E merkure, 24.04.2024, 10:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Hajdin Morina: Baladë e vendlindjes (Cikël poetik)

E premte, 23.07.2010, 09:57 PM


Hajdin Morina

 

 

BALADË E VENDLINDJES

 

Kurrë një kokërr grurë më shumë

Shpesh një kokërr grurë më pak

Mijëra vjet kështu bën jetë bukë e nder

Vendlindja ime i shtrenjti fshat

 

Askund nuk pashë lisa më të gjatë se këta

Nuk pashë sofra më të gjera se këto

Mijëra tavolina në hotele në qytete

Nuk bëjnë sa sofra jote

 

Më fal i shtrenjti fshat më fal

Që nuk rri 24 orë me ty

Por ti e di unë nuk mungoj kurrë

Kur fryjnë baladat kur fryjnë vajet

Nga varret e moçme nga varret e reja

Kur këndon e qesh çdo fije gruri çdo fije bari

Çdo gur e mur shtëpie ndërtuar mbi eshtra

 

Qielli yt nuk është vetëm ajo vranësinë mbi ty

Ngarkuar me borë me breshër me shi

Toka jote nuk është vetëm kjo arë e lëvruar

Blerimi yt nuk është vetëm ky livadh i gjelbëruar

 

Gabimisht flitet e shkruhet për ty e shtrenjta ime

Sepse nuk të shohin shpirtin nuk ta njohin

Gabimisht konstatojnë numrin e shtëpive

Numrin e gjyshërve të baballarëve të nënave

Gabimisht konstatojnë numrin e vajzave të fëmijëve

Të dëshmorëve të jetimëve të invalidëve

Gabimisht konstatojnë numrin e luftërave dhe të varreve

 

24 orë në ditë një gëzim kërkoj një lot

Kërkoj një dhimbje të njeriut një dorë 24 orë

Dhe tek ti si në librin e mirë i lexoj të gjitha

 

Ma mbush qiellin e Atdheut plot me gëzim

Kur ia merr këngës e valles së dasmës

Kur buzëqesh jeta në vallen me djepa

 

Ma mbush tokën e Atdheut plot me dhimbje

Kur breshër lotësh derdh mbi të vdekurin

Dhe mbi varret e tua nën lisat e kërrusur

 

Pakkush qan e qesh sot si ti vendlindja ime

Pakkush qesh e qan tash sipas kodit të moçëm shqiptar

 

Në varr do të më marr malli ta dëgjoj

Ligjërimin tënd asaj nate vere

Kur ujë kishte pak në male në livadhe

Kur nuk nënshtroheshin fushat e blerta

Nën lumin e zi të ujërave të zeza

 

Kurrë një kokërr grurë më shumë

Shpesh një kokërr grurë më pak

Mijëra vjet kështu bën jetë bukë e nder

Vendlindja ime i shtrenjti fshat

 

Vendlindja ime me një shkollë të vogël te koka

E shtrenjta ime rrethuar me male

Me asfalt dhe me varre

 

 

VARRI MAJË MALI

 

Syçelë ka shkuar

Kurrë nuk i mbyllen ata sy

I kaltërohen nëpër qiell

I përzjarren nëpër diell 

 

Një Orë e malit

Një Zanë se nuk ka nanë

Me lot ia ujit rrënjët

E gurit të varrit

Një Orë e malit një Zanë

Se ai nuk ka nanë

 

Pranë amës së krojeve qëndron

Tokën me gurë qiellin me pishë

Zjarre ndez malet një nga një i djeg

 

Të kemi më shumë dritë

Ta përjetojmë madhështinë

 

Nëpër natë e nëpër ditë

Varri majë mali bën dritë

 

 

NJERËZ LUTUNI PËR SHI

 

Bjer o shi

Të vendosë pranvera

Kurorë sërish

Mbi varret e lirisë

 

Bjer o shi i mirë

Ta kujtoj lotin tonë

 

Bjer o shi i mirë

Të them je loti ynë

 

Bjer

Shi

Bjer

Shi

Bjer

Të mos rritet uji i keq

 

Mbi sytë e mi bjer rrëke

Ta ndiej lotin e nënës

Që s’ më qan kurrë më

 

Bjer

Mos

U

Ndal

O

Shi

Bëja Lirisë një mijë qiej

Në njërin sy

 

 

FUQIA E SHIUT

 

Bie shi mbi Iliri

Anijet e luftës pushojnë

Pushtimi pushton      

 

Bie shi mbi Arbëri

I merr era kokat e prera 

Kryezoti i secilës principatë

Qëndron kryezot                                          

Vetëm me flamurin e vet

Qiellin e Arbërisë e mbulon

Dhe ngre kokën lart

A shkruan në qiell Kryezot

 

Pastaj seç iu tha Gjergji kur erdhi

Seç i bëri bashkë

Një Flamur me një shkabë

 

Nga kullë e Janinës

Bie shi gjak

Si nuk u bashkuam

Si mbetëm kaq pak

 

Pas Vlorës pastaj

Menjëherë ra shi

Të mbilleshin

100 vjet robëri

 

Dhe tash bie shi i mirë

Të ulet mali syri i hënës të dalë

Të kalërohet krejt qielli

Të blerojë krejt toka e Bukurisë

Që kaltëron sytë në det

Tash mijëra vjet



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora