E enjte, 18.04.2024, 07:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Shahbaze Vishaj: Lirika moderne e mërgimtarit

E shtune, 24.07.2010, 09:01 PM


Shkruan: Shahbaze VISHAJ

 

LIRIKA MODERNE E MËRGIMTARIT

 

Isuf Grajçevci, krijues, tashmë pas librit të parë: Hapat e tu në mote, ka dal para lexuesit edhe me librin e dytë poetik: Gjurmë mërgimtari, ku ka sistemuar 48 krijime poetike, të  ndara në ciklet: Gjurmë mërgimtari; Aromë jete; Hapëronim për në shtegun e dritës dhe Ëndërr e pafjetur. Këtyre cikleve u prinë 3 krijime si: Dita në Kalendarin tim të jetës; Aty, ku uji e detit je Ti dhe Shtegu i Lirisë, të cilat  tok  me vargjet e thurura bashkudhëtojnë në jetën dhe synimin e autorit. Vëllimi poetik nis me krijimin: DITA NË KALENDARIN TIM TË JETËS,  ku autori në mënyrë të veçantë shpreh pritjen shekullore, gëzimin e  tij dhe të popullit, për Ditën e Veçantë në Kalendarin e Jetës. Pra,  e Diela  e 17 Shkurtit e Vitit 2008. Në gjithë vëllimin poetik, vështrohen për studiues bota  brendshme e poetit, lirika intime-  dashurisë, lidhja e ngushtë e poetit me atdheun- Kosovën, me familjarët (njerëzit e tij), me kujtimet e fëmijërisë, më shumëçka që ka rrethuar e rrethon jetën e poetit, deri në vitet e mërgimit të tij në Amerikë dhe gjurmët e mallin për gjithë atë që frymon lirshëm në tokën amë dhe që ka aromën e vendlindjes. Pra, shumë nga lirikat e këtij poeti tregojnë lidhjen e tij të vazhdueshme me vendin ku u lind, u rrit dhe me atë qiell ku së pari thithi ajrin e tokës mëmë, dhe më pas mësoi të thurë vargun e bukur poetik, si: Dhimbshëm/ pikon trishtimi i lotit/ në dyert tua Kullë e vjetër/ kohë e trishtë të kafshoi/ e rrjeta përreth të mbushi merimanga...( Pikon trishtimi i lotit). Poezitë e këtij vëllimi poetik, me tema të larmishme, nuk e lënë të qetë shpirtin e autorit, ndaj dhe ai me përkushtim poetizon për shqetësimet, kohën në të cilën po jetojmë, fatin e nëpërkëmbur të popullit tonë, mërgimin e shumë shqiptarëve, e në veçanti atë personal, i cili përmes shumë lirikave shpalos gjithë preokupimet e tij, si: Sa lot derdha për Ty/ kënga ime/ qiellin e bëra lotore ngashërimi/ po shpresën se humba dot/ se një ditë do ta këndojmë gjithandej mëmëdheut...(Jehonë e saj). Siç kuptojmë, shumë nga këto lirika të librit,me mendime të thella, sjellin shpresën se shtigjet e ardhmërisë- jetës, nuk janë të mbyllura, dhe pse dallgët e jetës kanë rrugë të vështira e të ndryshme, optimizmi fuqishëm spikat në shpirtin e poetit edhe kur kthetrat e armiqve na prangosën shumë herë, ndaj dhe Isuf Grajçevci poetizon:

Lë të dëgjohet zëri yt/ kënga ime/ rrugë të gjatë kemi bërë bashkë/

edhe atëherë kur të këndova pa fjalë/ kur më kërcënuan edhe pse heshta...(Zëri yt).

 

UDHËTAR ME DHEMBJE E SHPRESË

 

Një vend të veçantë në këtë vëllim kanë poezitë me temë nga ekzili, të cilat shpalosin te lexuesi fatin e shumë shqiptarëve, fat ky që e ndoqi edhe poetin I: Grajçevci. Të tilla janë vjershat: Gjurmë mërgimtari, Në krahët e tij, Udhëtari, Trishtim kohe, etj, vjersha këto lirikat e të cilave bindshëm paraqesin dashurinë për atdheun, mallin e zjarrtë për çdo gjë të vendlindjes, baticat dhe zbaticat e jetës, ëndrrat për një jetë me shpresë dhe dashuri, pa hijen e zezë dhe krrokatjën e korbave siç poetizon autori:

Udhëtar i uritur/ bredhë bulevardeve tua/ aty vetëm një yll/

më fal shpresë dhe dashuri/ vargu i fshehur ndjen dhembje, e zemërimi shpërthen brenda kraharorit/ këtë natë/ etja për Ty/ më ka plakur shumë . (Udhëtari). Ndërkaq poezia: Gjurmë mërgimtari, titull ky që e mban dhe vëllimi poetik, përcjell të lexuesi fatin  dhe peshën e rëndë të kohëve që poeti bart mbi supe, siç shprehet:

Gjurmët e mërgimtarit / i lexova në rrugët e metropoleve tua Evropë e Moçme/

Ato / i qava prajshëm/ në këtë natë tetori/

loti e kënga u bashkuan në buzë/ e gjurmët e mërgimtarit vazhduan pa mbarim... Botën intime të poetit, e shpalosin një numër poezish, lirikat e të cilave, kundruall vetmisë, ndjekin shtegun e lirisë, shtegun e takimit me bashkëbisedues etj. Ja vargjet në vazhdim:

Eja/ hiqe plagën e shpirtit tim/ ky acar dhjetori/ po ma hedh dashurinë/

andej e këtej Oqeani/ degë e saj nuk dua të thyhet/ le të bulojë sikur pranvera...(Eja). Më tej lirikat: Të dua Mbretëreshë e zemrës. Edhe pse larg teje/ më agon dita, e err nata/

në damarët e mi/ rrjedh gjaku yt, te poezia (O ime amë), japin mesazh të qartë për dashurinë ndaj nënës edhe kur nuk është në jetë. Një cikël tjetër vjershash, sjellin të lexuesi  lirikat moderne për hartën e zemrës, mbylljen e plagës së shekullit, ëndrrat e shiut, pikëllimin e luleve, ëndrrën e pafjetur,rrezet e lirisë, litarët e shirave, syrin e përlotur, ku poeti vargëzon: Në qytetin tim/ çdo ditë/ sa duar zgjatën për lëmoshë/ sy të përlotur e këmbëzbathur/ që vrasin çdo çast jetën...lirika këto që vërtet therin çdo zemër lexuesi, e që fuqishëm trokasin në ndërgjegjen e atyre që qeverisin vendin. Vlen të theksohet se sipas redaktorit dhe studiuesit P. Buzhala, në këtë vëllim poetik: Gjurmë mërgimtari, frymojnë lirikat për amësimin e lirisë, lirikat që ligjërojnë për dashurinë dhe që bashkudhëtojnë me këngën. Dhe në fund, libri ka vlerën e duhur  ideoartistike që tërheq vëmendjen e lexuesit.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora