Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avdi Gjata: Të shpëtojmë kulturën e krenarinë e popullit tonë

| E hene, 28.06.2010, 08:59 PM |


Të shpëtojmë kulturën e krenarinë e popullit tonë

Nga Prof. Avdi Gjata

Sot, kur Kosova po përballet me probleme të ndryshme, veçmas me at që ka të bëjë me moralin, krenarinë dhe humanizmin, sigurisht se nuk do ti kishte bërë keq një përkujdesje dhe një angazhim më i madh ndaj kësaj vlere të mbetur, si një gjest, me të cilin do të dëshmohej jo vetëm përkushtimi ynë, për mbrojtjen e vlerave kulturore e historike të shqiptarëve, po do të dëshmojmë se jemi popull me traditë e kulturë të veçantë nga popujt tjerët. 
Çështja shqiptare e pazgjidhur, i shqetëson jo vetëm shqiptarët në Kosovë e ish Jugosllavi, po edhe ata në Shqipëri e në diaspor. Çështja shqiptare, i brengos e duhet t’i brengos seriozisht edhe bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht Unionin Evropian, pasi shqiptarët i takojnë asaj, po edhe SHBA-në, kur dihet se ato janë i vetmi vend demokratik dhe e vetmja forcë ushtarake që mundet të ruaj paqen e stabilitetin në botë. Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, me çështjen shqiptare, janë marrë shumë shtete, politikanë shqiptarë e jo shqiptarë, ushtarak, shkrimtarë, demokrat e diktator të ndryshëm, po ende nuk arritën të gjejnë ekuacion real, që do të mund ta zgjidhte çështjen ashtu siç duhet e siç kërkojnë shqiptarët. Dhe, është interesant se të gjithë e kanë zgjedhur në mënyra të ndryshme-varësisht prej shtetit dhe politikës që bëjnë,varësisht prej ideologjisë apo besimit të cilit i takojnë,varësisht prej rrethanave historike, politike e ekonomike po veçanërisht atyre strategjike. Kjo, na bënë të besojmë se për çështjen shqiptare është vendosur në vende të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme, por kurrë, nuk është vendosur dhe pyetur, populli për të cilin vendoset, që pjesën më të madhe të fajit e kemi edhe vetë ne, pasi asnjëherë nuk arritëm të veprojmë të bashkuar në momente të rëndësishme historike. Shumë shpesh nga dijetar të njohur është thënë se, përveç faktorit kohë, ndikim të theksuar në shkatërrimin e një populli apo kulture, ka edhe njeriu. Madje,faktori njeri është shumë më i shpejtë në shkatërrime dhe pasojat janë shumë më të mëdha dhe më të fuqishme. Kur është fjala te ky fenomen, mua nuk më habit mendësia që kemi për vlerat historike, kulturore e njerëzore, por më shqetësojnë, arsyetimet që dalin nga njerëzit, profesorët,mjekët, studentët, priftit, e institucionet, të cilat janë caktuar që të japin mendimet e tyre, për vlerat kulturore, veshjet tradicionale, simbolet shtetërore, gjuhën shqipe, folklorin artin, stilin e ndërtimit të objekteve, po gjithnjë hezitojnë e presin t’iu prijë dikush.. Mendoj se veprimet e tilla,janë shkelje e rëndë e ligjit, e ligjit moral që ka çdo popull, pasi kjo nuk është në kompetenca të administratës, po është detyrë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore që është thesar i rëndësishëm i kulturës së një populli.
Bazuar në atë çka është duke u thënë, shkruar e analizuar brenda kësaj jave, në mjetet e informimit, në ato vizuale e elektronike rreth mbulesës nëpër shkolla dhe marrja e një vendimi të tillë nga Ministria e Arsimit, personalisht më duket jo e drejtë dhe jo e qëlluar. Kur e them këtë, kam parasysh disa arsye: Njëra nga këto arsye është ngutja e marrjes së vendimit, pa u konsultuar me institucionet tjera relevante, dhe mosgatishmëria për t’u këshilluar me arsimtarët e mësimdhënësit të cilët janë shtylla dhe themel kryesor në edukimin një shoqërie.. Si duket, harrimi i së kaluarës të hidhur nga ana jonë, bëhet mu atëherë kur nuk duhet apo bëhet në atë formë sa përherë është kundër produktive për ne. Kështu ne nuk i shfrytëzojmë ata të cilët munden dhe dinë ti ndalojnë gjërat që krijojnë imazhe negative në shoqëri, siç është duke u vepruar me arsimtarët e Kosovës, ku qeveria i ka sjellë në atë gjendje sikur në kohën e Serbisë.
Apo,ndoshta, edhe qeveria jonë po niset nga thënja e famoze, ‘se çdo shqiptar’ i shkolluar është armik i shtetit. Sepse, po të ekzistonte edhe vullneti më i vogël për ta ndaluar e zgjedh problemin në fjalë, me siguri do të gjendeshin mënyra e forma, për pengimin e protestave të hapura,që krijuan një imazh të keq, për gjoja, shkeljen e të drejtave të besimit në Kosovë. Njëra nga këto mënyra, fjala vjen do të ishte sqarimi i drejtë nga arsimtarët i çështjes së besimit tek nxënësit dhe prindërit, pastaj rroli i mbulesës për çështjen fetare, e nëse ka nevojë që të mbulohemi të vishemi apo të zhvishemi, atëherë nuk ka nevojë t’i kopjojmë veshjet e të tjerëve, po e kemi mbulesën tonë tradicionale që na e kanë lakmi të tjerë, siç është veshja tradicionale e malësorit dhe e malësores. Përveç, kësaj, ekziston edhe mundësia tjetër, ajo e krijimit të një modeli të veçantë për çështjen e besimit, po që ka edhe elemente të veshjes kombëtare e që nuk i dëmton veshjet e të tjerëve. Pra, në këto raste, kur një veprim i pengon qytetarët e tjerë, ai veprim është në kundërshtim me vet besimin që deklarohet. Andaj me qëllimtë ta ruajmë atë është mirë të mundohem ta zëvendësojmë me një formë mënyrë tjetër më të përshtatshme. Kështu u veprua gjatë gjithë historisë së popullit shqiptar e veçanërisht kur ishte në rrezik, si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, siç vepruan: Hasan Hoxha Tahsini, Vaso Pasha, Naum Pajanot Bredhi, Sami Frashëri etj. Pastaj gjatë Shpalljes së Pavarësisë më 1912 kur Ismajl Qemajli, mikun më të afërt e kishte Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën pandeli Sotirin, Isa Boletinin etj. Kështu më 1924 veproi edhe Fan Noli, që mikun më të mirë e kishte Bajram Currin, Luigj Gurakuqin e Avni Rrusteminetj. Për këtë qëllim, nëse ekziston vullneti për ta shpëtuar besimin duhet të jemi tolerant,të durueshëm, t’i respektojmë të tjerët më shumë se sa veten, sepse kështu kanë vepruar edhe mesitë, hyjnitë,njerëzit e mençur,e të deleguarit e perëndisë. Nga një kapitull i librit të shenjët, mësojmë se:vlerat e bëjnë besimtarin të përgjegjshëm për t’i trajtuar të gjithë njerëzit, me mirësjellje e drejtësi, për të parandaluar përhapjen e urrejtjes e mizorisë, e cila përfshinë të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësinë, dhe paqen në botë. Me një rrugë të tillë, edhe vet pushteti Osman , arriti ta shtrijë e zgjeroj besimin mysliman, edhe në vendet Evropiane. Së paku kështu më kanë dëftuar e shpjeguar,po kam lexuar edhe në librat fetare, e shkencore. Më, në fund dua të them se, në kohën kur Kosova jonë, përballet me probleme të ndryshme e shumë të rrezikshme, veçmas me ato që kanë të bëjnë me kaosin shoqëror e shpirtëror, e veçmas me pamundësinë e ndërtimin të shtetit, me siguri se nuk do t’i kishte bërë keq asaj, nëse do ta kishim një përkujdesje më të madhe ndaj mundësive të mbetura të krijimit të shtetit si një gjest me të cilin do të dëshmohej, jo vetëm përkushtimi për mbrojtjen e vlerave kulturore e historike të këtij vendi, po edhe krijimi i mundësive për një lidhje më të fortë në mes të kaluarës me të tashmen dhe të ardhmen me të kaluarën. Nuk mund të ecet dot para, në jetësimin e këtij synimi aq të qartë e të proklamuar në të gjitha instancat më të larta të institucioneve ndërkombëtare, deri sa të ketë dy e më tepër qasje ndaj Kosovës, të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e që nuk i takojnë besimit islam dhe të atyre që nuk e kanë bërë këtë akt, dhe të atyre shteteve që e mbështesin Serbinë, e nuk e pranojnë realitetin Kosovës. Andaj çdo veprim në momente të vështira historike, me mendim të mirë apo jo të mirë, që ka për qëllim ndarjen e popullit si: në regjion, gjuhë,kohë, besim apo lami tjetër, ajo dikujt i shkon për shtati po më së paku ne shqiptarëve, e dashtë zoti të na ndihmon e të na orienton drejtë, në këtë kohë të pa kohë?