| E hene, 28.06.2010, 09:59 PM |
Të shpëtojmë kulturën e krenarinë e popullit tonë
Nga Prof. Avdi Gjata
Sot, kur Kosova po përballet me probleme të ndryshme, veçmas me at që ka të bëjë me moralin, krenarinë dhe humanizmin, sigurisht se nuk do ti kishte bërë keq një përkujdesje dhe një angazhim më i madh ndaj kësaj vlere të mbetur, si një gjest, me të cilin do të dëshmohej jo vetëm përkushtimi ynë, për mbrojtjen e vlerave kulturore e historike të shqiptarëve, po do të dëshmojmë se jemi popull me traditë e kulturë të veçantë nga popujt tjerët.
Çështja shqiptare e pazgjidhur, i shqetëson jo vetëm shqiptarët në Kosovë e ish Jugosllavi, po edhe ata në Shqipëri e në diaspor. Çështja shqiptare, i brengos e duhet t’i brengos seriozisht edhe bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht Unionin Evropian, pasi shqiptarët i takojnë asaj, po edhe SHBA-në, kur dihet se ato janë i vetmi vend demokratik dhe e vetmja forcë ushtarake që mundet të ruaj paqen e stabilitetin në botë. Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, me çështjen shqiptare, janë marrë shumë shtete, politikanë shqiptarë e jo shqiptarë, ushtarak, shkrimtarë, demokrat e diktator të ndryshëm, po ende nuk arritën të gjejnë ekuacion real, që do të mund ta zgjidhte çështjen ashtu siç duhet e siç kërkojnë shqiptarët. Dhe, është interesant se të gjithë e kanë zgjedhur në mënyra të ndryshme-varësisht prej shtetit dhe politikës që bëjnë,varësisht prej ideologjisë apo besimit të cilit i takojnë,varësisht prej rrethanave historike, politike e ekonomike po veçanërisht atyre strategjike. Kjo, na bënë të besojmë se për çështjen shqiptare është vendosur në vende të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme, por kurrë, nuk është vendosur dhe pyetur, populli për të cilin vendoset, që pjesën më të madhe të fajit e kemi edhe vetë ne, pasi asnjëherë nuk arritëm të veprojmë të bashkuar në momente të rëndësishme historike. Shumë shpesh nga dijetar të njohur është thënë se, përveç faktorit kohë, ndikim të theksuar në shkatërrimin e një populli apo kulture, ka edhe njeriu. Madje,faktori njeri është shumë më i shpejtë në shkatërrime dhe pasojat janë shumë më të mëdha dhe më të fuqishme. Kur është fjala te ky fenomen, mua nuk më habit mendësia që kemi për vlerat historike, kulturore e njerëzore, por më shqetësojnë, arsyetimet që dalin nga njerëzit, profesorët,mjekët, studentët, priftit, e institucionet, të cilat janë caktuar që të japin mendimet e tyre, për vlerat kulturore, veshjet tradicionale, simbolet shtetërore, gjuhën shqipe, folklorin artin, stilin e ndërtimit të objekteve, po gjithnjë hezitojnë e presin t’iu prijë dikush.. Mendoj se veprimet e tilla,janë shkelje e rëndë e ligjit, e ligjit moral që ka çdo popull, pasi kjo nuk është në kompetenca të administratës, po është detyrë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore që është thesar i rëndësishëm i kulturës së një populli.
Bazuar në atë çka është duke u thënë, shkruar e analizuar brenda kësaj jave, në mjetet e informimit, në ato vizuale e elektronike rreth mbulesës nëpër shkolla dhe marrja e një vendimi të tillë nga Ministria e Arsimit, personalisht më duket jo e drejtë dhe jo e qëlluar. Kur e them këtë, kam parasysh disa arsye: Njëra nga këto arsye është ngutja e marrjes së vendimit, pa u konsultuar me institucionet tjera relevante, dhe mosgatishmëria për t’u këshilluar me arsimtarët e mësimdhënësit të cilët janë shtylla dhe themel kryesor në edukimin një shoqërie.. Si duket, harrimi i së kaluarës të hidhur nga ana jonë, bëhet mu atëherë kur nuk duhet apo bëhet në atë formë sa përherë është kundër produktive për ne. Kështu ne nuk i shfrytëzojmë ata të cilët munden dhe dinë ti ndalojnë gjërat që krijojnë imazhe negative në shoqëri, siç është duke u vepruar me arsimtarët e Kosovës, ku qeveria i ka sjellë në atë gjendje sikur në kohën e Serbisë.