E shtune, 20.04.2024, 01:41 AM (GMT+1)

Mendime

Fahri Balliu: Të hedhim pas krahëve komunizmin

E premte, 25.06.2010, 09:29 PM


Integrimi në Bashkimin Europian, ndryshimet në dy dekadat e fundit dhe nevoja për t’u shkëputur nga e kaluara vijnë përmes një interviste që shkrimtari Fahri Balliu ka dhënë për gazetën belge “New Europe”. Ai i përgjigjet pyetjeve mbi situatën që po kalon Shqipëria, perspektivat e saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane dhe sigurisht për librin e tij, “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha, i përkthyer në disa gjuhë të botës.

 

Historia e komunizmit në Shqipëri flet për diktaturën më të egër. Cili është mësimi më i çmuar që kanë nxjerrë shqiptarët prej saj?

 

Mësimi më i çmuar prej saj është forcimi i demokracisë në Shqipëri, në ditët e sotme. Krijimi i shtetit të së drejtës dhe prerja e rrugës çdo përpjekjeje për ta ngjallur në forma majtiste, radikale, frymën antihumane, antidemokratike të komunizmit. Kjo është arsyeja që shoqëria shqiptare është e përfshirë në një përplasje të fortë midis inteligjencies që shikon përpara dhe produkteve intelektuale të komunizmit që maskojnë shërbesën e vjetër politike. Kjo është arsyeja që institucionet demokratike shqiptare të krijuara dhe të themeluara vitet e fundit goditen nga politika e rrugës dhe kërkesat jashtinstitucionale. Ky duel përcaktohet nga reformimi jo i plotë i forcave politike që trashëguan Partinë Komuniste. Një pjesë e kësaj force politike nuk është shkëputur nga e shkuara dhe nuk ka divorc, as zyrtar e as në mentalitet nga partia e periudhës diktatoriale.

 

Cili është perceptimi i shqiptarëve për pyetësorin e ngritur nga BE, në kuadër të procesit të zgjerimit? A e shohin ata si një proces afatgjatë?

 

Shoqëria shqiptare ka një kualitet të lartë përgjegjshmërie, lidhur me standardet që duhen arritur, për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Kur themi “kualitet i lartë”, kemi parasysh në radhë të parë përgjegjshmërinë e Qeverisë shqiptare, e cila, si në mandatin e parë, edhe në atë të dytë, u ka hapur rrugë reformave të thella, në shumë aspekte; ekonomike, politike, juridike, sociale... Prej vitit 2005, Shqipëria është një vend i dalluar, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, apo procedimit elektronik të të gjitha tenderave e prokurimeve publike. Një aspekt i suksesshëm është ai i ruajtjes së kufijve dhe goditjes së trafikantëve të ndryshëm. Vendi prej gjashtë vjetësh tashmë është një arenë sigurie, qetësie dhe stabiliteti. Kjo ka bërë që të zbresim deri tek qytetari i thjeshtë, jo vetëm përgjegjësia për punën individuale, por edhe përkushtimi për t’i përkrahur dhe mbështetur këto reforma të politikës. Mund të themi se perceptimi është i konvertuar në punë dhe i kuptuar si punë.

 

Si ka ndryshuar Shqipëria këto dekadat e fundit?

 

Është i pakrahasueshëm ndryshimi i Shqipërisë këto dekadat e fundit. Themi është i pakrahasueshëm, se realiteti shqiptar komunist ka qenë aq i egër ekonomikisht dhe në aspektin e të drejtave të njeriut, sa mund të themi se Shqipëria ishte një shtet-burg. Në modelet e shtetit komunist, Shqipëria dhe shqiptarët ishin një popull dhe një shtet pronë e një feudali dhe familjes së tij, pronë e Enver Hoxhës. Statistikat e vrasjeve, burgosjeve, varfërisë, tejkalonin nivelet e Afrikës dhe 10-100 herë Koresë së Veriut sot. Kështu që shembja e komunizmit në radhë të parë riktheu në Shqipëri lirinë e individit, institucionet demokratike, të cilat zëvendësuan egërsinë e një partie të vetme me shtetin e së drejtës. Forcat antikomuniste që u udhëhoqën nga Sali Berisha iu përgjigjën në një kohë të shkurtër nevojave të shoqërisë pluraliste shqiptare me një legjislacion modern dhe në kohë rekord, vendosën iniciativën private në vend të një kolektivizimi total. Rifutja në lojë e forcave të egra komuniste në ’97 shkaktoi dëme të konsiderueshme në jetën politike e ekonomike dhe për disa vjet, Shqipëria u bë shumë problematike për sa i përket korrupsionit dhe lidhjes së krimit me politikën. Por sot, kjo i përket serisë së dytë të pushtetit komunist në Shqipëri. Mjafton të themi që për këto vitet e fundit, edhe pse kriza ekonomike është mbarëbotërore, Shqipëria mund të jetë i vetmi vend që nuk është prekur prej saj, madje ka disa arritje të vlerësuara nga institucionet financiare ndërkombëtare si surpriza ekonomike.

 

A do të jetë vendimi për liberalizimin e vizave, shenja se vendi po ecën në rrugë të mbarë?

 

Patjetër! Historia parakomuniste e Shqipërisë është historia e një kombi që jo vetëm bënte pjesë në Europën dhe Perëndimin e vërtetë, por madje ka qenë protagonist i mbrojtjes së vlerave të Perëndimit, madje edhe më ngushtë akoma, të Krishtërimit. Periudha e Skënderbeut që quhej nga papa i kohës “atlet i krishtërimit”, si dhe lufta pa fund kundër Perandorisë Osmane, përmes kryengritjeve popullore, përbën një kontribut të paçmuar të kombit shqiptar në mbrojtje të historisë dhe identitetit të përbashkët evropian. Në këtë kuptim, shqiptarët marrin vizat që patën humbur prej tallazeve historike të kohës. Kjo do ta bëjë edhe më të lirë, njeriun e lirë shqiptar. Dhe sigurisht, që është rruga e mbarë e kombit dhe e shtetit.

 

Zoti Balliu, ju jeni autori i librit “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, best-seller në Shqipëri dhe që është përkthyer në frëngjisht, rumanisht, maqedonisht dhe po planifikohet të përkthehet edhe në një sërë gjuhësh të tjera. Pse ky libër ka rezultuar kaq i kërkuar dhe kaq i suksesshëm?

 

Libri ka në epiqendër veprimtarinë - që zbulohet për herë të parë - të gruas së diktatorit Hoxha, e cila, siç thotë shkrimtari i madh Ismail Kadare në parathënien e librit, se ashtu si Çian Çini e Mao Ce Dunit apo Elena Çausheksu kanë luajtur një rol shumë të madh, fatal, në jetën e shteteve të privatizuara nga burrat e tyre. Nexhmije Hoxha është një makinë politike vrastare. Ajo në Shqipëri ka qenë ligji, jeta apo vdekja e individit. E egër, e ftohtë, me një urrejtje antinjerëzore, ajo në të vërtetë është një serial-killer e fshehur pas gjithë proceseve politike vrastare në Shqipëri. Me një përpjekje diabolike për të mbetur në hije, për të mos iu dukur duart, ajo bashkë me Ramiz Alinë, janë mekanizmi i fshehtë i vrasjes së shqiptarëve dhe i kombit shqiptar në përgjithësi. Në libër zbulohen fakte drithëruese dhe sigurisht ato kanë qenë tepër të fshehura e misterioze. Libri ia çjerr maskën dhe kjo nuk bëhet për një histori të vjetër, por shumë të re, të shqiptarëve. Madje, protagonistja e librit, është akoma gjallë, e pa penduar dhe ende në një aktivitet antihuman, antidemokratik, sepse komunistët stalinistë nuk e njohin pendesën dhe faljen. Pikërisht kjo përbën dhe një aspekt të ashpër të luftës politike në Shqipëri. Askush nuk ka kërkuar falje për krimet që ndodhën.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora