E merkure, 24.04.2024, 09:56 AM (GMT+1)

Mendime

A erdhi dita kur "Kosova e pavarur" varet nga kosovarët?

E hene, 03.12.2007, 07:27 PM


Nga Eda Derhemi

Në shtator të 1991-shit, Parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës nga Serbia, e cila u përforcua më pas me një referendum popullor, me pjesëmarrje absolute të shqiptarëve në të. Kjo, pasi Millosheviçi në ‘89-ën e detyroi me forcë Parlamentin e Kosovës të pranonte amendamentet e Kushtetutës Jugosllave, që eliminonin de facto autonominë e saj, e pasi Parlamenti në kushte gjysmëilegale rebelohet e shpall Kosovën republikë në korrik 1990. Në mënyrë simbolike, pavarësia u shpall gjithashtu pak muaj më parë edhe nga disa grupe veprimtare të shoqërisë civile kosovare, të cilët kryen këtë akt në protestë të stërzgjatjeve në vendosjen e statusit. Madje, ato ditë, në një reportazh në shtyp, thuhej se shtëpitë e sheshet e Kosovës po zbukuroheshin për të pritur pavarësinë. Po këto i bie të jenë thjesht gjeste ekzibicionizmi kombëtar, sepse Kosova do të jetë e pavarur, veç kur të thonë kështu ata që s‘janë kosovarë.

Këto ditë, kur flitet vazhdimisht për Kosovën, dëgjojmë të bëhen pyetje e të diskutohen çështje që duket sikur anashkalojnë ose marrin si të dhënë një kusht bazë, pa të cilin debatet do të ishin thjesht një kënaqësi teorike: "A është gati Kosova për të qenë e pavarur"; "a ka Kosova kapacitet shtetformues"; "çfarë do bënin Serbët sikur të shpallej pavarësia e Kosovës"; "do bashkohej Kosova me Shqipërinë pas shpalljes se pavarësisë"; "çdo ngjajë në Mitrovicën e Veriut kur Kosova të shpallë pavarësinë"... Këto pyetje janë të gjitha logjike e me shumë vlerë sikur të dinim diçka: "A do ta shpallë, në fakt, Kosova pavarësinë kësaj radhe?", apo do na thonë rishtas se faktori ndërkombëtar kërkon që të presim edhe ca, ose ka dalë me një shpikje tjetër për të shtyrë ndryshimin e statusit. Nëse s‘kemi as më të voglën ide se si t‘i përgjigjemi kësaj pyetjeje bazë, atëherë diskutimi i të tjerave është si të rrahësh ujë në havan.

Por, kësaj radhe, sido që mediat nuk kanë mundësi të parashohin si do të shkojnë punët me statusin, ato kanë mundur të krijojnë një vlerë të re gjithëkombëtare. Kjo energji mediatike ia doli kësaj radhe t‘i prijë opinionit publik e të krijojë një valë pozitive shqiptarie, që është njëkohësisht një ndjenjë përgjegjësie e qytetarie ndaj njëri-tjetrit. Fokusimi i mediave në çështjen e statusit dhe mençuria e udhëheqësve kosovarë për të mos e diskutuar në këtë fazë çështjen e një bashkimi eventual me Shqipërinë, i kanë bashkuar shqiptarët kudo qofshin ata nëpër Ballkan. Por, një energji e tillë nuk është hera e parë që shpaloset si nga gazetarët e Kosovës, si nga ata të Shqipërisë, por më pas lihet të humbasë në erë. Sepse, ato forca, që në fakt kanë në dorë edhe gurin, edhe arrën, pak ndikohen nga diskutimet tona. Kjo varësi e gjithë procesit nga faktorë të jashtëm ndihet edhe nëpër faqet e shtypit kosovar dhe shqiptar. Kjo duket te paraqitja më e gjerë, e hollësishme dhe më prioritare për nga rëndësia, e zërave të huaj të angazhuar në diskutimet e statusit të Kosovës, si dhe përshkrimi i ngjarjeve lidhur me këta zëra kryesisht nëpërmjet opinioneve e editorialeve, në krahasim me ngjarjet brenda Kosovës, që zakonisht paraqiten nëpërmjet raportimesh të thjeshta.

Por, nënvlerësimi i asaj që mund të bëjë Kosova vetë, është para së gjithash një dukuri e realitetit kosovar, jo veç e mediave. Dhe ky pajtim i politikës dhe mediave në këtë pikë veçse e thellon problemin. Në procesin e bisedimeve për statusin vërehen shenja pafuqie dhe inferioriteti nga ana e udhëheqësve kosovarë dhe sidomos ekipit të unitetit. Sot, ata premtojnë rishtas, siç kanë bërë edhe shumë herë në të shkuarën, se sapo të përfundojë procesi negociator, do të shpallet pavarësia. Por, a do ta mbajnë fjalën kësaj radhe? Tani ia morëm dorën të gjithë: sapo përfundon një raund bisedimesh, nis tjetri në formë zinxhiri. Ende kujtoj fotot e botuara në një të përditshme shqiptare në korrik të këtij viti, pas deklaratës së A. Cekut, se Kosova do ta shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme nëse Këshilli i Sigurimit dështon në kalimin e një rezolute për njohjen e saj. Administrata amerikanë reagoi menjëherë, duke e qortuar rreptë këtë veprim të pamatur. Në faqen mbi Kosovën shihet një foto e sekretares amerikane të Shtetit, Rice, e vendosur lart me një fytyrë si një mama e zhgënjyer e pak kërcënuese dhe fotoja e Cekut, e vendosur më poshtë me një pamje çunaku fajtor e të turpëruar. Një skenar i ngjashëm ishte edhe ky i tanishmi ditën pasi u bë e qartë se PDK-ja fitoi zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë. Thaçi, pa humbur kohë deklaron se pavarësia do të shpallet shpejt pas 10 dhjetorit. Menjëherë vijnë reagimet ndërkombëtare se "tani ai nuk është më në opozitë, e duhet të sillet si Kryeministri i ardhshëm". Më pas reagimi i Thaçit dhe grupit të unitetit si kurdoherë më parë, djem të mirë e të bindur: të gjitha veprimet tona do të kryhen në marrëveshje me forcat ndërkombëtare, SHBA dhe BE.

Pa dyshim, Kosova, sot më pranë zgjidhjes së statusit se kurrë, e do mbështetjen e SHBA-së e BE-së dhe e di se pa këtë s‘ka pavarësi. Por, përfaqësuesit politikë të një krahine që kërkon së shpejti të jetë shtet i mëvetësishëm, duhet të sillen në mënyrë dinjitoze e të mos bëhen pre e interesave dhe trysnive të brendshme dhe as e luftës për pushtet, që i detyrojnë të duken joserioze në deklaratat e tyre. Nëse premtimeve ende s‘u ka ardhur koha, atëherë të mos i japin fare, ose të bien dakord me ata nga të cilët varen e pastaj t‘i japin, ose së paku të mos vendosin data për realizimin e këtyre premtimeve. Kur një burrë shteti deklaron diçka, mendohet që nuk ishte një trill i tiji, ndaj dhe pritet ta mbrojë tezën e vet ose të justifikojë bindshëm rënien e saj. Respekti ndaj tij dhe vendit që përfaqëson lidhen edhe me këtë aspekt, sidomos kur mbron një aspiratë të drejtë. A duhet ta ketë Kosova pavarësinë? Gjithkush tjetër në ish-Jugosllavi me përmasat dhe me përbërjen etnike të Kosovës e ka fituar atë ndërkaq. Për më tepër, rrallëkush në ish-Jugosllavi ka të drejtë morale më shumë se kosovarët të mos jetë më tej nën Serbinë: janë populli, që ndërsa ka përbërë shumicën e krahinës ku jeton që kur s‘mbahet mend, është trajtuar historikisht dhe aktualisht më keq se çdo kombësi tjetër ish-jugosllave; është vënë në shënjestër shekullore si nënpopull nga propaganda serbomadhem, me pasoja shumë të mëdha fizike e psikologjike, që u ndërprenë vetëm para fare pak vjetësh nga ndërhyrja ushtarake prej jashtë. Kjo dhunë tradicionale ndihet ende sot në arrogancën e deklaratave të udhëheqësve serbë në bisedimet për status, si dhe në mungesën e plotë të një ndjenje faji kolektiv apo institucional për çfarë ka ndodhur.

Një fshatar nga Kosova, i pyetur nëse do shpallej Kosova e pavarur kësaj radhe, u përgjigj: "Them se po, tani që këtë punë e ka marrë në dorë i forti". Pra, populli është atje ku ishte në kohën kur Turqia, apo Austria, apo Gjermania mund t‘i "çlironte nga serbi". Ndryshimi është se sot "i forti" ku i kemi varur shpresat, është SHBA-ja dhe BE-ja. A do të vijë ndonjëherë koha që fjala dhe vepra e udhëheqësve të zgjedhur nga shqiptarët të ketë peshë? Shqiptarët nuk duan t‘i shohin më udhëheqësit e tyre të sillen si çunakë, që s‘janë as të sigurt në atë që duan, e as të përgatitur që ta mbrojnë botërisht atë. Me sa duket, SHBA-ja kësaj radhe do ta njohë një pavarësi të shpallur njëanshëm nga kosovarët, sido që është e zënë deri në grykë me çështjet e Lindjes se Mesme. Por ende nuk dihet nëse Evropa do të pranojë të mbyllë këtu çdo përpjekje për ta sjellë Beogradin dhe Prishtinën në marrëveshje, sidomos kur ndërhyrja ruse në këtë çështje pritet të jetë edhe më agresive, tani që Putin ka marrë vrull në udhën për t‘u vetëshpallur cari ish-sovjetik i të gjithë sllavëve. Propozime të reja mund të vijnë edhe nga Trojka në raportin e tyre përfundimtar. Beogradi, në këtë moment, do me çdo kusht shtyrjen e "ditës së zezë" dhe i ka vënë të gjitha forcat për këtë. Pas 11 muajsh bisedime, nën drejtimin e Marti Ahtisarit, ia doli të shtyjë edhe një herë tjetër marrjen e vendimit. Nëse përsëri e arrin këtë, shanset për pavarësinë e Kosovës bien në përpjesëtim të drejtë me harrimin nga komuniteti ndërkombëtar të dhunës serbe mbi popullsinë shqiptare dhe të trazirave të shkaktuara nga nacionalizmi serb në ish-Jugosllavi.

Bisedimet 120-ditëshe që përfundojnë më 10 dhjetor janë ndërkaq të dështuara, ashtu siç pritej nga kushdo që nuk deshi të vetëmashtrohej e të fitonte kohë në emër të shterimit të çdo mundësie. Nëse "faktori ndërkombëtar", edhe kësaj radhe u kërkon kosovarëve të gëlltisin mbrapsht çfarë premtuan e të hyjnë në një fazë të re bisedimesh apo pritjeje, u takon këtyre të fundit të bëjnë një hap që e kanë matur shumë, por kurrë s‘e hodhën dot. I kanë dëgjuar, justifikuar e adhuruar, u janë falur e lutur ndërkombëtarëve. Është koha për të thënë "mjaft" në mënyrën më të mirë të mundshme. Problemet ekonomike, diplomatike e institucionale që mund të krijohen nga shpallja e njëanshme e pavarësisë, mbeten për t‘u zgjidhur teksa shfaqen, por ajo duhet shpallur në muajt e ardhshëm pa hyrë në faza të reja ndërmjetëse. Dhe jo për hir të nderit e të fjalës së dhënë, por sepse pavarësia është e vetmja zgjidhje që e lejon Kosovën të rinisë jetën, qoftë edhe një pavarësi fillimisht e mbikëqyrur. Dhe koha për të është tani.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora