E enjte, 28.03.2024, 10:00 PM (GMT)

Editorial

Ilir Vata: Kanuni “kodi”, që vret në kohë moderne

E premte, 16.07.2010, 09:00 PM


Kanuni “kodi”, që vret në kohë moderne

 

Nga Ilir VATA

 

Në trojet shqiptare, që moti rrojnë dymbëdhjetë kanune të ndryshme dhe në mes  tyre qëndron ai i Lekë Dukagjinit, që vret edhe në ditët tona, duke sfiduar dhe ligjet e kohës.

Ky tabu i rëndë është mbartur mes shqiptarëve me dhimbje e barrë peshuese, për vetë faktin se shteti shqiptar për gjatë historisë së tij ka qenë i brishtë. Është e vështirë të ndërmarrësh një studim, apo të hedhësh hipoteza për të drejtën zakonore, pasi jo vetëm shqiptarët dhe jurisprudenca, por dhe studiues të huaj ende nuk kanë dalë në një konkluzion definitiv përsa i përket të drejtës zakonore shqiptare, që bazën e ka te kodifikimi, Kanuni i Lekë Dukagjinit. Faktet historike janë akoma më bindëse përsa i përket ekzistencës së këtij kodi. Që në kohën e ndarjes së perandorisë Romake, Shqipëria, u sundua nga Roma dhe Bizanti, më vonë nga sllavët, perandoria osmane, dhe pushtetin e tyre e vendosën njëherazi duke mbajtur në legjislacion edhe të drejtën zakonore shqiptare, që më vonë u kodifikua në kanunin e Lekë Dukagjinit. Këto ligje të heshtura janë trashëguar nga brezi në brez, dhe sot ato janë aktivë në shumë treva shqiptare. Baza e burimi në kanunet tona është morali i mirë, zakonet që janë trashëguar nga të parët, arritën të përmblidhen në një kanun që dhe sot është në bibliotekat e shqiptare. Në të vërtetë, kanuni është një kryevepër gjashtëqind vjeçare, që ka sfiduar edhe legjislacionet, që në kohën e Bizantit (siç edhe e përmendëm) dhe në aspektin historik e studimor ai është ikonë e vjetër, që ruan vlera të mëdha. Por më e frikshmja, qëndron në faktin së kanuni nuk rrin në bibliotekë, por në memorien e shqiptarëve dhe në çdo hap që hedhin shqiptarët “modernë”, kanuni ka forcën e tij të heshtur. Dhe drama fillon pikërisht këtu kur ky tabu zgjohet në ndërgjegjen e njerëzve dhe shndërrohet në një përbindësh duke vrarë jetë njerëzish edhe të pafajshëm. Kanuni, i kodifikuar nga Lekë Dukagjini ka një gamë të gjerë e gjithëpërfshirëse qoftë në aspektin civil qoftë dhe në aspektin penal. Por pikërisht në aspektin penal ai ashpërsohet përtej njerëzores. Nderi vlerësohet si një nga vlerat që paguhet vetëm më gjak (që do të thotë nëse preket nderi) kanuni të detyron që të hakmerresh. Gjithashtu sanksionet penale të kanunit venë nën gjakmarrje problemet e pronësisë dhe të besës së thyer, por nën gjakmarrje janë vetëm burrat. Të tjerët janë të detyruar të ngujohen në kullat e tyre. Ndonëse e drejta penale në vendin tonë ka ekzistuar, gjithmonë është sfiduar nga kanuni i Lekë Dukagjinit, përsa i përket gjakmarrjes. Sot në kodin penal është hequr dënimi me vdekje, kanuni vret përsëri, pra nuk ka as reformim dhe as civilizim për shumë krahina përsa i përket kanunit. Rastet e gjakmarrjes janë të shpeshta, por dramat që sjell hakmarrja janë të paimagjinueshme. Rasti më dramatik është ai i një të riu, Glisenko Miftaraj, ku që në emër sjell një kohë moderne, por koha e ka tunduar duke u bërë pre e një gjakmarrje. E pse?! Thjeshtë se dashuronte një vajzë. Dramaciteti i kalon kufijtë, kur pas dashurisë dhe premtimit për martesë, gjithçka do të shuhet. Historia nga njëra anë është tronditëse dhe në anën tjetër ajo merr përmasat e një tragjedie. Dashuria disa vjeçare e çiftit do të shuhet nga familja e vajzës, pasi babai i saj, si patriark dhe jashtë kohe, udhëhiqet jo nga dëshira e vajzës dhe e djalit, por nga morali dhe nderi i humbur dhe një ditë i del para Glisenko Miftaraj dhe i thotë që do të të vras. Nga ajo ditë djali nuk u pa më me vajzën dhe vajza u martua me një djalë tjetër, por ndodhi ajo që nuk pritej. Vajza kishte humbur virgjërinë dhe tashmë Glisenko do të përballej më kanunin, pra gjakmarrjen. Kështu në shtator 2008 dikush nga familjarët e vajzës qëlluan me armë, por fati e shpëtoi. Më pas, gati një vit më vonë, në prag të krishtlindjeve e pikërisht më 22 dhjetor 2009 rreziku merr përmasa më të mëdha, gjaksi mbetet në tentativë për t’i djegur shtëpinë. Dhe të gjitha këto për një dashuri që nuk përfundoi. Askush në botën e qytetëruar nuk do të besonte se ende në Ballkan, në mesë të Europës ka raste të tilla, por faktet tregojnë se civilizimi po gërryhet nga primitizmi që po lulëzon në disa trevat shqiptare. Të gjitha krimet kanë si bazë hakmarrjen edhe nëse një qytetar vret pa dashje me makinë në rrugë, përveç përballjes me drejtësinë, personi duhet të vihet në shënjestër nga gjakmarrja që ndiqet me korrektësi nga familja e viktimës. Alarmant është fakti se në vendin tonë ka qindra fëmijë të ngujuar dhe qindra familje të larguara jashtë vendit për shkak të hakmarrjes. Fakti se gjatë kohës së diktaturës gjakmarrja u shua në aparencë dhe censura e shtetit nuk linte shumë hapësira, gjaqet u falën parimisht, por pas viteve ’90-të, ku shoqëria shqiptare u hap drejt vendeve perëndimore dhe përveç lirive të tjera rimorëm si vlerë përsëri gjakmarrjen. Trevat më të prekura janë ato të Malësisë së Shkodrës, Malësisë së Madhe, Kukësit, Dibrës, Matit, Kurbinit dhe gjithë zona verilindore. Por nuk mund të lësh në një anë edhe ato të Shqipërisë mesme dhe të jugut, shtuar dhe faktit se pas lëvizjes së lirë pas 1990-tës zonat u bënë heterogjenë dhe është e vështirë të bësh dallime. Ngjarje të tilla janë të shumta dhe sot janë qindra familje, që ndiqen nga gjaksi dhe qindra fëmijë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Poshtë kullës së gurtë është gjaksi, ndonëse në kullë gulçojnë zemra fëmijësh nga frika e jetës. Por kjo është vetëm një përballje me friken dhe jetën, por pasojat sociale vijnë në vijim. Asnjë nga fëmijët e ngujuar nuk arsimohet duke shënuar kështu një vdekje të heshtur dhe afatgjatë. Shteti dhe drejtësia janë mjaft indiferent dhe të pafuqishëm, ndonëse disa shoqata të huaja janë përqendruar në Zadrimë dhe Shkodër për të strehuar dhjetëra fëmijë që janë të ngujuar. Qendra e Zadrimës është e financuar nga kisha dhe një shoqatë italiane, por ky rast është vetëm një ogur i mirë përballë këtij problemi social të egër e primitiv. Nuk ka një statistikë të saktë për krimet që janë shënuar nga gjakmarrja, por dihet që shumica e krimeve kanë si fillesë gjakmarrjen. Sot janë përafërsisht rreth 700 familje të ngujuara për hir të një riti të vjetër vrasës. Kanuni në thelb është një kushtetutë primitive që është miratuar në heshtje, por çudia qëndron në faktin se ai vret në kohë moderne si 600 vjet më parë.



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora