E premte, 19.04.2024, 01:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Guximi, flijimi, puna, degë e mbushur me fruta në një trung të jetës!

E enjte, 22.07.2010, 09:30 PM


GUXIMI, FLIJIMI, PUNA, DEGË E MBUSHUR ME FRUTA NË NJË TRUNG TË JETËS!

 

(Riza Greiçevci “Edhe malet janë shqiponja”,  SHB “Zef Serembe”, Prishtinë 2010, faqe 160)

 

Nga Bilall Maliqi

 

Riza Greiçevci autor i shumë veprave të zhanreve të ndryshme letrare artistike u tregua i suksesshëm, shkrimtar i kompletuar sepse preku të gjitha gjinitë letrare dhe deri tani tregoi maturi dhe seriozitet të madh sa i përket vlerës së shkrimeve të tij.

 

Tematika

 

Libri fillon me poezinë “Mbretëri  e shqipes” , në të shtatëdhjetë e gjashtë vargjet e kësaj poezie të bukur ndeshemi me një strukturim të mirë të vargjeve me figuracion të duhur poetik dhe me një temë shumë interesante paraqet Mbretërinë e Shqipes Ilirike, e cila di dhe mundet të mbrojë nderin, gjuhën, identitetin, vendin nga pushtuesit e ndryshëm e të shumtë në ecje të moteve.Në këtë poezi të bukur autori paraqet në vargje Gjuetarin dhe Zogun e Shqipes, duke i dhënë një mesazh mjaft të avancuar me vargje poetike. Gjuetari e shpëtoi zogun nga gjarpëri helmues, një keqbërës, e qëlloi me hark dhe e liroi zogun duke i thënë se tani do të jesh i lirë. Zogu i Shqipes falënderon Gjuetarin dhe i premton shpëtimtarit:

 

“Do të jesh e pamposhtur gjithmonë n’beteja

Do të bëhesh i shpejt mu si rrufeja!

 

Do të jesh krenar, s’do të jesh një qyqe

Dhe ta falë emrin që mbaj: SHQIPE”.

 

Pra,këto vargje të kësaj poezie  interesante dhe me art të veçantë simbolizon trimërinë e Gjuetarit, Gjak i Shqipes, që di të nderojë e të ndihmojë, nuk durojnë padrejtësi, dhunë, por as robëri..Në poezinë “Turku dhe Arbri” në vargjet e para hetohet edhe një satirë, ku për lexuesit është një relaksim, sepse fëmijët e duan humorin, e duan lojën nëpër vargje poetike, bëhen pjesë të kësaj loje etj.Pra Turku dhe Arbëri i qitën në garë kuajtë dhe:

 

“Cili kalë të dalë i parë

Besa-besë o bjeshkatarë

 

Unë ta jap vashë Turkeshën

Ti ma jep mua Arbëreshën”

 

Pra  në fund të lojës poetike /Ik Turkesha n’ Osmani/ . /Trojet e Arbrit-Iliri/., pra humb Turku e Turqia pas pesë shekujsh shkelje të trojeve Ilirike…

 

Përkushtime

 

Pjesë e këngëtimit poetik të Riza Greiçevcit në këtë libër janë edhe poezitë përkushtimore të shkruara me aq mjeshtri dhe afinitet poetik dhe mund lirisht të quhen edhe poema historike, sepse, në vargje aq të thukta, aq kuptimplote dhe me aq art e domethënie e bën lexuesin kureshtar,e fut në kureshtje për lexim, vlerësim e dashuri ndaj historisë kombëtare. P.sh., poezia /Mic Sokoli/ , e ndarë në njëmbëdhjetë këngë. Në shtjellim të kësaj poezie autori na shetit ashtu qëllimisht nëpër kohë, e kësaj radhe na ktheu në histori të hershme duke na kujtuar edhe njëherë trimëritë e Mic Sokolit ndër luftëra kundër Turqisë e cila kishte sunduar atëbotë Etnikumin shqiptar. Një biografi poetike poeti në këtë poezi me nga katër vargje të rimuara mirë e shpalos para lexuesve që nga lindja e këtij trimi që u shënua me shkronja të arta në histori si dhe shumë trima të tjerë të kohës së kaluar. Në vështrim të kësaj poezie shumë tërheqëse për lexim, poeti jep një shtrirje të veprimtarisë patriotike të kësaj figure aq të njohur, aq të madhe të kombit, e përcolli kështu deri në çastin kur ia zuri grykën topit  anadollak me gjoks…

 

“Shkëputet Mici nga beteja:

-Ku është pasha me ata topa?

Ngjitej shpatit si rrufeja

Digjej guri, digjej toka!”

 

Ose

 

“Grykën topit zuri gjoksi

Gjoks i trimit Mic Sokoli.

Plagë dhe vdekje i degdisi

Dhe lahuta me zë foli:

 

Në dy luftëra ish shqiponja

Nderoi dajën n’emër t’Zotit:

Tahir trimi, Tahir Tropoja

Ishte nip i Mic Sokolit!”

 

Pra në këto vargje paraqitet qartë vendosmëria patriotike e Mic Sokolit apo Mic Tropojës, nga vijnë edhe shumë trima të tjerë si në kohën e luftrave të Mic Sokolit kundër hordhive turke, por edhe në historinë më të re të shqiptarëve, në luftën e UÇK-së, ku po nga Tropoja heroike paraqitet një figurë shumë me rëndësi të nënqiellit tonë, heroi i kombit Tahir Sinani, Tahiri ishte nip i Mic Sokolit, pra, trimëria bartet brez pas brezi.

Në shtjellim të mëtutjeshëm të poezive të Riza Greiçevcit, hasim tematika historike më të reja, na ktheu në historinë më të  re të UÇK-së, duke himnizuar e nderuar me vargje një figurë të ndritshme të luftës për çlirimin e Kosovës, heroin Fehmi Lladroci /Kapedan i Qyqevicës/ . Kjo poemë është e ndarë po ashtu në njëmbëdhjetë këngë të vargëruara mjaft mirë me një art të përsosur, rimë dhe muzikalitet të fuqishëm. Po ashtu si në poezinë paraprake edhe në këtë poezi autori ec me vargje nëpër biografi të komandant Fehmiut, luftërave të tij, heroizmit të tij, sypatrembëshmërisë së tij nëpër fronte të shumta në Kroaci dhe në Drenicën trime dhe heroike, atdhemëmëdhedashurinë e tij e paraqet mjaft mirë nëpër vargje deri te rënia e tij në altar të lirisë. Unë do të paraqitja dy strofa në këtë poezi, të parën dhe të fundit: lindjen e këtij trimi për hater të nënës dhe babës, por edhe për hatër të Kosovës e shqiptarisë, dhe qëndrimi stoik i tij deri në vdekje në shërbim të atdheut, duke ia dhuruar gjakun dhe jetën:

 

“Drenia i kish treguar qiellit

Djepi i kish treguar shkabës:

-Sonte u lind një foshnje e diellit

Për hatër të nënës e babës!

 

Ose

 

Ballë Shkabës të një zdap

Feha plumbat pre me dorë:

-Anjë pëllëmbë Atdhe s’e jap

Sa t’kam frymë, gisht e gojë…”

 

Edhe më tutje poeti vazhdon përkushtimin e tij për ata që ndryshuan për nëntëdhjetë shkallë historinë Kosovës duke ia shtuar kështu vargjeve poetike edhe një heroine, e cila luftoi krah për krah me burrin, ballë për ballë me armikun, Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Poezia titullohet:/ Gërshet malesh/. Edhe kjo poezi përkushtimore sikur ato paraprake dhe japin një biografi poetike të thuktë për këtë heroine që mbetet në historinë më të re e pavdekshme kjo nuse e maleve. Kjo poezi është e ndarë në tetë këngë poetike strofat janë katër vargjëshe e të rimuara mirë…

 

Qëndrueshmëria poetike

 

Në shtjellimin e poezive tek poeti Greiçevci hasim në një qëndrueshmëri të vargjeve poetike, pra lexuesi vëren se nuk ka ramje-ngritje të vlerave të poezive. Poezitë në vazhdim japin një kureshtje për lexim, sepse autori ka kapur tema të ndryshme dhe i ka forcuar vargjet me shprehje dhe figura të cilat e bëjnë shumë tërheqës për lexim.Të tilla janë poezitë:/Djali shpirt, vasha zemër/ e ndarë në nëntë këngë, e cila ka reflekse poetike, kuptim dhe të bën ta lexosh me ëndje. Edhe kjo poezi si të tjerat mvishet me motivin patriotik, por këtu kuçedra simbolizon armikun, i cili bëri dëme dhe dogji shtëpi gjatë luftës…

Poezi mjaft interesante dhe me mesazh të qartë për lexuesin është /Qenushi e dhia/, ku autori jep porosi të qartë në fund të poezisë se “Kush e nuhat, veç pak të vërtetën, pajtohet se paraja dhe lakmia nxin fytyrën dhe jetën”.

Në vazhdim nuk mundemi pa i përmendur edhe poezitë e tjera, të cilat shoqërohen poashtu me tema të qëlluara nga autori, sepse poeti Greiçevci di shumë mirë se me çfarë tema e kënaq lexuesin, me çfarë frymëzime dhe inspirime  të vargëruara del para “Çetës” së lexuesve. Poezitë e tjera të cilat poashtu ruajnë vijën e qëndrueshmërisë artistike të autorit janë:/Legjendë për qyqen/, pastaj në kapitullin e tretë të librit poezitë:/Sofra/ , /Baladë për një bari/, /Uji i Dardanisë/, /Pjeken bukën n’rreze dielli/, /Një fat ogurzi-dy prindër pesë fëmijë/, /Baresha/ dhe poezia që mbyll kopertinat e librit /Djalim me yll në ballë dhe vajza flokartë/, të cilat poezi kanë tematikë dhe figuracion të qëndrueshëm poetik.

 

Vlera

 

Prej gjithë kësaj që u tha deri më tani e kujtoj që ka mbetur edhe shumëçka pa u thënë, e që lexuesi do ta vërej së lexuari se kemi të bëjmë me një libër që  ka vlera të arrira letrare, libër i afërt me lexuesin, sidomos kur është fjala për ligjerimin poetik për fëmijë sepse poeti ka ditur që me çfarë tema, me çfarë shprehje poetike dhe me çfarë vlere të poezive të tij t’i kënaq lexuesit, t’i bëj pjesë të këngëtimit të tij poetik. Kujtojmë se ky libër do të jetë i mirëpritur dhe i dashur për lexim si nga lexuesi ashtu edhe nga kritika letrare…



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora