E enjte, 18.04.2024, 12:33 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Qerbelaja shqiptare

E marte, 20.07.2010, 10:00 PM


QERBELAJA SHQIPTARE

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

         E kam pritur Dexhallin e Allahut natën, pasdarke. Pasmesnate. Diku, para agimit. Edhe ditën. Po, jo në mesditë, në mes të Ditës Madhe. Derën, dihet e ka pasur të mbyllur me shul. Dritaret, poashtu me hekura. I vetmi shteg i mbeti oxhaku. Dexhalli Allahut erdhi në pabesi, në mes të Ditës Madhe. Krah për krahu me shokë hyri edhe në xhami. Edhe atë: në xhaminë më të madhe në Shkup: Isa Beu. Shtëpinë e Zotit, ku i falte të pesë vaktet para këmbëve të Hoxhës, ish Minsitri i Kulturës: Haxhi Deputeti. Edhe: ndodhi Lufta e Qerbelasë. Haxhi Deputeti (ish Ministri i Kluturës në IRJ të Maqedonisë) ra “shehit” duke mbrojtur Shtëpinë e Allahut: xhaminë Isa Beu, në Shkup. Poeti ynë i madh Naimi, atë luftë heroike e qau me vagje te vepra e tij: Qerbelaja. E ne, sot nuk kemi poet këtë Luftë të Qerbelasë shqiptare ta vajtojë me poezi, në ndonjë libër. Këngëtar popullor me çifteli. Ose, cucë ta vajtoj me dajre nëpër dasma shqiptare.

         Dhe, përderisa shqiptarët mysliman, xhaminë Isa Beu e kanë shndërruar në Qerbela, matanë, dhe në këtë anë të Urës Gurit, rrinë krah për krahu misionarë fetar grek (mitropolitë Beogradi) me kryqa e bibla në duar dhe heronj bullgarë mbi kuaj me shalë. Në anën e shqiptarëve: në krahun e majtë, përballë meje i përshëndes nën hije me një birrë Shkupi: Shën Klimentin dhe Shën Naum Ohrin. Në anën e djathtë: Shën Kirili dhe Medodi. Dhe, matanë Vardarit në anën “maqedone”: në anën e majtë Dame Gruevin, në të djathtën Goce Delçevin hipur mbi kuaj me shalë. E kërkoj me sy Karposhin, udhëheqsin e Kryngritjes maqedone, që pas tërheqjes së aradhave austriake nga Maqedonia, kryengritja u shua dhe prisin e tyre turqit, pasi e kishin ngulur në hu, e hodhën në Vardar. Hajduti harambash, në kohën e komunizmit jetonte në përmendore me duar të lidhura te këmbët e Urës Gurit, në Shkup. Nuk e shoh askund. Kësaj radhe siç duket e kishin hedhur vetë “maqedonasit” në Vardar. Prandaj, le të mos mërziten shumë shqiptarët me këto ndërtime e përmendore partiake të përkohshme: koha e bënë të veten. Ligjet e Natyrës. Edhe sot, shumë heronj “maqedon” që i shohim te të dy këmbët kryesore të  Urës Gurit, në Shkup, nesër do të kërcejnë bythekrye në Vardar.

         Tungjatjeta, o burra “maqedonë”! I përshëndes nën hije me një birrë Shkupi. E ku i keni gratë?! Mirë do të ishte te këmbët e Urës Gurit me vete të kishit edhe ndonjë grua heroinë. Mundet edhe bullgare. Europa, nuk ju do pa gra. Tekefundit, nuk ju kam unë faj, që piqeni në këtë diell vere. Fajin e ka politika ditore. Shqiptarët nuk i shoh askund, as te këmbët e urës e as te sheshi “Makedonija”. Edhe pse, edhe ne kemi pasur burra dhe gra me kryqa: Pjetër Bogdanin, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazin, Pjetër Budin, Papa Kristo Negovanin… Edhe me Hënë: Mehmet Pashë Derallën, Sulltanë Qafën, Dervish Carën, Hoxhë Tahsinin, Haxhi Zekën, Dervish Himën… Përmëtepër, edhe burra pushke, që e kanë çliruar Shkupin nga halldupi: Bajram Curri, Isë Boletini, Kalaosh Zajazi, Pjetër Guri, Hasan Prishtina… Them me vete: me siguri këta burra mejdani i ka zënë vapa, janë nën hije, nën Rrap. Dhe, i presin partitë politike shqiptare për një gotë ujë.

        O Imzot, ku janë shqiptarët?! Njëri më përshpëriti në vesh: matanë Urës Gurit, i luten Allahut për Burmali Xhaminë! Fatkeqësi e madhe! Po, shqiptarët nuk kanë shkolla shqipe?! Xhami, na ka dhënë Zoti me dy e katër minare, që në kohën e Turqisë. Edhe Serbia, vërtetë na i ndaloi shkollat në gjuhën shqipe, po kurrë nuk na i ndaloi xhamitë. Komunizmi, vërtetë na bënte probleme për hapjen e shkollave shqipe, po xhamitë me ndërmarrje të veta ndërtimore na i  ngulte në  mes të fshatit edhe me nga dy minare.          “Demokracia”, dyert e xhamive na i hapi krah më krah në të gijtha trojet etnike shqiptare. Edhe të kishave me kryqa nëpër fusha e male. Problem, ne shqiptarët kemi me “myslimanët”. Nuk kemi myslimanë për në xhami.

         Zemrohem me të gjithë këta burra mejdani. Edhe te këmbët e Urës Gurit. Edhe në xhaminë: Isa Beu. Edhe në Qeveri. U them: nuk më hy uji nën këmbë për “myslimanët” e këtij soji anadollo-aziatik, po edhe mua më morët në qafë. Pse, bre burra të Zotit vazhdoni ende të ma pini birrën, hani bukën?!… Edhe pse, moti keni vdekur në histori, nuk keni nevojë për birra Shkupi nën hije, e as për bukë?!..

        Unë sa di, ju nuk pini birra Shkupi, nuk hani as bukë. Shkaku se: moti keni vdekur nëpër institucione fetare e të Qeverisë. Kush dreqin tashti u ringjalli te këmbët e Urës Gurit të ma pini edhe birrën?! Hani bukën, dhe përmbysni kupën. Përmëtepër, kur e di se këtë urë e kanë ndërtuar dhe e mbajnë gjallë shqiptarët. E dini, ku e kam fjalën: pse na merrni në qafë ne të gjallëve?! Më përgjigjen: ne nuk kemi faj, në emër tonin bëjnë karrierë politike të gjallët. E ngrej zërin: deri kur me këta të vdekur do të bëjmë politikë shtetërore?! Populli kërkon bukë. E të vdekurit, rehati në varre.

        Përsëri u them: nuk ndërtohet “vëllazërm-bashkimi” komunist dhe “bashkëjetesa” kështu siç e keni nisur ju: I keni pushtuar të dy këmbët e Urës Gurit. Edhe Sheshin “Makedonija”. Patjetër, duhet të bëjmë edhe një marrëveshje! E keni bërë një me Ali Ahmetin: Marrveshjen e Ohërit. Po, nuk keni bërë marrveshje me popullin shqiptar.

       Dhe, e kam mendjen te Baxhi: maçorri im besnik, që e ndanë bukën dhe shtratin me mua shkrimtarin. Shkaku: nuk erdhi mbrëmë të ma zë shtratin natën, të shtrihet në kokërr të shpinës për shtatë palë qejfe. Përdredhë mustaqet. U tremba, thashë me vete: mos e kanë takuar natën në rrugë aktivistët e Nënës Parti,  e kanë marrë edhe atë në Qeveri.

       Bërlloku shqiptar “mysliman”, kërkon matanë Urës Gurit të ndërtohet Burmali Xhami. E nuk kërkon shkolla shqipe, në këtë anën shqiptare të ndërtohen përmendoret: e Bajram Currit, Isë Boletinit, Pjetër Bogdanit, Kalosh Zajazit, Sulltanë Qafës, Pjetër Budit, Dervish Carës… Edhe ne i kemi kryqat tanë: Nënë Terezën, Pjetër Bogdanin, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazin, Pjetër Budin, Papa Kristo Negovanin…            

       Eh, lexuesi im i ndeuar! Jeta është e çuditshme, çka nuk të bjen në jetë të provosh mes këtij bërlloku maqedono-shqiptar. Edhe pushtuesit. Edhe shtetin. Edhe Partinë Komuniste. Edhe partitë  politike “demokratike”.  Edhe pushtetin diktator. Edhe, policinë letrare. Edhe vrasësit. Edhe hajdutët. Po, ja nuk të ka ra rasti të të dalë në mes të ditës në rrugë Shtrigani Allahut. Dhe, dorën në zemër të vjen inati, si të mos i provosh edhe këta “shërbetorë besnikë” të Zotit. “Shehitët” e Allahut, që gjithë natën vjedhin, spiunojnë, vrasin dhe shpërndajnë drogë në xhami. E të nesërmen, si një kope me zgjebe përpara këmbëve të Hoxhës i falin të pesë vaktet, i luten Zotit për mëkate.

       Dexhalli është i madh. Dhe, një ditë ma ndërseu në rrugë Shtriganin e Allahut. Merreni me mend, një poeti që kudo ku ka shkuar: Tiranë, Prishtinë e Shkup, njeri i gjallë nuk i ka kërkuar as edhe letër njoftimi. E të mos flasim për probleme të papritura, që mund t’i ndodhin në rrugë. Po, ja Shtrigani Allahut, nuk di për këto rregulla civilizimi. Në mes të ditës, në vend që ta fali “Xhumanë”, ta zë rrugën. E ke ofenduar pejgamebrin Muhamedin a. s. Edhe, të detyron në vend të penës, t’i përdorish grushtat. Edhe atë: siç thotë populli në mes të pazarit. Rrugaçët “myslimanë” që pejgamberin duan ta mbrojnë nga intelektualët fizikisht edhe në rrugë, e jo me veprime e lutje në xhami.

      Vetëmse, Shtriganin e Allahut “mysliman”, kurrë deri në atë ditë nuk e kishte rrokur dikush për krahërori. Edhe, nuk ia kishte mësuar rregullat dhe teknikat e boksit. I mjeri rrugaç “mysliman”, që nuk e dinte se gjatë shkollës së mesme në Shkup, unë kisha ushtruar katër vjet me radhë boks në një sallë sportive bashkë me kampionatin e boksit botëror Azis Salihun. Po, ja nuk e deshi Zoti që unë të bëhem bokser, u bëra shkrimtar.

       Qe, si qe, te ne në Katund thonë: Deharet u dogjën. Vetëm, e pabesueshme është se, si është e mundur që këta rrugaçë “myslimanë”, i merr në mbrojtje edhe policia. Unë e di këtë histori të vjetër sllave. Brez pas brezi, kjo histori na ndjek ne shqiptarëve. Edhe në kohën e Turqisë. Edhe në kohën e Serbisë. Edhe në kohën e ndryshimeve demokratike. Armiqtë tanë shekullor, nëpërmes fesë myslimane e kanë luftuar shqiptarizmin. E kanë thënë Rilindasët tanë, nuk e them unë këtë zbulim të shekullit. Tekefundit, e ka vërtetuar edhe historia. Edhe një herë e përsëris: me nënshkrimin e hoxhallarëve pas Luftës së Dytë Botërore viset shqiptare në mënyrë “vullnetare” nuk i janë bashkuar Shqipërisë. Me “misionin e shenjtë” të hoxhallarëve të rrejshëm, shumë “turq mysliman” nga këto troje etnike, janë shpërngulur me gjithë familje në Turqi.

        E kam fjalën: edhe e sotmja i ngjanë të djeshmes famëkeqe. Shkaku: edhe sot si dje haramët “mysliman” duan me zor dhe forcë t’i bëjnë fetarë shqiptarët. I përdorin të gjitha metodat komuniste si dikur në kohën e Turqisë: me fe, mjete materiale dhe forcë policore të na asimilojnë e përzënë në Turqi. Ose: përsëri nën thundrat e Turkut, në robëri. Vallë, nuk i shihni, apo u janë qorruar sytë se, si e përhapin gjuhën e huaj, kulturën turko-arabe, veshjen e zakonet arabo-aziatike. Në vend të shkollave shqipe, ndërtojnë xhamia me dy e katër minare. Librat shqip i kanë zëvendsuar me qitapë arabë.

       Përmëkeq, sllavët i përkrahin nëpërmes shërbimeve sekrete antishqiptare. E sidomos, kur janë në pyetje shkollat shqipe. Kultura shqiptare. Policia i merr edhe në mbrojtje si të rrezikuar nga “shqiptarët e pafe”. E them këtë me plot gojën se, mua më ndodhi një incident fetaro-policor: person i panjohur si i tërbuar më sulmon  pas shpine në rrugë me preteks se: gjoja ia paskam ofenduar pejgamberin Muhamed a. s. Merreni me mend: njeri që nuk e njeh, nuk e ke shikuar keq, nuk ia ke shkelur rastësisht këmbën, nuk ia ke zënë rrugën. Po, ja sipas mendjes së tij turko-arabe dhe shërbimeve sekrete antishqiptare, ti këtij rrugaçi “mysliman” ia ke zënë Hënën.

       Përmëkeq, ti kur e paraqet rasitn në polici se, papritmas je sulmuar nga person i panjohur, policia atë e merr në mbrojtje. Thotë: ty duhet të të bëjmë aktpadi se e ke provokuar i pari besimtarin e Allahut në rrugë.

       Dhe, edhe pse e kam paraqitur rastin në polici, edhe sot e kësaj dite nuk është zbuluar ky veprim misterioz. Atëherë, ku është problemi: te unë si shkrimtar, apo te rrugaçët “mysliman” si bashkëpunëtorë të policisë sekrete sllave?!…

       Edhe, më afrohen plot punë: unë t’i gjuaj hajdutët në popull, t’i ushtroj rrugaçët “mysliman”, jo nëpër klube të boksit, po në rrugë. U them: unë kam punë. Edhe atë: 24 orë. Momentalisht, punoj për veten: libra. Vetëmse, punoj pa lek. Nuk e kam ende mendjen të shitem me para. Hajdutët i keni të punësuar në Qeveri. Edhe rrugaçët “mysliman”. I mbani gjallë qe njëzetë vjet me radhë: skertetarë partie, ministra, deputetë, ambasadorë, drejtorë, analistë politik… Fatkeqësisht, ndonjëherë ulen edhe me mua në tavolinë të pinë kafe. Më dhimbsen si të “papunë”, gjoja i ka harruar Nëna Parti t’i fus në listë. U paguaj edhe kafe. Por, kur i pyes se ku punojnë, më përgjigjen: në Qeveri. E mirë, a nuk mund të ndryshoni ju aty diçka me punësimet, mos dërgoni nëpër institucione të shtetit gjysmanalfabetë?! Përgjigjen: ne aty kemi shumë pak ndikime, nuk na pyesin, ne nuk shkojmë edhe në punë. Vetëm, i marrim rrogat pa punë. Tmerrohem, pse u kam paguar kafe, nuk e meritojnë haramët.

       Ec, e mos pëlcit nga kurrizi! E provokoj shtetin “demokratik”. Ndonjëherë, duke ecur edhe kundër ligjit. Po, ky shtet “demokratik”, siç duket është i “mençur”. E kam thënë njëherë në një shkrim timin: “Shtet i mençur”. E provokoj që të më rrasi në burg. Edhe unë t’i provoj ato mure, t’i mbush me poezi! Përmëtepër, nga miqtë e mi ish të burgosur politik kam dëgjuar se, burgu i Idrizovës e ka Bibliotekën më të pasur me libra në gjuhën shqipe në Evropë. Nuk do. Dhe, nuk do shteti “i mençur”.

       E unë, edhe në këtë shkrim, vazhdoj ta provokoj këtë shtet “demokratik”: të më rras në burg. Shkaku: Unë jam në burg. Dhe, dua të dal në Liri!...



(Vota: 47 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora