E marte, 23.04.2024, 03:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Lirikat e Bohemit në thjerrzën e kritikës

E enjte, 22.07.2010, 09:26 PM


LIRIKAT E BOHEMIT NË THJERRZËN E KRITIKËS

 

Prend BUZHALA: “GJENITIVI I LIRIKËS – POEZIA E MIRKO GASHIT”, botoi “ROZAFA” - Prishtinë, 2009

 

Nga Xheladin MJEKU

 

Krijuesi dhe studiuesi i letërsisë Prend Buzhala prej vitesh është i pranishëm, jo vetëm me krijimtarinë letrare zhanresh të ndryshme, por edhe me fjalën dhe mendimin e tij kritik për veprat dhe shkrimtarët e shumtë, duke u  bërë analiza dhe vështrime të thukta për krijimtarinë e tyre. Në radhën e librave – monografi për krijues dhe personalitete të njohur është edhe libri “Gjenitivi i lirikës” – studim rreth krijimtarisë letrare dhe veprimtarisë tjetër artistike dhe jetësore  të Mirko Gashit. Në brendësinë e kësaj monografie gjejmë të sistemuar me kujdes krijimtarinë poetike të autorit sipas periudhave kohore të krijimit, duke u analizuar në disa aspekte. Përveç krijimtarisë poetike, Mirko Gashi ka lënë gjurmë edhe në fusha tjera, ndër të cilat veçohen shkrimet nga letërsia për fëmijë dhe pjesëmarrja në projekte filmike, që të shtruara këtu kujdesshëm nga Prend Buzhala, kthen vëmendjen e opinionit lexues në kujtesën dhe nderimin e këtij bohemi të letrave shqipe.

 

Leximi  dhe interpretimi përkushtues në frymën e studimit shkencor

 

             Leximi i poezisë së Mirko Gashit nënkupton përballjen me shumëformësinë  e interpretimit të kësaj materie shumëdimensionale dhe komplekse, që zgjon interesimin e studimit të saj. Guximi intelektual i Prend Buzhalës, si në asnjërën prej  veprave  tjera  të këtij zhanri që t’i çaset një studimi kaq me përkushtim dhe vëmendje deri edhe në imtësirat më të vogla, në zbërthimin e mendimit poetik të shkrimtarit, duke e ndërlidhur atë me periudhat e krijimit të tyre në njërën anë, dhe në përceptimet tematike të poezisë në anën tjetër të studimit, gjithnjë duke zgjeruar gamën e vështrimit në rrafshin tematik, kohor dhe motivor. Kjo monografi shquhet edhe në gjithëpërfshirjen e figurave, qofshin mitologjike, historike, kombëtare, fenomeneve natyrore, ujit, drurit, zjarrit, etj.

             Në monografinë “Gjenitivi i lirikës” që për temë shqyrtimi ka poezinë e Mirko Gashit që nga libri i tij i parë e deri në dorëshkrimet e tij takojmë një strukturë të ngjeshur organizative të sistemuar në tetë kapituj studimi dhe një kapitull – requiem  me shkrime dhe përkushtime të krijuesve të shumtë për veprën dhe jetën e Mirko Gashit.

           Derisa në kapitullin “Leximi  mitopoetik” përballemi me shtjellimin e mitologjisë shqiptare, me figurat që ndërlidhen me kultin e zjarrit, me vestalet - simbolikë e ruajtjes së vatrës, forcën e thelbit të jetës, etj. në kapitujt rendës takojmë shtjellimin e kuptimit simbolik të ujit, si  burim jete, mjet spastrimi dhe vatër  përtëritjeje. Pastaj, gjejmë të shtjelluara edhe raportet  midis muzikës dhe poezisë të cilat ndërlidhen e ndërkomunikojnë me njëri-tjetrin nga poezia në poezinë tjetër, nga cikli në ciklin tjetër, e madje edhe të transformuara në tematikë të fuqishme nga libri në librin tjetër, që për dallim kanë një formë tjetër të qasjes së motivit dhe problemeve që e preokupojnë sensin ndijesor të Mirko Gashit, për gjithë periudhën e krijimtarisë së tij poetike. Kështu renditja e mëpastajme e kapitujve, si: “Lexim kontekstual”, “Lexim akvapoetik”, “Lexim në intermedium”, “Lexim situacional”, “Lexim i subverzionit estetik”, “Lexim paradigmatik”,  dhe “Lexim fenomenologjik” kanë seicili nga një mision shtjellimi të  librave si tërësi, fenomeneve, motiveve, pastaj efektet e figurave mitologjike, kultet,  etj.

            Zëri i vrullshëm lirik i poetit ngërthen brenda kornizës së tij krijuese intonacione të ndryshme, në prekjen e tematikës së përgjithësuar, që nga  kronika, ditari e deri tek komentet e drejtpërdrejta lirike, që arrijnë të krijojnë paralelizma në mes imagjinatës personale, kulturologjike, etj. Në fakt këtu folësi lirik  është shkrirë e mishëruar i tëri në sferat e përgjithëshme të artit, në nivelet e irracionales, duke krijuar esencat poetike, qenësinë e artit dhe raportet fenomenologjike me jetën, ku  lirika tashmë bëhet biolirikë; në fakt bëhet  biografi e shpirtit krijues në rrugëtimin e tij drejt prurjeve të reja poetike, si dëshmi e çasjes së parreshtur fenomeneve të ndryshme të jetës dhe rreth saj, që në përpikëri është vrojtuar edhe nga këndvështrimi kritik i autorit të monografisë që po shqyrtojmë këtu. 

           Në kapitullin e fundit “Lexim esteizik” janë vënë shkrime dhe poezi përkushtime nga autorë të shumtë për figurën dhe veprën e Mirko Gashit, që dëshmojnë bindshëm rolin dhe vlerën e veprës së tij, të cilën e kanë  prekur me forma dhe mënyra të ndryshme të çasjes së këtyre autorëve duke shprehur ndieshmërinë e tyre shpirtërore të krijimtarisë  së pakontestuar dhe njëkohësisht duke potencuar edhe në arsyen e respektit dhe mirënjohjes së autorëve të ndryshëm për veprën e Mirko Gashit. Kjo veprimtari krijuese nuk është vlerësuar në mënyrë të kënaqshme nga kritika dhe oponentët kulturor të kohës kur jetoi dhe krijoi autori, prandaj kjo monografi i jap një ndihmesë të mirë lexuesit të kohës sonë që të mësojnë për vlerat dhe mesazhin shumëdimensional të saj.

         Nga citati që pason mësojmë se: “Që nga libri i parë, “Në vorbullën e ujit”, e deri te dorëshkrimi-libër “Reinkarnimi im”, Mirko Gashi nuk ka reshtur së kërkuari, së gjakuari e së kënduari për figurat e krijimit, ringjalljes, riinkarnimit, gjenezës, kozmogjenezës, të bukurës, njerëzores, lirisë dhe dashurisë”/(fq.159), që flet bindshëm për çasjen serioze të studiuesit Buzhala kësaj materie vëllimore dhe mjaft komplekse në shtjellimin e vlerave dhe mesazhit të fuqishëm që ka poezia e Mirko Gashit për lexuesin e tij të besueshëm dhe serioz, që di dhe mund të absorboj këtë kënaqësi të artit poetik.

 

Vlerat shumëdimensionale  të krijimtarisë së  tij dëshmojnë  personalitetin prej  bohemi

 

          Mirko Gashin e takojmë si poet bohem në kuptimin esencial të fushëveprimtarisë së tij, por gjatë jetës së tij prej bohemi do të dëshmoj edhe angazhimet  prej entuziasti edhe në veprimtari të tjera, përveç poezisë. Ai vjen edhe me shkrime letrare për fëmijë, me pjesë teatrale dhe me interpretime të roleve kryesore dhe dytësore, që e bëjnë figurën e tij të njohur edhe në botën e teatrit. Nga biografia e tij mësojmë se ai për një kohë të gajtë është marrë edhe me zejen e gazetarisë, që duhet t’i ketë lënë gjurmë në jetën e mëtejme krijuese, duke i hapur horizonte të reja krijuese dhe hulumtuese të temave dhe njohjen e mirë të situatave të zhvilluara kohore-historike. Një bagazh i mirë i fushëveprimtarisë së tij përbën thesarin krijues, jo vetëm në gjininë e poezisë, por edhe në fushën e dramaturgjisë, të krijimtarisë për fëmijë, etj.

          Kjo monografi  zbulon shumë nga aktivitetet e tij që kanë kaluar në epokën e harresës, por që të shqyrtuara dhe të studiuara me kujdes nga kritiku dhe studiuesi Prend Buzhala, i hapin rrugën e rilindjes së veprimtarisë së këtij bohemi. Si duket bohemia i rrin mirë edhe tash kur prehet në amshim.                  Autori i kësaj monografie ka bërë që të kemi njohuritë shumëdimensionale të veprimtarisë së Mirko Gashit, që mund të shërbej edhe si udhërrëfyes i fuqishëm për gjeneratat që do ta lexojnë dhe studiojnë këtë shkrimtar të veçuar për shumçka. Edhe Bibliografia në përmbyllje të librit është mjaft e pasur me të dhënat për botimet, përkthimet, prezantimet në antologji të ndryshme, krijimtarinë për fëmijë, biseda e intervista të ndryshme rreth jetës, veprave dhe mendimeve të tij për botën e artit.

                   Në vazhdën e studimeve rreth fushëveprimtarisë së Mirko Gashit padyshim se do të ketë edhe interesime të reja, por gjithnjë duke ndier nevojën e konsultimit dhe shfrytëzimit të këtij studimi serioz dhe me përkushtim të Prend Buzhalës, e cila hap shumë mundësi të njohjes së kësaj materje nga afër.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora