Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Mjeshtri që radhiti fjalën shqipe

| E diele, 27.06.2010, 10:00 PM |


Zbukurimi më i madh është ndërgjegjja e pastër

Ciceroni

                

MJESHTRI QË RADHITI FJALËN SHQIPE

 

Nga Luan Çipi

 

Dhimitër Rrumbullakun e njoha kur ai ishte në moshë të thyer. Usta Miti, siç i thërrisnin të gjithë, aso kohe ishte përgjegjësi teknik e administrativ i Repartit të Shtypshkronjës, i përfshirë në veprimtarinë e Ndërmarrjes Lokale të Prodhimeve të Ndryshme të Vlorës, ku edhe unë punova, duke qenë afër tij, për gati 10 vjet. Në stabilimentin, ku drejtonte Miti, ishin vendosur makineri e pajisje të grumbulluara nga të katër shtypshkronjat, që  ishin në rrethin e Vlorës para lufte. Atje, shtypej gazeta “Zëri i Vlorës”, libra dhe broshura lokale, si dhe të gjitha shtypshkrimet dhe formularët për nevojat e ndërmarrjeve, institucioneve dhe kërkesave publike të Qarkut të Vlorës , ku atëherë përfshihej rrethi i Vlorës dhe i Fierit

Korpusin e makinerive të kësaj shtypshkronje, me emrin e madhërishëm “Atdheu” e përbënin: Një thikë prerëse, që punonte me elektromotor, me volant e gjerësi një metër; fondi i shkronjave, rrigetave dhe bocetave, me shumëllojshmëri të të gjitha tipave dhe madhësive, kompletuar me stampa e lule-lajle gjithfarëshe; një linotip që formonte shkronja të reja të derdhura plumbi; dy makina tipografike, pedalin po me elektromotor; një makinë tipografike e madhe; makina rrotative tipografike e gazetës, etj.

Usta Miti kishte qenë një nga punonjësit kryesor të kësaj shtypshkronje, qysh nga Koha e Zogut e deri në vitin l947, kur ajo u shtetëzua. Ishte i pranishëm gjithnjë, në qendër të veprimtarisë së shtypshkronjës, duke qenë njëherazi pronar i saj. Nga kjo periudhë ndërpritet një kohë dy vjeçare gjatë luftës, kur atë e internuan  në kampet e përqendrimit të Gjermanisë, së bashku me pesëqindtë burra të tjerë nga Vlora, për nga u kthye gjallë, falë përgatitjes së tij fizike dhe kurajës e moralit të fortë.   Mit Rrumbullaku i ri, pat qenë krenaria e djalërisë vlonjate, veprimtarë të shquar dhe shokë me Gaqi Vishin, Nuri Arapin Shefqet Resulin, Nazif Batallin, Mustafa Belshin, Stavri Rapushin, Ismail Tetovën, Hamdi Zogën e të tjerë pjesëmarrës aktiv në aktivitetet kulturore e sportive të qytetit.

Në shtypshkronjën ”Atdheu”, gjatë viteve të para të Çlirimit, punonin 12 punëtorë, me stazh të gjatë pune. Disa prej tyre ishin të moshuar dhe kishin qenë bashkëpunëtorë të vjetër të Usta Mitit, qëkur ky kishte qenë pronar i shtypshkronjës. Marko Mina, Stefan Boçova, Tol Stefani, Aqif Sadiku dhe Andrea Lame flisnin me nderim të thellë dhe kishin dashuri të pamasë për ustain dhe bamirësin  e tyre të hershëm. Ata kishin qenë nxënësit, shokët dhe miqtë e tij më të mirë. Ai edhe kur ishte pronar, punonte në prodhim krahas tyre. Miti i zotëronte të gjitha specialitetet, që ushtroheshin ne Shtypshkronjën e tij, duke qenë njëherazi radhitës i shpejtë dhe i pagabueshëm, faqosës, linotipist, makinist i çdo lloj makine e deri një libralidhës i talentuar. Të gjitha këto zeje i kryente në përsosmërinë e tyre. Usta Miti dhe kështu ishte përpjekur, pa rezerva, t’i përcillte sekretet profesionale te

 punëtorët e tij të çiltër e  besnikë. Ai, personalisht dallohej edhe mbi më të mirin prej tyre edhe për punime  të holla artistike si: për bërjen e kornizave të kartonit me oriz, tutkall e varak; prodhim dosje e kuti kartoni e kartoçine të shumëllojta, zarfe, kartëvizita të bukura, lidhje speciale librash, etj. Kur gjente kohë, këto punë vazhdonte t’i bënte me dashuri e pasion, pa i pasur detyra funksionale. Edhe më pas, kur doli në pension,  punonte për të bërë ndere e qofka, pa asnjëfarë interesi material.

Usta Miti ishte një organizator dhe administrator i talentuar. I ngarkonte të gjithë me punë si të barabartë, duke i lënë mënjanë e pa u ndikuar nga asnjë simpati vetjake, apo pikëpamje politike. Edhe si administrator ai, na lehtësonte e kryente deri punën tonë te sektorit ekonomik e financiar, duke qenë shumëi saktë në anën dokumentare, për hartimin e preventivave, të urdhërporosive dhe për formimin e çmimeve, në evidentimin e shpenzimeve dhe në nxjerrjen e kostos së prodhimit e deri në llogaritjen e të ardhurave dhe të fitimit.

Falë punës së tij këmbëngulëse shumë vjeçare një kujdes i veçantë tregohej për mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e makinerive. Çdo ditë të shtunë puna kudo ndalej  krejt, dy orë para mbarimit të turnit dhe të gjithë punëtorët merreshin me pastrimin dhe lubrifikimin e agregateve. Kjo ishte bërë, jo vetëm traditë, por ishte normë e detyruar, qysh kur këto asete ishin pronë private. Ky ishte sekreti i gatishmërisë teknike për këto makineri  të përsosura për punë e cilësi, po që, si kohë ishin të vjetra, të blera nga Gjermania dhe Austria qysh para lufte, pasi ishin përdorur dhe atje për dhjetëra vjet çka dëshmohej nga ndonjë stampë, e ngelur në këto makina, qysh me vit prodhimi l88O.- ten.

-Lubrifikimi e mban të ri mjetin, thoshte Usta Miti. Vaji për makinat është i domosdoshëm, si uji për kafshët dhe njerëzit.

Edhe mjetet e lubrifikimit si vajosëset dhe grasatorët  në këtë shtypshkronjë ishin, qysh nga koha e para luftës.

Usta Miti ishte dhe një njeri shumë human, i dashur dhe i pakursyer për t’u vënë në dispozicion kurdoherë dhe me gjithçka. Mua më donte fort nga që edhe kishte pasur miqësi, njohje dhe nderim të ndërsjellët me babain tim.  Edhe unë, gjithashtu, e adhuroja, e vlerësoja si asnjë e ndihmoja dhe i dilja krahë për çdo gjë. E si mos ta ndihmoje atë dijetar e të matur, atë babëlok aq të ndershëm, që të futej në shpirt e në zemër si askush tjetër, duke qenë  njëkohësisht punëtor dhe dashamirës?

-Mos u rrëmbe, më thoshte. Mendoje mirë fjalën, para se ta nxjerrësh, duke kafshuar gjuhën. Shiko edhe kë ke për rreth. Ruhu nga të liqtë dhe karrieristët. Ja, p.sh., më tha një ditë: nga ai “turku”, që kam unë aty pranë, ruhu, se, ai diku vete e raporton, për çdo gjë që sheh dhe që  atij nuk i pëlqen. Ka plotë si ai.

Kur im vëlla, Bektashi, ra në burg, për një çështje ordinere të sajuar e të fryrë, Miti Rrumbullaku ishte i vetmi që më qëndroi më afër nga kushdo me porosi e këshilla. Veç të tjerash ai më tha me sinqeritet dhe intimitet:

-Luan i dashur! Të kam si djalin tim. E kuptoj që je në hall të madh dhe ke nevojë për çdo lloj ndihme... Ta dish që mua më ke gati për çdo nevojë. Më thuaj, si të kesh gjallë babën tënd, mikun tim të vjetër. Ti e di që unë i kam hequr ca para mënjanë për një ditë të zezë, për një të keqe të mundshme. Kjo e keqe të ra sot ty, por sikur më ka rënë mua...Ja ku i ke, merri. Mos mendo kur do m’i kthesh. Unë nuk t’i kërkoj më. Po i pate me thasë, si i thonë, m’i kthe me torbë. Ato janë si të ishin të Kamanit, babait tënd të ndjerë. Unë e falënderova dhe u kënaqa sa s’thuhet, por, natyrisht, nuk ia mora, se aso kohe nuk kisha nevojë për to. Miti u zemërua shumë.

Xha Miti kishte katër vajza: Lizën, Elvirën, Çivin dhe Linën.

Vajza e vogël, në moshën e adoleshencës, kaloi çaste tëpafundme dëshpërimi, të nxitura nga një intrigë dhe thashethemnajë. Çasti fatal kish lidhje me një premtim dashurie. Njomcakja e mjerë, e befasuar dhe shqetësuar nga një tradhti e pabesi e stisur, si dhe e ndodhur në një mjedis pa ngrohtësi dhe papërkrahjen e duhur, e ndofta, përkundrazi, në rrethana të një mjedisi fetar, përbuzjeje e dhune, nuk duroi dhe nuk gjeti zgjidhje tjetër, veçse vetëvrasjen  me helmim.

E kisha njohur nga afër Linën l6 vjeçare, kur vinte te shtëpia jonë në Muradie me të motrën, Elvirën, që ishte në një klasë dhe shoqe e ngushtë e motrës sime, Teutës… Lina ishte shumë e bukur, e zgjuar dhe ëndërrimtare. Mësova dhe për prapaskenën, intrigën dhe dizinformomin për dashurinë “e humbur”, që e çoi atë drejt çastit makabër.

Sa të papritura sjell jeta. Sa të kujdesshëm duhet të jemi me fëmijët tanë në këtë moshë kaq delikate. Për Dhimitër Rrumbullakun kjo ishte një goditje vdekjeprurëse që e plaku dhe e kërrusi para kohe atë, sportist e optimist të pa epur, aq sa s’e ngriti më kokën, derisa dha shpirt. Atij i ngeli peng ngurrimi dhe paaftësia për të vepruar në kohë, për të depërtuar në psikologjinë e adoleshentes së brishtë, me dilemën e fajit që ndofta, nuk i kishte qëndruar afër aq sa duhej, për ta kuptuar dhe parandaluar gjëmën.  

            Iku me një plagë të madhe xha Miti, patrioti vlonjat e mjeshtëri i rrallë, njeriu që radhiti në mijëra fletë fjalën e bukur shqipe.