Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Ali Pashë Tepelena – mes djepit dhe arkivolit

| E enjte, 24.06.2010, 06:24 PM |


Ali Pashë Tepelena – mes djepit dhe arkivolit

Shqiptarët formojnë rrugën e fundit të lirive greko-sllave

 

Nga Mihal Gjergji

                                                                       

Studiues dhe historianë të shumtë, vendas dhe të huaj, kanë bërë objekt të analizave të tyre vezirin e Janinës, Ali Pashë Tepelenën, duke e gjykuar fillimisht si një hajdut, mandej si luftëtar, më tutje si prijës e diplomat dhe së fundmi si rrebel. Jo të gjithë përdorin të njëjtën masë, ndryshojnë mendimet, mënyra e të parit gjithashtu. Diku duket adhurimi e diku urrejtja. Është koha gjyqtarja më e mirë dhe më e pagabueshme edhe për Pashain e Janinës, i cili ka bërë vendin e tij të padiskutueshëm në historinë ballkanike.

Mes autorëve të shumtë, unë preferova të bëj objekt analize Irakli Koçollarin. Sigurisht që kjo ka  arsyet e veta. Së pari, ky historian është marrë gjatë me çështjet shqiptare, çështje që kanë të bëjnë me të shkuarën tonë të largët, identitetin kombëtar, historinë konkrete, duke filluar nga shekulli XII-XIV e duke vazhduar më tej, me problematika të njohura dhe të panjohura ende plotësisht. Së dyti, Koçollari i ka kushtuar vite të tëra pune këtij personazhi gati mitik, kësaj pantere të frikshme do të thoja, si rezultat, prurjet e tij janë të shumta dhe interesante. Së treti, në ndryshim nga Ushtelenca që ka realizuar një vepër të çmuar, apo Godo që ka shkruar romanin historik për Ali Pashën, Koçollari s’mjaftohet vetëm me arkivat, kujtimet e diplomatëve shëtitës, korespodencës së Pashait me portën e lartë, apo gjurmëve gati të padukshme të agjenturës së huaj dhe asaj brenda pashallëkut, përkundrazi. Ai e ka parë Ali Pashën edhe brënda kalasë, qyshkur hipi në fronin e sundimtarit dhe deri në vitet e fundit të jetës së tij, pothuajse. Këtë privilegj s’ia krijoi askush, e përfitoi vetë, me një mundim titanik, me një tejlodhje.

Ai gjurmoi, zbuloi dhe përktheu “Alipashaidën” e poetit të vetëm të njohur të pashallëkut, Haxhi Shehretit, dëshmitrit okular, syrit që shikonte dhe fiksonte çdo veprim të Aliut, veshit që dëgjonte çdo urdhër të sundimtarit, paçka se zemra e tij prej poeti, me siguri që trishtohej vazhdimisht. Kjo vepër është një arritje e realizuar nga historiani  ynë, vepër që e nxiti të merrej edhe me diplomacinë e Pashait tepelenas, edhe me policinë e tij sekrete. Pra, Koçollari ka krijuar portretin thuajse të plotë të Ali Pashë Tepelenës. Mes kundërthënieve të shumta kam medituar vazhdimisht, deri sa nisa të shkruaj analizën vijuese.

Mbasi kisha studiuar veprën e plotë të këtij krijuesi, bisedoja një ditë me Moikom Zeqon, kryesisht për historinë. Është një intelektual i shquar Koçollari-i thashë bashkëbiseduesit.–Pse nguron ta cilësosh-shkencëtar, sepse e meriton këtë titull me veprat që na ka dhënë-përfundoi Moikomi. “Arvanitët”, megithëse është libri i tij i parë, ka një pjekuri mendimi të admirueshëm. Është një vepër me një material të patrajtuar më parë kaq gjerësisht, e plotë nga tematika të cilën ka rrokur, e realizuar nga mënyra e të shkruarit, e domosdoshme për kohën në të cilën jetojmë, kohë në të cilën rrezikohen shumë popuj të vegjël të humbasin identitetin, të mbeten pa të ardhme, duke i lënë pa themelet dhe kujtesën e trashëguar. Dhe Koçollari, sikur ta parandjente këtë zhvillim të ri, ka rrëmuar nëpër arkivat e zverdhura, vite të tëra pune këmbngulëse ia ka rrëmbyer rehatisë dhe kënaqësisë që të jep streha e ngrohtë familjare, netë të tëra pagjumësie me kokën të mbështetur në malet e larta të Ballkanit.

Dhe vepra e tij u formësua. Brenda saj, si brenda një kështjelle janë rreshtuar njerzit tanë të gjakut, me gjeneralët dhe luftëtarët e famshëm, me djepet dhe varret stërgjyshore, me vallet dhe këngët e tyre aq të bukura, arvanitëtAi trajton në mënyrë analitike se si kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet shqiptare, emrat e fëmijve të tyre, që rilindin gjyshërit dhe baballarët krenarë, emrat e vendbanimeve të reja që me nostalgji kujtojnë trojet e tyre të braktisura, etj. Nga gjiri i tyre dolën “poeti dhe stratioti i dëgjuar Manol Bleshi(1505)…Barleti, Karpaçio, G.Dara, A.Sanatori, De Rada, V.Dorsa, D.Kamarda etj”. Jo më kot Garibaldi do ti përgjigjej Dora d’istrio:”Çështja shqiptare është edhe çështja ime, sigurimisht për të cilën unë do të ndjehesha i lumtur ta përdormja aq sa më mbetet nga jeta ime në dobi të këtij populli trim…” Historiani ynë preferon të citojë edhe peshkopin Tria, i cili në vitin 1774 do të shprehej për arbëreshët e kolonisë së Molizës: ”Ata që janë të kombësisë shqiptare mbajnë akoma të njëjtat zakone sikur porsa të kishin ardhur nga atdheu i tyre, me ndjesi krenare dhe luftarake, dhe vazhdojnë të përdorin gjuhën e tyre shqipe. Kur shkojnë në gjyq të kërkojnë të drejtën dhe nuk ua japin, ata thërrasin:-do ta kërkoj dhe do ta gjej vetë...”

 

Luftëtarët shqiptarë - kurorë lavdie e lirisë së popullit grek

 

Kryesisht në jugun e Greqisë, por edhe në treva të tjera të banura nga shqiptarët, në zonën e Atiko-Beotisë, Peloponezit, Thesalisë, Maqedonisë greke (lindore), Thrakës, Halqidhiqisë, ishujt e Egjeut, etj, dolën luftëtarë të shumtë që krijuan dhe drejtuan formacionet luftarake kundër pushtuesve osmanë. Ndërsa arvanitët e Italisë do të drejtonin luftëtarët e këtij vendi në përleshje të pëgjakshme me trupat spanjolle, franceze, turke etj, (Venediku do t’i përdorte si mburojë ndaj katalanasve-Dhimitër Rendi), duke u bërë tmerri i ushtarakëve dhe gjeneralëve të famshëm të kohës, të njëjtën gjë do të bënin arvanitët e vendosur në tokët greke, për të qënë të lirë në vendbanimet e tyre të reja. Teodor Kollokotroni, Bubulina, Musa Qafzezi, Thimi Bllahava, Sulo Proshova, Veli Gjeka, Tafil Buzi, Asllan Beu, Zylyftar Poda, Bilal Sako, Ali Farmaqi ( ”Gjithë bota le të thonë/ U s’e jap Kollokotronë”) e qindra luftëtarë të tjerë, krijuan një aleancë të qëndrueshme me vezirin e Janinës, Ali Pashë Tepelenën, me mendimtarë dhe iluminist, me frymëzuesit e revolucionit (Filiqi Eterine), duke formuar barikadën e pathyeshme të Mesolongjit. ”Thonë doli sadrazemi/ ngrehu Shqipëri t’i vemi.../ Deli moj Janinë e shkretë/ të shikoni bilbilenjtë/ varurë të trembëdhjetë”. Shqiptarët që kishin populluar Greqinë, në mos përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së këtij vendi, me siguri që ishin gjysma e saj.

Këtë gjë e pohojnë statistikat. Jo vetëm faktori numerik, por më shumë aftësitë gjenetike të kësaj rrace superiore, e shëndërruan atë në shtyllën kryesore të revolucionit grek. Pas një analize të thellë të faktorit shqiptar, perëndimori Robert Kyprien konkludon:”...në të gjitha kohët populli shqiptar duket se është destinuar të formojë rrugën e fundit të lirive greko-sllave…kur dinakëria osmane e ç’organizoi atë, ai derdhi në luftë të gjithë energjitë e tij dhe në fushat e betejave u bë shumë herë tmerr i lindjes dhe i perëndimit.”. Koçollari, ashtu si Çabej, Konda apo Kola, argumenton mbështetur në fakte dhe emra konkret prijësish e luftëtarësh se, arvanitët, ”kjo farë e ashpër dhe krenare”, meritojnë kurorën e lavdisë nga populli grek.

Liria e Greqisë u detyrohet shqiptarëve trima, të cilët organizuan formacionet dhe mandej rezistencën e armatosur kundër Turqisë. Kjo kurorë lavdie s’u gëzua asnjëherë nga kapedanët shqiptarë, as nga pinjollët e tyre që vazhduan traditën e gjyshërve dhe baballarëve kryelartë. E, si të mos mjaftonte kjo, antishqiptarët duan ta paraqesin të plakur e të drobitur popullin tonë. Irakli Koçollari u kujton me argumenta të pakundërshtueshme të vërtetën që është krejt ndryshe. Rraca jonë është një rracë vitale që ka ndihmuar edhe rilindjen e Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Italisë, etj. Atdhetaria e Koçollarit, ka brenda dhëmbshurinë e djalit për nënën. Fjala e tij është e pjekur, gjykimi i thellë, hapi i guximshëm. Misioni është ai që kanë shkencëtarët: të thuhen të vërtetat, qofshin edhe të hidhura, ndryshe s’mund t’i rezistojnë kohës. Ky historian prej vitesh e thotë  fjalën e tij nga kjo lartësi akademike. Mbaron së lexuari ”Arvanitët” dhe bindesh se ke ditur shumë pak  për njerzit e gjakut tënd, të trazuar nga rrebeshet e kohës dhe të larguar në rrjedhën e shekujve. Shpirti asnjëherë i qetë i autorit, siç ndodh zakonisht me krijuesit seroizë, të kujton detin, që kohë pas kohe nxjerr në brigjet e tij korale të çmuara. Mandej, duket sikur arvanitët e kanë marrë me vete ngrohtësinë e rracës sonë, dhëmbshurinë dhe mallin që mungojnë aq shumë midis nesh. Ndaj edhe u drejtohet, sikur ata ta dëgjojnë përtej horizonteve: ” do t’u dërgoj përherë të fala duke shpresuar dhe besuar se të falat dhe malli im do të zbresë përmes reve tek ju...”  Le të jetë ky një hamendësim imi, ndërsa meriton të respektojmë autorin dhe veprën plot vlera që na ka dhënë.

Hidhet dritë mbi shumë anë të errëta, të mbuluara nga mugëtirat historike: Pse lëvizi drejt jugut dhe u vendos përjetësisht në teritoret greke kjo masë kaq e madhe shqiptarësh, të cilët janë jo më pak se 3 milion ( pa futur këtu rreth 500 mijë të tjerë të vajtur në vitet  1992-2002) ? Në ç’kushte e për ç’arsye ndodhi ky emigrim? Si u pritën nga vendasit dhe ç’ngjau me ta në rrjedhat e shekujve? Kjo masë e madhe shqiptarësh, si mundi t’u shpëtojë rrebesheve të kohës dhe aq më shumë,  asimilimit?.

Shqiptari s’mund të mbajë mbi vete cilësimin si pushtues, kur atdheun e kemi të ndarë në pesë copa. As koha, as fati s’na kanë ndihmuar, fatkeqësisht, gjithmonë përmbushen dëshirat e fuqive të mëdha. Shqiptari s’mund të akuzohet për pabesi, kur vendi i tij e ka institucionalizuar besën brenda kështjellës së tij shpirtërore, ndërsa fqinji ynë jugor, qysh para 3000 vjetësh e gdhëndi pabesinë në artin e drejtimit. Kalit, kësaj kafshe kaq fisnike, i veshën gëzofin e butë të turpit, ju përbalt krenaria, ndërsa legjenda vazhdon të qarkullojë rreth globit si shekuj më parë: ”Kali i Trojës”.

Askush s’kujtohet të thotë të vërtetën:”Greku i Trojës”. Greku i Trojës, jo rrallë tenton të kalojë pragun e çmendinës. Gjaku shqiptar është derdhur edhe përtej brigjeve të adriatikut. Pothuajse është harruar heroizmi dhe lavdia e burrave tanë të shquar, asnjë mirënjohje, asnjë ndihmë në kohën e vështirë që kaluam e që ende vazhdon. Pas premtimeve, vetëm skafe të mbytur dhe arkivolë të zbrazur, që presin eshtrat e munguara, një borxh që koha duhet ta kthejë sipas mënyrës së vet.

 

Dinakëria dhe spiunazhi – armët e fuqishme të Ali Pashë Tepelenës

 

Pas arvanitëve, Koçollari ka preferuar të merret me pashallëkun e Janinës, kryesisht me Ali Pashë Tepelenën, pa të cilin ky vilajet do ishte si një tokë e zbrazur, anonime, si pjesë e Saharës. Koçollari-shqiptar përkthen shqiptarin-Shehreti, veprën e tij të shkruar 200 vite më parë: “Alipashaida”.

Haxhi Shehreti, shok fëminie i Pashait dhe më vonë poet dhe këshilltar i afërt i tij, ka qënë i pranishëm në koridoret e errëta ku lëvizte diplomacia e Aliut, hijet e frikshme të spiunëve, dinakëria e emisarëve, ka dëgjuar vringëllimën e shpatave dhe lutjet e dëshpëruara të viktimave, para atij, i cili s’e njihte mëshirën. Megjithatë, poeti pranon qysh në krye që, shumë gjëra do t’i mbajë brenda vetes, si amanete le të themi: “Desha t’u rrëfej, o njerëz, për Ali Velinë ca fjalë/ Mijra radhë veç do rrinë thellë meje kurrë pa dalë”).

Ai përshkruan kurthet nëpër të cilat kaloi rruga e gjatë e Aliut, që nga Kurt Pasha i cili urdhëroi vrasjen e tij, letrën e Hankos drejtur pashait të Beratit për t’i falur të birin; këcënimi i Pogonit dhe Zagorisë nga Ali Pasha mbasi mësoi që e kishin prerë në besë; vitin 1785, betejën mes hormovitëve dhe tepelenasit që kërkonte shpagim,( “Mbi Hormovë u lëshua, shpatat vënë përmbi supe/ të tmerruar burra, gra, bien, ikur grupe-grupe”); shkatërrimin e plotë të trupave të Kurt Pashës nga ish i burgosuri i tij; betejën e Ohrit mes tij dhe pashait të Shkodrës, Mahmut Pashës, fitorja e së cilës nga Aliu, bëri që sulltani, pas Trikallës t’i dorzonte me ferman edhe Janinën; betejën e Aliut në brigjet e Danubit në mbështetje të portës së lartë, pikërisht në 1790-kohë në të cilën u zhvillua lufta Austro-Ruse kundër Turqisë; marrdhëniet e tensionuara mes tij dhe suliotëve, çamëve, Delvinës apo kardhiqotëve, (“Për dy orë gjithçka mbaroi, rrafsh u bë, kufomë e gjak/ Pikëllimi më mbërthen, ç’farë t’u them janë fare pak”); luftimet e drejtuara prej tij kundër bullgarëve në kohën e rrebelimit të tyre ndaj portës, rusëve, francezëve dhe së fundi kundër vetë sulltanit. 

Kjo vepër e shkruar në të njëjtën kohë me “Child Harold” të Bajronit, pothuajse ka qënë e hedhur në harresë, pse jo, edhe e coptuar. Sa emocione ka patur përkthyesi ynë i talentur, varg pas vargu, rapsodi pas rapsodie. Janë rreth 9000 vargje, si një qilim i thurur me fije ibërshimi. Atje ku ka punuar dora e kujdesshme e krijuesit, është ndalur edhe dora e përkthyesit. I pari vazhdimisht ka pyetur veten: a do ta pëlqejë pashai? Të dytin e ka lodhur mendimi: a do ta pëlqejë lexuesi?. Ç’farë ka ndodhur brënda sarajeve të Vezirit; cilët kanë qënë miqtë e tij të preferuar, që bujtnin hareshëm nën gjëmimin e daulleve dhe tingujt e këngëve; si i ka pritur Pashai kundërshtarët e tij, duke krehur mjekrën e bardhë si një jatak mjergulle e duke djegur llullën e gjatë si të digjte brengat e ditës; cilat janë misteret që rrethojnë muret e kalasë dhe ujrat e ftohta të gjolit të kaltër…?.

Haxhi Shehreti ka qënë dëshmitar, pothuajse kudo, mbase edhe i heshtur, si qeparisi që lartësohet sipër gurit të varrit. Historinë e pashallëkut s’e la të varrosej së gjalli, e bëri të mbijetojë, ndërsa për vete, atje ku e tundi djepi, në Delvinën e bukur, e priti edhe arkivoli. Mirëpo “nuk dimë, nëse një ditë do të gjëndet varri i tij që, për mirënjohje të thjeshtë, të lëmë mbi të dy degëza lule”. Këtë libër e kemi në dorë “…falë Irakli Koçollarit, këtij burri të talentuar, stoik, të kulturuar, me vetitë e një intelektuali të vërtetë dhe me ndjenjën e lartë të patriotizmit”. Ky është vlerësimi që i bën autorit poeti ynë, Dritëro Agolli. Të njëjtën gjë ka  përsëritur Agolli edhe në një bisedë që bënim për poezinë, poetët dhe qëndrimin e tyre në raport me atdheun të cilit i përkasin. Krijuesit janë të lidhur shpirtërisht me vendin e tyre, aq më shumë poetët. Pasuria e tyre më e madhe është Atdheu, të cilit i kushtohen përjetësisht. Kështu ndodh kudo, arti ka ndjeshmërinë të pasqyrojë edhe dhimbjen më të vogël njerëzore, ta bëjë të vetën e të brengoset prej saj.

Sikur ta donin kaq shumë vendin edhe politikëbërësit apo drejtuesit e lartë, ata që kanë fatet e popujve në dorë, me siguri që bota do ishte më e bukur. E deshte Janina Pashain, edhe pashallëku, miqtë dhe oborrtarët e tij, po se po. Mes një sundmitari turk dhe një epiroti shqiptar, ata zgjodhën njeriun e tyre. Bile i drejtohen edhe kalasë që të mos ta braktis këtë prijës të lavdishëm. “ Mbani ju mure të larta/ Moj kalaja me bedena/ Se lufton me padishah/ Ali Pashë Tepelena”. Po Koçollari për të cilin po shkruajm, pasioni dhe adhurimi e shtyjnë përpara, apo ambicja për të thënë të vërtetat?. 

Unë do të thosha se edhe autori, para se të jetë historian, është shqiptar si Ali Pasha, mandej, vendi i padiskutueshëm i këtij Pashai në analet e historisë dhe bëmat e tij, do të zgjonin kurreshtjen dhe do të impononin çdo krijues për të marrë penën. Të tjerë kalemxhinj, që prezantojnë edhe gradat e tyre shkencore, e paraqesin Ali Pashën si një e keqe që duhet harruar, edhe pse shumë historianë vendas dhe të huaj vazhdojnë të rrëmojnë arkivat dhe të tregojnë interes të veçantë për këtë figurë historike. Mandej, këta “dijetarë” vazhdojnë të pyesin: a duhet ta urrejnë suliotët, hormovitët dhe kardhiqotët Ali Pashën?, ndërsa harrojnë të analizojnë shkaqet e këtyre masakrave, të cilat sigurisht që s’duheshin bërë, sepse një nga arsyet që Ali Pasha u detyrua të dilte nga kalaja dhe të shkonte për bisedime në ujdhesën e Shën Pandelimonit, është edhe paksimi i trupave luftarake, zvogëlimi i forcës goditëse, e të gjitha këto erdhën si rezultat i përçarjes së faktorit shqiptar, e parë kjo si mënyrë e vetme sundimi; a duhet të mburret Tepelena me këtë njeri?, edhe pse e dinë që ai është biri i këtij qyteti. (“Ali Pashë s’lind më dheu, s’lind më shqipe Tepelena/ Kohët më nuk do të pjellin, bir të tillë mbi pelena/ Ky luan i Arbërisë, ky petrit në Rumeli/ Kaq e kaq strategë të tmerrshëm vuri poshtë me llahtari”). A duhet të krenohet Shqipëria me Ali Pashën?, megjithëse e dinë që ai ka qënë një lojtar i pakrahasueshëm me diplomatët më të mirë evropianë të kohës. (“Komandanti i Korfuzit, Roz francezi më tregoi/ Ç’është vendosur që të bëhet, një për një vetë më dëftoi/ Rumelinë, ai më tha, se të gjithë e paska blerë/ Qënke ti , që ja ke shitur, o sulltan, me një barrë nder”).

Aliu-qytetar mund të portretizohet lehtësisht edhe nga gojëdhënat, Aliu-prijës mund të përshkruhet nga rrëfimet dhe kujtimet e luftëtarve apo komandantëve të tij, Aliu-diplomat mund të prezantohet nga dokumentacioni i arkivave evropiane që mbajnë brenda përpjekjet e dëshpëruara të emisarëve të tyre, Aliu-rrebel pasqyrohet saktësisht në kronikat turke, ndërkohë që epika popullore i ka kushtuar vargje të tëra. Mirëpo gjykimi historik bëhet duke gërshetuar të gjitha anët e këtij njeriu, të njohura dhe të fshehta, në raport me kushtet dhe brenda korrnizave kohore në të cilën sundoi.

Po sikur në vend të Ali Pashës të ishte një tjetër vezir, por ndryshe nga i pari, shërbëtor i bindur i portës së lartë, ç’farë do ndyshonte për shqiptarët? Do kishte më shumë dhimbje, do kishte më shumë liri dhe të drejta për ta?. Cili ishte ndryshimi mes Ali Pashës dhe pashallarve të tjerë shqiptarë?, ishin më pak mizor, më shumë dashamirës dhe atdhetar nga përkushtimi…Analiza të tilla s’ndalen të bëjnë, paçka se qëniet njërëzore janë tepër komplekse, kanë edhe anët e tyre të errëta, me një kufi ndarës gati të padukshën nga ato që këta zotrinj i quajnë vlera.

Sulltan Selimi i III vazhdimisht pyeste vezirët e portës së lartë që mbante rreth vetes: a duhet shpresuar te Ali Tepelena?. Si mund të arrijë ky njeri të realizojë atë që s’e bën dot pushteti perandorak-të shtrojë rrebelët dhe të vendos qetësinë në atë vënd aq të trazuar e të pamposhtur, pra një kryehajdut të drejtojë dervenët tanë dhe të predikojë ligjin te hajdutët e tjerë?.

Mustafai i–IV, ndodhej mes dilemave: Pashai i Janinës lufton për të mbrojtur interesat e portës së lartë, apo kërkon të shfrytëzojë mbështetjen tonë për t’u pasuruar dhe pastaj të rrebelohet njëlloj si arrnautët e tjerë?. Si ka arritur ky njeri të grumbullojë taksat dhe të shlyej detyrimet tona, në një kohë që pashallarët e tjerë më të besuar s’e realizojnë dot?.

Mahmuti i II, mes mëdyshjeve të tij dhe kërkesave alarmante të Rusisë dhe më vonë të Francës, s’dinte si të vepronte. Përfaqësitë diplomatike të shteteve evropiane të akredituara në Stamboll, vazhdimisht kërkonin ndëshkimin e Pashait tepelenas, mirëpo ai, po e zgjeronte pashallëkun duke njohur dhe pranuar njëkohësisht pushtetin e sulltanit, pra çdo gjë, në pamje të parë e bënte në interes të portës së lartë. Pse guxonin ta merrnin në mbrojtje disa ministra, Inspektorë dhe Koçobashë të dërguar të portës?, për punën e bërë nga Aliu, nga frika e këtij xhindi, apo kishte diçka të fshehtë mes tyre?   Vula e sulltan Mahmutit vononte që të  nxiroste “katil fermanin”. Kështu rrodhi një kohë tepër e gjatë(1789-1822), në të cilën kishte vetëm trazira, një lojë të dendur diplomatike mes zotit dhe “shërbëtorit “ të pabindur, atij gjarpëri që dinte vetëm të kafshonte dhe të rrëshqiste në strofkullën e tij, mes këtij të fundit dhe përfaqësuesve diplomatik të Rusisë, Francës, Anglisë etj. Ali Pashë Tepelena, edhe pse është bërë objekt i shumë kronikave, analizave dhe studimeve historike, vazhdon të jetë një figurë shumë interesante, enigmatike dhe  e  paeksploruar ende në thellësi të mistereve me të cilat është veshur dhe të kohës që e polli.

Poeti Anglez Xh. Bajron, e provoi mikpritjen shqiptare, bujarinë e tyre, vetitë aq të arrira që mishëronin brenda vetes dhe në marrdhënie me mikun, prandaj e shikon Ali Pashën të pashkëputur prej luftëtarve të tij dhe bashkohet me gjykimin e tyre:” Ne frikën s’e njohim, s’e njohim mëshirën/ Këto nuk i njeh kush lufton për vezirin/ Që kur leu profeti s’ka parë gjysmëhëna/ një trim kaq të madh sa Ali Tepelena”…

Me një gjykim të ftohtë, por dhe keqardhje, Sami Frashëri, në veprën e tij “Kamus Al-A’lam” e cilëson Aliun “si shumë ambicioz e lakmiqar për poste të larta, duke dashur të vazhdojë në atë gjëndje deri në fund të jetës së tij…”

Disidenti i perandorisë franceze dhe perandorit të saj, mendimtari i shquar, shkrimtari dhe poeti i madh Viktor Hygo, gjykon se sundimtari i pakrahasueshëm i Pashallëkut të Janinës, Ali Pashë Tepelena, “është i vetmi njeri i shekullit i denjë për t’u krahasuar me Napoleonin. Sundimtari i Shqipërisë dhe  Perandori i Francës, shkojnë krah njeri-tjetrit si Tigri me Luanin”…

Ilir Ushtelenca, në librin e tij “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, e përcakton Pashain tepelenas si njeriun që e shëndrroi pashallëkun në vendin e lakmuar për diplomacinë europiane, si çelësin e suksesit për Greqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Në ndryshim nga të tjerët, Enver Hoxha e portretizon me dritë-hije sundimtarin e Janinës, e cilëson një pasha mizor, por një njeri të drejtë. Kjo na shtyn të mendojmë se ka dashur të përligjë drejtimin e tij me dorë të hekurt, gati gjysmëshekullor. Është rast unikal në histori,-komenton Hoxha- që një njeri i pashkolluar të tërheq në lojën e tij diplomacinë evropiane.

Sabri Godo, në romanin e tij historik “Ali Pashë Tepelena”, e përfytyron si një qënie të formuar mes maleve të larta, të cilat ndikuan fuqishëm mbi të; si një cop stralli që del prej masivit shkëmbor. Ai shkruan se djaloshi shumë i ri, i paisur me dhunti të jashtëzakonshme, i ulur sipër bedenave të kalasë, vështronte thellë kohrave dhe njëkohësisht projektonte hapat e tij të ardhme drejt suksesit.

Ndërsa Koçollari, e portretizon Pashain si një njeri “me aftësi prej magjistari për të hipnotizuar turmën, me mjeshtërinë e profetit për ta bindur atë, me fuqinë shpirtërore të tribunëve dhe monarkëve për të frymëzuar trupa të tërë gjer në sakrifica mortale”.  Por, në ndryshim nga autorët e mësipërm, Irakli Koçollari, ka bërë një punë më të madhe, sistematike e të kujdesshme në arkivat që mbajnë brenda kujtesën e kohës kur jetoi dinaku tepelenas, ka studiuar dhe ballafaquar  analizat e autorëve të tjerë bashkëkohorë, duke filluar nga G.Castellan; B.Jelaviç; H.T.Norris; Ioani Vasdravelli; L.S.Stavrianos; John. S Koliopulos; John Bagally; R.A.Devanport; Zotou.Dim.A; Bajron e shumë të tjerë

 

Policia sekrete në shërbim të sundimtarit tepelenas.

 

Në librin e tij voluminoz: “Policia sekrete e Ali Pashës”, midis të tjerash Koçollari parathotë se: “...shumë të vërteta historike, të thjeshta apo të komplikuara, me pak vlerë apo të rëndësishme, nuk shfaqen e nuk thuhen në kohën e tyre. Jo rrallë ato heshtin diku, vonojnë të duken, mbulohen nën peshën e dhimbjes, apo humbasin përgjithmonë…T’i gjesh dhe  t’i thuash ato që kanë munguar apo janë thënë ndryshe për kaq kohë, është njëlloj si të gjesh mesazhin e një amaneti të patretur, rënkimin e një shpirti që ende gulçon larg, tek e kaluara”.  Me pasion dhe këmngulje, Koçollari  ka arritur të krijojë një profil të plotë e të lexueshëm të Ali Pashës, të ç’veshur nga paragjykimet, të kompletuar me bëmët e tij që kanë lënë gjurmë në kalendarin e kohës ku jetoi,  një material të plotë reference për lexuesit inteligjent dhe studiuesit e historisë apo diplomacisë.

tjerë historinë, midis tyre edhe mendimtarë të njohur shqiptarë, ngrenë pikëpyetje të shumta: A i  përfaqësonte Ali Pasha interesat e bashkëkombasve të tij?. Politikat e tij qeverisëse, i përçanë apo i bashkuan shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare? A ekzistonte vizioni i shtetit të ardhshëm shqiptar në planet apo së paku në idetë e shprehura të Ali Pashës? Të gjitha këto do marrin përgjigje në vijimësi të këtij shkrimi të shkurtër. Sidoqoftë, me arrogancën dhe kryelartësinë e tij, për 33 vite ka qënë qeverritar, feudal dhe Vezir i Janinës. Mendimtari ynë, Mehdi Frashëri duke folur për shkollimin e shqiptarëve, shkruan: “…në kohën e Ali Pashës u çel në Janinë liceu grek me emrin “Zosimea”, që  ishte e para shkollë moderrne në gjuhën greke. Ali Pasha i dha gjithë ndihmën e vet, sepse nuk kuptonte që kjo shkollë greke në kryeqytetin e Toskërisë do t’i sillte shumë plagë popullit shqiptar”. Greqia eci me ritme të shpejta në rrugën e shkollimit masiv të popullsisë, duke pretenduar si shtetas të saj edhe shqiptarët ortodoksë. “Më 1886 u hap liceu grek në Korçë dhe si profesor i gjimnastikës u dërgua nga Athina një oficer i shtatmadhorisë greke. Greqia, kaq vajti përpara në këtë rrugë sa që, më 1883, edhe në katundin Frashër, ku ndodhej vetëm një lagje ortodokse shqiptare, dërgoi një mësues grek prej Athine.”

Këtë politikë të vjetër të helenizimit masiv me anë të kishave dhe shkollave, e cila vazhdon edhe sot të jetë e gjallë dhe e dukshme në zonat që ata i pretendojnë si djepi i ortodoksisë, e ka trajtuar me shumë vërtetësi edhe publicisti i talentuar Nuri Dragoi në veprën e çmuar që na ka dhënë: ”Shqiptarët dhe grekët”. Le të ndalemi te fizionomia e provincës së Janinës në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës.

 

             - I I -

 

Kam ndaluar dy herë në Janinë, kam vizituar rrethinat e kalasë dhe jam futur brenda ambjenteve  të saj. Ndjehesha si në ëndërr. Prisja të  më uronte mirëseardhjen bashkëqytetari im i padukshëm, por edhe i kudogjëndur. Hija e tij sikur lëvizte në lartësinë e bedenave, me shikimin tutje, andej nga priste t’i vinte e keqja: nga gryka e Mecovës, Livadhjaja, nga qyteti i bukur i Pargës, nga porti i Prevezës, nga lartësitë e Zagorisë ku zbrisnin kapedanët trima, nga Në thellësi të bodrumeve plot lagështirë, si brenda një arkivoli, janë varrosur mijra të pathëna, psherëtimat e shpirtrave të mbytur nga hakmarrja dhe dëshpërimi, brengat e tyre pa fund. Akoma s’është gjetur një masë për të përcaktuar thellësinë e dashurisë apo forcën e urrejtjes. Rraca njerëzore endet mes tyre në rrugën e gjatë e të pakthyeshme. Brenda Janinës marrin frymë të dyja, tamam si brenda një mushkërie gjigande.  Gjoli i kaltër shërbente si pasqyrë, ku shikonin shëmbëlltrën e tyre të përmbysur kokëposhtë, kalimtarët apo të ftuarit e Vezirit. Matanë ujdhesës, vrasësit i hapën edhe varrin. Tashmë, pjesa e boshatisur e tij, vazhdon të mbushet nga  shenjtëria e eshtrave të Pashait, që çajnë nga reumatizma e pritjes, ndërsa koka e prerë, që nga kamarja e turpit vazhdon të tundet si të zgjohet nga një ëndërr e frikshme. (“Një varr i vetëm s’e nxënte dot lavdinë/ lavdinë bashkë me mizorinë”). Bashkë me Aliun, seperatistin më të madh të perandorisë, ra edhe pashallëku. Ai vdes çdo 22 Janar, dhe rilind përsëri të nesërmen. Emri i tij do të jetojë bashkë me atë të qytetit.

Pas 200 vitesh, kurreshtarët pyesin: Kush e njeh më mirë Pashain tepelenas, vendlindja e tij apo Janina?  Kush është geni i tij dhe ç’përfaqëson realisht kjo figurë misterioze? Djalërinë e la në qytetin e lindjes, u burrërua në Janinë dhe u plak me barrën e rëndë të pashallëkut mbi shpinë.

Lindi në Tepelenë në vitin 1740. Gjyshi i tij me të njëjtin emër ka patur gradën e lartë civile, miri miran, i cili, si luftëtar i formacioneve turke që luftonin kundër Venedikut në ishullin e Korfuzit, është vrarë duke sulmuar trimërisht. Veli Beu është njëri prej tre djemve të tij, të cilin i ati e pati përjashtuar nga trashëgimia. Ky është edhe babai i pashait të ardhshëm për të cilin po flasim. Veli Beu, u detyrua të merret me kusëri. Mbasi pasurohet, kthehet në Tepelenë bashkë me shokët e tij dhe i djeg vëllezrit në shtëpitë e tyre. Kjo ngjarje la një shije të hidhur dhe detyroi bejlerët e Tepelenës ta dëbonin nga qyteti. Hankua, një zonjë fisnike nga bejlerët e Konicës, gruaja e Veli Beut, mbasi i vdes burri, bëri një besëlidhje të fshehtë me shokët e vjetër të të shoqit, për të realizuar një hakmarrje ndaj bejlerve tepelenas, hakmarrje të cilën ja ushqeu edhe birit të saj të vetëm e të vogël, Aliut.

Kjo grua kapriçoze, edhe në çastet e fundit të jetës, i kujtoi të birit amanetin e saj: hakmarrjen ndaj kardhiqiotëve. Në rrugën e të atit eci edhe i biri. Në moshën 20 vjeçare kthehet nga kusëria shumë i pasur dhe martohet me Eminenë, vajzën e Kapllan Pashës, qeverritar i Gjirokastrës. Kështu vazhdoi jeta e tij mes premtimeve për t’u lidhur përsëri  me vajza pashallarësh e mandej i braktiste për të krijuar miqësi të reja që i ushqenin ëndrrën e pushtetit. Vitet e vështira mes kaçakëve, kusarëve të pamëshirshëm, brigantëve-hajdutë dhe hajdutëve-brigantë, e së fundmi mes armatolëve, e kompletuan Aliun për të qënë një prijës mes kësaj gjindjeje që derdhej herë pas here në zonat e zhvilluara si: Shkodër, Berat, Elbasan, Janinë, Prevezë, Artë etj, për të plaçkitur e rrëmbyer ç’të mundnin.

 Bekimi i nënës dhe amanetet e saj që s’mund ti treste as dheu, i imponuan burrërinë e parakohshme. Jeta e vështirë e maleve i mësoi: pabesinë si pjesë të suksesit, i ushqeu guximin, pa të cilin mund të vdesësh edhe për bukë, i mprehu vigjilencën, për ta goditur kundërshtarin atje ku e dëmton më shumë, i mësoi kompromiset, pa të cilat s’mund të krijohen grupime të qëndrueshme. Shkurt, Ali Pasha ishte i gatshëm për në fushën e betejës, i plotë si burrë dhe si prijës mes grigjës të cilës i përkiste. Le të bëjmë një ekspoze të shkurtër të provincës së Janinës në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Pashallëku kishte në përbërjen e tij katër prefektura: Janina, Preveza, Gjirokastra dhe Berati, kishte një sipërfaqe prej 18.200 km2 dhe 650.000 frymë, nga të cilët: 2/3 myslimanë (të gjithë shqiptarë) dhe 1/3 të krishterë me shumicë dërrmuese shqiptare, e kufizuar nga veriu me pashallëkun e Shkodrës, nga verilindja me atë të Manastirit, nga ana juglindore me Greqinë dhe nga jugu me gjirin e Nartës, nga jugperëndimi me detin Jon dhe nga perëndimi me detin Adriatik. Teritoret e tij përshkruhen nga dy lumenj të fuqishëm: Vjosa dhe Semani, ndërsa ka edhe të tjerë me prurje më të vogla si: Bistrica, Vuovo, Kalama, Pavla etj.  Nënprefektura e Janinës përbëhej nga dy krahina: Zagora dhe Korondos, me 223 fshatra dhe 87.256 frymë. Janina ishte një qytet i rëndësishëm, 700 km në jugperëndim të Stambollit dhe 200 km larg Selanikut. Nën sundimin e pashait tepelenas ka patur 35.000 banorë, 30 xhami, 6 kisha, 2 faltore ebrenjsh, 3 teqe, disa medrese, 1 biblotekë, 1 gjimnaz, disa shkolla foahnjore dhe për grekët, gjimnazin e përsosur “Zosimea”, një shkollë për femra dhe shkolla plotore  për vllehët, gjithashtu me spital dhe azile për pleqtë.

Pashallëku, kryesisht Janina, ka njohur një zhvillim ekonomik të dukshëm. Nën sundimin e Ali Pashës dhe vendosjes së plotë të  rregullit e qetësië, u bë i mundur  vërshimi i tregtarve të huaj. Lulzoi industria e përpunimit të leshit, prodhimit të shajakut, velënxave, të përpunimit të  pambukut dhe mëndafshit. Parga tregtonte disa lloje sapunësh që i prodhonte vetë, ndërsa Konica prodhonte e tregtonte disa lloje djathrash me famë, të njohur me emrin”djathi shqiptar” e shumë prodhime të tjera blektorale që eksportoheshin në Trieste, Itali dhe Greqi.

Sipas statistikave turke, të ardhurat vjetore të pashallëkut arrijnë 300.000 lira, ndërsa shpenzimet në 80.000 lira. Në të gjitha këto arritje është roli i padiskutueshëm i Ali Pashë Tepelenës dhe drejtimit të plotpushtetshëm të tij. Sipas Sami Frashërit, Pashai tepelenas: “është bërë shkak që të zhduken mësimet e dituritë, që deri atherë shtëpitë e para në Shqipëri mbanin mësues në konakët e tyre ose në shkolla që i mbanin me shpenzimet e veta gjithmonë në shkallën e duhur. Madje, ai është bërë shkak që të harrojnë edhe besën e tyre. Punët e administrimit i pati lënë në dorë të disa grekëve intrigantë e të ligj, dhe rregjistrat, korespodenca dhe shkresat shkruheshin me një greqishte të trashë, që vetëm ai mund ta kuptonte…Shkurt, përveç keqbërjeve që kryente çdo ditë, ka shkaktuar përhapjen dhe shtimin ndër shqiptarët të injorancës, varfërisë dhe të veseve të këqija. Kurse nga grekët ai nuk trembej, pasi ata ishin vegla të intrigave të tij, ndaj i pati përkëdhelur dhe sidomos kur e humbi besimin ndaj shqiptarëve, ai armatosi kapidanë grekë për t’i përdorur në rast nevoje kundër shqiptarëve, të cilët më vonë këto armë i përdorën për pavarësinë e Greqisë…”. Bëhet fjalë për vitet kur Ballkani është i përfshirë  nga anarkia totale. Studiuesi Koçollari, duke komentuar këtë gjëndje të gadishullit, i referohet historianit B.Jelaviç: ” I vendosur nga pikëpamja strategjike në udhëkryqet e Azisë, Afrikës dhe Evropës, gadishulli ballkanik ka rezultuar njëherësh të jetë objekt tundues pushtimi dhe rrugëkalim për në rajonet e tjera…” Grupet që pillnin anarkinë, kishin lindur si nevojë e çlirimit prej zgjedhës turke; ishin imponuar nga varfëria të sulmonin ata që u pinin djersën, të pasurit; kishin dezertuar nga radhët e ushtrisë dhe kishin zgjedhur jetën e lirë të maleve. Përpos të gjithë këtyre që përmëndëm, hajdutët ngjallën edhe një shpresë në popull, ushqyen ëndrrën për të jetuar të lirë. Vetë qeverria turke u detyrua të bënte marrëveshje me këta kacakë dhe t’u besonte detyra të rëndësishme, të drejtonin dervenet, të siguronin qetësinë dhe të grumbullonin taksat në zonat që do mbulonin, ndërsa shteti do t’u jepte atyre paga si zyrtarë të punësuar të tij, sigurisht, nga lekët që do të grumbullonin vetë. “Zyrat e dervenxhibashëve-shkruan Koçollari-që për të tërë teritoret greke qenë gjthsej tre, u qenë dhënë tre komandantëve shqiptarë, të cilët ndëshkuan  rëndë njësitë e armatollëve dhe nuk lanë gur pa lëvizur për t’i shpërbërë ato.

Këta shqiptarë dolën fitimtarë mbi veprimtarinë arbitrare të armatollëve lokalë, mes të cilëve u dallua i famshmi Ali Pasha, që i dërrmoi aq rëndë tërë strukturat e tyre sa të tre komandantët së bashku…këto kohë ata qenë imponuar të humbasin të gjitha të drejtat  dhe privilegjet e tyre e për rrjedhim t’i kërkojnë Aliut t’i caktonte në përbërje të njësive të dervenëve të tij dhe të komandantëve që ai kish emëruar”. Jo rrallë hajdutët ishin gjendur në  mbështeje të  njerzve të varfër, për mbrojtje dhe për hall. Tradita e respektit dhe mikpritjes për të huajt dashamirës, ruhej me fanatizëm nga kjo kategori e vështirë, të cilët s’e kishin për turp që të ishin hajdut apo të quheshin të tillë. Në kushtet e reja të krijuara, për të ruajtur lirinë e tyre të kërcënuar, ata u afronin të huajve mbështetjen e tyre.

Ja ç’shkruan Eduard Dodëell: “…një ditë, njëri nga shërbëtorët e shtëpisë ku banonim, na lajmëroi se kapedani i hajdutëve dhe trimat e tij, dëshironin të njiheshin me ne; dera u hap dhe trimat shqiptarë u futën Brenda, me një pamje të egër e të frikshme. Ata ishin të veshur në kadife dhe flori, të armatosur deri në dhëmbë, me një përkulje plor respect të kokës, me dorën e djathtë të mbështetur në gjoks…Kapedani i hajdutëve na tha se kishte ardhur për t’i përcjellë respektet dhe përshëndetjet Milordit, pastaj për t’i afruar shërbimin  e tij.” Ata e ndjenin veten “të paligjshëm” në truallin e tyre, ndryshe s’do kundërshtonin pushtuesit “e ligjshëm”  dhe ligjet që ata impononin. “ Vlera e një banditi-sipas Ëilliam More-ishte mbështetur tek aftësitë e tij, në përdorimin e armës dhe shkallën e kurajës që ai shpaloste. Çdo formë e autoritetit qëndror vështrohej me përçmim dhe shpërfillej, ndërsa ashpërsia e individualizmit dhe kundërshtia  ndaj autoritetit shtetëror përgëzohej”. Irakli Koçollari u referohet bëmave të disa prej këtyre hajdutëve, të cilët ishin bërë faktor i rëndësishëm negocimi me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe atij perandorak si: Odise Andruco, Koço Antoni, Gjon Bukvala, Llambro Xhavella, Kacikojani, Jorgo Thomo, Lluka Kalakula, Athanas Dhako, Mustafa Molla, Hasan Arrnauti e shumë të tjerë. Studiuesit argumentojnë dhe pranojnë se shqiptarët kanë jetuar në fise, qysh nga kohët e vjetra. Qeverrisja e tyre është realizuar nga këshillat e kryepleqësive që kanë preferuar të zgjedhin. Sidoqoftë historia e vjetër e shqiptarëve  mbetet e pashkruar, por është e njohur se prej tyre janë formuar tre shtete: njëri në zonën e Jenixhe Vardarit të Maqedonisë. Sipas Mehdi Frashërit: “shkrimtarët e vjetër latinë që kanë qënë në përpjekje…me Ilirët, na thonë se ka qënë një komb fisnikërisht i bukur dhe i zhvilluar, trim dhe i zgjuar, besnik dhe luftëtar, ushtar me famë…mes tyre kanë dalë perandorë dhe gjeneralë të famshëm”.

Le të kthehemi te njeriu që është bërë objekt i këtij studimi. Jemi në periudhën që zhvillohen konfliktet Ruso-Turke. Ali Pashës i marrin peng të nipin dhe ai, me dinakërinë e tij, duke parë forcën e pushtuesve përballë gjëndjes së rrënuar të perandorisë Turke, shfrytëzon rastin dhe hyn në marrveshje të fshehta bshkëpunimi me rusët. Pavarsisht se në një kohë të mëvonshme kjo marrveshje u zbulua nga porta e lartë, ai diti ta largojë të keqen nga vetja, sic bënte gjithmonë. Ai arriti që të fuste brenda forcave të tyre agjentët e tij. Mbas largimit të rusve nga ishujt Jonianë, ata u pushtuan nga Franca. Ndërsa Anglia ndiqte me shqetësim situatën ballkanike dhe dërgonte agjentët e saj të maskuar si studiues, tregëtarë apo vizitorë, me qëllimin e informimit të saktë dhe të krijimit të rjetit agjenturor brënda teritorit ku kishte interesa. Avantazhet e informatave të marra nga shërbimet sekrete janë të pazvëndësueshme.

 “Më besoni mua-shkruante Napoleon Bonoparti. Duke shqyrtuar rezultatet e fushatave ushtarake, konstatohet se as kurajoja e këmbësorisë, as ajo e kavalerisë ose e artilerisë nuk e kanë vendosur fatin e shumë betejave, se sa arma e mallkuar dhe e padukshme e spiunëve”. Në qytetin e Bozhigradit ( mes liqenit të Kosturit dhe atij të Ohrit), Ali Pashës i duhej të nënështronte  një grup të fuqishëm hajdutësh, fama e të cilve kishte shkuar deri në Anadoll, dhe ai kishte dështuar me ta. Atherë ai përdori dinakërinë. U dërgoi një letër ku i ftonte të ishin luftëtarë të tij me pozita të nderuara, sepse e vlerësonte trimërinë e tyre. Të mashtruar nga premtimet joshëse të pashait, shumë perj tyre nxituan për në Janinë, mirëpo të gjithë u ekzekuatuan pabesisht. Për pjesën e mbetur  Aliu dërgoi në drejtim të Bozhigradit trupat e tij të drejtuara nga Isuf Arapi. Goditja ishte fatale, rrebelët u shkatërruan.

“Ky triumf i realizuar përmes përdorimit të armës së tradhëtisë, i hapi rrugë Pashait për zgjerimin e pushtetit të tij drejt teritoreve të Kolonjës, pozicion ky i rëndësishëm që të con drejt Shqipërisë qëndrore dhe veriore”. Edhe pse vetë ishte i paarsimuar, në Divanin e tij kishte mbledhur njerëz shumë inteligjent, të shkolluar dhe njohës të disa gjuhëve të huaja, si Haxhi Shehreti, intelektual dhe poet, këshilltar shumë i besuar, Meço Bono, Ago Myftari, Dervish Hasani, gjenerali Thanas Vaja, astrologu Muhamet Efendi, etj. Stavro Capalamos që ishte ministër i financave të Aliut, u bë themeluesi i Bankës Kombëtare Greke, mbas pavarësisë së këtij shteti; Koleti, mjeku personal i Aliut, me fitoren e pavarësisë së Greqisë u bë Ministër i Brendshëm i shtetit të ri grek, etj. Ali Pasha kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme, ishte shumë i kujdesshëm dhe tepër i vëmëndshëm deri në detaje. Ndiqte përpikmërisht zbatimin e urdhrave të dhëna, kontrollonte çdo zbatues nëpërmjet agjentve të tij të shpërndarë  në çdo cep të pashallëkut. “Zakoni i tij i përhershëm është të synojë çfarë është e pamundur, qëllimi i tij është të arrijë të gjithë ato çka qënia njerëzore është në gjëndje të realizojë”. Ai merrte informacion për veprimtarinë e çdo shtetasi të pashallëkut, çdo bisedë apo komplot që thurej kundër tij. Agjentura e tij kishte arritur të depërtonte deri brenda portës së lartë, te lulishtari, te kryeshoqëruesi i sulltanit, te këshilltarët e tij, etj.  Sigurinë e jetës dhe rregullin e vendosur e pranon edhe koloneli anglez Hjuxh:”…banditat ishin ndjekur nga të gjitha provincat nën autoritetin e Aliut”. Nën pretekstin se kërkonte rrebelët që luftonin kundër portës së lartë, në kohën që ishujt jonianë ishin në administrimin rus dhe më vonë atë francez, Ali Pasha u kërkonte atyre që t’ia dorzonin ata që kërkonin mbështetjen e tyre dhe që ai e dinte se ua kishin afruar, për të gjetur një pretekst për t’i sulmuar në momentin që ai do ta quante të përshtatshëm. Njëkohësisht ai kishte mundur të depërtonte mes tyre duke infiltruar agjentët e tij, duke rekrutuar mbështetësit e tij shqiptarë, kryesisht në Prevezë dhe Butrint.  Ai i kërkoi perandorit francez që të dërgojë konsullin e tij në pashallëkun e Janinës dhe të konkretizojnë lidhjet. Napoleoni i kërkonte gjeneralit që ishte guverrnator i shtatë ishujve, të ndërtonte marrëdhënie korrekte me Ali Pashën, ta mbante afër për interesa të Francës. Ndërkohë Aliu krijoi lidhje tepër të fshehta edhe me britanikët.

Në momentin që interesat e tij cënoheshin, atherë ai rrebelohej dhe ndryshonte qëndrim. Kundërshtari i tij kryesor ishte Pukvili, konsulli frances në Janinë. Herë në mënyrë të heshtur e herë nën maskën e diplomatit, herë i vetmuar e herë i futur në shoqërinë e kundërshtarëve të Aliut, ai vazhdonte të ndërtonte plane të njëpasnjëshme për të dobësuar forcën e Pashait dhe për të patur dorë të lirë në ecjen e perandorisë së tij në thellësi të gadishullit. Mirëpo Aliu s’flinte gjumë, policia e tij sekrete nën drejtimin e Tahir Abazit vazhdonte të kontrollonte çdo takim të francezit me banorët e pashallëkut, e ndiqte në lëvizjet e tij edhe jashtë këtyre teritoreve, i kontrollonte postën, pastaj e ftonte në pritje zyrtare, e joshte me sjelljen e tij prej xhentëlmeni, paçka se Pukvili e njihte mirë dinakërinë e Pashait. Ky i fundit bleu një njeri nga Malta, një mjeshtër në prodhimin e vulave të fallsifikuara dhe specialist për hapjen dhe mbylljen e postës sekrete, pikërisht atë që bëjnë edhe sot këto struktura të specializuara. Fillimisht s’arrinte ta deshifronte dot informacionin që Pukvili dërgonte në Francë apo Stamboll. E ruajtën me kujdes rezidencën e konsullit gjersa zbuluan edhe një femër nga Janina që hynte dhe delte te Pukvili. Ishte e dashuara e tij. Nën kërcënimin e jetës e detyruan të bashkëpunonte. U fut natën në dhomë, mori çantën në të cilën ishte edhe makina e deshifrimit, pastaj e ktheu përsëri në dhomën e mikut të saj. Aliu lexoi materialin e përgatitur nga konsulli francez dhe thirri menjëherë edhe konsullin e përgjithshëm të Anglisë, Forestin, duke i kërkuar këtij të fundit që t’i njoftojë qeverrisë së tij dhe konsullit të tyre në Stamboll për planet e Pukvilit kundër Ali Pashës. Posta vazhdonte të lexohej rregullisht. Informaconi për Pashain ishte më i plotë, të fshehtat e kundërshtarit filluan të njihen shkallë -shkallë.

Pukvili s’pushonte së punuari, me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një devotshmëri të lartë ndaj interesave të vendit të tij. Pashai nxorri një urdhër për të ndaluar të gjitha takimet e banorëve të pashallëkut ( përjashto agjentët e Aliut) me misionarët e huaj, duke i prerë Pukvilit të gjitha lidhjet me burimet e informacionit. Këtë të vërtetë të hidhur detyrohet edhe konsulli i dëshpëruar francez ta raportojë te ministri i tij i jashtëm. Pashai gjithmonë do të gjente një mënyrë të re  për të penguar suksesin e agjenturës së huaj, dhe pse të mos vepronte kështu. Ai ishte zot në shtëpinë e tij. Më vonë hapi edhe versionin fals se në pashallëk ka rënë një murtajë e pashërueshme. Ata që e njihnin frikën dhe që normalisht u dhimbsej edhe jeta, u larguan menjëherë. Kështu vazhdoi loja e fuqishme e policisë secrete të Ali Pashës, duke rekrutur bejlerë dhe agallarë në çdo fshat e zonë, trima dhe kryehajdut, për të patur rrugën të lirë në çdo kohë që do t’ia lypte nevoja.

 Korfuzi ishte shëndërruar në një qëndër të madhe spiunazhi, fillimisht nga venecianët, nga rusët më vonë, pastaj nga francezët. Ky ishull ishte bërë edhe baza e strehimit të kundërshtarve të Pashait, hajdutëve, brigantëve, njerzve të panënështruar dhe kacakëve. Ata stërviteshin nga agjentura e huaj, për t’i përdorur më vonë kundër Pashait. Aliu kishte depërtuar mes tyre dhe merrte rregullisht informacionin që i duhej, duke përgatitur edhe masat mbrojtëse. Prova e parë e dukshme  e francezëve u bë me priftin Thimjo Bllahava.  Fillimisht ky rrebel u përkrah nga agjentura ruse, pastaj u përkrah dhe përdor nga ajo franceze. Rreth këtij prifti që filloi të bënte masakra të tmerrshme mbi popullsinë myslimane të pashallëkut, u grumbulluan një numur shumë i madh luftëtarësh, kundërshtarë të Aliut, gjersa arriti përmasat e një kryengritjeje me më shumë se 7000 luftëtarë. Franca derdhte franga pa kursim, furrnizonte me armë dhe municione trupat e aleancës që kishte ideuar dhe formuar vetë. Ali Pasha urdhroi mësymjen për shkatërrimin e Thimjo Bllahavës, këtij kundërshtari të rrezikshëm dhe vuri në krye të trupave Myftarin, djalin e tij. Beteja u zhvillua në Kastraqi, pranë Kallabakës dhe zgjati dy ditë. “ Përballë një egërsie të paparë të sulmeve të shqiptarëve,…çorientimi dhe tmerri i detyroi kryengritësit t’ja mbathnin me të katra, të braktisnin fushën e betejës dhe të gjenin strehë në grykat dhe pyjet e Olimpit.” Komandanti rrebel Thimjo Bllahava detryohet të fshihet në bregdetin e Magnezisë. Të lidhur ja shpunë Ali Pashës. Hakmarrja e tij ishte e tmerrshme. Nën daullet e evgjitëve u ekzekutua para sarajeve të Vezirit në qëndër të pashallëkut. “Gjymtyrët e tij të zvarritura nëpër kalldrëmet e Janinës u treguan grekëve të lemerisur se ato ishin gjithë ç’kish mbetur nga kapedanët e fundit të Thesalisë.”

Policia sekrete e Aliut kishte zbuluar dokumenta kompromentuese, që bënin fjalë për bashkëpunimin e fshehtë të Thimjos me rusët dhe më vonë me francezët. Agjentura franceze punoi për më shumë se 20 vjet për shkatërrimin me çdo kusht të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës dhe atij vetë. Qëllimi ishte i qartë: duart e tyre duhet të ishin të lira në krejt gadishullin e Ballkanit. Pas dështimit me kryengritjen që drejtoi Thimjo Bllahava, përgatitën mësymjen e radhës. Ndërkohë, perandori francez, Bonoparti, këmbëngulte pranë portës së lartë se Ali Pasha duhej hequr qafe dhe se këtë detyrë duhet t’ia besonin për ta kryer atij vetë. “Në situatat e krijuara Sulltani pranoi idenë dhe zbatimin e një plani për të hequr qafe Pashain rrebel, pragmatistë për të cilin do të qenë francezët…trupat franceze nën komandën e gjeneralit Marmon, do të zbrisnin nga Dalmacia dhe të mbështetur nga forcat e freskëta të garnizoneve të Korfuzit, të komanduara nga Donzelo do të godisnin befasisht Pashain”. Ali Pasha kishte informacionin e nevojshëm për veprimtarinë që kurdisej në kurriz të tij.

Policia sekrete vazhdonte punën e saj gjurmuese. Lidhjet e Aliut me Anglinë po forcoheshin. Ai i joshte dhe u ushqente ëndrrën për ta patur ata këtë ishull dhe jo francezët. Të detyruar nga lëvizjet e befasishme të Pashait, francezët detyrohen të lëshojnë në duart e tij qytetin e Pargës, duke i kërkuar që ai të ndalonte ardhjen e anijeve angleze në brendësi të bregdetit shqiptar. Aliu vazhdonte të luante. Parga, u thoshte ai francezëve, tashmë është e parëndësishme për mua. Pashai kërkonte më shumë, donte të njihte gjithë korespodencën e Pukvilit me eprorët e tij. Njëkohësisht, Ali Pasha përgatiste kundërpërgjigjen ndaj aleancës së re që francezi po përgatiste për ta ndërsyer ndaj pashallëkut. Veziri rrebel duhej të ndëshkohej me çdo kusht. Artileri e lehtë, municione dhe franga u hodhën në drejtim të pashallëkut të Beratit, kundërshtarit të Aliut. Franca s’kursente asgjë për të arritur qëllimin e saj. Agjentura e Aliut kishte depërtuar brenda ketyre formacioneve, qeset me flori dhe primtimi i miqësisë kishin bërë që shumë bejlerë të viheshin në shërbim të tij. Në kohën që Ibrahim Pasha po bëhej gati të godiste Aliun, ky i fundit urdhëroi mësymjen e befasishme. 

Nën drejtimin e Omer Vrionit, më 26 shtator 1809 trupat e Aliut rrethuan, goditën dhe morën Beratin. Ibrahim Pasha u detyrua të largohej për të shpëtuar kokën i shoqëruar nga 500 trupa të tij. Mirëpo s’i kishte bërë mirë llogaritë. Në Manastirin e Zvërrnecit ku ishte fshehur, e kapën dhe ja shpunë të lidhur Pashait tepelenas. Aliu përhapi versionin fals se Ibrahim Pasha u vra. Pukvili nxitoi të njoftonte Stambollin. I dërguari i sulltanit mbriti menjëherë në Janinë.  Mbas bisedimeve, në prani edhe të konsullit francez ( si i ftuar nderi) Ibrahim Pashën e nxorrën nga bodrumi dhe ja sollën para të dërguarit të portës së lartë. Loja e Aliut funksionoi, konsulli francez mbeti i zgënjyer dhe ju duk vetja fare i vogël para Pashait. Ditë më vonë, Aliu urdhroi që Ibrahimi të mbytej në ujrat e liqenit. Përsëri agjentura franceze vazhonte me këmbëngulje organizimin e trazirave dhe rrebelime të tjera. Kundërshtarët e Pashait kërkoheshin brenda dhe jashtë pashallëkut, bisedohej me ta, u afrohej ndihmë në të holla, instruktoheshin, mandej orjentoheshin për të goditur atje ku Pashai dëmtohej më shumë.

Një nga këta misionarë ishte edhe Andruco, njeri tepër i rrezikshëm dhe armik i betuar i Ali Pashës. Policia sekrete ishte në ndjekje të tij, ruante çdo hap që hidhte, çdo veprim që bënte, çdo rrebelim që organizonte. Kapet bashkë me disa njerëz të tij, ndërsa kishte mbaruar një mision të fshehtë brenda pashallëkut dhe nxitonte të largohej në ngushticën që të lidh me Korfuzin. Torturohet dhe vritet në burgun e kalasë. Trupi i tij hidhet jashtë dritares në “përpjekje për t’u larguar”. Konsulli francez në Janinë reagoi për lirimin e tij, reagoi fuqishëm edhe guvernatori i Korfuzit, gjenerali Donzelo, i cili i shkruante Ministrit të Luftës së Francës se:” Zoti Andruco meriton lëvdata për devotshmërinë e tij gjatë të gjithë kohës që ka punuar në shërbimin francez…”. Për të krijuar një aleancë të re kundër Ali Pashë Tepelenës “guverrnatori i përgjithshëm francez i Korfuzit kishte shpenzuar 450.000 franga”.

Më 28 gusht 1811 u formalizua beslidhja e kundërshtarëve të rinj të Pashait, me pjemarrje nga Çamëria, Labëria, Kardhiqi, Gjirokastra, Delvina etj. Komandanti i këtij formacioni të madh luftarak që po organizohej do të ishte Selim Koka, bashkëpuntor i shërbimeve sekrete franceze. Policia sekrete i kishte dhënë Ali Pashës të gjithë informacionin e duhur për të realizuar kundërpërgjigjen. Komandën e tupave të Ali Pashës e kishte marrë Omer Vrioni, guvernatori i ri i Beratit. Mbasi ndëshkoi në mënyrë të përgjakshme Delvinën, Gjirokastrën, Beratin dhe Elbasanin, Ali Pasha ju drejtua Kardhiqit, ku bëri një kasapanë të vërtetë. “Aliu mbante në Janinë, në burgun e kalasë, pashain e Beratit me familjen e tij, Mustafain me të shoqen, Demir Dostin dhe 17 bejlerët që kishin luftuar kaq trimërisht dhe përkrah, dy djemtë e pashait të Delvinës, Selim Kokës etj.  Në mënyrat më mizore që njihen, i ekzekutoi me radhë pasi i torturoi barbarisht. Ndërkohë vazhdojnë të forcohen marrdhëniet e tij me anglezët, gjithësesi përmes dyshimesh. Është një fakt interesant që duhet përmëndur, fakt që vërteton besimin e Aliut te njerzit e gjakut të tij, te shqiptarët.

Në bisedën sekrete të zhvilluar në Janinë mes Ali Pashës dhe sekretarit të ambasadës britanike  Hamilton, Pashai kërkon që “ këto lidhje të njiheshin vetëm nga personat e ngarkuar shqiptarë duke përjashtuar të gjithë grekët, pavarësisht nga detyrat që mund të kryenin.” Përfaqësuesi anglez, koloneli Lik, shkruan me një vlerësim dhe konsideratë të veçantë për Ali Pashën dhe sinqeritetin e tij në marrdhëniet me Anglinë.

Ai përmënd edhe faktin që Pashai e kishte të kristalizuar qartë jetesën e pashallëkut jashtë kuadrit të perandorisë, pavarsisht se si do ta realizonte atë. “Aty rreth viteve 1818, Pashai kishte arritur në përmasat e një hegjemoni dominant dhe kishte nën pushtetin e vullnetit të tij të padiskutueshëm pjesën dërrmuese të teritoreve të Greqisë, Shqipërisë dhe Rumelisë”. Është një epokë e tërë e mbushur me përpjekje dhe luftra pa fund, mes pashallëqeve dhe portës së lartë, mes kësaj të fundit dhe fuqive evropiane. Ali Pasha kishte informacionin e duhur për lëvizjen greke drejt shkëputjes nga porta e lartë, e ndiqte me kujdes atë dhe së fundmi e mbështeti fuqishëm. “Nga shteti i Ali Pashës u nisën drejt revolucionit për pavarësinë greke heronjtë, që e udhëhoqën atë, Andrucua, Bejko Zhulati, Marko Boçari, Çoga, Bamaqiotis, Iskua, Skalkodhimua, Runis, Gaços, Panurja, Duvunioti, Karaiskaqi,Griva, Xhavella, etj”.

Të shkruash për Ali Pashën, të rrëmosh arkivat dhe librat e publikuar për të, është njëlloj si të futesh brenda një miniere ari, thellë së cilës ka brilante pa fund. Është njëlloj si të shuash etjen e korrikut në burimet e kristalta të Zagorisë apo Tomorit në Janinë, ujra që të freskojnë dhe s’të ngopin asnjëherë. Jeta e Pashait tepelenas, ngjason me një lumë të rrëmbyer, që buron nga djepi i vendlindjes dhe derdhet në humnerën e frikshme të arkivolit, ashtu siç ndodh përgjithësisht me fatet njerëzore.

Kur përfundon rrugëtimin e gjatë në veprën e historianit tonë, krijuesi trishtohet, lexuesi i thjeshtë ndjen një farë keqardhje, ndërsa  studiuesi, duke mbylluar kapakët e trashë të librit, pyet veten: përse të ndodhte kështu?. Në kohën që Ali Pasha bën thirrje për një aleancë mbarëshqiptare kundër turkut, pritet në besë nga bashkëluftëtarët e tij. Meritonte ky prijës të tradhëtohej nga Omer Vrioni, i vlerësuar si rrallë bejlerë të tjerë?. Në grykën e Mecovës shpërndan 15.000 luftëtarë dhe bashkohet me turkun. Sa turp! I besuari tjetër, Odisea Andruco largohet nga Livadhjaja. Sa kryeneçe rraca Andruco! Përse vallë, nga frika apo premtimet e turkut për poste të larta i verbuan?. Pas këtyre, edhe djemtë e tij e poshtëruan Pashain: Myftari braktisi fortesat që kishte marrë përsipër t’i ruante, ndërsa djali tjetër, Veliu, dorëzoi Prevezën, pikën më të rëndësishme, për të cilën Aliu kishte luftuar aq shumë. Mos vallë u ishte premtuar vendi i Ali Pashait në këmbim të kësaj tradhëtie që i bënë?. Ndoshta ishin dritëshkurtër dhe s’mund ta përfytyronin perandorinë turke të rrënuar, ashtu siç ndodhi shumë shpejt?. Apo kishte arsye të tjera?.

Me guximin e Ali Pashës në ballë, me dinakërinë e tij të pakrahasueshme, me diplomacinë dhe goditjet e tij të befasishme, luftëtarët e bashkuar shqiptarë mund të hynin triumfatorë edhe në portat e Kostandinopojës, brenda sarajeve të sulltanit.

Me Aliun në ballë mund të realizoje çdo ëndërr, mirëpo tronditja ishte më e thellë nga ç’dukej. Si ndodhi vallë, kush punoi tradhëtisht për të shëmbur këtë kështjellë të lartë besimi?!. Mos vallë Ortodoksia (Ruso-Serbo-Greke) dhe Katolicizmi (Vatikani), kishin punuar në heshtje dhe me shumë kujdes, ashtu siç bënë me Armatolët, me rebelimin nga brenda dhe goditjet nga jashtë, paçka se buzëqeshjet s’i kursenin?! Ndoshta, por tashmë janë të parëndësishme…Të analizosh veprat dinjitoze të Irakli Koçollarit, të cilit i kanë kushtuar vite të tëra pune, sigurisht që s’mund të bëhet në një publikim të shkurtër, sepse përveç mungesës së seriozitetit, do të kishte edhe varfëri mendimi, mungesë faktesh e argumentash, për të cilat autori ka bërë një punë të kujdesshme e sistematike.

Koçollari e njeh mirë artin e diplomacisë, mbasi ka eksperiencën e tij si diplomat kariere, i njeh mirë shërbimet sekrete, natyrën e tyre dhe artin e drejtimit, mbasi ka patur fatin të jetë në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit Shqiptar, paçka se ndodhin edhe raste, kur shigjetat e nisura nga larg, përthyhen në prizmin e politikës dhe godasin inteligjencën. Falë kësaj eksperience  ka realizuar edhe veprën dinjitoze për policinë sekrete të Ali Pashë Tepelenës. Koçollari vazhdon të merret ende me Ali Pashën, ka përkthyer nga greqishtja dhe përgatitet të botojë një poemë interesante (elegji) të shkruar nga një poet shqiptar anonym ( me siguri brenda oborrit të Pashait!)  dhe të përgatitur nga neohelenisti Emile Legrand rreth vitit 1870, ka përkthyer gjithashtu 2000 dokumenta të reja, të nxjerra nga arkivat greke dhe të panjohura më parë, të cilat bëjnë fjalë për funksionimin e Pashallëkut të Janinës, urdhra të Vezirit, letërkëmbime, vendime gjyqi, etj.  Në përfundim të kësaj analize, do më pëlqente të bëja një paralelizëm. Lavdia e letërsisë spanjolle, Migel de Servantes Savedra, në vëllimin e dytë dhe të fundit të veprës së tij “Don Kishoti i Mançës”, shkruan (për ngatërrestarin nga Tordesilasi): “Ah, jo, jo, mos vini dorë/ Nuk është punë që ju takon/ Se këtë bëmë, kryebëmë/ Fati mua ma cakton…” . Pra, edhe bëmat e Ali Pashës, duket sikur janë paracaktuar  enkas për  Koçollarin, për pasionin, përkujdesjen dhe mënçurinë e tij. Le të mos lodhen historianët e tjerë.

 

Botuar në gazetën “Republika” datë 14.05.2010 - Për ZSH: Kozeta Zylo