E premte, 19.04.2024, 07:02 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Djali i Teme Sejkos:Babait i vunë prangat në zyrën e Beqir Ballukut,ende sot s’i di varrin

E diele, 27.06.2010, 11:20 AM


Nga Afrim Imaj

 

Arrestimi i Teme Sejkos paraditen e 28 korrikut ‘60, ka qenë një ngjarje e papritur. Ca më tepër motivi i prangosjes së tij. Kreshentua e emrit të mirë dhe karriera e Komandantit të Flotës Luftarake, e njeriut me emër në radhët e shtatmadhorëve, e njërit prej figurave kryesore të Luftës Nacionalçlirimtare, u ndërpre pikërisht këtu.

Kur i kthehet këtij momenti Rajmondi, i biri i Teme Sejkos, e ka të vështirë të përmbahet dhe i duhet që hera-herës të fshijë lotët. Ka edhe burra që lotojnë, mundohet të justifikohet dhe aty për aty nis të rrëfejë për të enjten e zezë të 28 korrikut ‘60, e cila sipas tij, ishte fillimi i fundit të Teme Sejkos që pak nga pak e ditë pas dite, solli një tragjedi të tmerrshme. Pastaj i mbijetuari i vetëm i familjes Sejko ndalon pak si për të sistemuar mendimet dhe vazhdon i mallëngjyer me momentet kur ka humbur të dashurit e vet: I pari iku babai, Temja. Pas një procesi maratonë thanë se e pushkatuan. E pushkatuan, po mbeti pa varr. I dyti, im vëlla, Sokoli. E vranë edhe atë me plumb. E pushkatuan si sabotator natën për ta lënë pa varr. E treta, ime më, Shpresa. E dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. E mira nënë, mbylli sytë ditën e arrestimit tim. Ikën të gjithë pas njëri tjetrit. Nuk mu dha rasti të përcjellë asnjërin për në banesën e fundit… “ Po Rajmond Sejko ka edhe një tjetër peng: ende nuk di ku pushojnë eshtrat e tyre. Prandaj rikthehet herë pas here nga Amerika ku jeton prej vitesh dhe gjurmon pa pambarim në kërkim të vendvarrimit të të atit dhe vëllait. Në një rrëfim për “Panorama”, Sejko sjellë një pjesë të përjetimeve nga kalvari tragjik i familjes së tij… 

 

Zoti Rajmond! Nga familja e Teme Sejkos ju jeni i vetmi që mundët të shpëtoni nga tragjedia e tmerrshme që e përfshiu atë pas arrestimit të babait…

 

Nuk do kisha dëshirë ta fillonim kësisoj, megjithatë mbijetesa në rastin tim ka qenë krejt e rastit. Fal Zotit streha e Teme Sejkos nuk u shua e tëra. Goditja ishte e tillë që ta shfaroste me rrënjë e me degë…

 

Ju ka qëlluar të përcillni për në banesën e fundit të gjithë të dashurit tuaj…

 

Në fakt kam përjetuar vdekjen e tyre, por në asnjë rast nuk kam marrë pjesë në përcjelljet mortore. Ky peng torturues do më shoqërojë deri në varr. Të parin humbëm babanë. Pas një procesi maratonë, na thanë se e pushkatuan. U pushkatua, po ku? As sot nuk dihet ku pushojnë eshtrat e tij. Madje për këtë ka me dhjetëra legjenda. Ka ndër to që pohojnë se Teme Sejko është gjallë(!) I dyti iku Sokoli, vëllai i vogël. Me plumb edhe ai. Fillimisht e shpallën armik, sabotator, pastaj e ekzekutuan fshehtazi. Që të mos i dihej varri. E treta ishte nëna. E dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. Ah e gjora nënë, e dhimbsura Shpresë… 

 

Pra, tragjeditë pasuan njëra-tjetrën pas arrestimit të babait. Çfarë kujtoni nga koha para këtij momenti…

 

Ishim një familje e plotësuar dhe jetonim në kushte normale. Babai së fundi ishte Komandant i Flotës Luftarake. Për shkak të detyrës së tij, banonim në Vlorë. Mbaj mend që aty vinin gati për natë miq e mysafir të shumtë. Pjesa më e madhe nga Çamëria. Me ta im at mbante lidhje të afërta. Më shpesh na vizitonte gjenerali Abaz Fejzo, që në atë kohë ishte me shtëpi në Vlorë. Kishte ndërkaq ish-kuadro të luftës, partizanë të Brigadës së Parë, drejtues të lartë, gjeneralë, komandues divizionesh etj. Nuk më kujtohet as një mbrëmje pa njerëz…

 

Teme Sejko ishte gjeneral i ardhur nga radhët e kuadrove të Luftës Nacionalçlirimtare. Çfarë mbani mend nga tregimet e tij për historinë e saj? 

 

Me babanë kemi pasur raporte të veçanta. Natyra e detyrës si ushtarak me funksion të rëndësishëm, e kushtëzonte të ishte në një farë mënyre mysafir në familje. Vitet e fundit ishte Komandant i Flotës me gradën kundëradmiral, e cila njësohej me atë të gjeneralit. Qëllonte që ditë e net të tëra të rrinte në repart. Shumë herë në shtëpi kthehej vonë, gjithnjë pas mbrëmjes. Pak fare pak qëndronte me ne. Nga aq sa komunikonim me të, mbaj mend se kujtimet nga lufta, i kishte mjaft për zemër. Bile dhe shokët, me të cilët krenohej, i përkisnin asaj periudhe. Ai kishte qenë drejtues në Brigadën e Parë dhe fliste me nostalgji për historikun e saj. Tregonte për betejat, për të rënët, për kuadrot e miqtë e llogoreve. Qysh nga ajo kohë ruante si kujtim një bllok shënimesh në formë ditari. E shfletonte shpesh dhe qëndronte për çaste të tëra duke e lexuar. Herë pas here shkëputej dhe na rrëfente ndonjë detaj që i kujtohej aty për aty. Mbaj mend se fliste për Mehmet Shehun dhe vlerësonte rolin e tij. Pjesën më të madhe të suksesit të Brigadës së Parë ia dedikonte Mehmetit. Po kështu fliste me një lloj konsideratë për Shefqet Peçin. Lufta në një farë kuptimi kishte lënë mbresa të pashlyera në kujtesën e tij…

 

Po me gjeneralët e tjerë çfarë raportesh kishte Teme Sejkoja?

 

Asokohe unë isha i vogël dhe nuk isha në gjendje t’i dalloja yjet e gjeneralëve. Vezullimi i tyre më dukej i njëjtë. Sa për rastin e Mehmet Shehut, ishte diçka e veçantë. Miqësia me të ishte ngjizur që gjatë luftës dhe për babanë kishte mbetur një figurë interesante. Me Shefqet Peçin kishte punuar në Divizionin e Gjirokastrës menjëherë pas çlirimit. Gjeneralët e tjerë kuptohet, mbeteshin kolegë e bashkëpunëtorë të tij. Nga goja e babait, në asnjë rrethanë nuk kam dëgjuar opinione negative në adresë të tyre…

 

Të vijmë tani te momenti i arrestimit…

 

E enjtja e zezë e 28 korrikut 1960! Kështu e ka quajtur në fillin mamaja, Shpresa. Pastaj të tillë e memorizuam edhe ne ditën e arrestimit të tij. Të zezë, skëterrë! Ajo ditë për familjen tonë shënoi një moment të pakthim. Ishte fillimi i fundit të Teme Sejkos që pak nga pak, ditë pas dite, solli tragjedinë e tmerrshme për krejt familjen…

 

Çfarë kujtoni nga e enjtja e zezë e 28 korrikut ‘60?

 

Unë kam qenë i vogli i fëmijëve, në atë kohë nxënës në fillore. Në mos gaboj 11 vjeç. Si i tillë as mund ta mendoja se çfarë po ndodhte. Kujtoja se e kishin thirrur me shërbim dhe do të kthehej si gjithnjë. Po kjo vetëm në ditët e para, se më vonë do mësohesha me të vërtetën. Sidoqoftë, momenti i arrestimit…

 

E keni parë nga afër prangosjen e Teme Sejkos? 

 

Historia e arrestimit të babait është disi misterioze. Ajo u bë sipas një skenari të parapërgatitur. Fillimisht e lajmëruan se do të shkonte me studime në Bashkimin Sovjetik, duke e urdhëruar të dorëzonte detyrën e komandantit të flotës. Ashtu bëri. Në pritje të procedurave zyrtare, u sistemua me punë të përkohshme në Ministri të Mbrojtjes. Të paktën kështu i thanë. Ndërkaq, ne vazhdonim të jetonim në Vlorë. Në hyrjen dy e kuzhinë te godina dykatëshe, që quhej ndryshe shtëpia e çifutit. Banonim në katin e dytë të saj, në të parin ishte familja e njërit prej këshilltarëve sovjetik të Pashalimanit. Një muaj nga largimi i babait, u sëmur Sokoli, vëllai i vogël dhe mjekët rekomanduan për t’i ndërruar klimë. Me njerëzit që njihnim siguruam një banesë në Pogradec. Aty shkoi nëna me Sokolin. Unë erdha te gjyshja në Tiranë. Si u mbushën disa ditë, babai shkoi për t’i marrë. Duke u kthyer nga Pogradeci konstatoi se e ndiqnin nga prapa. E kuptoi se diçka nuk shkonte… 

 

Pra, e arrestuan gjatë kthimit nga Pogradeci…

 

Babanë e arrestuan 10 ditë pasi u kthye nga Pogradeci. E mbaj mend si tani. Po lozja me një shok në oborr të shtëpisë së gjyshes diku afër gjimnazit “Ismail Qemali”. Një moment trokiti dera e jashtme dhe hyri rrufeshëm një grup njerëzish të veshur me kostume gri. Pa komunikuar fare nisën nga kontrolli i shtëpisë duke përmbysur gjithçka. Pas një ore dolën. Në mos gaboj ishte ora 11 para dite kur u larguan. Në ikje e sipër i thanë mamasë se Temen e kishin arrestuar. Ajo ngriu në këmbë, por nuk deshi ta jepte veten. E pashë që u trondit. Desha ta pyesja, po aty për aty ndërrova mendje. Nuk mund ta kuptoja ç’kishte ndodhur. Të paktën ato çaste. Pa kaluar gjatë morëm vesh se në të njëjtën orë ishte arrestuar edhe xhaxhai, Tahiri. Babanë, siç e mësuam më vonë, e kishin prangosur në zyrën e Beqir Ballukut…

 

Admirali besnik që u pushkatua për tradhti

 

Me një fluks dekoratash për besnikëri të lartë ndaj Partisë dhe atdheut, Teme Sejko, ish-komandanti i Flotës, u pushkatua për tradhti ndaj tyre. Lajmi tronditës për admiralin nga Çamëria, njeriun që ishte shquar në luftimet e Brigadës së Parë Sulmuese dhe kishte shkëlqyer gjatë studimeve në akademitë më prestigjioze të kohës, bëri bujë të jashtëzakonshme. Ishte maji i vitit 1961. Teme Sejko sa kishte mbushur dy vjet në krye të Flotës Luftarake dhe kishte përballuar me dinjitet situatën konfliktuale midis efektivave shqiptaro-sovjetike në pragun e divorcit me Traktatin e Varshavës. Për suksesin në sprovën e pazakontë ishte shpërblyer me gardën më të lartë në sistemin e armës ku shërbente. E teksa priste të tjera vlerësime për devocionin ndaj detyrës dhe Partisë në pushtet, u gjend befasisht i kryqëzuar, madje me një mal akuzash të padëgjuara kurrë. Në maratonën pafund të seancave hetimore, i kërkohej për të shpjeguar lidhjet me agjenturën greke, jugosllavëve dhe amerikanëve. Pastaj...Admirali Sejko, nuk do ishte më i tillë, por kreu i një “grupi komplotistësh që do përmbyste pushtetin popullor me dhunë.” Gjithsesi, diktatura nuk e rezervoi fatin e keq vetëm për të, por për tërë rrethin e miqve e të afërmve. Sakaq familja u përfshi nga një kalvar tragjik i pashembullt. I pari u pushkatua, djali i vogël, Sokoli me akuzën se do hidhte në erë Kombinatin e Tekstileve të Beratit. Djali tjetër, u dënua tetë vjet për agjitacion e propagandë. Shpresa Sejko, bashkëshortja, disa orë pas arrestimit të tij, vrau veten. Nga tërë familja, jeton vetëm djali i madh, Rajmondi, aktualisht emigrant në SHBA.

 

Misteri lojës së sigurimit: Teme Sejko, kreu i grupit armiqësor; Admirali, viktimë e legjendës së agjentëve të KGB-së

 

Shqipëria rrezikohet nga një sulm i mundshëm i Flotës së Gjashtë Amerikane që ndodhet në Mesdhe! Raporti sekret i dërgatës së fundit të këshilltarëve të KGB-s pranë kreut të Sigurimit të Shtetit në fillim të vitit ‘60, jepte gati haptas sinjalin e alarmit.Ishte pragu i divorcit me Moskën dhe misionarët sovjetikë të shërbimeve inteligjente tërhiqnin vëmendjen e Tiranës për të investuar për domosdoshmërinë e pranisë së nëndetëseve ruse në bazën e Pashalimanit. Në këtë kontekst misterioz u hap lajmi për zbulimin e grupit më të madh armiqësor që mbante lidhje me agjenturën greke dhe amerikane. Sakaq u njoftua se “koka e komplotistëve”, kishte qenë ish-komandanti i flotës, Teme Sejko...

 

Misteri i legjendës

 

Pas kaq dekadash nga tragjedia e Teme Sejkos dhe të ashtuquajturit “Grupi armiqësor çam” janë zbuluar dokumente e dëshmi autentike që provojnë se gjithçka ishte produkt i një loje të thurur nga këshilltarët e KGB-s në Tiranë. “Në Shqipëri vepron një grup armiqësor i lidhur me zbulimin grek e amerikan që synon të përmbysë pushtetin popullor, i mbështetur nga Flota e Gjashtë Amerikane dhe kryesohet nga një ushtarak i lartë”. Relacioni me këtë përmbajtje i përket fillimit të vitit ‘60 dhe mbante nënshkrimin e këshilltarëve sovjetikë të KGB-s, që operonin në Tiranë. Pikërisht në periudhën kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ishin në pragun e divorcit, misionarët e Hurshovit pranë Sigurimit të Shtetit japin alarmin e rrezikut të papritur. Jo rastësisht mesazhi i tyre veçonte kërcënimin nga Flota e VI Amerikane në Mesdhe dhe kryesimin e grupit nga një ushtarak i lartë. I futur me përparësi në axhentën e ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu, legjenda e agjentëve të KGB-s, menjëherë përfundoi te Enver Hoxha. Çështja paraqitej shumë serioze e kërkonte reagim të menjëhershëm. Ideja e sulmit me Flotën e Gjashtë nga Greqia nënkuptonte kërcënimin real para të cilit përballja në atë kohë shfaqej e pamundur. E vetmja mundësi për t’i bërë ballë mbetej bashkëpunimi me sovjetikët e Pashalimanit! Pra, duhej menduar seriozisht për praninë e nëndetëseve ruse në bazën e Vlorës. Sakaq, duhej nxituar për të kryqëzuar kokën e grupit...

 

Dështimi me gjeneral Hilmi Seitin

 

Mesazhi i agjentëve të KGB-së e bindi në një farë mënyre Enver Hoxhën për t’ia lënë një kohe tjetër largimin e nëndetëseve nga Pashalimani. Ndërkaq, Kadri Hazbiu kishte filluar nga operacioni i fshehtë për të zbuluar grupin armiqësor që mbante lidhje me Flotën e Gjashtë. I stërvitur në të tilla sfida, ish-kreu i Sigurimit zgjodhi si çështje të parë kryqëzimin e kreut të grupit sipas filozofisë “edhe kur nuk ekziston, duhet prodhuar” Platforma e miqve të tij të KGB-së rekomandonte ndërgjegjësimin e njërit prej ushtarakëve të lartë me origjinë nga jugu të pranonte “statusin” e “kokës së komplotit”. Prej tij mandej bëhej i mundur zbulimi i “ushtarëve” të grupit armiqësor të lidhur me agjenturën greke e amerikane. Prova e parë rezultoi e pasuksesshme. Gjeneral Hilmi Seiti, që u thirr i pari nga Hazbiu për të marrë përsipër rolin e kreut të komplotit, refuzoi prerë. Hezitimi kategorik nuk mund të kalonte pa pasoja, madje fatale. Për të ruajtur fshehtësinë e planit të thurur nën drejtimin e zbuluesve sovjetikë, Seiti nuk mund të mbetej i gjallë. Vetëm pak ditë pas kontaktit me Hazbiun, ai u gjet i vdekur në një kafe në Shkodër(!). Pas dështimit të parë, ministrit të Brendshëm iu desh të ndërronte skemën e veprimit. Këtë herë nuk kishte pse t’i drejtohej kujt të pranonte rolin e kryeagjentit. Në fund të fundit, ai kishte në dorë edhe gurin, edhe arrën. Mjaft t’i vinte syrin një oficeri të lartë dhe ta shpallte kokën e grupit, duke e futur në qelitë e errëta. Aty pastaj, pas kërbaçit, ta bindte për të pranuar rolin e besuar nga plani misterioz. Fill pas dështimit me gjeneral Seitin, u dëgjua arrestimi i kundëradmiralit të Flotës Luftarake, Teme Sejko. Që këtej mori udhë loja që kishin kurdisur sovjetikët në bashkëpunim me Kadri Hazbiun për të goditur grupin armiqësor që vepronte në jug të vendit, i lidhur me agjenturën greke dhe amerikane. Gjenerali i famshëm me origjinë nga Çamëria tanimë ishte shpallur tradhtar, madje në grupin e tij kishte angazhuar mbi 300 bashkëpatriotë të tjerë...

 

Mehmet Shehu, në qelinë e Teme Sejkos

 

Duhet të pranosh se ke kryesuar një grup tradhtar për të përmbysur me dhunë pushtetin popullor! Thirrjeve të njëpasnjëshme të njerëzve të Sigurimit Teme Sejko iu përgjigjej prerë:

“Asnjëherë! Kam dashur atdheun dhe në emër të tij kam bërë gjithçka!” Kur po dukej se po dështohej dhe me këtë metodë, u fut në lojë Mehmet Shehu, një nga miqtë e hershëm të admiralit Sejko, që dikur kishte qenë kuadër i lartë i Brigadës së Parë. Po Kryeministri nuk mund të shkonte në kushte të zakonshme përballë tij. Ai u shfaq në qelinë e Teme Sejkos, kur ky i fundit ishte mbajtur pesë ditë me radhë i mbyllur në një arkivol. Nuk dihet si rrodhi dialogu mes dy miqve të hershëm, por burime të besueshme kanë konfirmuar se admirali, më në fund, u bind dhe iu përgjigj rregullave të lojës. Ajo që ndodhi mandej me gjyqin fasadë, ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër kishte të bënte me pabesinë ndaj Sejkos dhe mistereve pafund për fatin e keq të admiralit dhe familjarëve të tij.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora