Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Odiseja e Familjes Korça në Kosovë

| E diele, 04.07.2010, 10:04 PM |


Fakte historike mbi serbizimin e popullatës shqiptare në Kosovë

Odiseja e Familjes Korça në Kosovë

Nga Qazim Namani

Në shekullin XVIII, disa familje korçare u vendosen në trevat shqiptare të veriut. Njëra ndër këto familje me trung familjar të përbashkët janë sot familjet shqiptare Korça nga fshati Gmicë në komunën e Dardanës që jetojnë sot në disa qytete të Kosovës, Familjet sot serbe Korçiç nga fshati Zebincë komuna e Artanës, që sot jetojnë në Zebincë dhe shumë qytete në Serbi, si dhe familja Llapashtica që sot jetojnë në fshatin Marec, Hajvali dhe qytete të Kosovës. Lagjja Korça në fshatin Gmicë të Dardanës sot ka mbi njëzet shtëpi  myslimane shqiptare që e dëshmojnë prejardhjen e përbashkët të krishterë me familjet sot serbe në fshatin Zebincë. Fshati Zebincë në mesjetë është quajtur Arbanashi i Artanës. Këto familje janë trashëgimtarë të dy vëllezërve Ilit dhe Simonit. Duke e parë origjinën e përbashkët të këtyre familjeve akademiku serb i shtyrë nga politika pan sllaviste pa të drejtë shkruan se korçajt e Gmicës janë serb që së pari u myslimanizuan dhe kinse më vonë u shqiptarizuan. Pas hulumtimit dhe studimit të kësaj çështje vërtetohet se pikërisht korçiçët e Zebincës u asimiluan dhe u bënë serb në fillim të shekullit XX. Këto dy familje gjatë gjithë shekullit XX kanë komunikuar mes veti dhe të gjithë të moshuarit e korçiçve të Zebincës e kanë folur gjuhën shqipe. Si dëshmi tjetër është edhe përkatësia e përbashkët fisnore e fisit Krasniqe. Ili pas myslimanizmit e ndërroi emrin në Ali, ndërsa Simoni mbeti i krishterë në fshatin Zebincë.

Për të marrë disa të dhëna rreth origjinës së këtyre familjeve unë së bashku me kolegun tim Behxhet Dibranin historian dhe vëllaun tim Përparimin përmes një shqiptari nga Artana e vizituam familjen e Serbolub Marinkoviqit nga lagjja e korçajve në fshatin Zebincë. Nga kjo vizitë kuptuam se kjo familje kishte pasur origjinë shqiptare që kishin ardhur nga Korça e Shqipërisë në shekullin XVIII. Kjo e dhënë për ardhjen e tyre nga rrethina e Korçës në Kosovë përputhet edhe me ngjarjet kulturore dhe historike që u zhvilluan po këtë shekull në Voskopojë. Në shekullin e XVIII Voskopoja e kishte arritur një zhvillim të hovshëm kulturor. Në fillim të shekullit XVIII në Voskopojë u hap një kolegj në gjuhën greke, dhe u pajis me shtypshkronjë. Me 1744 në Voskopojë u themelua “Akademia e re e Voskopojës”, ku programi arsimor ishte i njëjtë me programet e shkollave të mesme të vendeve më të përparuara të Evropës. Në këtë periudhë kohore nga kjo shkollë dolën shumë dijetar të edukuar në frymën e iluminizmit. Ngritja e Voskopojës vazhdoi deri më 1767 kur Patrikana e Stambollit e suprimoi Patrikanën e Ohrit, e cila në atë kohë i përkrahte kishat shqiptare dhe bullgare. Në luftën Ruso-turke të vitit 1769 Voskopojarët u treguan simpatizues të rusëve dhe i përkrahën himarjotët në kryengritje. Perandoria Osmane e shfrytëzoi këtë rast dhe e sulmoi Voskopojën. Pas këtij sulmi qyteti u shkretua, u dogjën shumë ndërtesa publike dhe me mija banorë migruan në vende tjera. Migrime të popullatës nga Voskopoja ndodhën edhe në vitin 1772 dhe 1789. Sipas të gjitha gjasave në këtë periudhë kohore nga viset e rrethinës së Korçës disa familje ortodokse shqiptare u vendosën në territorin e Kosovës së sotme.

Familja e ime thotë Serbolubi dhe disa familje tjera që tani janë serbizuar jemi të një vëllazërie  me familjet shqiptare Korça që sot jetojnë në Gmicë, Tuxhec, Dardanë, Gjilan , Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës. Ai theksoi se nga origjina e kësaj familje është edhe familja e Llapashtica që jeton në fshatin Marec. Ai tregoi se këta pjesëtar të familjes së tyre kur janë shpërngulur nga Korça janë vendosur në fshatin Llapashticë të komunës së Medvegjës. Pas shpërnguljes së shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit kjo familje u vendos në fshatin Marec dhe mbajti mbiemrin e Llapashticës së Medvegjës.

Serbolubi tregon se edhe në këtë kohë vizitohen mes veti. Babai i Serbolubit kishte pasur raporte të mira me shumë udhëheqës shqiptar gjatë kohës së Jugosllavisë së Titos. Ai rikujton se mysafir të shpeshtë të kësaj familje dikur ishin: Sinan Hasani, Halil Fejzullahu, Mustaf Hoxha etj. Ai tregon se i ati i tij kishte pasur raporte shumë të mira edhe me Fadil Hoxhen, Xhavit Nimanin, Mahmut Bakallin dhe shumë lider tjerë shqiptar të asaj kohe. Serbolubi tregon se raporte të mira kishte pasur edhe me presidentin Ibrahim Rugova.  Ai tregon kumbullat në oborrin e tij të cilat ja kishte sjellë Mustaf Hoxha  para 30 viteve. Për Sinan Hasanin tregon se në odën e tij është marrë vendimi që të zgjidhet atë kohë kryetar i Jugosllavisë dhe se prej Zebince ka udhëtuar për në Beograd pas këtij vendimi. Pasi e pyeta për origjinën e serbëve tjerë të rrethinës së Gjilanit dhe Komunës së Artanës, ai tregon se pjesa dërmuese e tyre këtu kanë ardhur kah fundi i shekullit XVIII prej rrethinës së Korçës në Shqipëri, prej Prilepit të Maqedonisë dhe vendeve tjera nga trevat jugore. Ai tregon se të paret e tyre kishin qenë murator të mirë dhe pas ardhjes në Kosovë familjar të tyre kishin punuar muret e manastirit të Graçanicës dhe disa renovime tjera të bëra në shekullin XIX. Serbolubi tregon se të parët e tyre në Kosovë i kanë sjellë atë kohe bejlerët, ai i kishte edhe fletat poseduese të tokës që nga periudha osmane. Një themel shtëpie gërmadhë jo më larg se 5 m prapa shtëpisë së Serbolubit ishte shtëpia ku kishte lindur ministri serb i Qeverisë së Kosovës Goran Svilanoviqi. Serbolubi tregon se nëna e ministrit Svilanoviq është nga familja e korçiçve. Për kopilakët në komunën e Artanës Serbolubi thotë se më parë kishin qenë shqiptar katolik, të cilët më vonë u serbizuan dhe kaluan në fenë ortodokse. Ai thotë se kopilakët ishin shqiptar prej Mareci. Për kopilakët unë kam shkruar edhe më parë në shkrimin për Milush Kopilin se kishin origjinë shqiptare dhe se në mesjetë kishin jetuar në vendbanimin Quka e Kopilit në mes fshatit Marec dhe Mramuer. Për disa familje tjera serbe në komunën e Artanës ai pohon se edhe sot i quajnë bullgar. Nga të dhënat e terrenit kam mësuar se popullata shqiptare e Malësisë së Gallapit disa familje serbe të fshatit Metergoc i kanë quajtur po ashtu bullgar e kjo tregon se përkatësia e tyre etnike është e dyshimtë.

Serbolubi kishte pasur funksione të shumta gjatë ish pushtetit të Jugosllavisë dhe kishte qenë edhe kryetar i komunës së Artanës edhe pas luftës së fundit deri në vitin 2002. Ai pohoj se pas lufte disa nga familjet e korçiçve ishin shpërngulur në serbi, 3 familje tha se jetojnë në Krushec, ai vet kishte blerë shtëpi në qendër të Leskocit dhe atje jetonte njëri nga djemtë e tij dhe shumë familjar tjerë. Ai vazhdon bisedën duke treguar kur kanë ardhur nga jugu në këto anë janë themeluar lagjet sipas origjinës së tyre.  Ata nga Prilepi thotë ishin të Shën Petrit, familje tjera Shën Gjorgjës (Gjergjit), Shën Nikollës etj. Si banor ma të vjetër ata kur kishin ardhur këtu i kishin gjetur banorët në fshatin Makresh, për të cilët thotë se kishin qenë rojtar të minierave. Serbolubi i ndikuar nga propaganda pan sllaviste ortodokse ai e shpreh mllefin e tij pse ne shqiptaret po e quajmë si katedrale kishën e Shën Nikollës në Artanë, ai thotë se nuk ishte Katedrale por Mitropoli. Katedrale thotë është kisha Saksone. Këtu vërehet ndikimi i politikes ditore serbe gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit XX kur atë kohë bisedohej shumë për restaurimin e katedrales dhe përvetësimin e këtij objekti monumental si Mitropoli ortodokse. Ai shtoi se mjaft shumë shqiptar dhe turq kanë jetuar edhe në livadhet e Artanës. Nga ndikimi i politikës ditore serbe ai pohon si zakonisht, Serbia është në krizë, se për 36.000 banorë Serbia zvogëlohet çdo vit. Se Serbia deri një fund të shekullit XXI do të zvogëlohet në 2-2,5 miljan banorë etj. Ai pastaj tregon se si i kishte folur një  i vjetër që e ka mullirin në fshatin Grace i cili e ka një vajzë në Shqipëri dhe se pas vizitës që i ka bërë ka krijuar përshtypjen se në Shqipëri tërë popullata po kalojnë në fenë katolike dhe për 50 vite të gjithë do të bëhen katolik shton Serbolubi. Ai tregon për Prishtinën e vjetër për rrugët e vjetra lagjet kalldrëmet, hebrenjtë e shumë gjëra tjera që i kishte treguar gjyshi i tij që e merrte shpesh në qytet. Serbolubi disa herë e kishte vizituar edhe Kotorrin në mal te Zi, ai pohoj se në kishën katolike Shën Marku të Kotorrit ka shumë dokumente për shqiptarët. Ai kishte dëgjuar prej nënës së tij se gjyshi i saj kishte ardhur prej Cetinjes së Malit të Zi dhe ishin vendosur atë kohë afër lagjes së çifutëve në Artanë. Gjatë gjithë kohës së bisedës na shërbyen gruaja e Serbolubit një arsimtare e lëndës së fizikës që tani është në pension dhe reja e Serbos e cila kujdesej për  djalin e saj Aleksin 3 vjeçar.

Serbolubi planifikonte që këtë vit në muajin Maj apo Qershor me dy shokë ta vizitoj qytetin e Korçës në Shqipëri.

Gruaja e Serbolub Marinkoviqit ishte me origjin nga një familje po ashtu Malazeze nga Medeci i komunës së Medvegjës. Të rikujtojmë se familjet malazeze që u vendosën në sanxhakun e Nishit pas shpërnguljes së shqiptarëve kishin origjinë shqiptare. Serbia shpërnguljen e shqiptarëve nga ato vise gjatë krizës lindore 1878 e realizoi kryesisht me familje shqiptare gjysmë të sllavizuara që me privilegje të mëdha u nxitën që të ushtrojnë dhunë mbi shqiptarët autokton. Me origjinë shqiptare dikur kishte qenë edhe familja e Koicës së Marocës i cili gjatë luftës ballkanike i kishte grabitur 2 vajza shqiptare njërën në fshatin Kremenat dhe tjetrën në Kranidell të komunës së Dardanës. Nga kjo familje doli edhe Radovan Papoviqi ish rektor i Universitetit të Prishtinës gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit XX.

Nga gjithë kjo që shihet është momenti i fundit që shqiptarët ta zhvillojnë nacionalizmin gjuhësor për të mos u asimiluar dhe bërë armiku kryesor i gjuhës dhe gjakut iliro-arbrorë- shqiptar.