E enjte, 25.04.2024, 11:06 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Kujtesa që të përndjekurit politikë të mos harrojnë

E shtune, 24.07.2010, 09:59 PM


Kujtesa që të përndjekurit politikë të mos harrojnë

 

Nga Reshat Kripa

 

            Zakonisht ngrihem shpejt. Kafen e mëngjesit e pimë së bashku me disa miq në një bar që ndodhet në rrugicën tonë. Atë mëngjes po shijonim kafen turke, kafja ime e preferuar,  që na serviri  i zoti i barit. Pinim të ngeshëm dhe shikonim televizionin që ishte vendosur në një kënd. Një kanal i tij transmetonte një emision me biseda me dëgjuesit. Një “kryetar shoqate të përndjekurish politikë” ligjëronte e ligjeronte duke hedhur baltë e pluhur mbi një shoqatë tjetër të përndjekurish që, të them të vërtetën, nuk e kisha dëgjuar asnjëherë të përgojonte shoqatën e kryetarit të revoltuar. Kryetari në fjalë fliste për propozimet e bëra nga shoqata tjetër për kandidatët për komisionin e hetimit të krimeve të komunizmit, dërguar Kuvendit të Shqipërisë.  Ai ankohej se nuk paska qenë njoftuar për të dërguar kandidatura dhe me një gjuhë, që nuk e mora vesh se nga cila arkivë e kishte nxjerrë, filloi të villte vrer kundër shoqatës tjetër.

            Në tryezën tonë u ndez një debat i gjërë. Miqtë e mi u ndanë në dy grupe. Një palë mbronin kryetarin në fjalë, të tjerët ishin kundër tij.

            - Ai është një figurë e shquar e të përndjekurve politikë, e denjë për t’i përfaqësuar ata, - foli njëri nga pjesmarrësit.

            - Ndaj nuk lë më fjalë të ulët pa thënë për bashkëvuajtësit e tij? – u përgjigj një tjetër.

            Mendja ime fluturoi larg, shumë larg, në ato vite të errëta kur ndodhesha i mbyllur brenda katër mureve të qelisë. Isha i raskapitur nga torturat. Hetuesi kërkonte të pranoja se ishte dikush tjetër që na kishte shtyrë për të shpërndarë trakte antikomuniste. Unë nuk pranoja, pasi nuk kisha çfarë të pranoja. Askush nuk na kishte shtyrë. Në qeli më futën një person, që m’u paraqit si luftëtar i luftës për liri e demokraci perëndimore. Fliste shumë. Më pyeste shpesh herë për aktivitetin tonë. Në mënyrë të veçantë ishte kurioz të mësonte se kush na kishte mësuar të vepronim ashtu. Si kaloi një javë pa mësuar asgjë, e hoqën nga qelia ime dhe e futën në një qeli tjetër. Gjatë gjithë kohës që qëndrova në sigurim ndërroi pesë apo gjashtë qeli.

            E takova përsëri nëpër kampe të ndryshme. Gjithmonë në të njejtin rol. Përgjonte çfarë bisedonin të burgosurit e tjerë. U rrëmbente ushqimin e paktë disave prej tyre. Ndonjë, që ishte i dobët fizikisht, e rrihte. Kështu i kaloi vitet e burgut që nuk ishin pak, por sa gati gjysma e jetës së tij. Derëziu, e kaloi pjesën kryesore të jetës së tij nëpër biruca!  Të burgosurit e tjerë i kishin ngjitur nofkën “miu i birucave”.

            Kjo nofkë m’u kujtua kur dëgjoja debatin e miqve të mi. Por nga kjo ëndërr më zgjoi biseda e miqve.

            - Bashkëpuntori i tij më i afërt ka qenë Kryetar i Bashkimeve Profesionale në kantjerin ku punonte, një papagall i vërtetë i socializmit. - shtoi ai që kishte kundërshtuar mikun e tij për opinionin e mirë të shprehur për kryetarin.

            - Kush ta tha ty? – pyeti tjetri me nervozizem

            Folësi i parë buzëqeshi.

            - Madje ka qenë edhe poet i realizmit socialist, - dhe nxorri nga çanta, që mbante pranë, një gazetë të kohës së perënduar.

            Mora gazetën dhe po e vështroja. Lart, në anë të saj lexoj: E mërkurë, 21 tetor 1970 dhe poshtë  poezia e mëposhtme:

 

Ne jemi shokët e Ismetit 

Të Shkurtës, Agronit, Ademit...

Libër

 pushkë

   e kazëm

Gati do t’i kemi

kurdoherë. 

Ne

brezi i ri i Shqipërisë, 

Në punë

     në shkollë

në çdo front 

armatosemi

me mësimet e partisë

Dhe ato të shokut Enver.

 

            E lexova që ta dëgjonin edhe miqtë e tjerë. Mbrojtësi i kryetarit që nuk donte të besonte pyeti:

            - Po si ka mundësi që Presidenti i Republikës i quan si përfaqësuesit e vetëm të të përndjekurve politikë?

            - Kjo është e drejta e tij, - u përgjigj tjetri. – Secili ka të drejtë t’i zgjedhë miqtë sipas shijes së vet. Por unë do të doja t’i rekomandoja atij, në rast se nuk e ka lexuar, dhe juve njëkohësisht, të lexoni librin e mrekullueshëm të të ndjerit At Zef Pllumbi “Rrno për me tregue”.

            Biseda vazhdonte por mendja ime kishte fluturuar. Mendoja: Kur do të shpëtojmë ndonjë herë nga këta “mij të birucave” dhe “papagaj të socializmit”?  Deri kur do të dëgjojmë zërat e tyre të ngjirur nëpër disa kanale televizive apo faqe gazetash të ndryshme? Deri kur disa nga politikanët tanë do t’i përkëdhelin, duke harruar se, duke i mbajtur pranë, ulin vlerat e personalitetit të tyre?

            Deri kur?



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora