Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Ndize dritën - Unë jam ai rrugëtari...!

| E hene, 12.07.2010, 09:47 PM |


Sejdi BERISHA

 

NDIZE DRITËN-UNË JAM AI RRUGËTARI...!

 

Natën

Shumë vonë ishte

Rrjedha e lumit më trazonte

Duke kërkuar për ta qortuar vetveten

I zemëruar më doli zëri

Pse lumi kurrë nuk i tregon fshehtësitë e veta

Kurse unë

Edhe sa beteja duhet bërë

Për ta kthyer lotin në sy

Edhe sa lutje edhe sa fjalë

Duhen për ta shëruar plagën e qiriut

Edhe sa fjalë duhen

Për t’i shëruar plagët tjera

Papritmas në atë natë të vonshme

Dikush si ma zuri frymën

Qëndro këtu thash

Për ta përqafuar tokën në vjeshtë

Për ta puthur gjethin në pranverë

 

Kjo është beteja ime

Për t’i pajtuar stinët

 

Unë jam ai, pra

Që lejlekëve ua mësoj rrugën

Për ta kuptuar kthimin

Bjeshkëve ua tregoj historinë

 

Unë jam ai, pra

Që luleve ua mësoj gjuhën

Për t’i kuptuar fjalët e tokës

Për ta qetësuar dritën e diellit

 

Në këtë afërsi të largësive

Në këtë largësi të vetvetes

Unë jam ai rrugëtari

Që nuk ka punë tjetër

Pos përqafimit të zjarrit

Që më djegë

Shkrumb më bën

Për këngën

Të cilën deri sot

Askush  kënduar s’e ka

As nuk do ta këndojë

Etja është kjo

 

Etja, o beteja ime e plaçkitur

Ndize dritën

Të ecim sërish bashkë

O, ankthi im i tradhtuar

 

Kjo është beteja ime

Stinët për t’i pajtuar