E enjte, 25.04.2024, 12:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Lindita Agolli: Poezi nga libri "Tempull Dashurie"

E enjte, 22.07.2010, 09:18 PM


LINDITA AGOLLI

 

(nga libri "Tempull Dashurie" Shtepia botuese "GlobusR" Prill 2010)

 

 

KUR LIND NJË DITË

   

Nata nuk lind, nata shtrihet ngadalë

Si grua shtatzënë me yje mbi bark

Gëlltit perëndimet, përgjumet mbi ujë

Të dashuruarve u sillet përqark.

 

Nata nuk lind, pret orën e shterzimit

Dhe klith në sqepin e bulkthit nën çati

Derdh vesën përmbi gjethe e mbi bar

Që dita, e bardhë të lindë përsëri.

 

Nata nuk lind, rrëzohet ngadalë

Si grua shterzon që dita të dalë...

 

 

KOPSHTI I MARINËS

 

Pasdite në kopshtin e Marines

Krahët e një pëllumbi do qëndisin dheun

Do derdhen aroma të kuqe nëpër shtat

E, ngadalë do të të thonë

Se pëshpërimat i lind dashuria…

 

Pasdite në kopësht

Marina do hedhë vellon time mbi fytyrë

Pa zë, e padukshme, si një vegim

Do zbresë të të marrë përdore

Drejt ishullit vjollcë

Ku thyen figurën mendimi…

 

 

PËRGJYSËM

 

 Do ikësh

Por flokëve të mi do tu mungojë foleja

Ku bashkë me dëshirat

U strukën netë psherëtimash

Dhe këngë të hershme.

Do ikësh

Por ishujve të trupit tim do tu mungojë dora

Që zbuti ulkonjën e pyllit

Dhe majat e kodrave të bardha ledhatoi

Nga ku u derdh ofshama.

 

Do ikësh

E bashkë me ty

Kuptimi do mbetet në udhë

Ndarë përgjysëm...

 

 

QYTETI IM

 

Vendlindja ime që gdhihesh mes shpresës dhe zhgënjimit

Nemitur mes pluhurit dhe mohimit

Mejhane barqesh që gushkuqojnë ditën dhe kukuvajkojnë natën

Mbetur peng në një sahat të vjetër që shtyp mesditën dhe mesnatën

Si vorbull qorrash që vijnë përqark

Gjakosin shikimin tim

Pa ditur kurrë se drita vjen nga larg

Atje

Pas shpatullës së Dajtit…

 

KRENARIA

 

Verini kapistrën dhe hiqmani sysh

Këtë mushkë zevzeke që thundrat ka mbërthyer

Në kokën time

E, nëse ato janë ngjitur pas kafkës, thyemani

O ndryshe, hiqmani fare kokën

Të sillem kuturu si bishëz

Pa fre…

 

EJA

 

Eja

Fli në shtratin tim

Përndryshe do endem jashtë

Gjithë natën si ulkonja

E humbur në pyll

Me gjinjtë tharë e me vikamën

Varur në çengel’n e hënës me vraga

 

Eja

Në shtratin tim të flesh

Përndryshe do endem s’di se ku

Netëve e ditëve pa kuptim

Pa strehëz

Pa sy

Pa duar

Nga zgavrat të më klithin lakuriqë nate

E të qajnë për endësit

E çarçafëve të vdekur.

 

Eja

Në shtratin tim të flesh

Përndryshe do ngrij atje jashtë

Derisa të vijë fryma jote…

 

 

FISNIKE

 

Të dua me urti, ngadalë e pa zhurmë

Pa britma patetike dhe pa ironi

Të dua si burim me gurgullimë të butë

E kthjelltë, e kaltër, e çmendur, në urti.

 

Të dua e vërtetë, pa përbetime boshe

Përmbi të tjerë nuk shkel të vij tek ti

Të dua thjesht, pa lot e ngashërime

Heshtur, pa fjalë, në fisnikëri.

 

Të dua si burim me gurgullimë të kaltër...

 

 

IMAZH

 

Përmbi kurrizin e së Dielës shaloi errësira

Të dyja u larguan çalë çalë për në Hades

Ra vesa e parë dhe unë

Zgjata dorën të kap argjendin e rrezes

Çastet mes gishtash rrëshqitën

Shtëllunga të shndrritëshme zhvendosën portretin tënd

Drejt dhomave të kuqe...

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora