E enjte, 28.03.2024, 08:09 PM (GMT)

Mendime

Shqiptarët nuk kanë motiv të jenë krenarë për flamurin e tyre

E marte, 04.12.2007, 01:40 PM


Nga Xhovani Shyti

Në të përditshmen “Panorama”, të së premtes, nën okelion “opinion”, ishte lançuar shkrimi “Nga një palë brekë në çdo dritare”. Autori i tij, Arian Çani, rrekej të trajtonte një fenomen të trishtueshëm, sipas të cilit ende për ne shqiptarët flamuri kombëtar vazhdon të jetë një send me vlerë të kufizuar. “Megjithëse nëpërmjet një spoti publicitar, - theksonte Çani, - qeveria iu bëri thirrje shqiptarëve që ditën e pavarësisë të varnin nga një flamur kombëtar në çdo dritare, këta vazhduan ritualin e ditëve të zakonta, duke valëvitur në vend të flamujve rroba të lara, midis të cilave sundonin me shumicë brekët, kanotieret dhe reçipetat.”

Këtë kishte konstatuar Çani gjatë inkursionit të tij vëzhgues nëpër lagjen ku banonte, kurse kjo pamje sundonte jo vetëm gjithë Tiranën, por gjithë vendin. Madje, edhe Vlorën, epiqendrën e festimit të Ditës së Flamurit. “Po përse banorët e këtij vendi nuk e dëgjuan qeverinë që iu bëri thirrje të bënin edhe ata një shenjë duke e ngritur flamurin kombëtar në shtëpitë e tyre?”, - pyeste Çani, pa e shpënë më tej dhënien e përgjigjes.

Pikërisht kjo është edhe çështja që duhet trajtuar. Pse edhe ne shqiptarët nuk bëjmë të njëjtën gjë që bëjnë në të tilla raste grekët, italianët, gjermanët, amerikanët, anglezët, kanadezët, australianët, popujt e vendeve nordike e atyre të ulëta etj.? Madje e bëjnë me qejf, pa iua kërkuar as qeveria, as presidenca, as partitë politike apo shoqatat.

Valëvitja e flamujve kombëtarë nëpër dritare, ballkone e të tjera ambiente të dukshme publike nga ana e taksapaguesve të vendeve perëndimore është kthyer në një ritual jo për ego kombëtare e as tifo apo për t’iu bërë karshillëk kombeve të tjera. Një veprim i tillë është jo vetëm i ndjerë, por dhe tregues i atdhedashurisë së tyre të sinqertë ndaj kombit, të cilit i përkasin e që iu ofron atyre resurse të tilla jetese, për të cilat ia vlen të ndihesh krenar. “E kam për nder të dhuroj jetën time për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e bashkëkombasve të mi”, është kredoja jo vetëm e një polici amerikan, por e të gjithë homologëve të tij perëndimorë. Përkundër saj, ja kredoja e një polici shqiptar: “As që më bëhet vonë, kokat nuk paskan ngrënë. Del gjë për mua”!

Natyrisht, në këtë indiferentizëm të një punonjësi shqiptar të policisë ka edhe elemente të tjera, madje thelbësore, që nuk e motivojnë të ngrihet në nivelin vetëmohues të homologëve perëndimorë. Por fjalën e kemi tek ajo çka iu ofron shteti ynë bashkëkombasve të tij, për t`i bërë të ndihen krenarë nga qenia shqiptar dhe të dashuruar me flamurin kombëtar.

Por nuk është vetëm ky shembull. Të gjitha strategjitë qeverisëse të vendeve të përmendura më sipër rreken të implementojnë politika sa më sociale, që të kenë brenda sa më shumë antimonopol dhe sa më tepër përfitues, në mënyrë që pasuria kombëtare të shpërndahet sa më proporcionalisht dhe numri i të varfërve të jetë sa më i vogël. Madje, në vendet nordike e ato të ulëta politikat sociale janë aq shumë prezente sa e kanë zhdukur kufirin midis të pasurve e të varfërve. Atje politikat gjithëpasuruese janë të tilla sa vetë shteti inicion hapjen e llogarive bankare për fëmijët nën moshë, në mënyrë që t`iu garantojë atyre një arsim dhe jetesë me sa më pak kokëçarje në të ardhmen. Kurse te ne e dini vetë, por nuk bëjmë keq t’ju rikujtojmë se gjithë pasuria kombëtare është përqendruar në jo më shumë se 15-20 % për qind të popullsisë që ha me “lugë floriri” dhe lahet në “vaska argjendi”, ndërsa pjesa tjetër nuk ka asnjë pronë, nuk ka shtëpi, nuk ka një punë që t’i garantojë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetesën normale etj.

Pra, këtu qëndron varur e epërsia e brekëve në ballkone ndaj flamurit kombëtar në një ditë feste kombëtare, siç është 28 Nëntori. Shtetasi i sotëm shqiptar është i zhveshur nga kjo lloj dashurie kombëtare, sepse, në vend të politikave frymëzuese, shteti, të cilit ai i paguan të gjitha taksat që i kërkon, aplikon strategji të tilla që ia thërrmojnë dinjitetin dhe ia përbaltin personalitetin individual. Dhe, duke qenë kështu, nuk ka sesi të lartësohet vetëdija kombëtare, prej së cilës rrjedh më pas motivi për ta valëvitur flamurin kombëtar pa urdhër apo thirrje qeverie.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora