E marte, 19.03.2024, 10:38 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Riza Cërriku, legjenda e arsimit

E diele, 25.07.2010, 09:00 PM


 

Riza Cërriku, legjenda e arsimit

 

“Erdhi dita e bekuar, të shkruajmë për ata që e meritojnë, për njerëzit e vërtetë, të mëdhenjë e të lavdishëm, për ata që qenë vërtet shtyllat e përparimit dhe zhvillimit të kombit” 

                     

Riza Cërriku, ishte një nga mësuesit e parë të krahinës së Sulovës, së Elbasanit. Jeta e tij histori sakrificash, pune, lufte, legjendë e arsimit në Sulovë. Pinjoll i njërës prej familjeve më të njohura në fshatin Kamuna, që janë shquar ndër të tjerët në këtë krahinë, për trima, patriotë, mikpritës, arsimdashës me gjurmë të pashlyera në histori.

Të përmbledhësh në një shkrim jetën dhe veprimtarinë e këtij mësuesi është sigurisht e pamjaftueshme. Do të duhen shumë faqe gazete, mbase dhe një libër, por edhe ky shkrim për të është një kontribut i vyer. Dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë.

 

Nga Pëllumb Gorica

 

   Lindi në fshatin Kamuna të Sulovës në vitin 1916. Fëmijëria e tij ka qënë e njënjtë me atë të bashkëfshatarëve vendas. Shkollën fillore e mbaroi në Mollas. Mësues pati elbasanasin Musa Kongoli, deshmor të LANÇ. Mbarimi i shkollës fillore në vitin 1930 i mëkoi dëshirën për dije të mëtejshme, besimin se vetëm me shkollë mund të ecte në jetë. Sulova kish nevojë për djem të shkolluar, ndaj Riza Cërriku e të tjerë  djem sulovarë si Sali Çala, Isa Çala, Sherif Cërriku, Bike Frakulli, Rushan Kurti, Xhemil Kurti me gjithë vështirësitë e kohës, u arsimuan në shkollat më të mira të kohës në Shqipëri. Në vitet në vazhdim mbaroi në Elbasan Normalen, që ishte në planin arsimor e kulturor një nga shkollat më të mira të kohës në Shqipëri e mos më e thënë aq qartë më e mira, kjo falë mësuesëve të saj, që ishin në kulmin e energjive intelektuale e fizike. Midis tyre do të vlersonte Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Duhanxhiun, Ali Harshovën, Isuf Luzin etj. Si pasojë e krizës ekonomike që pllakosi në Shqipëri shpenzimet për shkollën u rritën. Për të mos ndërprerë mësimet punoi në punë të ndryshme si shitës, hamall, biblotekar. Pas mbarimit të Normales i dëshiruar dhe i apasionuar për dije të mëtejshme në shtator 1937 shkon në Itali dhe rregjistrohet në Universitetin e Romës, dega mjeksi, të cilin, për arsye të shpërthimit egërsisht të Luftës së II Botrore e vazhdon vetëm dy vite. Aty në auditoret universitetit e gjeti pushtimi fashist i Shqipërisë në 7 prill 1939. Bashkohet me studentë të tjerë shqiptar dhe e dënojnë agresionin fshist ndaj Shqipërisë. Pas kthimit nga Italia për t’u punësuar, e siguruar jetesën e tij e të familjes, në kushtet e varfërisë që ekzistonte, në pranverë të vitit 1941, i përgjigjet thirrjes së ministrit të arsimit Ernest Koliqi, për të shkuar në Kosovë me qëllimin fisnik të përhap gjuhën amtare në Kosovë, së bashku me mësues të tjerë nga gjithë Shqipëria. Ne trojet shqiptare të Kosovës shkuan shume mësues. “111 mësues ishin nga Elbasani”, (“Enciklopedia Elbasani”, faqe 370),“gjithsej 300 nga Shqipëria, përhapën dritën e dijes, që fati i keq e ndau në 1913 nga toka mëmë” (Iljaz Gogaj, “Punëtor të shkollës shqipe”, faqe 237). Punën e mësuesëve që hapën dhe punuan në shkollat shqipe të Kosovës njihemi nga një një dokument në AQSH, dokumenti nr 79, datë 15 10 1943 ku ndërmjet të tjerave thuhej “... Arsimtarët shqiptar në Kosovë u treguan përgjithësisht në lartësinë e misionit që shteti u ka besuar...”

  Vitet që Riza Cërriku, jetoi e punoi në Pejë të Kosovës hodhën themelet e shëndosha, për vazhdimin e misionit të tij të mësuesit në Shqipëri. E ndjeu fort përgjegjësinë e misionit historik të arsimit të fëmijëve pejanë ndaj dhe u përkushtua. Në Pejë  kujtonte gëzimin dhe pritjen që iu bë atij e mësuesëve të tjerë. Në shkollë vinin me dëshirë fëmijët e atij qyteti si kudo në fshatra e qytete të Kosovës ku u hapën shkolla. E donte Kosovën me shpirt dhe dëshironte që t’i shërbente më shumë, por përkeqësimi i gjendjes së luftës e bënë të vështirë qëndrimin e mëtejshëm. Ishte kjo arsyeja që në Pejë qëndroi kaq pak  vite edhe pse iu kërkua të qëndrojë më shumë. Në rrethana të tjera do të kishte pranuar me kënaqësi të vazhdonte misionin e tij. Kur u kthye në vendlindje, në Sulovë siç do të pohonte në kujtimet e tij, gjeti një situatë tepër të ndezur antifashiste. Lufta Nacional Çlirimtare e popullit shqiptar kundër okupatorëve kishte marrë përmasa të mëdha dhe ishte bërë më e organizuar. Me gadishmëri do ti përkushtohej Luftës Nacionalçlirimtare në Komandën e Vendit në Mollas. Riza Cërrikut iu ngarkua detyra në sektorin e itendencës, në ndihmë të formacioneve partizane me ushqime, veshmbathje e strehim. “Ishte inteligjent, dhe i përkushtuar ndaj kësaj detyre” vijnë kujtimet nga bashkohësi Abas Ago. Ndërsa në (Historiku i zonës së Mollasit”) është shkruar:  “U caktuan në Komandën e Vendit dhe u zgjodhën në Këshillin Nacional Çlirimtar sulovarë të zotë e të shkolluar, të cilët dhanë ndihmesën e tyre.” Pa u çliruar mirë Shqipëria i besuan hapjen e shkollës fillore, për herë të parë në fshatin Linas të Sulovës. Kjo është edhe periudha kur ai punoi intensivisht për arsimin në Sulovë. Pa i mohuar vështirsitë bëri përpjekje, duke iu dashur të jepte mësim mbi vlerën e kohës së caktuar.Paradite me nxënësit dhe mbasdite me kurset e analfabetizmit. Në mes të këtyre vështirësive të shumanëshme të kohës krijoi familjen e tij me Hamiten, vajzë nga fisi i nderuar i Mirakajve të Sultit në Gramsh dhe së bashku rritën 5 djem. Vitet kalonin, për nevoja të ngutshme e transferojnë në shkolla të ndryshme, në fshatra të largëta me kushte të vështira për ambiente, komunikacion etj. Interesante është se ai asnjëherë nuk ankohej për këto lëvizje të shpeshta ashtu kokëulur në heshtje, por plot dinjitet shkoi atje ku e çuan për të mbajtur familjen. E ku s’ka punuar jo vetëm në fshatrat e Sulovës: Linas, Mollas, Dragot, Topojan, por edhe në shkollat e fshatrave të Dumresë, Urës Vajgurore, Peqinit, Shpatit, duke hyrë në historinë e arsimit të Sulovës e  ndoshta në Shqipëri për numrin e  madh të shkollave që ka punuar, e cila meriton të shënohet. Ai u përpoq të ngrejë me dashuri e mund kështjellën e diturisë në këto zona me entuziazëm e besimplotë për ditë të mira me këmbëngulje e vullnet. Por diçka tjetër qe duhet të vihet në dukje është se Riza Cërriku i takon brezit të mësuesëve me mësimdhënie në klasat kolektive që punoi për 35 vjet rresht. Me aftësi profesionale dhe zellin për punë u shqua me paraqitjen autoritare, i rreptë, i dashur, i drejtë, kërkues. Mburrja dhe arroganca nuk kishin vend në shpirtin e tij.Më pëlqen që ti theksoj këto cilësi, pasi mësues të tillë rrallë i kanë  këto veti në krahinën e Sulovës. Ai vazhdoi të ecte përpara në fushën e mësuesisë, që ishte bërë pjesë e jetës së tij, duke ndjekur me shumë kujdes e seriozitet seminarët, kualifikimet që organizoheshin, sa edhe një vit para daljes në pension ndoqi një seminar me mësuesit e klasave kolektive në Elbasan. Për prokupimin dhe rezultatet në punën e tij vlersohet nga istancat arsimore në Elbasan. Mes vështirësive të profesionit nuk i shpëtoi cmirës së njerëzve mediokër e të pashkollë, të organizuar në parti apo pushtetar që drejtonin në ato vite në krahinën e Sulovës dhe, që u përpoqën të denigronin personalitetin e tij, i cili qëndronte shumë lart në sy të popullit, por dhe të tjerë më vonë të shkolluar, vegla të sigurimit të shtetit, që u vriste sytë dija e tij (zotëronte dy gjuhë të huaja), të cilët u përpoqën që edhe pensionin e caktuar nga shteti per kontributin ne Luftë e vitet e punës në arsim t’ia shkurtonin. Arriti të mos thyhej nga këto presione në saj të karakterit të papërkulur. I sajuan edhe provokime. Kjo e detyroi të mos fliste, të ruhej, për të mos rënë pre e tyre ashtu siç ka thënë një shkrimtar” nga burgu shpëtoi, por nga vuatjet e burgut të madh që quhej Republikë Popullore nuk shpëtoi”. Ndërkohë bashkë me mësues të tjerë u aktivizua me veprimtari të shumta në dobi të edukimit patriotik të brezave. Ishte ndër organizatorët e sesionit shkencor “Arsimi në Sulovë”, ngriti muzeun historik në Mollas, bashkautor në pregatitjen e historikut të zonës, në grupin e mbledhjes së fjalëve të rralla të krahinës etj. Doli në pension, por nuk qëndroi në shtëpi, apo të merrej me lojra e kafeneve si dikush pensionist tjetër. Vazhdoi ti jap kuptim jetës me pasionet: shëtitjet në natyrën e qetë të krahinës, leximit, shkrimeve në gazeta të ndryshme. Si veteran u foli fëmijëve e të rinjëve për vitet e Luftës dhe ato të pas çlirimit të vendit. Bisedat e tij për ngjarje në krahinë, por edhe më gjërë dëgjoheshin me vëmëndje në përvjetorë ngjarjesh. Asnjëherë nuk përmendi vuajtjet e tij apo meritat. Ishte një arkivë e gjallë, por edhe i vërtetë në fakte kur në gazeta të ndryshme të kohës: “Bashkimi”, “Shkumbini”, “Mësuesi” botoi shkrime të ndryshme me karakter historik, kulturor, arsimor për Sulovën. I njohur edhe kontributi i tij në interes të përgjithshëm të shoqërisë si kontrollor vullnetar, rrugor për shumë vite.

 Jeta ka ligjet e saj, por me galopin  e madh e solli  jetën e tij në kufirin e 91 viteve deri më 18 qershor 2007.

   Por edhe pse Riza Cërriku punoi me përkushtim për disa dekada në arsim e që nuk u përkul e u zhvlerësua nga vështirësitë, duke përballuar trysnitë e diktaturës, puna dhe kontributi i tij nuk është vlersuar si duhet, duke mos i dhënë vendin që i takon. Është shumë pak kohët e fundit emërtimi i një rruge me emrin e tij në fshatin Kamuna. Prandaj është një detyrim i ligjshëm, që të vlersojnë akoma më shumë kontributin e tij me shumë vlera, që të impononte respekt dhe dashuri prej njeriu. Dhe si i tillë ai nuk do të harrohet nga breza të tërë në fshatrat e Sulovës së Elbasanit.

Mësues elbasanas
Mësues elbasanas



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora