E shtune, 20.04.2024, 10:59 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shkodër, Zbulohet varreza e të vrarëve nga komunizmi

E diele, 18.07.2010, 07:57 PM


Prek Cali
Prek Cali
Nga Brikena Shllaku

 

SHKODER -Zbulohet një varr masiv i viktimave të komunizmit në qytetin e Shkodrës. Të paktën kështu kanë deklaruar dje drejtues të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë për rrethin e Malësisë së Madhe. Kreu i kësaj shoqate, Agustin Leka pohon se bëhet fjalë për 14 të pushkatuar, eshtrat e të cilëve ndodhen në afërsi të varrezave të Rrmajit në Shkodër. Në një intervistë dhënë për "Gazeta Shqiptare", Leka thotë se janë gjithsej 70 të pushkatuar në vitet 1945-1948, eshtrat e të cilëve kërkohen nga familjarët e tyre. Ndërsa pretendon se që prej disa muajsh dinë vendin ku janë varrosur 14 prej tyre. Ndërkohë, përfaqësues të shoqatës në fjalë thonë se ndonëse janë në dijeni të varrezës masive, nuk mund të bëjnë zhvarrimin e eshtrave pa lejen e Ministrisë së Brendshme. Ata sqarojnë se kanë bërë kërkesë pranë këtij institucioni, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

 

Ju keni bërë një punë të madhe në lidhje me identifikimin e të pushkatuarve nga diktatura për zonën e Malësisë së Madhe. Cilat janë shifrat që bëni publike?

 

Malësia e Madhe është ndër zonat më të ndëshkuara nga diktatura komuniste, me numrin më të madh të të pushkatuarve për frymë popullsie. Numri më i madh i të vrarëve ka lidhje me kryengritjen e Postrribës, me kryengritjen e udhëhequr nga Prek Cali, si dhe pjesa tjetër janë klerikë. Këto pushkatime kryesisht u përkasin viteve 1945-1948. Ne kemi gjetur varret e 176 personave, ndërsa kanë mbetur akoma u gjetur dhe 70 të pushkatuar.

 

Keni kërkuar ndihmë për gjetjen e eshtrave të 70 të pushkatuarve?

 

Sigurisht që ende vazhdohet të kërkohet për të gjetur varret e të ekzekutuarve pa gjyq. Ne bashkëpunojmë ngushtë me familjarët e këtyre viktimave. Por na vjen keq që deri tani nuk kemi gjetur ende trupat e tyre. Më e keqja është se edhe në ato raste ku arrijmë të gjejmë vendndodhjen e varreve, nuk mbështetemi nga strukturat shtetërore për të bërë zhvarrosjen e tyre.

 

Çfarë varresh keni gjetur dhe pse nuk mund të bëhet zhvarrosja e tyre?

 

Falë një bashkëpunimi shumë të mirë mes shoqatës të cilën unë drejtoj, familjarëve të viktimave të komunizmit dhe dëshmitarëve okularë të ngjarjeve të asaj kohe, kemi gjetur një varr masiv të 14 të pushkatuarve pa gjyq nga diktatura. Ne jemi të sigurt se bëhet fjalë për të pushkatuarit e vitit 1948. Ky varr është treguar nga dëshmitarë okularë. Problemi qëndron se nuk mund të bëjmë gërmime për të bërë zhvarrosjen, sepse duhet leje nga Ministria e Brendshme. Kemi bërë shkresa dhe ende nuk na është kthyer përgjigje nga drejtuesit e kësaj ministrie.

 

Ku ndodhet varri masiv, ku ju besoni se do të gjeni eshtrat e 14 viktimave të komunizmit?

 

Varri masiv ndodhet pas varrezave të Rrmajit të Shkodër. Kemi muaj që jemi në dijeni të vendit ku janë varrosur 14 pjesëtarë të kryengritjes së Prek Calit, të cilët u pushkatuan në brigjet e lumit Kir.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora