E enjte, 28.03.2024, 10:08 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Majko e Xhufi: I vetmi serb në Shqipëri, Fazlliç

E premte, 25.06.2010, 08:12 PM


TIRANE-Vizita e ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në Serbi është cilësuar si “e gabuar” nga ish-kryeministri Pandeli Majko. Ndërsa deklaratat pro ekzistencës së një minoritet serb në vendin tonë janë vlerësuar si “lëshime ndaj Serbisë”, nga historiani dhe ish-zv/kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ata e kanë kritikuar këtë vizitë të Metës, në reagimet e tyre publike dje. “Kjo vizitë e gabuar në kohën e gabuar, në thelb i shërben Beogradit. Aktualisht, Shqipëria nga kjo vizitë nuk ka fituar asnjë gjë. Kjo është vizitë e gabuar, në kohë të gabuar”, - deklaroi dje në një intervistë televizive, Majko. “Në një mënyrë a në një tjetër e ka ndihmuar Beogradin, të paktën në perceptim, të shfaqet si një qendër e rëndësishme përsëri e vendimmarrjes ballkanike. Kjo vizitë e gabuar, në kohë të gabuar realisht krijon telashe, probleme, keqinterpretim dhe një perceptim negativ. Unë jam i bindur jo vetëm brenda Shqipërisë, po dhe jashtë asaj”, - nënvizoi Majko. Sipas tij, “Serbia pas kësaj vizite bëhet dhe më e besueshme në qëndrimin e ashpër karshi Kosovës. Merr një fizionomi dhe më rajonale, duke e përdorur këtë mbikalim që diplomacia shqiptare i bën Kosovës”. “Për fat të keq, diplomacia shqiptare çështjen e Kosovës dhe gjatë kësaj vizite e ka trajtuar si një çështje ku palët nuk bien dakord, a thua se çështja e Kosovës është si çështja e emrit të Maqedonisë në marrëdhëniet me Greqinë”, - theksoi ish-kryeministri.

Minoriteti

Qëndrimi i mbajtur nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në lidhje me deklaratën e ministrit të Jashtëm, serb për ekzistencën e minoritet serb në Shqipëri, është kritikuar ashpër nga Pëllumb Xhufi, ish-drejtues i LSI-së dhe historian, por edhe nga Majko. Ish-kryeministri e quan naivitet hapjen e diskutimeve për ekzistencën e një minoriteti serb në Shqipëri. “Minoritet serb nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë. Mund të jetë një gango që ka ardhur e po bën namin këtu, dhe që emrin e ka Fazlliç”, - tha Majko. Nga ana tjetër, historiani Pëllumb Xhufi argumenton se pretendimi për një minoritet serb në Shqipëri nuk ka ekzistuar as në kohën e Titos. “Nëse do kishte minoritet tjetër, do të ishte pikërisht kjo periudhë e artë kur edhe Titos i ecte fjala jashtëzakonisht shumë në Shqipëri dhe mund të shpikte edhe ndonjë minoritet serb, slloven apo kroat. Nuk ka ndodhur kjo dhe s’ka si të ndodhë, sepse realisht minoritet serb nuk ekziston në Shqipëri”, - u shpreh Xhufi. Sipas tij, Meta në vend që të përdorte në kundërpërgjigjen e tij ndaj Jeremiç këto argumente historike, ka sjellë në vëmendje vetëm faktin se Shqipëria do të regjistrojë popullsinë në bazë të etnisë dhe fesë. Dhe ky, sipas Xhufit, është një paralajmërim për lëshime ndaj serbëve, ashtu siç u bëri edhe në rastin e ujërave me Greqinë. “Është një lëshim ose fillimi i një lëshimi që tentohet t’i bëhet Serbisë, ashtu siç po paralajmërohet t’u bëhet edhe të tjerëve me një regjistrim, i cili nëse do bëhet në ato terma siç është lajmëruar, do të jetë një regjistrim antikushtetues”, - gjykon Xhufi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora