Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shqipja, kusht kryesor për punësim në Agjencinë e Zbulimit Ushtarak të Serbisë

| E enjte, 01.07.2010, 09:14 PM |


Në qoftë se dini shqip, atëherë mund të punësoheni në Agjencinë e Zbulimit Ushtarak të Serbisë! Njohja e gjuhës shqipe është një ndër kushtet kryesore në konkursin e shpallur ditët e fundit nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë për pranimin e punonjësve të rinj në Agjencinë serbe të Zbulimit Ushtarak, vinte në dukje këto ditë gazeta e përditshme serbe, “Kurir”, sipas së cilës kandidatët eventualë duhet ta flasin shqipen njëlloj si serbishten. Në shpalljen përkatëse të ministrisë së mësipërme thuhet se të interesuarit për t’u punësuar në agjencinë serbe të sipërpërmendur duhet të zotërojnë diplomën e Katedrës së Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik të Beogradit. Po ashtu, kërkohet që kandidatët të flasin mirë edhe gjuhën angleze. Gazeta “Kurir” thekson se Ministria serbe e Mbrojtjes nuk do të ketë ndonjë problem të madh lidhur me zgjedhjen e kandidatëve që dinë shqip, sepse, sipas njoftimeve të siguruara në Fakultetin Filologjik të Beogradit, në këtë të fundit për mësimin e gjuhës shqipe çdo vit regjistrohen rreth dhjetë studentë serbë. “Më parë ka ekzistuar rregulli, sipas të cilit atyre studentëve që regjistroheshin për mësimin e gjuhëve më pak tërheqëse, më pas u jepej e drejta që të zgjidhnin fakultetin e dëshiruar. Por sidoqoftë, në vitet e fundit situata ka ndryshuar dhe kemi pasur raste që studentë të caktuar janë diplomuar në Katedrën e Gjuhës Shqipe. Sikurse edhe mund të konstatoni, dikush shikon më larg, në mënyrë që, mbas mbarimit të studimeve, ndoshta do të mund të sigurojë ndonjë vend pune të mirë dhe interesant”, citon gazeta e lartpërmendur serbe një zyrtar të Fakultetit Filologjik të Beogradit, që shton se ata kanë filluar të përgatisin një raport me të dhëna zyrtare sesa veta janë diplomuar gjithsej në Katedrën e Gjuhës Shqipe të këtij fakulteti.

 

Gazeta Shqip