Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Historia prej te Jugosllavia e Titos deri te Kosova e pamvarun

| E diele, 02.12.2007, 04:38 PM |


Nga Ardian Ndreca
    

Ardian Ndreca
Na ishte nji herë Jugosllavia e Titos, dera gjysëm e hapun që të çonte në Amerikë, vendi i republikave të pasuna si Sllovenia e Kroacia, të cilat ankoheshin mbasi pasunitë e prodhueme prej tyne u jepeshin republikave e pjesëve tjera të mbrapambetuna.
Jugosllavia e Titos përfaqsonte shpëtimin për shumë shqiptarë të Shqipnisë (kështu ishte lokucioni atëherë), bullgarë dhe rumunë që me rrezik kreje kalonin kufinin. Kah ana tjetër regjimi i Beogradit mbante nën thundër, simbas niveleve dhe nevojave të ndryshme «ekstremistat» e mbrendshëm dhe mundohej me fuqizue ndjenjën e parealizueshme të qenjës shtet organik dhe jo thjesht nji bashkim mekanik popujsh.
Titoja nuk mbërriti me ba shumë gjana, por së paku nji gja e realizoi: i shmangu vendit të vet ramjen nën kthetrat e Moskës dhe tue përdorë edhe dhunën kundër stalinistave jugosllav mundi me e largue rrezikun e vendosjes së nji regjimi filostalinist.
Në anën tjetër SHBA gjente tek Beogradi, tue nisë prej viteve ’50, nji aleat në luftën kundër komunizmit stalinist të vendeve ballkanike si Shqipnia dhe Bullgaria. Agjensia e Langley-it mbante përfaqsi të vetat dhe kishte mundësi me marrë në pyetje mbrenda pak orëve të arratisunit prej Shqipnie dhe Bullgarie për me marrë sa ma shumë informata prej tyne. Flota VI amerikane e Mesdheut mund të hynte në radën e Splitit, ndërsa ajo sovjetike jo.
Josip Broz Titoja menjiherë mbas luftës bani nji reformë agrare dhe shtetzoi tokat e punueshme. Tue qenë se ekonomia e vendit pësoi nji ramje të dukshme, atëherë ai, pa ba shumë za dhe pa e ça kryet për parimet dogmatike të marksizmit, ua shiti katundarëve tokat që u kishte marrë dhe voli të ardhuna për thesarin e shtetit.
Lejoi pronën private në sektorin bujqësor, lejoi emigrimin e puntorëve jugosllavë në Austri, Gjermani, Francë etj. Të gjitha këto masa banë që në fundin e viteve ’60 Jugosllavia të kalonte me sukses krizën ekonomike dhe sociale që provonte Europa.
Edhe studentat jugosllav dolën në mitingje, tue kërkue që prej rangjeve të administratës komuniste të mos delnin «pashallarë të kuq», pra u rreshtue kundër privilegjeve të klasës drejtuese komuniste.
Titoja u dha të drejtë, edhe pse e shoqja, Jovanka, ishte shembulli ma negativ që mund të shihej andejpari.
Në anën tjetër të kufinit, altoparlantat e Tiranës villnin vner kundër vetëadministrimit jugosllav dhe përpiqeshin me e karikaturizue këtë praktikë. Vetë E. Hoxha shkroi nji libër plot me marrina, të bazuem në pseudo-parime shkencore ekonomike dhe ideologjike që gjoja vërtetonin dështimin e sistemit jugosllav. Ai sistem që parashikonte nji kapitalizëm relativisht autonom nën mbikqyrjen e shtetit socialist do të vijonte me sukses edhe për gati 20 vjet të tjera, ndërsa sistemi i planifikimeve të rrepta të Enver Hoxhës nuk kishte funksionue as edhe nji ditë të vetme.
Kështu mirëqenja e jugosllavëve rritej dhe s’kishte krahasim me krizën e thellë të ekonomisë shqiptare të fillimit të viteve ’80.
Në këto vite UDB-a nuk përgatiste ma grupe diversioni, kufizohej me ba propagandë me anë të radios dhe televizionit kundër regjimit të Tiranës. Ishte ndër të paktet zane, së bashku me Zanin e Amerikës, që për vite me rradhë u dha zemër shqiptarëve me qindrue e me shpresue se E. Hoxha do të rrëzohej.
Në të njejtën kohë Beogradi nuk kursente dhunën ndaj kosovarëve, të cilët të frymzuem prej Tiranës, pa përgatitjen dhe përkrahjen e duhun ndërkombtare, nisën nji valë të gjanë protestash.
Të rinjt kosovarë në vitet ’80 u shitën për të dytën herë prej regjimit komunist të E. Hoxhës, i cili mbasi i cyti i la në mëshirën e fatit dhe u mjaftue me dënue Jugosllavinë me anën e shtypit shqiptar dhe atij marksist-leninist të jashtëm, të cilët s’kishin ndikim në opinionin ndërkombtar ma shumë sesa kometa Halley.
Fundi i viteve ’80 shenjoi mbarimin e andrrës për bashkëjetesë mes popujve të Jugosllavisë. Ekonomia e vendit përjetonte nji krizë pa rrugëdalje dhe pakënaqësitë rriteshin dita me ditën.
Modeli i vetëadministrimit nuk ecte ma, kishte krye funksionin e vet historik. Të «vjetrit» nuk mund ta kuptojshin këtë gja, të rinjt ishin tepër nacionalista për me gjetë nji rrugëzgjidhje të re, kështu që të gjithë rrinin tue prigjue krisjet e sistemit shtetnor jugosllav.
Popujt që përbanin Jugosllavinë patën edhe fatin e keq me pasë Vojskën, nji prej ushtrive ma të forta në Europë në pikëpamjen e efektivave, të përhapjes së tyne dhe të armatimit taktik e konvencional – e kjo gja shkaktoi gjakderdhjen e viteve ’90 dhe destabilizimin e Ballkanit.
Jugosllavia, shteti i lindun në Korfuz nji ditë korriku të vitit 1919, i mbrojtun prej partizanëve të Titos me gjak, i rimëkambun prej aftësisë së këtij udhëheqësi dhe i mbajtun në nji ekuilibër të admirueshëm për disa dekada - po jepte shpirt.
Vetëm nji nacionalizëm i ri mund ta shpëtonte. Por nacionalizmi në Europë, konsiderohet si nji sëmundje qysh prej fillimit të ‘900. Sëmundje e lehtë apo vdekjepruse, mvaret prej pacientave. Në Europën perëndimore asht tregue si nji sëmundje kalimtare, kurse në Ballkan asht thjesht vdekjepruse - dhe e tillë u dëshmue.
Ngjarjet rrodhën siç e dijmë të gjithë. Kosova u çlirue prej NATO-s dhe sot me zor të madh po mundohet me krijue nji klasë drejtuese.
Serbia tashma e din mjaft mirë se Kosovën nuk mund ta marrin ma, por reziston pse don me përfitue sa ma shumë prej kësaj situatë. Beogradi e ka humbë të drejtën e dikurshme ndërkombtare mbi territorin e Kosovës mbasi ka ushtrue për dekada të tana, e ma e fort e ma në kohën e Millosheviqit, nji dhunë të papame, e cila nuk mund të ushtrohet prej asnji regjimi mbi popullsinë që banon mbrenda territorit të vet politik.
Sot njohja e pamvarsisë së Kosovës prej Serbisë asht vetëm çeshtje kohe, shpresojmë që të jetë çeshtje kohe edhe gjetja e nji klase të re politike kosovare, të denjë për Kosovën e pamvarun.