Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Afërdita Onuzi: Fustanella është kurora e asaj mbretëreshe që quhet këngë popullore

| E diele, 11.07.2010, 12:48 PM |


Flet studiuesja e trashëgimisë kulturore, Prof. Dr. Afërdita Onuzi

 

Fustanella është kurora e asaj mbretëreshe që quhet këngë popullore

Nga Albert ZHOLI

Vitet e fundit janë zhvilluar shumë Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare për polifoninë dhe këngën popullore. Në këto Festivale, përveç këngëve karakteristike, për studiuesit vendas dhe të huaj, kanë tërhequr vëmendjen edhe veshjet e individëve, apo grupeve të ndryshme. Për të pasqyruar më saktë gjeografishtrirjen e polifonisë, mënyrës së të kënduarit, vendit të zhvillimit të ngjarjeve, veçorive të veshjeve, zhvilluam një bisedë me Prof. Dr. Afërdita Onuzi.

 

Znj. Afërdita, për këngën polifonike flitet shumë për polifoninë. Lexuesi do të dijë më saktë se në çfarë territoresh shtrihet polifonia në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare?

 

Tashmë është e njohur hapësira e shtrirjes së këngës polifonike. Ndonëse forma e të kënduarit polifonik ndeshet edhe në disa krahina të Shqipërisë Veriore, sipas studiuesve të ndryshëm etnomuzikolog, ajo është zhvilluar në formën e saj klasike në territore që përfshin  fshatrat e krahut lindor  të liqeneve të Ohrit dhe të Prespës e deri në thellësi të Camërisë. Ndërkohë, kujtojmë se kjo mënyrë të kënduari ndryshon nga njëra njësi apo krahinë etnografike, në tjetrën. Ndaj dhe në popull thuhet këndojmë “devolliçe”, “kolonjarçe”, skraparlliçe”, “himariotçe”, “vlonjatçe”, etj…Të gjitha këto mënyra, të cilat paraqesin veçoritë e tyre stilistike, janë zhvilluar e ruajtur deri sot në mjedise e kushte të caktuara gjeografike, historike e kulturore. Kësisoj, vlerat e këngës polifonike, nuk qëndrojnë vetëm  në harmoninë e jashtëzakonshme, gati qiellore të zërave të marrsit, të kthyesit dhe të atyre që mbajnë ison.  Kënga polifonike shërben edhe si një burim i rëndësishëm  për dokumentin e jetës shoqërore, ekonomike e historike të banorëve që e kanë praktikuar këtë këngë. 

 Cfarë është specifike tek kënga polifonike?

Specifika e kësaj mënyre të kënduari lidhet edhe me formën e krijimit të saj. Kur mblidheshin burrat nën hijen e rrapit (që zakonisht ndodhej në qendër të fshatit), ose në tubime të tjerë, apo nëpër oda dasmash, gëzimesh të tjera si dhe në festa motmoti, ishte e pamundur të mos ia merrnin këngës. Nganjëherë fillonin si bejte midis dy personash apo dy grupe njerëzish, ku secili përpiqej të demostronte mençurinë e tij. Papritmas ia merrnin këngës, tashmë për të treguar edhe aftësitë si këngëtar. Në mënyrë edhe më të veçantë spikatnin këto aftësi, në raste dasmash apo gëzime të tjera familjare, ku herë këndoheshin këngë dashurie apo humoristike dhe sidomos ato të trimërisë. Varësisht nga subjekti dhe lloji i këngës dridhej zëri e ndryshonte mimika e këngëtarëve, madje dhe pozicioni i qëndrimit. Përveç mënyrës origjinale të të kënduarit dhe vlerave të tjera artisike që përmbajnë  këto këngë,  (me vlerësimin e të cilave merren studiues më të përgatitur se unë), për ne studiuesit e trashëgimisë kulturore, por edhe për  historianët, , tekstet e këtyre këngëve  përbëjnë një burim të rëndësishëm për të marrë informacione lidhur me mënyrën e jetesës së përditshme, veçanërisht për elementë të ndryshëm  të kulturës materiale dhe asaj shpirtërore. Po ashtu, krejt natyrshëm, nëpërmjet vargjeve të njërës apo tjetrës këngë, mësojmë për zakone të ndryshëm të jetës familjare, për ato të dasmës (mbi krye të saj, një ëyrek u thye), e të lindjes, për mikprtijen tradicionale, për dollitë dhe rregullat e tjera, për ritualet e kryera në raste vdekjesh, për ngjarje e luftime të ndryshme, për jetën ekonnomike dhe orientimin tregëtar të krahinës. Veçanërisht konsiderohen me vlerë të veçantë informacionet lidhur me veshjet e përdorura në fshatrat dhe krahinat ku është kënduar kënga polifonike, për shkak se në këtë hapësirë, veshjet popullore kanë dalë më herët nga përdorimi, krahasuar  me zonat e tjera rurale të Shqipërisë. Kjo është arsyeja që ne etnografët i vlerësojmë këto informacione dhe i kushtojmë vëmëndje të veçantë teksteve që sjellin këngët e ndryshme.

 

Polifonia ka si të veçantë edhe veshjet.. Si do ti komentonit ato?

 

 Koha kur ne u njohëm me veshjet që ende vazhdonin të qarkullonin, na i sjell gratë të veshura me tumane. Por në tekste këngësh të krijuara më herët, ato paraqiten me këmisha të gjata, apo me fustane të qëndisur, në kokë mbajnë mandile të verdhë., etj.. Në to, herë flitet për personazhe të veshur me kostume fshatare, e herë qytetare. Kështu, përmenden si pjesë veshjesh për gra linjat e gjata, të “rrahura”, në tezgjah, futat e bardha, shamitë e verdha, brucat, lëkurrcet, etj.. Kësisoj, na parakalojnë para syve të gjitha periudhat e zhvillimit kulturor të kësaj hapësire. Pra, herë informohemi për periudhat para proceseve të myslimanizmit, e herë për ato më pas. Edhe më të rëndësishëm konsiderohen informacionet për veshjen e burrave. Diku përmenden personazhe të veshur me fustanellë, e diku tjetër me këmishë “hajdutçe”. (është fjala për veshjen e komitëve), sherqet, gunat e dhirta, etj…

 

Po kur flitet për këngët e trimërisë si paraqiten në veshje dhe në këngë burrat?

 

Kur bëhet fjalë për një këngë trimërie, armët e argjenda, koburet, harbitë, silahu, etj, janë edhe më shumë të pranishme. Madje, nëpërmjet vargjeve të këtyre këngëve jemi informuar edhe për një më të hershme, të qethjes së flokëve nga burrat e kësaj hapësire.  “Cepezes”, quhen heronjtë e ngjarjeve të ndryshme të këtyre këngëve. Por jo rrallë kemi ndeshur edhe vargje ku paraqiten aspekte të ndryshëm që flasin për psikologjinë dhe mënyrën e të sjellurit të banorëve, të cilëve u pëlqen “ta mbajnë kësulën mbi sy”, të të ftojnë në duel, të dënojnë sjellje që janë jashtë normave tradicionale etj.

 

Cilat janë vendet kryesore ku zhvillohen ngjarjet e pasqyruara në këngë?

 

Jeta baritore përbën pjesën më të madhe  të subjekteve. Për këto arsye shumica e mjediseve ku zhvillohen ngjarjet e pasqyruara në këngë, janë mjedise kullotash e stanesh. Në fakt ishte më i fortë frymëzimi dhe skena më e bukur për të kënduar këngë të këtij lloji. Po kështu edhe kënga “himariotçe”, në skenën ku këndohej, e bënte valën e detit të heshtëte dhe zogjtë e malit të ndalnin këngën para dridhjes së zërave të këngëtarëve bregas. Sigurisht, këto ishin skenat ku u krijuan në zanafillë këto këngë. Në kushtet që ne sot i shijojmë, synojmë të ruajmë rrugëtimin e tyre si vlera të trashëgimisë shqiptare në kushte të tjera. Në këtë sens dëshirojmë që këngëtarët të këndojnë këngën polifonike, të tregojnë po aq  kujdes si për ruatjen dhe transmetimin e dialekteve të kësaj mënyre të kënduari edhe për veshjen e tyre tradicionale, sidomos kur marrin pjesë në veprimtaritë e ndryshme etnofolklorike qoftë brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Një gjë është e vërtetë, fustanella është kurora e asaj mbretëreshe që quhet këngë popullore.