Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Kosova meriton një qeveri stabile dhe të denjë

| E merkure, 05.12.2007, 06:47 PM |


Mbas zgjedhjeve të nëntorit:

KOSOVA MERITON NJË QEVERI STABILE DHE TË DENJË

Sa më parë që është e mundur e më së voni deri në gjysmën e dhjetorit, Kosova duhet ta ketë të kostituuar Kuvendin e Ri dhe Qeverinë e Re, të dalura nga zgjedhjet e 17 nëntorit 2007. Si përgjigje adekuate rethanave aktuale, në rrafshin e politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare, në këtë fazë shumë delikate të historisë sonë, më funksionale dhe më e denjë do të ishte një qeveri e koalicionit PDK-LDK.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Engjëll Koliqi
Lecco, 4 dhjetor 2007. – Megjithë kundërshtitë e aty-këtushme dhe megjithë dyshimet e komentimet e ndryshme, në rrafshin politik, zgjedhjet e trefishta (ato politike-parlamentare, ato administrative-komunale dhe zgjedhjet për kryetarë komunash), u mbajtën më 17 nëntor dhe megjithë pjesëmarrjen e ultë të zgjedhësve, nga të gjitha palët e interesuara dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë u vlerësuan si zgjedhje të suksesshme dhe demokratike, madje më demokratiket në rajon. Siç pritej dhe paralajmërohej nga sondazhe të shumta dhe nga analistë poliitkë, bazuar në shumë argumente, përfshirë edhe korrupcionin e qeveritarëve aktualë, këto zgjedhje i ka fituar Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja), lideri i së cilës parti – Z. Hashim Thaçi, njëherësh edhe kandidat për kryeministër, nga një politikan agresiv dhe i rrebeluar, siç ishte viteve të mëparshme – këtë vit është spikatur si politikan i matur dhe i urtë, i kalibrit euro-atlantik.
Hashim Thaçi
Duke pasur parasysh politikën në rrafshin botëror të globalizmit dhe në aspektin e diplomacisë së ndërlikuar ndërkombëtare, me rezultatin e këtyre zgjedhjeve duhet të jemi të kënaqur, sepse në këto rrethana një kryeministër me emrin e Hashim Thaçit, mendoj është çelës i mirë për hapjen e derës së madhe në diplomacinë ndërkombëtare të arbitrazhit. Me Hashim Thaçin – kryeministër, Kosova në fazën përfundimtare dhe vendimtare të përcaktimit të statusit final, do të jetë më e fortë dhe më e sigurtë, për shumë arsye, që tashmë i dijmë të gjithë.
Kur kemi parasysh të gjitha faktet dhe argumentet përbërëse të intereseve globale dhe të intereseve të palëve të ndryshme – përbërëse të arbitrazhit diplomatik ndërkombëtar, me plot të drejtë interesohemi për themelimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Re të Kosovës, natyrisht edhe për përbërjen e saj. Prandaj, duke analizuar shumë detaje nga intereset globale dhe nga ato të palëve
të ndryshme që sajojnë qendrat ndërkombëtare të vendosjes, unë si një qytetar i thjeshtë i Kosovës, i interesuar për fatin dhe ardhmërinë e vendit tim, do të doja që sa më parë ta shoh funksionale Qeverinë e Re – kësaj radhe të koalicionit PDK-LDK. Pse e propozoj këtë koalicion?! Në gjendje normale të një shteti të fortë dhe stabil, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) tash do të duhej të kalonte në opozitë, por në rrethanat tona, kjo do të binte edhe rreziqe jetike. E themi këtë, sepse nëse jo ky koalicion, atëherë do të vinte në shprehje një koalicion tjetër i PDK-së, me AKR-në (Aleancën për Kosovën e Re), LDD-në (Lidhjen Demokratike të Dardanisë) dhe AAK-në (Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës), ose me dy nga këto tri parti. Në këso kombinimesh, presidenti i Kosovës – Fatmir Sejdiu do të jepte dorëheqje dhe pas tregtimeve në fazën e bërjes së koalicionit, president i Kosovës do të mund të zgjidhej Behgjet Pacolli ose Nexhat Daci. Kur i dijmë orientimet e intereseve dhe të vijave përcaktuese të politikave dhe të diplomacisë ndërkombëtare, cilido prej tyre, në postin e presidentit, paraqet rrezik për ardhmërinë e Kosovës. Në variantin tjetër, që do të ishte absurd dhe i padrejtë, do të mund të bëhej një qeveri e koalicionit: LDK-AKR-LDD-AAK, duke e lënë prapë në opozitë PDK-në, fituesin e parë të zgjedhjeve të 17 nëntorit. Por, kjo zgjidhje do të ishte e padrejtë dhe grusht i rrezikshëm kundër vlerave sublime të demokracisë.
Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu
Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat në të cilat aktualisht ndodhet vendi ynë dhe lëvizjet, ndër më të çuditshmet në politikën ndërkombëtare, përfshirë edhe rezultatin absurd dhe të kurdisur të zgjedhjeve në Rusi, Kosovës sot i nevojitet një Qeveri e koalicionit PDK-LDK, me kryeministër Hashim Thaçin, që në kushte të rëndomta politike Fatmir Sejdiut i mundëson vazhdimin  e funksionit të presidentit të Kosovës. Kështu pra, duke pasur parasysh pjekurinë e lartë politike dhe stabilitetin e jashtëzakonshëm në rrafshin diplomatik të Hashim Thaçit, si dhe vlerat tashmë të dëshmuara të profesorit Fatmir Sejdiu -  tandemi Thaçi-Sejdiu, në arenat dhe udhëkryqet e diplomacisë ndërkombëtare, edhe atëherë kur parakalojnë e fërkohen interese të mëdha e të ndryshme të palëve ndërkombëtare, do të ishte i pathyeshëm. Pra, vetëm me tandemin Sejdiu-Thaçi, Kosova do të mund të përfaqësohej denjësisht dhe vendosmërisht në këto sfida, kur po përcaktohet fati dhe ardhmëria jonë!
Pa e zgjatur shumë, do të kërkoja që sa më parë – më së voni deri në mes të muajit në vijim, të bëhet kostituimi i Kuvendit të Ri dhe i Qeverisë së Re të Kosovës – të koalicionit PDK-LDK, që natyrisht edhe do të rikonformonte funksionin e presidentit për Fatmir Sejdiun. Me këtë zgjidhje, mendoj institucionet tona do të kenë legjitimitetin dhe fuqinë e nevojshme, për shpalljen e aktvendimit historik për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, duke i dhuruar kështu OKB-së edhe një ulëse të re, që do të merrte përgjegjësistë historike për paqe dhe siguri në rajonin ballkaniko-mesdhetar. Le të mos vonohen liderët tanë të poitikës, sepse ne i duam sa më parë institucionet tona përfaqësuese – stabile dhe të denja! Gëzuar!