E shtune, 20.04.2024, 04:54 AM (GMT+1)

Faleminderit

Halit Bogaj: Nexhmije Pagarusha - Artiste e Merituar

E hene, 28.06.2010, 10:00 PM


NEXHMIJE PAGARUSHA - ARTISTE E MERITUAR

 

Me rastin e 77 vjetorit të lindjes

 

Nga Halit Bogaj

 

Këto ditë Nexhmije Pagarusha u shpall artiste e merituar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, duke qenë personaliteti i parë artistik i dekoruar me këtë mirënjohje të lartë shtetërore në Kosovën e lirë dhe të pavarur.Kjo  ishte kënaqësi dhe arritje e dyfishtë ngase, siç u tha, pikërisht Nexhmije Pagarusha/ashtu siç e kishte merituar qysh moti/ i hapi rrugët e reja për dekorata të tilla të mëtejme edhe për persona të tjerë të njohur nga lëmi i artit dhe kulturës shqiptare, ashtu siç është vepruar qysh moti në Shqipëri dhe në vende të tjera të botës. Pra të gjithë ne përjetuam gëzim të madh kur e shikuam divën tonë të pamposhtur tek nderohej në mënyrë madhështore për të arriturat e saj jetësore në muzikë ,teatër dhe kinematografi,ngase ajo kishte realizuar edhe role të fuqishme në fushat e përmendura. Salla në të cilën realizohej spektakli me rastin e 77 vjetorit të lindjes së saj ishte tepër e vogël për t’i zënë të gjithë të pranishmit dhe të interesuarit që morën pjesë në manifestimin kushtuar Primadonës kosovare me emrin e së cilës është e lidhur një periudhë e gjatë kohore e arritjeve tona kulminante muzikore të cilat na prezentonin dhe në bënin të njohur edhe jashtë Kosovës.Siç e dimë të gjithë, Nexhmije Pagarusha merrte pjesë nëpër festivale të llojllojshme muzikore dhe përjetonte suksese të njëpasnjëshme me koncertet e saj të shumta. Ajo pritej me nderime, ovacione dhe duartrokitje  frenetike kudo që shkonte dhe prezentohej, por përjetimet e veta më të fuqishme dhe më të paharruara, siç thoshte edhe vetë në një rast, i kishte pasur në Shqipëri dhe Turqi, ku kishte qenë e rrethuar dhe e shoqëruar në të gjitha anët.Madje në Shqipëri kishte kënduar edhe nëpër  rrugët e qyteteve ku i kishte mahnituar njerëzit e interesuar për ta dëgjuar, aq më tepër kur atëherë ekzistonte një simpati e madhe  gjatë fillimit të kontakteve tona reciproke të cilat na dukeshin sikur ëndrra , por që ishin bërë realitet i prekur dhe i përjetuar nga të dy anët e atdheut të ndarë dhe të coptuar.

 

Gjatë Manifestimit të përmendur, në sallën e Teatrit tonë kombëtar, për ta kujtuar Nexhmije Pagarushën , u interpretuan disa këngë nga këngëtarët tanë të njohur të cilët ishin të lumtur dhe e ndienin veten të privilegjuar që u kishte ardhur radha t’i këndonin këngët e saj dhe t’ia bënin nderimet idhullit të tyre e cila kishte ndikuar që ata ta ndiqnin rrugën e saj të lavdishme .

 

Mes tjerash për të u folën edhe shumë fjalë të ëmbla nga kolegët e saj të cilët tregonin se sa ishin të lumtur që kishin punuar dhe vepruar me të në një periudhe të gjatë kohore.Edhe ata e ndienin veten të kënaqur që kishin pasur rastin jetësor të qëndronin me të dhe ta kalonin një pjesë të jetës pranë saj  , siç ishte mikja dhe shoqja afërme Liliana Çavolli, përndryshe këngëtare e shquar dhe Enver Petrovci i cili kishte aktruar në një film me të.

 

Kuptohej se interpretimet e këngëtarëve të tjerë ishin të zbehta në krahasim me ato të Nexhmijes por edhe ato na bënin përshtypje të shumta ngase mbahej një kontinuitet i domosdoshëm dhe shihej dëshira e tyre e madhe për të dhënë gjithçka nga vetja dhe për të shprehur ndjenjat e tyre të brendshme të cilat buronin nga respekti ndaj Nexhimje Pagarushës si një ikonë e rrallë e cila lind njëherë në njëqind vjet, siç thuhet shpeshherë për gjenitë e ndryshme të fushave të jetës njerëzore. Pra Nexhmije Pagarusha ishte e tillë dhe e vetmja që na kishte rënë në hise për të na mahnitur me këngën e saj orfeike dhe me zërin e ëmbël, siç është vlerësuar nga të gjithë.Ajo e zbukuronte vendin dhe na bënte të qanim nga mallëngjimi, sidomos kur i kujtonim ditët dhe vitet e kulmit të saj artistik, kur Kosova, krahas vuajtjeve të saj të panumërta, përjetonte edhe gëzime të ndryshme, duke i dëgjuar këngët aq melodike të cilat na i dhuronte Nexhmija jonë kolosale.

 

Koncerti kushtuar Nexhmije Pagarushës, ishte edhe meritë e Televizionit të Kosovës dhe  e drejtorit të tij gjeneral/Sulejman Shaqirit/ të cilin duhet falenderuar sëtepërmi, ngase manifestimet e ngjashme janë të domosdoshme, aq më tepër ngase njerëzit janë vjetruar e pastaj pendohemi se përse nuk kemi realizuar emisione të tilla aq të nevojshme , siç ishte ky i fundit .



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora