Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Hajdari: Fate luftëtarësh që ranë në mbrojte të atdheut

| E merkure, 05.12.2007, 07:09 PM |


Fate luftëtarësh që ranë në mbrojte të atdheut

NJË “LETËR E DJEGUR” PËR LUFTËTARIN E SHQIPËRISË ETNIKE

Varri i tij mbeti i hapur përplot gjashtëdhjetë vjetë. Ka mbetur peshojë e rëndë, vrragë në shpirtin e nënës Ajne që e kërkoi për tërë jetën birin e saj. ”E kam pasë djalë azgan”, thoshte ajo, ndërsa kur bënte be thoshte: “Pasha bjeshkën ku m’ka metë djali”. Kjo bjeshkë e tmerrshme, si hije e zezë apo si mallkim, athua si do të jetë përfytyruar në shpirtin e sytë e nënës Ajne?!...

Nga Ilir Hajdari

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, solli në pushtet komunistët dhe lavdinë e tyre vëllazërim-bashkimiane, titoiste etj., ndërsa të tjerët, shqiptarë patriotë, që kishin qëllim prej zemre e mendje të shëndoshë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, u lanë në harresë. Dëshmitë për ata njerëz që ranë në altarin e lirisë, kanë ardhur të zbehta pas më shumë se gjashtë dekadash. Vijnë disi të mjegullta ato ngjarje të lavdishme të historisë sonë, të asaj historie, heronjtë e së cilës deshën ta bënin Shqipërinë. Ata u persekutuan, u dënuan e të tjerëve iu mohua sakrifica e bërë për atdhe, thënë shkurt u anatemuan nga sistemi komunist, sistem i cili solli ricopëtimin e krahinave shqiptare.
Një “epitet” i mohimit për sakrficën ndaj atdheut si “dekoratë”, dekada me radhë iu nda edhe luftëtarit Hajdar Jupë Hajdari nga fshati Bec, komuna e Gjakovës, ku, për plot gjashtëdhjetë vjet u la në harresë, pa titull si dëshmor i kombit, pa merita për sakrificën, ndërsa për familjarët asnjë
përgjigje për humbjen e birit të tyre. Nga të dhënat e familjarëve, mësojmë se Hajdar Jupa u lind në fshatin Bec në vitin 1915. Si djali më i madh i Jupë Hajdarit dhe i nënës Ajne ai u kalit me traditën dhe idetë përparimtare nga gjiu i kësaj familje. Gjyshi i tij, Hajdar Kameri, ka qenë burrë me zë në këto anë. Kulla e tij është djegur disa herë nga armiqtë e vendit. Bajram Jupa (1930), vëllau më i vogël i Hajdarit, shpalos kujtimet e dëgjuara nga të tjerët për gjyshin e tij. “Babgjyshi, qysh thojke baba, ka liftue kunraj turkijes. Asht kanë i varruem. A kanë trim i madh e s’ju ka trem syni. Kur asht majt ni mledhje n’Junik me udhëheqësat e atëhershëm, asht kanë edhe babgjyshi aty. Gjithkah asht shku për me i nimu vatanit. Emni i tij asht i shkruem n’derë t’Stamollit. Edhe kisha e Becit asht maru prej gurëve që i ka sjellë për ndërtimin e xhamisë, po nuk e di se pse u maru kisha e jo xhamija. Kjo ka ndodhë në kohën e austro-hungarisë”. Si fëmijë Hajdari kishte përjetuar rëndë plagët e të jatit nga plumbat e pushtuesve. Babai i Hajdarit, Dërvish Jupa, nga këto përplasje me armikun kishte marrë 36 plagë në trupin e tij. Bajram Jupa kujton momentet se si në odën e burrave vinin njerëz me nam në këto anë si: Qel Shabani, Maxhun Nimani, Mehmet e Adem Aga nga Rashkoci etj. “Ata vishin n’kullen tonë se e nishin veten ma t’sigurt edhe se baba asht kanë trim i madh. Kush nuk ka mujt me ia ba fjalen dysh. Për të njajtën ditë asht ba myhyb edhe dervish, baba. Ksisoji rrallë ka bo vaki naj kund”, rrëfen në mënyrë modeste plaku, Bajrami, i cili mezi mundohet të kujtojë ato ngjarje të shkuara. Kulla e familjes së Jupë Hajdarit ishte halë në sy për armikun. Disa herë është bastisur shtëpia dhe janë maltretuar djemtë, me pretekst se në këtë kullë ka kriminel të strehuar dhe në kërkim të armëve. Në masakrën e prillit të vitit 1941, në Bec, ku serbët vranë mbi 20 vetë, gra fëmijë e pleq, dhe ku kishin djegur e plaçkitur mbarë katundin, gjyshja e Hajdarit, Shake Gashja, kishte qënduar në oborr duke e parë shtëpinë tek po digjej, ndësa familjarët e tjerë të kullës kishin braktisur katundin dhe kishin ikur kush kah të munden për t’iu shpëtuar masakrave serbe. Për gjyshën e Hajdarit thonë se ka qenë me nam. “N’shone rrugën se po vjen Shake Gashja”, kujton Zizë Sadikja (bijë e Zhrellës), bashkëshortja e Hajdar Jupës, këtë moment interesant kur ajo shkonte nëpër dasme e konagjeqe e kah mos me kali e me kobure n’shokë. Fillim vitet e Luftës së Dytë Botërore e gjejnë Hajdar Jupën të angazhuar si vepimtar e bashkëpunëtor i organizatës Balli Kombëtar. Në këtë fomacion bënin pjesë edhe burra e trima të tjerë nga Beci: Musë Sadiku, Dërvish Myrta, Din Mehmeti, Fazli Azllani, Dulë Sadiku, Prekë Shabani, Mëhill Ndou, Ukë Sokoli, Rrustem Delia, Ali Binaku, Isuf Musa, Fazli Ahmeti, Dervish Isufi, Rexhep Zeneli, Ramë Isufi, Bajram Musa etj. Zizë Sadikja, e cila është martuar në moshën 19 vjeçe me Hajdarin, kujton momentet kur kanë jetuar sëbashku me bashkëshortin e saj. “Kemi jetu vetëm pesë vjetë me burrin. Djalin e kam pasë 4 vjeç kur Hajdari ka marrë rrugën për në luftë. Ai asht kanë SS me uniformë të gjermanëve. Ma s’pari asht kanë n’kazemen e Pejes. Aty ka nejt nja ni gjys viti. Asht ardh nja dy her me na pa n’shpi. Uniforma e tij asht kanë e verdhë. Pushkë e allti i mante me veti. Shoqni ma t’madhe ka pasë me Halil Dulën e Zhdrell’s. Me ta (Halilin) janë kanë n’ kazerm t’Gjakovës. Mas gjasht muajsh që ka nejt n’Pejë ka ardh në kazermën e Gjakovës. Hasani (vëllau i dytë me radhë i Hajdarit) ia qojke bukën mëngjes për mëngjes n’kazerm. Rrugën e bajke herë me kali e herë me kamë. Ni ditë kur Hasani ia qon bukën, nuk e gjeti aty. E kishin pasë qu për në Pej”. Për këtë moment të transfeimit nga kazerma e Gjakovës në atë të Pejës, ka treguar Halil Dula, i cili atë natë kishte ikur nga kazerma dhe, sikurse tregon ai, e kishte lutur Hajdarin që të ikte edhe ai, por ky nuk kishte pranuar të bënte një veprim të tillë. Nëna Zizë rrëfën në vazhdim se si nga kazerma e Pejës e kishin dërguar në kufirin me Malin e Zi. “Prej Pejës e kanë qu në front kah Cërna Gorja, qysh thojshin. Kalun do kohë e na e prunë “letren e djegun””, shpalosë kujtimet e atyre viteve të vështira, plaka e urtë dhe e fortë, e cila jetoi që ta rrisë të vetmin djalë, Selimin, e tani i përkundë fëmijët e nipit e të mbesës. Ruke Hajdari (vjeç, 70), motra e Hajdar Jupës, evokon kujtimet e nënës së saj. “Vëllau i jem e ka pasë armën ma të randë e me rrethatore anemanë gjoksit. Nëpër tana luftat që janë ba atë kohë, qysh thojke nana jeme, ai asht kanë në vijën e parë të frontit, sepse asht kanë i zoti. Ka mytë shkije sa ka mujtë derisa ju kanë hargju krejtë fyshekët. Aty ka mbetë i vramë”. Një bashkëluftëtarë i Hajdar Jupës, Zymer Luma nga Cërmjani (tani i ndjerë), i cili kishte qenë në ato beteja të ashpra thotë se: “Kur jemi tërhjekur nga pozicionet tona të frontit e kam parë Hajdarin të vrarë bashkë me shumë të tjerë. Aty i kemi lënë të gjithë të vrarët dhe nuk jemi kthyer kurrë më që ti varrosim”. Në këtë luftë, që u zhvillua në vitin 1943-944 në Shekullar, kanë marrë pjesë tre batalione dhe njësi tjera civile të organizuar për mbrojtjen e kufirit shqiptar nga depërtimi i çetnikëve serbë në Kosovë. Bajram Jupa thotë se batalioni SS gjerman i Gjakovës, në të cilin bënte pjesë Hajdari, ka qenë duke marshuar përgjatë një lugine në mes bjeshkëve. Në ecje e sipër, ky batalion është ra në pritë nga komunistët çetnikë serbë
e malazez me ç’rast është gri po thuajse i tëri. Për këtë dhe beteja të tjera të ngjashme, ingjinier Xhafer Deva do të shkruante më vonë: “Mal më bëhej zemra kur shikoja ata shqiptarë që lëshoheshin drejt vekjes me aq dashuri, sikur të shkonin në dasmë”. Pas vrasjes së Hajdarit, shtëpia e Jupë Hajdarit ka qenë halë në sytë e komunistëve. Është bastisur disa herë gjatë luftës dhe pas saj. “Cetniktë erdhen edhe i morën djemtë, Hasanin edhe Zymerin dhe nuk e dijë se kah dojshin me i qu. Nana Ajne e n’shoj qenin dhe vrapoj mbas djemve që t’i ndalte. Nga shtëpia e deri mi Vojsa, ka shku pas djemve derisa i ka kthy në shtëpi”, tregon Bajram Jupa, i cili kujton se në atë kohë edhe vëllai tjetër, i treti me radhë, Hyseni, kishte qenë ushtar i patizanëve, në të njëjtën qetë ku bënte pjesë edhe heroina Ganimete Tëbeshi. Vrasja e Hajdar Jupës ishte një nga atao vrasjet e shumta që kanë ndodhur ndër shekuj te shqiptarët, për ruajtjen e atdheut, për të mos e koritur bajrakun, familjen dhe vetveten. Ai ra dëshmorë pa e tradhtuar atdheun, shokët, pushkën, betimin që e kishte dhënë para flamurit, ku e kishte veshur unifomën e ushtarakut për t’i shërbyer qoftë edhe një ditë të vetme atdheut e po qe nevoja edhe të vdiset pë të në fushën e nderit, që armiqtë e vendit të mos e zaptojnë tokën arbërore. I frymëzuar deri në dhembje, poeti i madh At Fishta do të shkuante kohë më pëpara: “Më mirë dekun e n’dhe me kja, se pë t’gjallë me mbetë nën shkja”.
Pra, Hajdar Jupa, tama si në vagjet e Fishtës, pranoi që të vdiste më përpara se të jetonte i gjallë nën robërinë e Serbisë fashiste. Varri i tij mbeti i hapur përplot gjashtëdhjetë vjetë. Ka mbetur peshojë e rëndë, vrragë në shpirtin e nënës Ajne që e kërkoi për tërë jetën birin e saj. ”E kam pasë
djalë azgan”, thoshte ajo, ndërsa kur bënte be thoshte: “Pasha bjeshkën ku m’ka metë djali”. Kjo bjeshkë e tmerrshme, si hije e zezë apo si mallkim, athua si do të jetë përfytyruar në shpirtin e sytë e nënës Ajne?!... Deri vonë e kanë pritur se ai do të kthehet. Nuk kanë besuar se është vra. Babai
i tij, Dërvish Jupa, e ka kërkuar gjithandej qoftë edhe varrin e tij, por më kot. Mbeti vetëm krenaria bashkë me dhembjen. Te shokët mbeti shembull se si duhet të vdiset për atdheun. Gjaku i tij u bë fryt i vazhdimësisë së luftës për liri, ndërsa varri i tij gjurmë e pashlyer në ndërgjegjen historike.