E merkure, 24.04.2024, 11:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Faik Shkodra: Përjetësimi i çështjes kombëtare në vizionin e studiuesve dhe poetëve

E premte, 23.07.2010, 09:44 PM


PËRJETËSIMI I ÇËSHTJES KOMBËTARE NË VIZIONIN E STUDIUESVE DHE POETËVE

 

Nga Dr. sc. Faik Shkodra

 

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar miq, mysafirë, kolegë dhe pjesëmarrës të këtij evenimenti letrar e kulturor!

Sot na ka mbledhur puna e vyeshme dhe e zellshme e krijuesit dhe studiuesit të letërsisë sonë – Bilall Maliqi, i cili qe disa vjet në vazhdimësi është i pranishëm me shkrime dhe trajtesa ndër më të ndryshmet në gazetat, revistat dhe evenimentet e shumta që lidhen me vlerat dhe trajtimet aktuale rreth personaliteteve dhe poetëve të brezave të ndryshëm, të cilët kanë flakëruar me imagjinatën, mendimin dhe forcën krijuese artistike në fushën e artit letrar e artistik.

 

Shkrime të karakterit recensues

 

Bilall Maliqi, me veprën “Mbresa vrojtimesh”, paraqitet para lexuesve tanë si një vështrues i vëmendshëm, si një artist i kujdesshëm rreth dhënies së mendimeve dhe ideve mbi disa vepra të karakterit edhe shkencor edhe monografik, dhe të vëllimeve poetike të disa poetëve, disa prej të cilëve tashmë janë afirmuar e disa veç sa kanë nisur këtë rrugë, sa të vështirë aq edhe të rëndë për shumë arsye.

Gjatë leximit të librit “Mbresa vrojtimesh”, botim i Shtëpisë botuese “Kurora”, Gjilan 2010, me redaktor Nexhat Rexha e recensues Sinan Sadiku – kuptojmë kulturën dhe horizontin dituror të autorit, i cili në shpërfaqjen e mendimeve rreth përmbajtjeve dhe pikëpamjeve që autorët e veprave, si shkencore ashtu edhe poetike, kanë manifestuar brenda veprave të veta artin, që në mënyrën më të mirë dhe më të afërt të bëjë analiza dhe sinteza rreth fatit të njeriut, rreth të vërtetave që manifestohen rreth tij dhe për te. Natyrisht, në këtë punë kaq delikate duhet parë edhe realiteti i djeshëm dhe i sotëm, duhen parë dëshirat dhe vetëflijimet e njerëzve për lirinë kombëtare, dashuria për heronjtë, vetëbesimi i madh për gjuhën si shenjë e kombit, për vlerat e historisë, kulturën dhe traditën e popullit shqiptar nëpër kapërcyell të shekujve shumë tragjikë dhe të tmerrshëm për fatin e tij.

Të gjitha këto vlera Bilall Maliqi ka ditur t’i hetojë në shkrimet e tij, që, kuptohet, janë më tepër të karakterit recensues. Mënyra e trajtimit që u bën veprave të krijuesve na bën të kuptojmë se autori ka përgatitje dhe aftësi për t’i parë drejt e mirë vlerat e veprave si në rrafshin edukativ, arsimor, estetik, filozofik dhe gjuhësor të krijuesve, veprat e të cilëve i ka bërë objekt trajtimi e vlerësimi.

Libri “Mbresa vrojtimesh” është i mirëseardhur për lexuesit tanë, sepse brenda tij janë parë mjaft aspekte që lidhen me shumë çështje të artit dhe të riprodhimit të realitetit jetësor në realitetin artistik a shkencor.

Autori veprën e ka ndarë në pesë pjesë: Përsiatje vlerash, Hulli nëpër vargje I, Hulli nëpër vargje II, Muzikaliteti nëpër kohë, dhe Nevoja për zgjidhjen e dilemës. Të gjitha këto pjesë shquhen për karakteristikat e lëndës së trajtuar brenda 111 faqeve të librit.

 

Njohës dhe zbërthyes i matur i çështjeve qenësore

 

Bilall Maliqi, duke ruajtur kronologjinë e trajtimit të ngjarjeve ka bërë mirë që brenda vetë lëndës ka ndarë veç e veç veprat e studiuesve dhe veprat e poetëve dhe mbi këtë bazë ka arritur të krijojë hapësirë reale për shfaqjen e vlerësimeve dhe të mendimeve mbi temat, motivet, ngjarjet, personazhet dhe vizionet e krijuesve të vëllimeve.

Në veprën e Bilallit bëhet fjalë për këta studiues dhe poetë: Ali D. Jasiqi me veprat: “Pesëdhjetë shkrime për poezinë” dhe “Tridhjetë e një shkrime për prozën, “Studime e të tjera”, dhe autori vazhdon me veprat e këtyre autorëve: Sokol Demaku “Baladë e përflakur” (Antologji poetike – Bukuresht), Sabit Rrustemi, “Prekje hyjnore”, Nexhat Rexha “Dhembja kujtesë”, Hysen Këqiku, “Melodi e pritjes”, Lumnije Thaçi – Halili, “Mesudha”, Fehime Selimi, “Kohë shirash”, Adnan Mehmeti, “Deti në mes”, Haxhi Vokshi, “Liria këndon vetë”, Shqipe Hasani, “Premtimi i lënë peng”, Mexhid Mehmeti, “Pallati me yje”, Jonuz Fetahaj, “Nuk është jeta cimilim”, Demir Behluli, “Zogëza e gjyshit”, Xhemë Karadaku, “Nipi i Don Kishotit”, Demir Krasniqi, “Krenaria e Gollakut”, Dr. Jahi Staneci, “Fjalor i gjeomorfologjisë”, Prof. Dr. Ramiz Abdyli e Prof. Ismet Bajrami, “Fjalor historik” dhe vepra e autori i fundit Mr. Eroll Sejdiu, “Praktikum i gjuhës shqipe”.

Gjatë shfaqjes së mendimeve, dhënies së vlerësimeve dhe të gjykimeve për vlerat ideoestetike dhe tezave shkencore të veprave të sipërthëna, kuptojmë se autori në të shumtën e herës del konkret, del njohës dhe zbërthyes i matur dhe realist i çështjeve më qenësore që mbruhen brenda subjekteve të poezive a temave të karakterit shkencor.

 

Konstatime dhe vlerësime të qëndrueshme

 

Këto Bilalli i arrin duke iu referuar shembujve, argumenteve dhe të dhënave objektive që lidhen me lëndën, qoftë shkencore, qoftë poetike. Kujtojmë se Bilall Maliqi, përmes shembujve konkretë që i demonstron gjatë trajtimit të subjekteve të poezive a trajtesave shkencore, i bën më të qëndrueshme konstatimet dhe vlerësimet, ngase për këtë, siç është thënë nga një studiues me dije e përgatitje për poezinë shqipe, “Metoda e analizës është bashkëkohore, e kapshme dhe jep mundësi për një pikënisje shkencore duke zënë fill nga më thelbësorja e duke mbajtur gjithmonë parasysh se letërsia, si art i fjalës, do analizuar edhe si e tillë, me mjetet shprehëse, me funksionet e tyre, në lidhje të ngushtë midis përmbajtjes dhe formës”.

Vepra “Mbresa vrojtimesh” është realizim i suksesshëm dhe si e tillë vjen më e plotë e më e drejtpërdrejtë me vlerësime dhe konstatime të drejta, të qarta dhe të qëndrueshme si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë kritik dhe estetik. Kudo në vargjet e poetëve të vëllimeve të tyre shihet bota e madhe dhe e pasur poetike, emocionale, imagjinative dhe mendore e tyre, qoftë ata që shkruajnë për të rriturit, qoftë ata për fëmijë. Për më tepër, Bilalli ka bërë përpjekje të hedhë dritë mbi frymëzimet, mbi përjetimet, mbi preokupimet, mbi botëkuptimet dhe mbi botën ndjenjore dhe mendore të poetëve, të cilët objektivisht në vargjet e veta kanë shfaqur qëndrimin ndaj realitetit, mallit për atdheun, vendlindjen dhe gjithçka tjetër që është e bukur, e dashur, fisnike, humane, për atë që është e lidhur me tokën, me gjakun e të parëve, me Atdheun, me historinë, me traditat dhe me gjuhën e bukur shqipe, me nderimin deri në amshim për heronjtë, martirët, për të rënët dhe për kujtimin e paharruar për të gjithë njerëzit tanë të afërt apo të largët!

Duke i lexuar shkrimet e bëra për krijuesit dhe studiuesit brenda këtij libri, mësojmë se Bilall Maliqi ka dije nga fusha e teorisë së letërsisë dhe historisë së letërsisë, ndaj di të inkorporojë edhe çështje që i përkasin fushës së estetikës si disiplinë e së bukurës, që rrezatojnë arti i fjalës dhe vargu poetik. Edhe nocionet shkencore di t’i përdorë drejt e me veçanti gjuhësore.

Themi kështu, se nga vështrimet dhe qasjet që u bën veprave dhe vëllimeve të krijuesve kuptojmë se, duke qenë vetë poet, e ka të qartë të vërtetën që e kanë pohuar shumë poetë të mëdhenj, edhe botërorë edhe të Rilindjes, se poezia aq sa do frymëzim spontan, aq do mjeshtëri, përkushtim, durim, përgjegjësi për ta shkruar, njësoj do njohje, mjeshtëri dhe aftësi për ta lexuar e për të hyrë në botën meditative komplekse të saj.

 

Vërejtje që sugjerojnë kapjen më me mjeshtëri të jetës

 

Këto fakte bëjnë që të konstatohet se poetët duhet të jenë sa më të thellë në ndjenja e mendime, ngase poezia në rend të parë duhet të mbruhet me lëndën e jetës që shpreh realitetin shoqëror dhe shpirtëror të njeriut. Jo rrallë poezitë e krijuesve tanë, sidomos atyre fillestarë, vuajnë nga eksperimentimi i vargut, nga mosnjohja e metrikës dhe ritmit, krijojnë paqartësi dhe përzierje metrash, e vrasin vargun me përdorimin e fjalëve të paqarta dhe të tepërta dhe për këtë arsye të tilla lëshime lidhen me retorizmin dhe publicistikën. Pra, shumë herë poezive u mungon ritmi i brendshëm, u mungon pasuria e imazheve dhe fuqia e mendimeve.

Kur lexojmë vështrimet e Bilallit, sikur ndeshim këto vërejtje të autorit të librit, vërejtje që sugjerojnë poetët për një punë më këmbëngulëse drejt kapjes më me mjeshtëri të jetës dhe të krajatave të njerëzve, psikologjisë së tyre dhe urtësisë së tyre të shprehur përmes trajtave të krijimtarisë popullore. Për këto fakte dëshmojnë fjalët e A. Shkrelit, se “Poezia vazhdimisht kërkon praninë tënde, nuk do ajo që ta lësh vetëm dhe do që t’i besosh, ta ndiesh. Poezia është vetëm rrëfim i gjendjes emocionale. Është e ndodhura brenda teje, atë të ndodhur duhet ta bartësh tek lexuesi, duhet ta dëshmosh, e pa këtë dëshmi, nuk ka besim mes lexuesit dhe poezisë”.

Marrë në përgjithësi, vepra “Mbresa vrojtimesh” e Bilall Maliqit është e rëndësishme dhe mendimet e gjykimet e dhëna mbi vlerat e aspeketet e shumta që ndërlidhen në veprat e karakterit shkencor dhe të vëllimeve poetike që janë bërë objekt trajtimi në vepër, flasin më së miri se autori ka mundësi dhe afinitet për t’u marrë me kritikën letrare, ngase prej punimeve të paraqitura në libër shihet se ka fantazi, ndjenja e intuitë poetike, ka edhe aftësi të tjera për të trajtuar aspektet ndër më të ndryshmet që frymojnë brenda veprave artistike.

Në fund, autorin e përgëzojmë për punën e bërë, duke i dëshiruar suksese të reja në punën hulumtuese shkencore dhe atë artistike, në nxjerrjen në dritë edhe të veprave të tjera, qoftë me trajtesa, qoftë edhe me vargje poetike!

 



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora