E premte, 19.04.2024, 08:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuri Plaku: Sfidat e një romani

E enjte, 22.07.2010, 09:32 PM


SFIDAT E NJE ROMANI

 

(Petraq Risto: “Një grua në Urdhrin e Ujkut”. Tiranë, 2009)

 

Nëse romani nuk do të kishte në ballinë emrin e autorit, ai do të konsiderohej ndoshta i Markezit, i Saramagos, i Barikos, apo i Kadaresë dhe shumicës nuk do t’i shkonte mendja se ky roman është i poetit dhe shkrimtarit, sot për sot disi “në hije” Petraq Risto, sepse teksti i tij është një kontribut i vërtetë, i denjë për emra të tillë.

 

Nga Nuri Plaku

 

Një grua që banon mes ujqve dhe ulërin me zërin e tyre, është një sfidë e hapur e çdo shoqërie njerëzore, çdo rrace dhe çdo sistemi. Jemi mësuar të shohim raste të tilla nëpër filmat e Hollivudit, të lexojmë nëpër libra, si pjesë e aventurave të rralla mesjetare, të periudhës së zbulimeve gjeografike dhe veçanërisht të rastit unikal të Tarzanit. Edhe “Dhëmbi i bardhë” i Xhek Londonit afron një realitet të tillë rrëngjethës, por në tjetër botë e tjetër kohë. Ndërsa rasti në fjalë është një “Sahara” e shpirtrit njerëzor, një mit i shkruar në thelbin e prekshëm të shoqërisë shqiptare, një befasi tronditëse për fatin e zi të femrës në një nga skajet më të largëta e më të egra të Veriut tonë malor. Kontakti i parë i lexuesit me këtë fabul, të jep ndjesinë e një mahnitjeje të beftë si përpara një statuje të mermertë, zbuluar rastësisht në një kopsht përrallor. Teksti i këtij libri të fton në një seri të pafundme pyetjesh të shtresuara në kujtesa të shumëfishta, të mbrujtura me kodet e një kulture të vdekur, ndoshta që në prehistori. Cila është kjo grua dhe cilës kulture i përket? Cila është veshja e saj shpirtërore dhe vendi që zë ajo në shoqëri? Cilat kode ruan nga komunikimi me botën e kafshëve dhe çfarë mesazhesh transmeton qenia e saj absurde? Të gjitha këto janë pyetje të pafundme që mund të zgjaten pafundësisht nga mendësitë idealiste dhe utopizmi i metafizikës njerëzore. Por përgjigjet e tyre i gjen të gjitha te “… gruaja me Urdhrin e Ujkut.” Nëse romani nuk do të kishte në ballinë emrin e autorit, ai do të konsiderohej ndoshta i Markezit, i Saramagos, i Barikos apo i Kadaresë dhe fatkeqsisht nuk do t’u shkonte mendja se ky roman është i poetit dhe shkrimtarit, sot për sot disi “në hije”, Petraq Risto, sepse teksti i tij është një kontribut i vërtetë i denjë për emra të tillë.

Ç’është kjo përmbajtje që më tepër sesa një kënaqësi estetike e artit të të shkruarit, të godet si një akuzë therëse për gjendjen e sotme të shoqërisë shqiptare? Ç’thotë ky roman që më tepër sesa i tillë, na shfaqet si një testament qytetërimi të thyer?

Fabula është një bidistilat i ngërçit të jetës shqiptare, shfaqur në një nga trevat më të egra të vendit tonë, Veriut të largët, atje ku shpellat dhe guvat janë mbushur me ulërimat e ujqve, ndërsa frëngjitë e kullave ende janë të zëna nga ligjet e Kanunit të Lek Dukagjinit.

Gjithë përmbajtja e kësaj proze kalon nëpër tre shkallë të rëndësishmë: mitikes, realitetit dhe sfidës.

Mitikja e vesh fabulën përgjatë gjithë shtjellës së saj, duke e ngjyrosur atë tërësisht me ngjyrat e ylberit. Bozhurja, personazhi kryesor i romanit, herë-herë vesh kostumin e një zane, herë-herë të një gruaje reale. Ajo shfaqet së pari në portën e kullës së Destanit, njeriut që ka dashur që në fëmininë e saj të hershme, në krye të një tufe me ujq dhe ngjan para tyre si një fantazmë e vërtetë. Prekja e deles nga ujku dhe bindja e saj për vetflijim, thirrja e viktimës prej së largu e deri te prishja e magjisë me qumështin e gjirit, janë të gjitha ngjyrime sureale, për të cilat autori shfrytëzon elementë magjikë të besimeve popullore të trevës, përrallat, gojëdhanat dhe legjendat e saj të pasura. Përralla e gjysmagjelit është marrë si një “karabina” e gatshme gjysëmfabrikat dhe i është përshtatur një tjetër personazhi, Fatmirit, nëpërmjet të cilit autori realizon një gjysëmujk të aftë për të jetuar në kushtet e reja të shoqërisë shqiptare.

Krahas mitikes në romanin e Petraq Ristos gjejmë edhe disa realitete të cilët shtresohen mbi njëri-tjetrin me një semantikë polivalente. Vetë Bozhurja, viktima që shfaqet me një panoramë rrëngjethëse, përfaqëson realitetin më të dukshëm në këtë roman, dekadencën e shoqërisë shqiptare si rrjedhojë e veprimit të zakonit të egër të gjakmarrjes dhe emigracionit. Gjaku i dhimbjes së saj shpirtërore, është i pakoagulueshëm. Ai rrjedh mbi shtratin e një fati ogurzi, i cili flatron si një korb i vetmuar në jetën e kësaj gruaje të re. Takimi i saj me këtë fat, nuk  është i rastësishëm. Ajo nuk është “rrëmbyer” në  kryqëzimin aksidental të udhëve, si rasti i Tarzanit. Përkundrazi, zgjedhja e saj është një detyrim hakmarrës për vrasjen e tre vëllezërve.  Ajo jeton në një kohë kur “Bibla” e Lek Dukagjinit frymon e ringjallur në çdo oxhak fisi për të zëvendësuar mungesën e “frymës” ligjore të shtetit. Ky diversitet është shkaku që i detyron këta njerëz të trokasin në Portën e Ferrit. Këtij shkaku i bën jehonë kaq të madhe ky shkrimtar, duke e kthyer atë në përgjegjësi morale kolektive. Kjo është një nga pikat dominuese të kësaj proze, përtej “epsheve të thella në marrëdhëniet e saj seksuale pas larjes me ujin e dëborës.” Uji i vërtet që duhet të bjerë mbi trupin e saj, është uji i bekuar i “pagëzimit” social. Vajza bën “jetë ujku” që shkon përtej sloganit popullor, “jetë qeni.” Performanca e kësaj jete të sjell ndër mend kuptimin poetik të Saadi-ut, i cili i mërzitur nga miqtë e tij të Damaskut, iu drejtua shkretëtirës, pranë Jeruzalemit, “për të kërkuar shoqërinë e kafshëve. Bozhurja iu drejtua shpellave të verbëra dhe shkëmbenjve murrash të “shkretëtirës veriore”, për të gjetur shoqërinë e ujqve. Klithma e saj e thekshme në momentin e orgazmës, nuk është gjë tjetër veçse thirrja e jetës së munguar. Mëkati biblik që ka kapur këtë grua, është kërcënimi më i madh që i kanoset shoqërisë së sotme të ashtuquajtur demokratike. Ky është një realitet therës, që shtresohet midis të tjerëve, me shumë vërtetësi në faqet e këtij romani.

Për fushën e studimeve gjinore, stereotipi i saj femëror, përputhet me një grua të shoqërisë primitive të kohës së shpellave. Kaq larg e çon shoqërinë tonë tranzitive ky roman, sa i çjerr asaj maskën e sloganeve falso të politikave sociale, dhe e detyron atë të lahet “nudo” në ujin e “dëborës” politike. Nëpërmjet kësaj “nudoje” proza e Ristos, krijon realitetin politik, i cili është një arritje e suksesshme e krijimit artistik. Kur letërsia bëhet një realitet politik, kjo do të thotë se ajo bëhet thirrje për ndryshim. Pikërisht ky element përbën një nga sukseset më të rëndësishme të kësaj proze, sepse nëpërmjet këtij realiteti, ajo arrin të kthehet në sfidë.

Sfida që shfaqet në këtë roman është bipolare. Gruaja ka një konflikt biologjik brenda vetes, e cila kërkon respektimin e normave dhe kushteve të jetesës. Mungesa e këtij respekti përbën turp social.

Konflikti i parë që shfaqet te kjo grua është barra e hakmarrjes. Ligji i gjakut e detyron atë të bëj një sfidë; të rroki armët. Ndërsa me lindjen e fëmijës ajo krijon sfidën e dytë ndaj vdekjes. Fiton jeta. Por fëmija do të rritet në mes të ujqve dhe pa dyshim do të bëhet një ujk. Kjo përbën turp social dhe turpi social është sfidë për politikën. Do të ishte e lume ajo politikë që do ta konsideronte këtë roman një traktat akuze për punët e saj. Nëse do supozonim një moment që kjo vepër do të diskutohej në parlamentin shqiptar, atëherë në shoqërinë tonë do të ndodhte katarsisi i vërtetë. Letërsia nëpërmjet këtij traktati denoncon pasojat ogurzeza të politikës. Nëse Kadare thotë se duhet filluar nga kultura, Risto denoncon nëpërmjet kulturës. Dhe autori këtë gjë e realizon nëpërmjet sfidës. Dihet se sfida dhe përgjigja janë përcaktuar si mekanizmi i lëvizjes së qytetërimeve të ndryshme, nga njëri prej studjuesve më të mëdhenj anglez të shekullit kaluar, Arnold Joseph Toynbee. Por në këtë rast, në kushtet e një realiteti të tillë të “mungesës së frymës” shtetërore, romani duhet konsideruar një dorashkë e hedhur përpara politikës shqiptare për duelin e qytetërimit. Nëse ne e konsiderojmë ecurinë tonë si pjesë e qytetërimit perëndimor, në këtë aspekt social-gjeografik të vendit ai duhet konsideruar i ndalur. Ky është thelbi i këtij romani, i cili nga klithma e ujkut të një gruaje, kthehet në klithmë tigri të një intelektuali. Petraq Risto ka dal në avangardën e intelektualëve shqiptarë, duke përplasur në fytyrën e shoqërisë sonë akuzën e tij që të tmerron me ulërimën e vet. Gruaja-ujk ka një devijato nga trajtat normale të identiteteve tona përfaqësuese. Ne po vrasim identitetet tona, do të thotë ajo. Ne po na rrëmben e shkuara kafshërore. Ne po na rrëmben kanuni primitiv i gjakmarrjes dhe po na çon në pragun apokaliptik. Kjo është sfida! Është politika ajo që duhet të përgjigjet. Dhe përgjigja e sfidës është përballimi i saj. Vetëm atëherë shoqëria sjell bazat e qytetërimit. Në këtë aspekt, romani duhet konsideruar një vepër monumentale e kulturës shqiptare.

Shumëkush merr kënaqësitë estetike të kësaj proze duke “kalëruar” përmes metaforave, ritmit të saj energjik, qartësisë dhe thjeshtësisë absolute të gjuhës, e cila i duhet aq shumë një vepre letrare. Por kjo nuk të jep “shijen e duhur” përkundër gjithë asaj “traume” që pëson nga leximi i ethshëm i ngjarjes.

Autori arrin të ndërtojë një raport dimensional edhe përtej mentalitetit shqiptar, duke na dhënë një paradoks europian nëpërmjet përshkrimit të dy hetuesve të Hagës, të cilët vijnë për të verifikuar transplantin e organeve njerëzor në “vendin e ujqve.” Kjo ndodh si në proverbin e mjekrës me cigaren. Realitetit shqiptar i “digjet mjekra”, “hagistët” vijnë të “ndezin” cigaren serbe. ”Cigarja” europiane është “ndezur” shpesh në “mjekrën” tonë të djegur. Tymi i saj i hidhur ka bërë të lotojnë mijra sy brezash që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës e ajo e Paqes në Paris. Dhe tashmë, vazhdojnë përsëri provokimet.

Në fund të romanit, mozaiku konvertohet në të kundërtën e tij. Agron Vrataj, hasmi për të cilin është bërë gjithë ai transformim i Bozhures, vjen në fshat i thirrur prej saj për hakmarrje. Por kur ajo mëson gjymtimin e tij fatal, nuk e shkreh armën. Pikërisht këtu kemi një mesazh me vlera të jashtëzakonshme për moralin shqiptar. Gjymtimi i këtij personazhi nga minat serbe nuk e kënaq gruan e re. Në momentin kur vdekja e kapëllon në fyt, ajo e pastron shpirtin e saj me faljen e gjakut të vëllezërve. Sa e njohin faljen mëkatarët e pafundëm të këtij vendi?

Pra, ky roman është i tëri një sfidë në disa rrafshe.

Dhe së fundi, Bozhurja ikën nga atdheu, e braktis atë, dhe troket në një vend më të besuar për të ndërtuar të ardhmen e saj. Braktisja është sfida e fundit që ajo i bën shoqërisë, traditës, Lek Dukagjinit, kullave të fshatit dhe, mbi të gjitha, politikës shqiptare. Ribashkimi i saj me Fatmirin, të jatin e djalit dhe emigrimi për ndryshimin e jetës, është mesazhi optimist se shqiptarët, pavarësisht nga rrethanat, zotërojnë energji pozitive për jetën në funksion të së ardhmes së saj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora