E enjte, 28.03.2024, 09:25 PM (GMT)

Kulturë

Halit Bogaj: Kozeta Zylo - Poezi

E premte, 23.07.2010, 08:59 PM


KOZETA ZYLO - Poezi

 

Nga Halit Bogaj

 

Kozeta Zylo është një emër i nderuar i dasporës shqiptare e cila me poezitë e shumta na bën përshtypje të jashtëzakonshme .Vargjet e saj romantike shprehin botën e brendshme të një poeteshe e cila ndien dhembje për lypsarët, gëzim për fatin e mbarë të atdhetarëve të saj të dashur, krenari që është shqiptare, lidhje të ngushtë me vendin e largët tek i cili i shkon mendja vazhdimisht dhe shpresë për kthim sa më të shpejtë atje ku e ka kaluar fëmijërinë e hershme, rininë dhe një pjesë të pjekurisë së saj, deri atëherë kur ka shkuar në vendin e demokracisë/në SHBA/...E tillë është në çdo varg, në çdo poezi, në prozë , publicistikë dhe në aktivitete të shumta të cilat i bën pa rreshtur dhe pa u lodhur fare.Në këtë kontekst /kur shkruan për Kosovën/na e përkujton edhe Elena Gjikën e cila dikur përpiqej për Shqipërinë dhe çlirimin e saj nga pushtuesi otoman.Çdo veprimtari e saj ka lidhje të ngushtë me fatin e vendit dhe popullit të saj, ndaj është e angazhuar përherë në një drejtim të caktuar nga i cili nuk ka të ndarë.Jemi krenarë që i përket një plejade atdhetarësh të vërtetë që shkrijnë gjithçka rreth kauzës së vetme,ndaj kemi respekt të pakursyer dhe ushqejmë simpati të pashterrshme për të gjitha ato  që i ka bërë dhe është duke i bërë edhe mëtej në dobi të vendit dhe atdheut dhe pjesëve të tij  të coptuara në mënyrë të padrejtë.

Edhe titulli i vjershës’’Kozeta dhe lypsari’’, ka lidhje të ngushtë me njërën ndër personazhet homonime të romanit’’Të mjerët’’, i cili gërshetohet si shprehje e fuqishme e një dialogu mes poeteshës dhe njeriut të varfër. Siç shihet nga vargjet e mëtejme, ajo ndien  dhembje, mëshirë ,por edhe simbolikë të emrit të vetë me mjerimin njerëzor, si në veprën e Viktor Hygos së madh. Pra emrin Kozeta e njohin të gjithë ata që e  kanë lexuar  romanin antologjik të autorit francez dhe kanë shikuar versione të ndryshme të filmave me tematikë nga vepra e përmendur..

Ta zëmë, si mund t’i harrojmë vargjet sentimaentale të Kozeta Zylos:/N’autobus pranë meje/u ul një lypsar/Nga aroma e ndjeva/Nga zhapat e lëkurës së tharë/, të cilat qëndrojnë në një nivel të lartë artistik dhe shprehin ndjenjat e brendshme të një femre të ndjeshme e cila nuk mund ta kalojë në heshtje gjendjen e krijuar emocionale.Në këtë rrafsh ajo që ia sëmbon më sëtepërmi zemrën është se fëmija lypsar ishte jetim, me ç’rast krijohet një poezi me përmasa universale kushtuar varfërisë njerëzore, e cila hyn në grupin e krijimeve të paharruara me motive sociale.

Krahas këtyre vargjeve kaq drithëruese, poetesha evokon edhe kujtimet e veta nga atdheu i largët kur rrinte së bashku me shoqet e saj të ngushta, me ç’rast pasojnë vargjet:/Qiellin me pikëçuditëse e mëkova/E e si lotët margaritarë rrëxohen mbi mua/Është lëmimi i mallit për shoqet/ Për ato mësuese  që aq shumë i dua/.

Krahas vargjeve të theksuara  mahnitëse për atdheun, ajo me krenari të madhe u këndon edhe pjesëve të okupuara nga armiqtë tanë, siç janë:Kosova, Çamëria dhe viset tjera.

Me përkushtim të madh shkruan edhe për figurat tona komëbëtare dhe kulturore të cilat zënë vend nderi në poezitë e saj të bukura dhe mahnitëse.

Ashtu siç na kujtohet një poezi mallëngjyese e Kadaresë për Shqipërinë, poeteshën tonë e ka marrë malli për atdheun të cilin nuk e kishte parë dhe vizituar një kohë të gjatë, kurse në mërgim jeta  e saj është në pritje dhe në shpresa të përhershme për të shkuar atje ku gjenden më të afërmit dhe më të dashurit , të cilëve u kushton vargje të shumta, herëherë edhe melankolike.

Përveç tjerash, nuk mund t’i anashkalojmë as vargjet patriotike:/ Sa lot është derdhur për ty/Nënlokja Shqipëri/Nëqoftëse do të kishim mundësi për t’i mbledhur/ Me siguri do të krijohej një oqean i ri/, të cilat bëjnë pjesë në arsenalin bombastik shprehimor të saj.Mëtej e shohim dëshirën e madhe që vargjet të depërtojnë thellë tek lexuesit e pasionuar që dëshirojnë t’i lexojnë poezitë e dhuruara me përkushtim të madh.

Një ndër poezitë më të bukura të Kozeta Zylos është edhe’’Monumenti i lotit’’/që është marrë nga përmbledhja homonime/, disa nga vargjet e së cilës i kemi dhënë më lartë, por na mahnisin edhe strofat tjera të paharruara që bëjnë fjalë për lotët e brezave që mërguan nga vendi i të parëve të tyre dhe shkuan në vende të tjera për të kërkuar jetë më të mirë, duke e ditur se as atje nuk mund të gjenin prehje dhe qetësi.Poetesha e nderuar bën fjalë për lotin e vashave, të pleqëve, të rinjve dhe të gjithë atyre që e shijuan plagën e moçme të ikjes nga vendlindja dhe atdheu i tyre i shtrenjtë..Lotët e hidhërimit janë të shumtë, në mesin e të cilve bën pjesë edhe vajtimi i bijes që nuk e pa nënën e saj gjatë vdekjes dhe  varrimit, loti i vashave për dashurinë e tyre të humbur dhe të braktisur nga largësia, loti i fëmijës që rritet në mungesë të babait të tij dhe lotët e tjerë për prindërit e mbuluar me dheun e zi, në mesin e të cilëve mbetet i paharruar edhe vargu’’Është loti im që çan  palcën e gurit’’.

Një vend meritor në krijimtarinë e saj poetike i përket edhe poezisë’’Tungjatëjeta Kosovë’’në të cilën përjetojmë çaste të shumta kënaqësie dhe admirimi se si ka arritur që në mënyrë aq artistike ta realizojë atë.Se sa e adhuron Kosovën tregon edhe epiteti me të cilin Kosovën e quan ‘’Princesha ime’’, për çlirimin definitiv të së cilës shpreh gëzim të madh, duke thënë ‘’Se medalioni i Lirisë në gjoks nuk do të ndryshket asnjëherë’’, për të vazhduar edhe me vargjet e tjera për ditën e lirisë së saj:’’Më fal Kosovë që s’vij dot atje, më fal/Por edhe pse larg teje sot/ Unë po e shijoj këtu lotin e gëzimit/..Ato kanë kohë që u shkrumbuan në harkun vetëtimë të Lirisë./Në trungun e tokës tënde, dhembjet lëshonin rrënjë/Sot ato u groposën në dheun e Prizrenit, Prishtinës/ E në gjithë tokën e Dardanisë/.

Shikuar këtë kontekst, poetesha e shquar Kosovës i kushton me dhjetra poezi dhe krijime të tjera, duke mbetur përherë e lidhur me vendin tonë, të cilin e vizitoi një ditë dhe përjetoi përshtypje vërtet përrallore nga vizita e saj tek ne, të cilat i shënoi në një shkrim të rastit.

 

Gjithashtu përshtypje të jashtëzakonshme na bëjnë edhe vargjet tjera  kushtuar Kosovës:/Më lërë të endem e lirë/e të vijë aty në tokën time/E pastaj të përulem në gjunj/Pa ushtarët me tyta rreth zemrës sime/..../Dua  të thyej hekurat që të rrethojnë/E të futem në shpirtin tënd gjigant/Le të mbuhsem andej me frymën tënde/E të ringjall historikisht heronjtë, që për ty jetën dhanë/, për të vazhaduar mëtej me strofën:/Heu Kosovë!/Me dramën tënde në shpinë/Ecje luftoje dhe asgjë s’të ndalte/U desh fundi i një shekulli /që lufta jote, shkëputjen nga Srbia ta shpallte/ dhe duke qenë  e bindur se së shpejti do të arrinte ajo ditë, poetesha thotë:/ Pavarësia jote e afërt/Nuk është më imazh hyjnor/Në të janë murosur shpirtrat/ Që premtimi i dhënë të jetë burrëror/.

 

Dhe në fund po i theksojmë disa mendime që janë thënë për zonjën e nderuar Kozeta Zylo me rastin e promovimit të librit të saj të parë’’Monumenti i lotit’’:

 

Po mendoja për lotin, si mund ta paraqesë lotin një skulptor dhe m'u kujtua një thënie e Bethovenit kur shkroi simfoninë e nëntë: "Gëzimi vjen nëpërmjet dhimbjes.Në Globe Institute më bëri përshtypje një pedagoge që në kohën e lirë hapte kompjuterin dhe shkruante poezi. Pastaj ua lexonte studentëve ashtu thjeshtë, e frymëzuar, përplot emocion. Një ditë më tha: "Roland, eja të të lexoj një poezi". Ishin vërtet vargje të ndjerë drithërues, me një dashuri të veçantë prej nëne të dhembshme për vajzën e saj, Valbonën. Një herë tjetër, me një ton disi alarmues, plot ankth dhe revoltë, më lexoi një poezi për Bardhyl Ajetin, gazetarin e Bota Sot të vrarë mizorisht për fjalën e tij të lirë. Për Kozetën mund të shkruhet shumë po ky është libri i saj i parë. Le t'i lemë fjalët më të mira për librat e saj të mëvonshëm/Roland Gjiza/

 

Jam më të vërtetë i lumtur që të jem prezent në këtë promovim të komunitetit shqiptar. Ashtu siç jam i lumtur që ndihmoj dhe i jap mësim këtij komuniteti me studentët që marrin mësim në këtë kolegj. Ndërsa sot, kemi një kënaqësi tjetër që të gjithë ne po kontribojmë të nderojmë krijimtarin e pedagoges sonë z. Kozeta Zylo. e cila, është pjesë e stafit të pedagogëve/Ryan Buck/

 

Unë flas si shqiptar, unë jamë krenar se jamë me ju! Jamë këtu t'i urojmë suksese Kozetës. Kozeta është një inspiracion për mua dhe lexuesin e saj, një inspiracion për burrin dhe fëmijët e saj. Kozeta është një zonjë e madhe kur ecën, kur flet, kur jep mësim dhe kur shkruan poezitë. Ajo të bënë të qëshësh edhe at'herë kur nuk ke ndër mend, të bën me humor edhe kur je i mërzitur. Të bën edhe më afër atdheut edhe kur je kaq larg tij nëpërmjet poezive të saja/Geraldo Montana-arbëresh/

 

Libri i Kozetës, është: Monumeti i dashurisë! Monumenti i errësirës! Monumenti i nënës për fëmijët e saj! Monumenti që kemi ne Shqiptarët!. Zonja Kozeta Zylo me këtë libër nuk na vjen vetëm si poete, por kjo vjen edhe si një "skulptore" meditore. Vjen si piktore sepse, ka "skalitur" nëpërmjet poezisë mallin e Mezhgoranit deri tek dashuria dhe dhimbja në të gjithë Atdheun e saj. Ajo vjen si skulptore e dy Monumenteve të atij të Ali Pashë Tepelenës dhe të Munomentit të Lotit”./Pandeli Pierre Smësia-shkrimtar/

 

Monumenti i Lotit është monumenti i të gjithë shqiptarëve kurbetqarë.”/Shqipe Biba-gazetare/,

 

"Është me të vërtetë një kënaqëi e  madhe të marrësh pjesë në një promovim të tillë/Pëllumb Killa- ish ambassador I Shqipërisë në SHBA/,

 

Libri i parë i çdo njerit prej nesh është një eveniment i madh për autoren, për familjen e saj dhe për gjithë letërsinë. Asnjëher nuk dihet se cili libër do të jetë ai që do të lërë gjurmët, që do të hyjë në tempullin e letërsisë dhe do të hedh hapa të sigurta dhe që do të gjejë jehonë të madhe në zemrën e mendjen e lexuesve/Naum Prifti-shkrimtar/



(Vota: 11 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora