuese dhe qëmtuese afatgjatë tepër e veçantë e profesor Apollonit, nëpër burime të shumta literature prestigjioze ndërkombëtare dhe kombëtare, e ndërthurur më përvojën e tij shumë të gjerë në mjekësi dhe shëndetësi, e paraqitur në mënyrë të sintetizuar qartë brenda trajtesave, bart, së paku, këto vlera më të përgjithëshme :

Së pari, ky botim është jo thjesht një tekst mësimor për studentët e të gjithë profileve të shëndetësisë (mjekësi, infermieristikë, shëndet publik, stomatologji, farmaci, profilet laboratorike, etj.) por edhe me vlera për një kulturë të gjerë socio-shëndetësore për ta  

Së dyti, libri është një manual studimi për pasuniversitarët e të gjithë profileve shëndetësore dhe socio-shëndetësore, e në mënyrë tepër të veçantë për ata të shën-detit publik.

Së treti, është një botim për thellimin në filozofinë e shëndetit për të gjithë specialistët e ndryshëm të mjekësisë e të shëndetësisë, përfshirë të gjithë nivelet e pedagogëve dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore e social-shëndetësore, për rikonceptimin me vizione bashkëkohore të shëndetit dhe të kujdesit shëndetësor

Së katërti, është një burim me shumë informacion mjaft të vlefshëm për punonjësit socialë e psikosocialë, që merren me institucionet dhe me probleme socio-shëndetësore ;

Së pesti, është botim tepër i vyer për informacionin e qartë që bart edhe për gazetarët, redaktorët dhe punonjësit e tjerë të mediave, të cilët në veprimtarinë e tyre kanë për objekt çështje të shëndetit dhe të shërbimeve mjekësore e socio-shëndetësore nëpër komunitete të ndryshme ;

Së gjashti, është botim me vlera për politikëbërien (politikanë vendimmarrës, zbatues dhe këshilltarët e tyre) të të gjitha niveleve dhe profileve (përfshirë edhe sipër-marrësit privatë) për t’u informuar dhe vetëdijesuar lidhur me detyrimin për hartim e vënie në jetë të politikave publike (qofshin ato politika edhe private), vetëm kur të jenë më së paku mosdëmtuese ndaj shëndetit të njerëzve .

Theksoj se vlera të tjera të përgjithëshme të librit për t’u veçuar janë edhe :

(a) gjuha plotësisht e kuptueshme për të gjithë kategoritë e përdoruesve të librit  

(b) prurja në këtë botim e përvojave ndërkombëtare të përgjithësuara nga institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara, të cilat autori i sjell të përpunuara qartë prej tij, për t’u mbajtur parasysh në veprimtarinë socio-profesionale të gjithsecilit institucion dhe punonjës e specialist mjeko-shëndetësor, si edhe të shfrytëzueshme lehtësisht nga çdo student, pedagog, studiues apo drejtues institucionesh ;   si dhe që

(c)   autori, si studiues i vëmendshëm i fenomeneve socialshëndetësore në trajtimet e temave përkatëse, me objektivitetin e një eksperti, analizon e vlerëson personalisht me frymë jo konformiste dhe situatat tek né, duke sugjeruar dhe rrugëzgjidhjet më të mundshme për topikat ‘problematike’, por dhe për probleme të ndryshme institucionale.

Në përfundim, kam kënaqësi të veçantë të pohoj se ky libër, si ‘produkt’ afatgjatë dhe i përbashkët i: Departamentit të Shëndetit Publik të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës; i Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Shqipërisë; dhe i Fakultetit të Infermierisë të Universitetit ‘Kristal’; është në nderin e përbashkët të tre institucioneve tona.

Botimi i pasuron më tej shkencat tona të shëndetit, duke vendosur tashmë një cornerstone vërtet të patjetërsueshëm, për të përçuar një vizion sa më të kompletuar në perceptimin më të qartë e më të plotë të  promocionit të shëndetit, si filozofia bashkëkohore e shëndetit, por dhe e shëndetësisë; kjo jo vetëm tek studentët, por dhe tek punonjësit mjeko-shëndetësorë e doemos te specialistët e profileve të shëndetit publik; te punonjësit psikosocialë; te mësuesit, pedagogët dhe studiuesit e shkencave shoqërore dhe të shëndetit; te punonjësit e ‘pushtetit të katërt’; si dhe tek të gjithë të interesuarit (madje edhe për një publik edhe më të gjerë).

Me rastin e botimit të këtij libri,përbën në vetvete një vlerë vërtet të veçantë, e uroj dhe përgëzoj me respekt autorin dhe bashkëpunëtorët e tij, duke shpresuar dhe uruar sinqerisht, që libri të pasohet edhe me botime të mëtejshme, në dobi të ecurisë gjithnjë e më pozitive drejt përsosjes më tej të performancës së shëndetit publik tek né.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora