E enjte, 18.04.2024, 11:00 AM (GMT+1)

Mendime

Mehmet Bardhi: Të zbardhet Masakra e Tivarit

E premte, 25.06.2010, 09:59 PM


LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI

DEMOKRATSKI SAVEZ U CRNOJ GORI

DEMOCRATIC LEAGUE IN MONTENEGRO

Nr.  120 / 10 

Tuz,     22. 06. 2009

Tel/fax: (++382 30) 413 009,, 020 / 875 903

 

  ZBARDHET MASAKRA E TIVARIT

 

Pyetja që deputeti Mehmet Bardhi,  i bëri Qeverisë, gjegjësisht kryetarit Millo Gjukanoviq, për Masakrën e Tivarit, të 01 prillit 1945, në mbledhjen e Nëntë, të posaçme, të Kuvendit të Malit të Zi, të përbërjes së 24 –të, të caktuar për datën 16 qershor 2010, pika ORA E KRYEMINISTRIT DHE PYETJE TË DEPUTETËVE.

 

I nderuari zotëri kryetar,

 

Ka shumë ngjarje, në të kaluarën e afërt dhe të largët, të cilat kanë ndodhur në territorin e sotëm të Malit të Zi, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyera, hije të zezë dhe barrë  të rëndë breznive, pra edhe këtij pushteti, pasi që nuk i kanë zbardhë deri sot. Para së gjithash për papërgjegjësinë ndaj histories së vet, për shkak të mosgatitshmërisë që të ballafaqohen me të vërtetën, qoftë ajo edhe më e hidhura, për qëllim që t’i fshehin kryerësit e krimeve dhe urdhëndhënësit, për shkak të përkatësisë dhe lidhjeve të afërta (farefisnore, partiako-politike, nacionale etj.) me to  ose për shkak se  në një mënyrë apo një tjetër i kanë përkrahë këta ekzekutime, si pjesë e politikës  projektuese  të planifikuar kundër nacionaliteteve të caktuara dhe trojeve të tyre. Kështu që ende edhe sot kemi që  nuk janë zbardhur të gjitha krimet nga periudha  e Luftës së Dytë Botërore e as pas saj. Pra shumë devijime dhe krime nga periudha komuniste, si ekzekutimet politike pa gjyq etj. Mali i Zi këto i ka heshtë, madje zyrtarisht as nuk i ka gjykua as verbalisht, e jo më të hapë procedure hetimi! Megjithëse është  pyetje në vete se si t’i qerojë hesapet me këto, kur edhe sot, ka funkcionarë në poste shumë të larta shtetërore, të cilët kanë marrë pjesë në procese të ndryshme politike-policore gjyqësore (të montuara) kundër intelektualëve  dhe të tjerëve shqiptarë etj., në kohën e regjimit komunist.

 

Njëra nga ngjarjet e tilla të tmerrshme, holo-kausti në këto treva është edhe MASAKRA E TIVARIT, e cila ka ndodhë më 1 prill 1945, në Tivar, Breg të Tivarit,  në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit “…në mënyrën më  barbare dhe më terbuese shoviniste që njohu historia, vetëm brenda disa minutave, dhe në një  sipërfaqe prej rreth dhjetë ari vend, ushtria serbo-malazeze masakroi, me armë zjarri  e armë të ftofta, 3770 shqiptarë duarthatë, të mobilizuar kinse  për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë…” 1) të mobilizuar nga të gjitha anët e Kosovës në qendrën mobilizuese në Prizren, nga ku, kah fundi i marsit, nga të mobilizuarit, 7700 shqiptarë, të grupuar në tre eshallone, i përcollën këmbë (të cilëve më përpara , që në Prizren, ju kishin marrë armët) në rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-(Anë e Malit)- Tivar, kinse me qëllim që t’i transportonin

për Dubrovnik, Trogir e Istër në frontin e Trieshtës… Ngjarja tregoi se qëllimi i vërtetë ishte krejtësisht tjetër - likuidimi i tyre.

 

„Një plojë dhe një masakër kaq masiv i kryer me tradhëti mbi mijëra vetash moshash nga  16 deri në 60 vjeç dhe në një sipërfaqe kaq të vogël, nuk e njeh historia dhe, ia kalon „Natës së Bartolomeut“ të Parisit, më 24 gusht 1573, që njihet si sinonim për vrasjet masive e të paskrupulla të kundërshtarëve ideologjikë. Në rastin  e „Natës së Bartolomeut“ në Tivar, vrasësit gjakpirës shtazarakë, në shqiptarët e molisur nga marshimi i gjatë e lodhja  deri në rraskapitje, shihnin  kundërshtarë ideologjikë, fetarë e kombëtarë!?!“2)

 

 

 

Në atë batare nga të gjitha anët, disa arritën të iknin e të shpetojnë. Këta mbetën dëshmitarë të gjallë  të kësaj masakre e këtij krimi makabër... Përndryshe për herë të parë dhe të fundit, atëherë, për këtë masakër, dha disa të dhëna vetë Aleksandër Rankoviqi 3) në Kongresin e I të PK të Serbisë, kur ai e përmendi dhe kritikoi „aktin kriminal të malazezëve“. Me atë rast ai përmendi shifrën prej „disa qindra“ të vrarëve... Edhe atëherë edhe më vonë, çdo gjë ishe nën shifrën „rreptësisht sekret“ (serb. strogo pov.), deri me rënien e tij në vitin 1966. Por, edhe pastaj , as deri sot kjo ngjarje e rëndë, makabre e tradhëtare për shqiptarët nuk u zbardh, megjithëse në Kosovë për këtë pati iniciativë, tentativë e parashtresë. Por vetëm kaq. Megjithëse kaluan  plot 65 vjet, pushteti zyrtar as i asaj Jugosllavi, as i Serbisë e as i Malit të Zi, në territorin e të cilës ndodhi kjo plojë e masakër, dhe ushtria e së cilës këtë e bëri, për Masakrën e Tivarit – asnjë fjalë. Zyrtarisht asgjë. Përndryshe njerëzit për këtë kanë folë, e kanë denuar këtë akt makabër dhe kanë kërkuar shpjegim.

Është folë edhe kjo, se disa nga ata që mundën të shpëtonin, në rrugë e sipër disa „civilë“ të „etshëm për gjak shqiptari“ i kanë vra në rrugë. Për këtë dëshmojnë disa varre pranë rrugës mbi Tivar... Por, nëse dihet kush i vrau dhe ku u vranë, pyetja është gjithë ata qindra e mijëra kufoma ku i varrosen? Çka bënë me to? A ka dhe nëse ka ku është varri i tyre (i përbashkët), pasi deri tash nuk është gjetur ndonjë varr i tillë masiv. E vërtetë është se shumë prej kufomave i përpiu deti. Në Breg, në detë pranë skelës, janë parë shumë kufoma e plisa të bardhë, që  notojnë mbi ujë ditë të tëra! Por  për kufomat, të cilat i ngarkuan në kamiona dhe i dërguan në pllajen e malit të Sutormanit, nuk dihet vorri, nuk ka asnjë gjurmë, së paku deri tash.  Mos i kanë hedhë në ndonjë shpellë? Dikush pa dyshim duhet të dijë.

 

Në lidhje me këtë, zotëri kryeministër, meqenëse krimet nuk vjetrohen, ju bëjë pyetjen që vijon:

 

- A kanë ndërmend organet zyrtare të shtetit të Malit të Zi që të  nisin hetimin dhe të zbardhin rastin e MASAKRËS SË TIVARIT, holo-kaustin e vërtetë në këto treva, të cilin e kreu, më 1 prill 1945, në Tivar, Breg të Tivarit,  në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit “…në mmënyrën më  barbare dhe më terbuese shoviniste që njohu historia, vetëm brenda disa minutave, dhe në një  sipërfaqe prej rreth dhjetë ari vend, ushtria serbo-malazeze, kur masakroi, me armë zjarri  e armë të ftofta rreth  3770 shqiptarë duarthatë, të eshallonit të dytë, të mobilizuar kinse  për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë…” . Ata i mobilizuan, nga të gjitha anët e Kosovës, në qendrën mobilizuese në Prizren, nga ku, kah fundi i marsit ( 7700 rekrutë shqiptarë, megjithëse në dokumentet ushtarake ata quhën „ljudstvo“  („njerëz“(sic)), të grupuar në tre eshallone, i përcollën këmbë (të cilëve më përpara, që në Prizren, ju kishin marrë armët) në rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-(Anë e Malit)- Tivar, kinse me qëllim që t’i transportonin për Dubrovnik, Trogir e Istër në frontin e Trieshtës… Ngjarja tregoi se qëllimi i vërtetë ishte krejtësisht tjetër - likuidimi i tyre.

 

Siç duket, kjo pyetje, imja, është iniciativa dhe kërkesa e parë, me shkrim, që rasti të zbardhet. Faji dhe përgjegjësit të personalizohen e të gjykohen. Drejtësia këtë e kërkon. Edha ata që shpëtuan e që janë gjallë, po edhe familjarët e tyre, të gjallëve e të vdekurve, kërkojnë që t’i shohin para drejtësisë e të bëhën zyrtarisht të njohur përgjegjësit, ekzekutuesit e sidomos urdhërdhënësit. Prandaj kërkojmë që të hapet procesi,  të hetohet dhe të zbardhet ngjarja. Më së miri është që organet kompetente të Malit të Zi ta bëjnë këtë. Raportet për këtë masakër kanë mbërrijtë edhe në OKB-në. Siç thashë krimet nuk vjetërsohen. Është më se e nevojshme që e vërteta të dalë në shesh. Të personalizohen faji dhe  fajtorët. Ata duhet gjykuar e denuar qoftë edhe pas vdekjes. E drejta këtë e kërkon. Dihen eshallonet. Dihen emrat e komandantëve. Dihet rendi dhe hierarkia e komandimit dhe pozita e vartësëve dhe të varurve. Dihen formacionet përcjellëse dhe komandantët e tyre, ata që lejuan e urdhëruan masakrin, si dhe malltretimet e vrasjet  gjatë rrugës për në Tivar. Janë dokumentat e shkruara. Janë dëshmitë e dhëna e të shkruara. Janë dokumentat dhe raportet e shkruara ushtarake...

 

Pres përgjigje, në formë të shkruar.

 

Falëminderit.

Mehmet Bardhi, deputet, Ulqin

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora