E premte, 19.04.2024, 01:41 AM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Muhamet Malo, Njeriu me zemër dhe sy nga emigrantët

E merkure, 05.12.2007, 07:40 PM


Portret

Muhamet Malo, Njeriu me zemër  dhe sy nga emigrantët

Përtej të zakonshmes

Nga Albert Zholi

Albert zholi
Një burrë trupmadh me një shikim  të butë që i qëndron besnik natyrës së tij të mbyllur, tradicionale  larg dritave të reflektorëve, dukshmërisë  dhe fryrjes artificiale të  biznesmenëve të sotëm shqiptarë. Një njeri që e njeh shumë mirë sportin,  historinë e Shqipërisë, dhe jetën politike shqiptare. Një demokrat i lindur  që kurrë nuk e ka përdorur ose përqafuar politikën si qëllim në vetvete .  E konsideron veten një bashkëshort të devotshëm ku familja përbën thesarin më të shtrenjtë të jetës dhe bashkëshorten e konsideron një nga miket më të shtrenjta të zemrës. Ndërkohë që fëmijët  i edukon të jenë njerëz dhe qytetarë që respektojnë ligjin.  Një miks mes gjenialitetit, modestisë dhe shpirtgjerësisë. I interesuar vazhdimisht pë të rejat në emigracion, kun ë Greqi ka shumë miq t ë tij  emigrant me të cilët është rritur. Ky është  profili i biznesmenit dhe personalitetit të njohur Muhamet Malo, që ka ndihmuar njerëzit në nevojë shumë më tepër se politikanët dhe qeveritë e deritanishme shqiptare.  Nuk i pëlqejnë shumë fjalët, por preferon më shumë veprat. Dhe  vepra ka shumë.

Drejt majave të mundjes shqiptare

E ka nisur udhëtimin e tij  fillimisht drejt pasurimit të vetvetes. Do të shquhet  në sportin e mundjes, që e ushtron nga vitet 70 deri në vitet 90-të me qëllimin e madh për tu bërë dikushi. Aspiratë që e arriti me shumë mund dhe sakrifica por që e bëri më luftarak dhe të guximshëm për të arritur majat. Të qënit kampion  në sportin burrëror të mundjes e bëri të vendosej në qendër të vëmendjes së të tjerëve, të krijonte një emër  dhe pse jo të ndjehej i realizuar në atë pjesë të vetvetes që ka të bëjë me pasionin. Sporti i dha shumë rezultate që e bën të renditej në plejadën e “Nderit të Mundjes shqiptare”, një nga çmimet që ai ka më shumë për zemër.
Si të gjithë sportistët e mëdhenj shqiptarë të kohës së diktaturës ai nuk do të shijonte konvertimin e forcës dhe aftësisë së tij fizike (që bënte pjesë në nivelet europiane ) në para, por edhe këto të fundit nuk do i mungonin disa vite më vonë.

Biznes dhe fitore

Falë intuitës që kishte fituar në sport, dhe mbi të gjitha kontaktit që kishte me botën jashtë kufinjve, me ndryshimet shqiptare të viteve 90-të ai nuk do të ndjehej aspak  jashtë kohe, përkundrazi. Demokracia kishte kohë që kishte mbirë në shpirtin e tij. Fillimisht do të tentojë biznesin në fushën e konfeksioneve dhe të karburantit për të vazhduar më pas me kompaninë e basteve. Ashtu siç kishte treguar eksperienca botërore, dhe ai  si  pjesa më e madhe e ish-sportistëve kampionë  do të kalonte në menaxhimin e bizneseve që kanë lidhje me sportin. Në një Shqipëri kaotike ku dhe jeta e egzistenca binin në “kurth”  ai do fillojë të vërë në jetë një ambicie të madhe, krijimin e kompanisë së basteve “Eurolloto” me shpërhapje në të gjithë Shqipërinë. Hap pas hapi suksesi do ishte i madh dhe biznesmeni do të përdorte strategjinë e shpërndarjes së bizneseve që fillimisht kishin lidhje me sportin dhe më pas do përhapeshin dhe më gjerë.  Gjithnjë i shoqëruar me një sukses të jashtëzakonshëm që e kanë emrin vetëm fitore. Ai do të hapte të vetmin televizion sportiv në Shqipëri, do të nxjerrë gazetën e basteve, do të jetë pjesmarrës dhe aksioner në bankën “Credins”, do të marrë inisiativën madhështore për hapjen e teleferikut të parë të përmasave europiane në malin e Dajtit, të pajisur me një nga lokalet më modernë në Tiranë dhe shumë inisiativa të tjera.. Por që jo gjithmonë janë biznese për të sjellë si frute paranë; por dhe veprime që kanë revolucionarizuar jetën dhe kulturën shqiptare. Dhe nuk mund të lëmë pa përmendur spektaklin “Ethet e së premtes mbrëma”, sjelljen e familjes mbretërore në Tiranë e shumë e shumë primate të tjera…

Mbi të gjitha, Shqipëria

Të jesh një biznesmen i përmasave të tilla nuk është diçka e lehtë. Ka shumë stres, shumë armiqësi dhe keqdashje veçanërisht në një shoqëri shqiptare që gjithnjë ka mahninë e përfitimit. Por kjo mahni ambivalente nuk ka ndryshuar asgjë në natyrën e Muhamet Malos. Ai vazhdon ta konsiderojë Shqipërinë si i vetmi vend ku i pëlqen të jetojë dhe ku ai ndjehet i qetë. Lidhjen me baltën shqiptare  e konsideron si atë mes një djali dhe nënës së tij, nga gjiri i së cilës nuk mund të largohet kurrë, sepse  e ndjen si pjesë të qënies së vet. Ndërsa bisedon me të, ndihet kultura e tij historike dhe dëshira për të kontribuar sa më shumë për çështjen shqiptare. Ka njohuri të mira për Çamërinë dhe mbi të gjitha për aktualitetin në Kosovë, që e konsideron një emblemë që duhet të fitojë pavarësinë brenda pak muajsh. Lexon çdo libër që thellon njohuritë e tij mbi politikën dhe mbi të kaluarën shqiptare duke mos e ndjerë veten kurrë as jashtë politikës dhe as i lidhur ngushtë me interesat partiake që e kanë varfëruar  aspiratën e Shqipërisë për në Europë. Një ëndërr që për Muhametin ka qenë e mbrujtur që në rininë e tij, kur si përfaqsues të sportit shqiptar ato ndjenin ndryshimin e vendlindjes së tyre me vendet e zhvilluara. E ndjen veten larg politikanëve për arsyen se ai është një njeri që ka patur ambicje të mëdha për veten dhe për investimet e tij në Shqipëri. Investime që kanë ardhur nga projektet më moderne që sot realizohen në vende super të zhvilluara si Zvicra…

Bashkëshort i lumtur

E konsideron veten si një burrë tradicional tiranas me shumë taban.  Është ai që vendos në biznes, por dhe në familje; ndonëse vendimet kanë qenë përgjithësisht shumë demokratike. E vlerëson shumë rolin e bashkëshortes së tij si nënë e tre fëmijëve që sot janë rritur dhe janë në rrugën e shkollimit, por njëkohësisht dhe si një bashkëpunëtore në biznes. I pëlqen ta quajë shoqe, duke u shprehur se ajo e meriton një cilësim të tillë. Ka ndarë me të momentet më të bukura të jetës, por dhe telashet e lodhjen e një pune shumë të komplikuar. Edhe pse kanë shumë vjet së bashku ndjehet akoma i dashuruar me bashkëshorten, të cilën e cilëson akoma si  një grua të bukur dhe mbi të gjitha një grua që i përshtatet botës së tij të madhe shpirtërore. Një botë që nuk vendoset vetëm brenda strehës së familjes së tyre, por shumë më gjerë pranë të burgosurve, pranë pleqve të vetmuar dhe fëmijëve jetimë. Gjithnjë në ndihmë të njerzve në nevojë. Një ndjeshmëri që  i lartëson më shumë në ekzistencën e tyre njerëzore…

Njeriu me zemër të madhe

…Ndonëse sot është një nga biznesmenët më të njohur shqiptarë ai nuk e konsideron veten si njeri të privilegjuar që bën një jetë të veçantë, ndryshe dhe  të katapultuar nga njerëzit e thjeshtë. Ai e thekson faktin se nuk ka ndryshuar asgjë nga zakonet e tij të mëparshme dhe në mënyrën e tij të jetesës. Ka të njëjtët miq të vjetër që i vlerëson shumë, të njëjtat parime dhe moral human.  I mbetet tërësisht besnik  raporteve njerëzore  të cilat kanë mbetur njëlloj gjatë gjithë jetës së tij, ndonëse ai e sheh në një prizëm të ri. Ashtu si dhe më parë mjerimi i vret sytë dhe ai përpiqet me të gjitha mënyrat për të qenë pranë njerzve në nevojë. Bashkë me bashkëshorten e tij Mirandën nuk mungojnë në asnjë nga aktivitetet me qëllim humanitar dhe mbi të gjitha aktiviteti i tyre ndihmës është ndaj azileve të pleqve, jetimëve dhe njerzve në vështirësi. Një aktivitet human që atyre u buron nga thellësia e zemrës së tyre sepse lumturinë më të madhe e ndjejnë kur bëjnë të lumtur një fëmijë të gjymtuar, pa prindër dhe pa asnjë lloj përkrahje .

Mes të shkuarës dhe të ardhmes

Nëse  e pyet se çfarë vëren tek të tjerët përgjigjja e tij është: “Unë vlerësoj njeriun.” Një përgjigje që nuk ka si të mos lërë pa fjalë. Gjendesh  para një personaliteti që zotëron gjithçka: para, luks, mirëqënie, një botë nën këmbët e tij dhe ai kërkon në jetën e tij  atë formulë që të gjithë të pasur e të varfër mund ta arrijnë në jetën e tyre: të jenë sa më njerëz, të jenë sa më humanë dhe sa më të vërtetë…
Një elizir që ai e ka gjetur dhe e ka bërë pjesë të personalitetit të tij. Ndaj dhe është një nga njerëzit më të respektuar  në Shqipëri që në mënyrë intuitive dhe meritative ka zënë vend në të shkuarën, të sotmen dhe pa dyshim dhe në të ardhmen e Shqipërisë. Një hero i kohërave moderne….dhe një njeri që në shtypin e Tiranës gjurmon për të rejat emigratore sidomos ato të emigrantëve në Greqi.

Revista Integrim (botim i Institutit te Femijeve Jetim)

(Kryeredaktor, Albert Zholi)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora