E enjte, 13.08.2020, 01:14 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Vargu nëpër kohë - Fuqi poetike dhe urë që lidh fate kohe dhe dashurie

E shtune, 26.06.2010, 09:00 PM


R e c e n s i o n

 

Sejdi BERISHA:

 

VARGU NËPËR KOHË-FUQI POETIKE DHE URË QË LIDH FATE KOHE DHE DASHURIE

(Lulzim Logu: “Koha vdes si zemër”, poezi, botoi EGNATIA, Tiranë-2009)

 

Poezia është kënga më e bukur, është kënga më e dhembshme e cila asnjëherë nuk këndohet pa u pjekur si qershi e si mollë, që pastaj  i dhurohet dashurisë, jetës dhe njeriut. Mirëpo, edhe mënyra se si shtrohet ajo në sofrën e begatisë krijuese, ka peshë mu ashtu sikurse kujtimi i cili nuk harrohet deri në mbarim, por që nuk lejohet të bëhet tërësisht histori as e këngës dhe as e jetës. Kështu, vargëzimi e fiton peshën, i cili shndërrohet në “serenada” të cilat nuk këndohen vetëm nën dritaren dhe nën ballkonin e shtëpisë të vashave.

 

Fuqia e inspirimit dhe karakteristika e trevargëshit

 

Poeti, Lulzim Logu, i cili tanimë ka të botuara shtatë vepra, me librin “Koha vdes si zemër”, ka sjellë vargun karakteristik por edhe fuqinë e inspirimit, të dyja këto, duke i bërë lapidar në nga tre vargje. Titulli i kësaj vepre, në të cilën zbatohet forma e vargëzimit përmes haikut, trajtë kjo e cila në letërsinë tonë deri me tash shumë pak është zbatuar, është me një mesazh katërçipërisht pasqyrë kohe, por edhe varg me metaforë zëdhënëse, që tërheq për ta lexuar librin në një frymë. Në të gjitha trevargëzimet i këndohet dashurisë, e cila si strumbullar përvidhet tek të gjitha rrafshet dhe temat. Andaj, poeti shndërrohet në shëtitës, si bleta prej lule në lule, duke mbledhur dhe duke shpërndarë polenin e jetës si “aromë trumze”, por edhe si “ethet e dashurisë së vjetër”.

Autori, përpiqet këngës t’i jap fuqi, këndim dhe histori të veçantë, duke e shëtitur veten dhe shprehjen poetike nëpër të gjitha strukturat e dhuntive dhe të begative që ka natyra, duke fuqizuar të kaluarën dhe të tanishmen, pos tjerash edhe përmes toponimeve që rrumbullakojnë relievin kombëtar: “19 verërave në Bjeshkët e Nemuna/Për të gjetur/Fëmijërinë e fshehur shkrepave...”. Por, këto vargje nuk pasqyrojnë vetëm ngjyrat pikëluese shpirtërore. Ato, na përkujtojnë mbase edhe na detyrojnë rrugëtimin e njeriut me karakteristikat e jetës, që më së shumti na sjellin ndërmend dhe na shtojnë begatinë e ditarit, i cili e ka peshën e durimit, të krenarisë, por edhe të etjes për të rrëfyer dhe për të treguar tërë atë mllefin dhe dufin e fshehur të shpirtit, sepse, rrugëtimi është interesant por edhe i pamëshirshëm. Gjithashtu, ky rrugëtim është shumë i shkurtër, e ndonjëherë edhe shumë, shumë i gjatë!...

Për ta bërë, apo për ta shndërruar harxhimin e jetës në pasqyrë malli e në respekt kohe, poeti di të provokojë edhe kështu: “Te varri yt kam mbjellë/Një molikë të vogël/Fërshëllen zemra ime...”. Molika, nuk është vetëm dru fisnik dhe karakteristik në anët prej nga vjen autori, por ajo është cilësore, e qëndrueshme dhe jeton gjatë. Andaj, si dru i tillë, ajo, nëpër shekuj i ka njohur, i ka përjetuar dhe u ka përballuar stuhive. Po ashtu, ajo e di historinë, të cilën, me moshën e vet e lë si shenjë e nishan, por edhe si enigmë, të cilën dot nuk e shpjegon dhe as nuk rrëfen për te deri në fund, as për jetën as për dashurinë dhe as për urrejtjen. Gjithashtu, nuk tregon as për tragjedinë: “E gjatë nata, por s’mund të fle/Krahaqafë me kujtimin tënd/Mezi marrë frymë...”!

 

Vargu si këngë dhe ëndërr, por edhe si pikturë e papërfunduar

 

Në haik(poezi trivargëshe), fuqia e vargut shumë më shumë e kapërthen përjetimin, i cili, herë shndërrohet në ëndërr e herë në ngjyrat më të ngrohta të pikturës së papërfunduar: “Nuk kam më fuqi/Që të shoh në ëndërr/Po nis ta harroj ditën...”, ose, “Lumi sjell çdo mbrëmje/Rroba të lehta vajzash, harruar/Pas dashurisë verore...”.

Në “Koha vdes si zemër”, autori shëtitë dhe përpëlitet shthurur për ta pasqyruar jetën ashtu si është, e përplasur si vet njeriu dhe mendja e tij. Mu për këtë arsye, edhe vargjet e kanë një ndërtim të përkryer poetik dhe esteto-letrar, sa që të bëhet se secili është histori në vete, e që kjo madhështon rrjedhat e jetës e cila mëshirën e ka këngë, e kënga pastaj bëhet ushqim që reflekton fuqinë impulsive për të qëndruar vertikalisht, por gjithnjë pastër, çiltër dhe me vetëdijesimin njerëzor, siç: “Shkojnë ngadalë nëntokë(Minatorët)/Marrin me vete hisen e diellit/Ndoshta përjetë?!...”. Mesazhi i këtyre vargjeve është, edhe ndërgjegjësues, edhe edukativ dhe qortues për ndodhitë që mund ta kapërthejnë botën e njeriut. Sepse, “Po të vdes befas këtu/Kush më qan në ikje nga kjo jetë/Brof nga shkëmbi pëllumbi i egër...”!

Mali, çetina, mjedra, lumi, shiu, qyqja, pëllumbi, shkëmbi, zogu etj., janë pjesë e arkitekturës së vargut në këtë libër me universin e jetës plotë ngrohtësi, edhe atëherë kur dhembja bëhet e “egër” dhe e pamëshirshme kudo që njeriu përpiqet të zë vend: ”Ajo mbi varrin e freskët/Nuk ishte fotografia jote/Tjetër është në zemrën time...”, ose, “Veç një mëndafsh i vjetër ngjyrë rozë/Zor të mbaj të gjithë lotët e tu/Dhe brengat e mia...”!

Megjithatë, me të gjitha trakullimat, jeta i ngjanë lindjes fatlume, por e cila mund të shndërrohet menjëherë edhe në këngë të truar pamëshirë, por: “Më mirë një dhimbje pafund me ty/Sesa një fund pa dhimbje”. Sërish do theksuar se haiku e ka “privilegjin” e vargut me peshë, i cili varg më shumë ta detyron dhe preferon dashurinë, dhe atë pa marrë parasysh koston: “Të kam dashur me trup dhe shpirt/Asgjë s’ishte tjetër atëherë, veç teje/Tani janë tjerët...”! E tërë kjo, si duket ndodh kështu, ngase, si gjithmonë dhe si në të gjitha periudhat, ura e vjetër: “...Lidh fate dashurie...”.

Këtu qëndron diapazoni meditativ dhe pesha krijuese e poetit, i cili në këtë libër sikur na sjellë tablo të atilla jete që bëjnë antologji dhe liqe dëshirash, në të cilin pulëbardhat e madhështojnë jetën, e përcjellin lindjen jo vetëm të diellit, dhe të gjitha i bartin mbi krahët e lumturisë. Ani pse, nganjëherë poeti e ka ngarkesë dhembjen dhe mallin: “Mos e harroni blirin pa ujë/Mos i lini të vyshken luleborat/Të jeni me mua...”. Ai e ka të qartë këndimin për lumturinë, për hënën e diellin, për malin e fushën që janë pjesa më e çmueshme e njeriut, pra edhe e vet e autorit, të cilit nganjëherë: “Mëngjesi i ngjanë si muzg...”.

Në kontekstin e këndimit, poeti, jo rrallë na reflekton edhe vlerat e rrugëtimit të vet në trajtë autobiografike, i cili prekë thellë edhe mendimin jo vetëm për familjen por edhe për kombin dhe atdheun. Kështu kuptohen, por edhe provokojnë për mendimin shumëdimensional dhe deskriptiv në poezi, vargjet: “Ishte shkurt, kur lindi im bir i vetëm/Tani lis krahëgjatë dashurie/Në oborrin e shtëpisë...”.

Pra, lisi është simbol historie i trungut dhe i rrënjëve, pa të cilat jeta do të ishte e gjymtë, apo do t’i ngjante torzosë. Ndërsa, etja për dritën dhe lirinë, tek poeti Lulzim Logu, shprehet në forma e mënyra të ndryshme. Andaj, nuk është aspak habi nëse ajo shndërrohet në fletore poezie, në tik-tak ore, në frikë nga gjarpri apo edhe në shperëtimë. Pikërisht, për këtë arsye, ai ligjëron edhe në këtë formë: “Kurrë nuk i ndiqja xixëllonjat fëmijë/Për mua ishin pika dielli/Në natën e errët...”. Ndërsa, vargjet: “Kanë ikur të gjithë prej vendlindjes/Vetëm hija ime/Luan shelgjet e breglumit...”, janë jo vetëm mesazh dhe metaforë, por edhe vajtim e qortim për këtë “fenomen”, i cili kurbetin, edhe sot  po e shndërron gjithnjë e më shumë në plagë të pashërueshme!

 

Komunikimi poetik me kohën dhe njeriun

 

Edhe në poezitë pesëvargëshe(Tanka), autori i kësaj vepre na i sjellë motivet dhe përjetimet  interesante për “biografinë” e vendlindjes dhe të atdheut për t’i shpjeguar dhe sqaruar lexuesit, se: “Sa shpesh digjen (qirinjtë) netëve tona të gjata si kujtime/Në pjatën e madhe të natës shuhet shpirti.../...Ndalet ora e murit papritur,/lavjerrësi bie/Veç qelqi që thyhet pastaj,/kris një çast/Koha vdes si zemër...”! Kjo dëshmon, se poeti di bukur të ligjërojë dhe të komunikojë edhe me vargun duke i hapur rrugë çdo gjëje që lumturinë e ka themel, që fjalën e bukur e ka ushqim: “E putha në rrugë miken time të vjetër,/tashmë grua/A të kujtohet kur më tërhoqe për krahu?/Atëherë, më the/S’di pse nuk erdha...”!

Dhe, duke u bazuar në tërë këtë vargëzim dhe në këtë kuvendim shpirtëror, del se kur koha vdes si zemër, atëherë çdo gjë përcjellët me zjarrin e shpirtit, me fuqinë e mallit për ta dashur njeriun deri në kaltërsitë e botës, të cilit, gjithnjë por edhe sot, në këtë nënqiell dukshëm i ka munguar. Kurse, jeta harxhohet e përplaset nëpër stinë motmotësh si gjethi në vjeshtë. Kështu, Lulzim Logu, në “Koha vdes si zemër”, me vargjet aq të fuqishme dhe të ngrohta, me mesazhin i cili shpesh i ngjanë trembjes së shpirtit dhe zogut të trishtuar, njeriun e shndërron në rrugëtim me, dhe pa histori, edhe atëherë kur çdo gjë, njëkohësisht bëhet dhembje dhe dashuri.

E, kur është kështu, atëherë poeti bëhet kohë, kurse jeta e tij, zemër. Andaj, ky krijues i mirëfilltë, gjithnjë i matur dhe i kujdesshëm, me vargjet e veta ka krijuar piramidë në të cilën, ai bashkë me poezinë, edhe këndojnë edhe kanë mall. Ndërsa, e bukura, lumturia por edhe dhembja, ia shtojnë vlerën e mendimit artistik dhe filozofik të vargut, ia shtojnë vlerën jetës. Kështu që, në këtë rast, koha buzëqesh në thellësinë e shpirtit, në thellësinë e zemrës, edhe atëherë kur ndonjëherë bilbilat mbesin gjithnjë duke kënduar, apo, edhe ikin pa e kënduar këngën deri në fund, e cila pastaj shndërrohet në etje dhe në rrugëtim të pambarim. Kujtoj se kështu duhet kuptuar librin “Koha vdes si zemër” të Lulzim Logut.



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora