Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fotaq Andrea: A është Napoleon Bonaparti me gjak shqiptari?

| E merkure, 07.07.2010, 08:59 PM |


A ËSHTË NAPOLEON BONAPARTI ME GJAK SHQIPTARI?

 

Nga Fotaq ANDREA

fotaq.andrea@wanadoo.fr

 

Çështja e origjinës shqiptare të Napoleon Bonapartit” mbetet përherë një tezë e turbullt, në mungesë dokumentash të shkruara. Askush deri më sot nuk ka paraqitur dokument të vërtetuar, apo referencë e citim të saktë, dhe çështja hidhet e pritet në kuadër të përgjithësimit e të retorikave.

Në vitet e demokracisë, me hapjen e burimeve bibliografike dhe arkivore, me  hapjen e syve të mendjes, do çeleshin domosdo edhe dritare të reja shpirtërore për identitete të largëta jo më thjesht të Shqiptarit historik e Ilirit pellazgjik e parahistorik, por edhe për identitete të largëta e të thella në kohë të njerëzve të shquar të Njerëzimit. E, në këtë mes, teza e “origjinës shqiptare të Napoleon Bonapartit” nuk ka munguar të lulëzojë vitet e fundit mes opinionit shqiptar, tezë vërtet entuziaste, por sakaq edhe mjaft e brishtë.

Në fakt, nuk ka si të mos intrigohemi nga serioziteti dhe këmbëngulja në parashtrimin e kësaj teze nga ana e prof. Robert d’Angély, i cili për fat të keq, në veprën e tij “Enigma”, nuk jep burimet dhe referencat e studimeve të tij, duke qenë se ai vetë, asnjëherë nuk arriti fizikisht të organizojë me themel lëndën voluminoze studimore, për efekt botimi shkencor.

E megjithatë, teza e tij, ndonëse jo e re në kohë, mund të përbëjë një fill orientues për hulumtime të mëtejshme. Themi tezë jo e re në kohë për vetë faktin se ajo tashmë është hedhur kategorikisht poshtë nga studjuesit francezë François Demartini e Antoine-Marie Graziani në veprën e tyre tepër analitike, mbështetur mbi dokumente të pasura, “Bonapartët në Korsikë”, botuar më 2001 nën përkujdesin e drejtpërdrejtë të Drejtorisë Rajonale të Çështjeve Kulturore të Korsikës. Që në faqet e para të kreut të parë “Bonapartët në Korsikë”, nëpërmjet një shënimi të gjatë, autorët tërheqin vëmendjen se një pemë gjenealogjike e Bonapartëve që i bën këta të prejardhur nga Korfuzi në fund të shekullit XVI, është tërësisisht e gabuar dhe e pabazuar, duke qenë se vetë trungu i kësaj peme gjenealogjike Bastiano Bonaparte ka vdekur tashmë në Korfuz që më 1557! Autorët konkretisht nënvizojnë: “Kjo ide e një Bonaparti grek duhet parë e lidhur me çështjen e pseudo Calomeros (emri greqisht i barasvlerë me Bonaparte), i biri i Kostandin Komnenit, ardhur më 1676 me koloninë greke, stërgjysh i drejtpërdrejtë i Napoleonit sipas fjalëve të dukeshës d’Arbantès (ndërkohë që e ëma e kësaj dukeshe ishte nga familja Stefanopuli) dhe sipas Memuareve dorëshkrim të Aspassi Calimeri... Kjo gjeneanalogji e rreme zë tërësisht vendin e vet ndër “gjenealogjitë po aq të thata sa dhe qesharake”, sipas formulës së vetë Napoleonit” (fund i citatit).

Pra, një tezë e tillë, paraprakisht me origjinë greke e Bonapartëve, hidhet poshtë jo vetëm nëpërmjet kronologjisë së fakteve që parashtrojnë autorët, por edhe nga një “deklarim i prerë” i vetë Napoleonit, veçse, për fat të keq, autorët nuk japin këtu burimin ku e si Napoleoni e ka thënë një gjë të tillë. Për më tepër, autorët janë kënaqur që të kufizojnë e rrëzojnë tezën me prejardhje greke të Bonapartëve thjesht nëpërmjet një shënimi, sado i gjatë! (f.15). 

Sakaq, prof. D’Angély tregohet edhe ai i prerë në tezën e vet për origjinën shqiptare të Bonapartëve: “Çfarëdo që është shkruar e thënë për origjinën e vërtetë të emrit dhe të familjes së BONAPARTIT, ajo nuk ka qenë as italiane, as greke, por sigurisht shqiptare dhe për ta thënë më me përpikmëri: shqiptare toske.” (“Enigma” f. 74 e bot. shqip). Ku e mbështet D’Angély këtë tezë: së pari, Bonapartët kanë ardhur nga Toskana e Shqipërisë së Jugut në Itali që në vitin 50 para Krishtit, dhe për këtë i referohet historianit të shquar Freret i cili flet për territoret e shkretuara të Epirit nga Paulus Emilius që në vitin 168 p.e.s. Së dyti, në qëndrimin dashamirës të vetë Napoleonit ndaj familjeve korsikane-shqiptare, greke-shqiptare dhe toskane-shqiptare, “kur u bënte vizita në Marsejë e kudo”, si dhe në interesimin e Perandorit për krijimin e Provincave Ilire, “sepse interesohej për këto provinca si shqiptare që ishin”, apo për provincat e Jugut të Shqipërisë, duke mbajtur lidhje dhe korrespondencë me Aliun e Janinës. Së treti, në etimologjinë  e vërtetë të emrit Bunoaparte, që u bë më vonë llagap, sepse kali meris, kalimeris, kalomeris etj, “nuk janë formime greke dhe nuk kanë asnjë arsye të jenë për rastin e përdorimit si llagap për një person; përkundrazi, ai është një llagap shqip: Kalëmiri, me një formim gramatikor të përsosur, që fare mirë mund t’i vihet një njeriu, që zotëron ose shalon një “kalë të mirë”...”(f.75). Dhe në vijim të mjaft fjalëformimeve elestike të gjuhës shqipe në këtë gjini (Kalëbardhi, Kalëmadhi, Gurakuqi, Kryeziu, Kokëdemi, etj) D’Angély që konkludon : “Mbiemri i vërtetë Kalëmiri është marrë gabimisht për kalomeros, kalimeris, etj. dhe është përkthyer jo me saktësi si Buonaparte, në vend që të jepej me anë të Buoncavallo : kalë i mirë, i bukur, që është dhe kuptimi i vërtetë i tij”.

Një ballafaqim këtu i të dyja tezave të sipërpërmendura, duket pra, jo fort i baraspeshuar, për vetë faktin se kemi të bëjmë me dy këndvështrime të ndryshme të çështjes, pra dy pikënisje të kundërta të tezës, me zanafilla të ndryshme, njëra mjaft e hershme historikisht (Toskana-Toskëria) dhe e mbështetur mbi njëfarë aftësie etimologjike të gjuhës shqipe dhe tjetra, tezë kryekëput kundërshtuese, po të kemi parasysh autorët korsikas Demartini e Graziani.

Konkretisht, këta nuk mungojnë të theksojnë me këtë rast :

Së pari, degëzimet e ndryshme të familjes Bonaparte që ka ekzistuar në Kiavari, Firence, San Miniato, Trevizo etj. nuk është se kanë një origjinë të përbashkët, dhe për këtë nuk ekzistojnë provat, por kemi të bëjmë thjesht me një mbiemër disi të zakontë, si në rastin e mbiemrit Colombo. “Madje, edhe para ardhjes së Bonapartëve në Ajaccio (Azhaksio), anëtarë të tjerë të kësaj familjeje kanë pasë jetuar në Korsikë.”

Së dyti, për herë të parë në Korsikë emri Bonaparte shfaqet në Bonifacio në fillim të shekullit XIII, ku njëfarë Bonapars i Portuveneris (Porto Venera) del i martuar në Bonifacio në vitet 1238-1253.

Së treti, lidhur me lashtësinë e Bonapartëve përmenden katër familje me këtë emër në Mesjetën e hershme, dhe emri është në fakt shumë i përhapur në Itali (sipas autorëve Stefani e Beretta). “Kuptimi i tij, nënvizojnë ata, është i diskutueshëm. Disa duan të shohin këtu një nofkë të familjeve përkrahëse të Papatit, nga ku edhe zanafilla “buon parti  (përkrahës apo mbështetës të mirë). Të tjerë, duan t’i shohin ata si të lidhur me luftërat e shumta politike të Italisë mesjetare.”

Së katërti, dhe më në fund, autorët e shohin familjen fisnike Bonaparte, me zanafillë fjorentinase (Carlo Maria Bonaparte, i ati i Napoleonit, i fisnikëruar më 1771) dhe të lidhur në aleanca të ngushta martesore me familje të tjera fisnike të Gjenovas, konkretisht me familjet Baciocchi, Colonna d’Ornanno, Colonna d’Istria, Cuneo d’Ornano, Durazzo, (Fozzani Durazzo), etj.

Nuk ka si të mos na bjerë këtu në sy familja Durazzo, duke qenë se emri Durazzo siç e quajnë Italianët qytetin e lashtë të Durrësit, është shndërruar historikisht, siç dihet, në patronim të tre familjeve të mëdha fisnike italo-albano-franceze, me degëzimet e tyre përkatëse në Sicili, Gjenova e Korsikë. Le të përmendim shkarazi këto tre degëzime : 1. Dukët e Durazzos, prejardhur nga Dinastia franke e Anzhuinëve të Sicilisë (1270-1340); 2. Dozhët Durazzo,familje e shquar e Republikës së Gjenovas themeluar nga Giorgio Durazzo (albanensis Gjergj Durrësaku, 1387); 3. Durazzot e Fozzanos, familje e madhe korsikase shpërngulur që herët nga Gjenova në Ishullin Kors.

Duke ngulmuar pak në shpjegimet e pikës katër të lartpërmendur, vërejmë se familja finsnike e Napoleon Bonapartit është pra me prejardhje nga Firenca dhe rrethinat e saj, me një fjalë, nga Toskana e famshme, ku bien dukshëm në sy analogjia Toskana-Toskëria e prof. D’Angély. Po ashtu, vërejmë se në krejt gjirin e bukur të Proprianos në Korsikë, por edhe më tej në ishull, kanë qenë vendosur Durazzot e Fozzanos, të atij fshtati të vogël malor përballë detit që më ka mahnitur me bukurinë e tij, tek qëndrova një javë të tërë nën hijet e rënda të kullave të lashta Bartoli e Durazzo, dy familjet e mëdha të fshatit të Kolomba (Carabellit), të asaj gruaje të paepur të vendetta-s apo gjakmarrjes së Prosper Merimesë.  Vërejmë shkarazi se dukuria e rrallë shqiptaro-korsikase e gjakmarrjes nuk ka munguar të vihet në dukje nga autorë të veçantë. Edhe sot e kësaj dite, pinjollë nga familja Durazzo janë atyre anëve, në trojet e tyre të lashta, duke ngritur madje buzë detit pika e qendra të bukura turistike, pa e mohuar aspak prejardhjen e tyre të lashtë durrsake-gjenovase!

Nga ana tjetër, nuk mund të anashkalohet kurrsesi fakti që prof. D’Angély në kreun “Ilirët” të veprës së tij rreshton si nëntitull: “Aleksandri i Madh, Skënderbeu, Bonaparti – kapedanë shqiptarë” (“Enigma”, f. 73). Ndokush, në çast do mendonte, pse jo, se kemi të bëjmë këtu me një ndërmarrje të guximshme nga ana e Profesorit të nderuar, aq popullor në Shqipëri. Të jetë vallë rastësi? Nuk besojmë. Dhe pikërisht analogjia Aleksandri i Madh, Skënderbeu, Bonaparti  na shtyu për hulumtime më të thella, dhe për çudinë tonë na u shfaq bukur një vepër mëse e rëndësishme e vitit 1855 : Livre d’Or de la famille Bonaparti – Etudes historiques (Libri i artë i familjes Bonaparti – Studime historike, vëll.1). Autori, përsëri për çudinë tonë, qenka një “Shoqëri letrarësh dhe publicistësh” të drejtuar nga A. Bouret i Riu, në një botim mjaft luksoz për kohën dhe të ilustruar më së miri me grafika. Në frontispicin e vepërs është vënë shënimi : “Sipas dokumenteve autentike dhe shënimeve të veçanta të mbledhura e rënditura me kujdesin më të madh nga një Shoqëri letrarësh dhe publicistësh”. Vëllimi çelet me një citat të Napoleonit : “Njerëzit e mëdhenj kanë këtë të përbashkët me Hyjnitë: që nuk vdesin kurrë... Frymë e tyre mbijeton.”

Faqet e para të shpien menjëherë në Lashtësinë greke, tek Herkuli pagan, për të bërë paralelizëm me Herkulin e shekullit XIX, Napoleonin. Përshkohen në dhjetë faqe libri etapat themelore të Historisë njerëzore që nga Bakusi, Ciriusi, Aleksandri e Atila gjer te Cezari e Karli i Madh, duke nxjerrë në pah sa krahun e pathyeshëm të ngadhënjyesit heroik Bonaparte, aq edhe mendjen e ndritur të ligjvënësit modern. Nuk do vonojë dhe do vihen në dukje zanafillat e racës së tij heroike, ku si pika kyçe do shfaqen Cezari e Kostandini i Madh. “Ndër familjet historike që përjetësonin në Romë gjakun e mbretërve të Albës e të Latiumit, familja Sylvia ishte më e madhja” , nënvizojnë autorët, që vijojnë: “Nga trungu i lashtë pellazgjik e trojan dolën familjet Julia e Flavia dhe nga kjo e fundit Kaius Julius Cezari dhe tridhjetë perandorë”, kryesisht me origjinë nga Iliria, sidomos Kaius Flavius Kostandinus (Kostandini i Madh, i pari Perandor i krishterë), lindur në Iliri më 280. Vijon më pas kronologjia historike, duke nënvizuar se më 469, një degë e familjes Flavia merr emrin Komnen, pasi Flavius Maximus mundi Komanët, që deri atëherë ishin të pathyeshëm dhe mori kështu emrin Komanus, nga ku Komnenët. Një lidhjet të tillë birërore, studjuesit e mbështesin te autorët Laskaris dhe Leon Allatiusi. Më pas, gjaku i shquar i Komnenëve përzihet me atë të një familjeje tjetër të prejardhur nga Flavius, me Paleologët, “fisnikëri par excellence”, ku me radhë, herë Komnenët, herë Paleologët janë në krye të froneve të Orientit, falë përplasjeve të ashpra, por edhe falë aleancave e martesave të shumta me përzirje gjaku, me Kantakuzenët, Fokasit e Dukasit. Autorët shohin me këtë rast, Bonapartin e parë, të rrjedhë pikërisht nga dy degëzimet e familjes së Kostandinit të Madh. Sepse aleancat e Perandorëve të Orientit me familjet kryesore të Italisë janë të shpeshta në ato fillime të shekullit XV.

Është interesante këtu të vihet në dukje se si me prejardhje të drejtpërdrejtë nga Paleologët erdhi Bonaparti i parë, dhe se si autorët e shpjegojnë ndërrimin e emrit nga Paleolog në Bonapart. Më 1461, Josef (Giuseppe) Paleologu, i biri i Teodor Paleologut dhe i Irenës, njohu mërgimin e madh të Perandorëve të Orientit dhe filloi të italianizojë racën e Paleologëve. U martua më 1488, me Marisa d’Esten, mbesa e dukës së parë të Modenës e Ferares dhe më pas kont i Rovigos dhe Comacchios.

Po si u zhduk emri i Komnenëve dhe Paleologëve? Dhe si u shndërrua në Bonaparte? pyesin autorët, që shpjegojnë: “Ashtu sikurse emri Flavius qe shndërruar në Komnen, ishte mëse e zakontë që emrat e fisnikërisë dhe të titujve të shndërroheshin në emra patrinomik, gjë që shpesh sillte një pështjellim të çuditshëm në gjenealogjitë më të qarta. Emri Paleolog u zhduk pas një ofiqi, që haset në periudha të ndryshme të Orientit. Për shembull, Jan (Gjon) Komneni, i biri i Aleks Komnenit, që shquhej për virtytet e tij, mori emrin Kalojan, ku kalos në greqisht shprehte bukurinë e shpirtit të tij dhe jo të tipareve. Një tjetër Paleolog mori emrin Kalumeros, nga ku Bonaparte. A ka vallë midis këtyre dy fjalëve aluzion për ndonjë bukuri fizike apo për cilësitë morale? pyesin autorët, që përgjigjen: “Mbase të dyja. Por e sigurt këtu është se ditën kur Bonapartët u shquan mes Gibelinëve të Firencës, emri i tyre donte të shprehte: mbështetës të mirë (në krah të Papatit).” “Është pra e pranuar, nga historia, përfundojnë ata arsyetimin e tyre, se nofka Kalomeri e përkthyer në italisht Buonaparte haset sa te Paleologët aq edhe te Komnenët e Italisë.” (f.28).

Në tërë këtë parashtrim të gjatë të gjenealogjisë bonapartine, doemos bie në sy që autorët francezë modernë Demartini e Graziani, teksa shmangin krejt analogjitë e largëta antike, në mugëtirë të kohërave, e fillojnë gjenealogjinë e kësaj familjeje në fillim të shekullit XIII mbi bazë dokumentash, dhe vijojnë në këtë linjë gjithnjë të mirë dokumentuar. Ndërkohë që, për të nxjerrë figurën e Napoleonit edhe më të lashtë, edhe më madhështore, me rrënjë të thella në gjakun e kolosëve të mendimit e të veprimit antik e historik, grupautorët e Librit të Artë të familjes Bonaparti (ku për mendimin tonë qëndron në prapaskenë edhe dukesha d’Arbantès) do shfaqin po ashtu edhe rrënjët e thella të Buonapartëve në famijen e shquar perandorake të Komnenëve (konkretisht të Pavonisë apo Paonisë), në familjen Argiropoli të ishullit të Kandisë, në familjen e Arianitëve të Shqipërisë (edhe kjo degë e Komnenëve), të cilët bënë, siç dihet, lidhje martesore me Kastriotët. “Një degë tjetër e Komnenëve, vënë në dukje këtu autorët, ajo e Arianitit bëri lidhje gjaku me Skënderbeun dhe Trivulcët (Tribaldët?): nga gjiri i saj dolën mbretërit e Shqipërisë dhe të Epirit” (f.33).

Një e dhënë e tillë e lidhjes së gjakut Komnen-Arianiti-Kastrioti nga njëra anë, dhe Komnen-Buonaparti, nga ana tjetër që pasqyrohet në Librin e artë të familjes Buonaparti, (edhe pse autorë të sotëm nuk e pranojnë!) nuk ka si të mos dëshmojë, në fund të fundit, për atë fakt të rëndësishëm historik që në venat dhe në damarët e Europës dhe të familjeve të mëdha europiane kurrë nuk ka reshtur së vërshuari gjaku i Fisnikërve të mëdhenj të të gjitha kohërave të cilët, aq sa ndesheshin me shoshoq, po aq bënin edhe aleanca martesore duke pleksur lidhjet e gjakut dhe vetë Historinë! E në këtë mes, domosdo që do kishte edhe gjak shqiptari, që nga Topiajt e Anzhuinët, që nga Paleologët e Durazzot, që nga Komnenët e Arianitët, dhe deri te Bastat, Muzakajt, Albanët, Bogdanët, Buajt, Dukagjinët, Kastriotët dhe krejt familjet fisnike shqiptare të lashta.

Historia përherë rezervon surpriza e piktakime të këndshme mes popujve, dhe le t’ua lëmë atëherë hulumtimeve të mëtejshme arkivore e dokumentare, ende të paeksploruara deri në fund, të thonë fjalën e tyre me vend, me mend e me shkencë për identitete të largëta e të afërta, për dinjitete të shkuara dhe shpirtra fisnikë. Veçse sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë, në radhë të parë e në mënyrë të ngutshme, të rindërtojmë e lartësojmë imazhin tonë të qytetëruar e të kulturuar, përkrah vendeve dhe popujve të tjerë të lashtë të Europës, në duam të zëmë vendin tonë të nderuar në Bashkësinë europiane, duke qenë të emancipuar e të denjë shoqërisht, sikurse gjithë kombet e tjera të përparuara që na rrethojnë. Le të vështrojmë sot, ngultas, në radhë të parë drejt së ardhmes së afërt, duke kthyer kokën herë pas here edhe prapa, drejt së shkuarës, për të nxjerrë mësime nga pësimet e hidhura, dhe jo thjesht për t’u ngrefosur euforikisht.  Një patriotizëm i ushqyer thjesht nga e shkuara, mbetet përherë pasiv kur nuk ndryshon të sotmen, në emër të së nesërmes, për vete dhe për bijtë tanë.