E enjte, 18.04.2024, 11:04 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Romët, ata që dinë të buzëqeshin

E shtune, 01.12.2007, 05:49 PM


Kanë një kulturë shumë të lashtë e interesante, që është injoruar gjithmonë

Persekutohen e nënvleftësohen prej shekujsh, por nuk kanë hequr dorë nga muzika dhe të gëzuarit e jetës

Janë rreth 14 milionë dhe jetojnë në të gjithë globin nga Evropa në Australi. Njëlloj si hebrenjtë, janë përndjekur nga regjimi nazist, por pakkush mendon për ta. Sot, shumë i kanë frikë, ndërsa pak të tjerë njohin historinë dhe kulturën e tyre mijëravjeçare

Preferojnë t‘i quajnë rom, që në gjuhën e tyre do të thotë burrë, ndërsa quajnë gaxhi, pjesën tjetër të botës që nuk janë të një race me ta (jo rom). Për ta gaxhitë janë sylesh, supersticiozë, shumë të dhënë pas gjërave dhe ndonjëherë të dhunshëm. Gaxhitë nga ana e tyre i quajnë ciganë, i paragjykojnë dhe mendojnë se janë të çrregullt, të pandershëm, hajdutë dhe pa kulturë. Vlen të theksohet se mënyrat me të cilat i krahasojnë janë tërësisht të gabuara, sepse në shumë vende të Evropës Lindore ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e tyre, romët jetojnë në shtëpi normale, studiojnë, janë të integruar në shoqëri dhe bashkëjetesa me gaxhitë është harmonike. Në Itali, Shqipëri, apo Bullgari, romët jetojnë në kushte skandaloze dhe papunësia mes këtij komuniteti kap shifrat 90 për qind. Ndryshe paraqitet situata në Francë, ku shteti ka arritur të vërë në zbatim strategji efikase për integrimin dhe jetesën me tyre në kushte normale. "Në shumë vende të bllokut të Lindjes, romët janë vendosur dhe jetojnë nëpër zona të pista sipas stereotipit se janë nomadë të çrregullt, të papastër dhe hajdutë që lëvizin nga një vend në tjetrin", tregojnë historianët.

Të ardhur nga India

A kanë qenë romët gjithmonë nomadë? A është e vërtetë që nuk kanë kulturë? Përse të tjerët i shohin si hajdutë dhe pisanjosë? Cila është historia e tyre? Romët janë një popull evropian, por me origjinë indiane, paraardhësit e të cilëve u larguan në luginën e Ganxh-ës, në veri të Indisë rreth 1000 vjet më parë. 17 milionë romët që jetojnë sot në Evropë e kanë prejardhjen nga një popull që fliste një formë vulgare të sanskritishtes. Në vitin 1000 pas Krishtit, u larguan përfundimisht nga një zonë e vendosur mes Indisë dhe Pakistanit. Romët konsideroheshin si mjeshtër në punimin e metaleve dhe brenda disa shekujsh u vendosën në vende të ndryshe të Evropës dhe sidomos në Gadishullin e Ballkanit. "Që nga ajo kohë, romët nuk sillen të gjithë në të njëjtën mënyrë. Ata ndryshonin ekonominë dhe ritmet e jetës sipas mundësive që u ofronin vendet mikpritëse", tregojnë specialistët.

Gjuha

Gjuha rome është gjuha e romëve me origjinë indiane dhe e ngjashme me hindi, një nga gjuhët e Indisë. Të njëjtën gjuhë që flasin sot romët, e flasin edhe banorët e Nepalit e të Benegalit.

Baza e fjalorit rom dhe gramatika është dy të tretat indiane. Pjesa tjetër është një përzierje e fjalorit të huazuar nga eksodi nga India e popullit rom, siç ishte kryesisht nga persishtja dhe greqishtja, ndjekur nga gjuhët evropiane me të cilët popujt romë patën kontakte. Përveç diversitetit të tij dialektik, gjuha rome është një gjuhë unike dhe romët e Rusisë, Shqipërisë, Greqisë, Italisë mund të komunikojnë lehtësisht me njëri-tjetrin - për sa kohë që ajo është e ruajtur nga brezi në brez. Gjuha rome është gjetur në formën e saj të shkruar nga fillimi i shekullit XX, duke përdorur alfabete të ndryshme sipas vendeve që romët kanë jetuar. Në vitin 1990, një alfabet standard i shkruar për gjuhën rome u vu në vend, i cili lejoi për një përhapje më të mirë të letërsisë rome. Në disa vende, siç është Rumania, është mësuar në shkolla ndërsa në Francë, në Institutin Kombëtar të Gjuhëve Orientale dhe Civilizimeve (INALCO) në Paris, ofrohen programe të plota në gjuhën, kulturën dhe historinë rome. Flamuri i tyre përbëhet nga tri ngjyra: gjysmë i gjelbër, simboli i tokës, gjysmë blu, simboli i qiellit, ndërsa në mes një rrotë e kuqe, që është simbol i lëvizjes. Himnin dhe flamurin e vet ata e vendosën në Kongresin e Parë Rom, i cili u mbajt në Londër, në prill të vitit 1971. Ndërsa 8 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Romëve që festohet në çdo vend të botës. Romët në këtë ditë bëhen të gjithë së bashku dhe dalin buzë lumenjve dhe hedhin lule e qirinj të ndezur, për të kujtuar shtegtimin mijëvjeçar të këtij kombi, vuajtjet, persekutimet, diskriminimin dhe dëshirën për të qenë të lirë e për të jetuar në paqe.

Mjeshtër në përpunimin e metaleve

Vendet ku u vendosën mund të ndaheshin në tri zona gjeografike. Zona e parë ishte ajo ballkanike, në të cilën gjatë Perandorisë Osmane, filluan të zhvillonin një numër të madh profesionesh, mbi të gjitha artizanale. Në fund të shekullit XVI, të gjithë romët ishin të regjistruar, jetonin në banesa fikse dhe paguanin taksat. Me pak fjalë, ishin kontribuues të mirë në shoqëri, të ndarë në disa kategori: muzikantë dhe ndërtues të veglave muzikore, kovaçë, rrobaqepës, kasapë, shitës kuajsh, veterinerë. Në zonën e dytë, që ishte ajo rumune, luanin rolin e skllevërve. Aty ata ishin pronë e princit dhe vetëm ai mund t‘i lejonte ushtrimin në profesione të tilla si akrobatë, rritës arinjsh, zhongler, zdrukthëtar, me marrëveshjen e vetme që t‘i paguanin haraçin. Po ashtu, princi kishte të drejtë t‘i dhuronte romët me gjithë familjen e tyre, në ndonjë manastir ortodoks, për shkak të mëkateve të bëra. Shpesh romët ishin skllevër të feudalëve dhe manastireve, që i përdornin për të kryer punët e vështira nëpër fusha. Situata mbeti e tillë deri në mesin e viteve 1800, kur u ndalua skllavëria në këto zona. Në këto dy zona, atë ballkanike dhe rumune, sot janë përqendruar më shumë se 90 për qind e romëve evropianë. Jo rastësisht, janë sedentarë, jetojnë në shtëpi të mira me të gjitha kushtet dhe dinë të bëjnë punë nga më të ndryshmet. Statistikat e Interpolit tregojnë për shembull se në Rumani, nga 1 milionë e 800 mijë romë që jetojnë aty, numri i krimeve të kryera është afër zeros. Zona e tretë është ajo konfliktuale, ku bën pjesë Evropa Perëndimore. Lind pyetja si kanë mbërritur këtu?

Shtegtarë të rekomanduar?

Mes viteve 1417 dhe 1430 u vunë re grupime të mëdha romësh që shtegtonin nga një vend në tjetrin dhe deklaronin se ishin egjiptianë. Në përbërje të tyre kishte burra, gra, kuaj dhe qen. Raportuesit e asaj kohe tregonin gjithmonë të njëjtin version: "Jemi egjiptianë, por të krishterë, duhet të shlyejmë një pendesë për një mëkat tonin, i cili na dënon me një pelegrinazh 7-vjeçar Ju lutem na ndihmoni". Letrat që mbanin ishin firmosur nga Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake, nga Papa apo njerëz të tjerë të "fuqishëm". Rezultati? Shumë qytete iu bënë dhuratë të ashtuquajturve egjiptianë, megjithatë shtegtimi nuk mund të vazhdonte përjetësisht.

Persekutimi

Për shekuj me radhë, romët janë persekutuar nga vendet e tjera, janë shpërngulur nën kërcënimin e sanksioneve kundër tyre, nëse do të qëndronin në ato vende, duke përfshirë edhe dënimin me vdekje - të gjitha këto për një arsye të vetme, atë të të qënit

dhe të lindur rom. Romëve u është dashur të largohen nga dhuna dhe diskriminimi, kudo ndodheshin. Kështu, disa mijëra romë dhe sintë u masakruan në Zigeunerlager, në kampin e përqendrimit në Auswichtz-Birkenau. Rreth 600.000 deri në 1,5 milionë romë u shfarosën gjatë holokaustit. Si përqindje, ky llogaritet si grupi etnik më i prekur nga vrasjet naziste. Mbi 90 për qind e popullsisë rome të Austrisë, Gjermanisë dhe Estonisë u shfarosën nga regjimet fashiste. Të drejtat e romëve shkelen çdo ditë në Evropë. Punëtorëve romë u refuzohen vendet e punës, fëmijëve të tyre u refuzohet pranimi në shkolla. Komuniteti i tyre shpesh konsiderohet si i skajshëm dhe tradicional, që nënkupton se ata kanë më shumë të ngjarë të vuajnë nga përjashtimi shoqëror. Në të vërtetë, romët mund të konsiderohen si të parët popuj evropianë, që kur "kapërcyen" kufijtë evropianë, shumë më përpara se të ekzistonte ndonjë traktat ndërkombëtar apo konventë. Ata kanë shtegtuar nëpër të gjithë Evropën, duke pasuruar kulturën e tyre me kulturën e vendeve ku shkonin, si dhe duke pasuruar trashëgiminë kulturore evropiane. Por pavarësisht represionit, romët u shpërndanë në territore të ndryshme, nga të cilat morën edhe emrat. Po ashtu, 50 për qind e gjuhës së tyre ngeli ajo e origjinës, por që u pasurua edhe me fjalë nga gjuha lokale. "Në shumë pjesë të Evropës ku shumë popujve iu desh të luftonin për identitetin e tyre, romët vepruan me shumë kujdes. Ata nuk bënë kurrë luftëra dhe për të mos i përzënë duhet të shpërndaheshin në bashkësi të vogla, familje të mëdha që bashkoheshin herë pas here, por duhet të ishin shumë të kujdesshëm ndaj kontrolleve. Kështu mënyra nomade e jetesës ishte një lloj përshtatjeje përballë represionit dhe përndjekjes, jo një kushtëzim etnik. "Më vonë erdhët persekutimet e Hitlerit. Më shumë se 600 mijë romë u eliminuan në kampet e përqendrimit", thonë specialistët që kanë studiuar historinë e tyre. Disa rrethana i bëjnë shumë të ngjashëm mes tyre romët dhe hebrenjtë: pasi të dy komunitetet kanë qenë skllevër. Nga nazistët, hebrenjtë "pësuan" shoah-un (shfarosjen), ndërsa romët "porrajmos" (asgjësimin). Por nëse për të parët, Gjermania i pranoi dëmet që u kishte shkaktuar dhe i dëmshpërbleu, për të dytët nuk u bë asgjë e tillë. Arsyeja? Sipas tyre romët nuk ishin popull, as bashkësi kulturore .

Të arsimuar

Një gazetar i "National Geografic" organizoi një udhëtim të gjatë me një rom dhe u mundua të tregonte se ai mund të komunikonte me fjalë, gjeste, apo këngë me romët në çdo cep të botës. Nëse hebrenjtë kanë pasur Biblën, si peshtaf të identiteti kulturor, romët gjithmonë kanë pasur muzikën. "Muzika e tyre ka frymëzuar krijimtarinë e kompozitorëve të tillë si Johanes Brahms, Franz Schubert, Maurice Ravel, Igor Stravinski, Peter Çajkovski për të mbërritur më pas te Goran Bregoviç që e ka pasion muzikën e romëve maqedonas. Muzika rome ka themeluar xhazin evropian, etikën, filozofinë e jetës, kujtesën tonë", shpjegon Santino Sinela, pedagog në universitetin shtetëror të Nantës në Francë, që mban në xhep dy diploma (një për muzikologji, ndërsa tjetrën për gjuhë dhe literaturë moderne). Veçantia e këtij komuniteti duket edhe në mënyrën e organizimit të ceremonive të varrimit; "Sa herë që vdes një njeri, digjen të gjitha gjërat që ai zotëron, përfshi edhe shtëpinë, me idenë që trashëgimia e tij të mos jetë objekt mosmarrëveshjesh mes të afërmve dhe të mos krijojë pabarazi sociale në komunitet", shpjegon një historian. Kjo praktikë ndiqet sidomos në vendet e Lindjes, ku varret i bëjnë shumë të mëdha, me qëllimin e vetëm që të groposet gjithçka nga pasuria e tij. Në të vërtetë, këto tradita të kujtojnë ato egjiptiane, ku shpesh brenda një varri hidheshin objekte nga më të ndryshmet. Një tjetër traditë janë edhe ligjet rome. Romët nuk respektojnë ligjet e shtetit, pasi kanë "Kushtetutën" e tyre, që rregullon zënkat, konfliktet, mosmarrëveshjet martesore. Nëse çështjet janë të rënda dhe të rëndësishme, gjykatësit vijnë nga komunitetet e tjera, me kusht që të jetë i paanshëm. Dënimi është gjithmonë dëmshpërblimi. "Si ai që humbet, si ai që fiton, duhet të paguajë një festë për të gjithë komunitetin, një formë pajtimi kolektiv", shpjegojnë historianët.

Mite për t‘u rrëzuar

Tipare të tjera kulturore të romëve "vizatohen" nga akuzat e drejtuara ndaj tyre. Janë të pistë? Kur nuk ka energji elektrike dhe ujë të ngrohtë, është e vështirë të lahen 200 veta vetëm me një çezmë. Romët kanë frikë nga papastërtitë, si indianët apo hebrenjtë. Gjatë pastrimit, për shembull larjes së enëve, e kanë si parim që nuk duhet të përziejnë tenxheret me pjatat, apo veshjet e femrave me ato të meshkujve, veshjet intime me të tjerat. Po ashtu romët nuk e konceptojnë dot idenë se tualeti ndahet brenda në shtëpi, ashtu siç bëjnë gaxhitë. Gratë rome janë imorale? Absolutisht jo. Ato shmangin gjithmonë kontaktet me gaxhitë për shkak të papastërtisë. Ato martohen gjithmonë të virgjëra dhe tregojnë çarçafin e gjakosur si provë të ndershmërisë së tyre. Jetojnë në një shoqëri maskiliste, ku është i censuruar rreptësishtë burri që nuk kryen detyrat familjare. Predikojnë të ardhmen? "Është një zanat, shtiremi asgjë më shumë", tregojë gratë rome.

Romët janë të dhunshëm dhe hajdutë? Në proceset brendshme, vendimet gjyqësore janë shumë të ashpra në rastet e dhunës, edhe kundrejt një gaxhiu. "Por nëse një rom ka vjedhur me mendjemprehtësi, këtë e ka bërë se ka pasur nevojë dhe kjo për ne nuk përbën krim", tregon një gjyqtar rom.

Shtëpi më shtëpi

Përse lypin? Romët njihen edhe si tregtarë që trokasin derë më derë. "Ktheheshin në të njëjtat vende për të shitur objekte shtëpiake apo agro-kulturore dhe nëse nuk shisnin, kërkonin ndonjë gjë për të ngrënë ose monedha. Manghel, që nënkupton shitjen dhe lëmoshat, dikur pranohej nëpër fshatra, megjithatë me përhapjen dhe fuqizimin e tregtisë, romët e kanë humbur përfundimisht këtë rol. Sot, numri i romëve të punësuar është i ulët dhe ende, në shumë vende të botës vazhdojnë të lypin. Në Hungari, rreth 50 për qind e tyre janë të papunë. Situata është e ngjashme edhe në Serbi, ku mbi 60 për qind të 300,000 romëve të saj konsiderohen si shumë të varfër, ndërsa përqindja e papunësisë për ta, në të gjitha grupmoshat dhe nivelet arsimore është tri herë më e lartë sesa e popullsisë jo rome. Në Republikën Çeke, më shumë se 70 për qind e romëve janë të papunë, ndërsa Rumani, ku 2 milionë romët përbëjnë rreth 8 për qind të popullsisë prej 22 milionësh, 75 për qind e atyre në moshë pune janë të papunë, sipas një raporti të bërë nga OKB-ja, UNDP dhe ILO.

Në Shqipëri

Minoriteti rom konsiderohet një minoritet gjuhësor. Të dhënat statistikore lidhur me numrin e romëve që jetojnë në Shqipëri, mungojnë, pasi një regjistrim i përgjithshëm i tyre nuk është bërë asnjëherë. Romët jetojnë në Shqipëri, për më tepër se 600 vjet. Ata kanë arritur në Shqipëri para pushtimit otoman. Nga studimet e bëra, supozohet se kanë ardhur nga India, pastaj nëpërmjet Ballkanit në Evropë. Origjina e tyre njihet jo për shkak të dëshmive të sakta historike, por kryesisht nga analizat gjuhësore. Në kohën e pushtimit otoman për arsye sigurie, romët kanë ndryshuar besimin e tyre fetar, duke e konvertuar në besim mysliman, njëlloj siç bëri një pjesë e mirë e popullsisë etnike shqiptare në atë kohë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, romët e Shqipërisë nuk u persekutuan në kampet e vdekjes, siç ndodhi në shumë vende të Evropës Lindore. Mbas luftës, shteti shqiptar ndoqi politikën e asimilimit dhe të homogjenizimit të kombit shqiptar, duke e konsideruar këtë komunitet si pjesë e popullsisë shqiptare. Vlen për t‘u theksuar se gjatë regjimit komunist, romët kanë përfituar punësimin, reformën agrare mbi tokën, sigurinë për të nesërmen, shkollimin e detyruar, strehimin ç‘ka bëri që ata të integrohen njëlloj si gjithë popullsia mazhoritare, pavarësisht të metave të atij sistemi. Në përputhje me politikën e punësimit të plotë, shteti ishte i detyruar t‘i siguronte punësimin, si burrave ashtu edhe grave, në funksion të nivelit të shkollimit dhe të aftësive të tyre profesionale. Me përmbysjen e komunizmit dhe me fillimin e ndryshimeve demokratike, romët ishin të parët që humbën punësimin dhe shkuan me shpejtësi në fund të shoqërisë. Për shkak të mungesës së arsimit dhe të kualifikimit të nevojshëm, pozicioni i tyre në shoqëri ndryshoi në mënyrë drastike. Si rezultat i varfërisë së krijuar, me një përjashtim të vogël, gjenerata e re e fëmijëve rom, për të qenë krahë pune për familjet e tyre, nuk është në gjendje të ndjekë shkollën. Fëmijët romë janë shndërruar në lypsa dhe viktima të trafiqeve të ndryshme dhe të prostitucionit. Aktualisht, situata ekonomike e romëve të Shqipërisë dhe kushtet e jetesës janë në nivele shumë të ulëta për shkak të papunësisë që është në shifra disa herë më e madhe se pjesa tjetër e popullsisë jo rome. Kushtet e shëndetit dhe të strehimit janë shumë të këqija.

Për herë të parë, romët u regjistruan në Shqipëri gjatë viteve 1522-23 dhe u vlerësuan rreth 1,270 vetë. Sot vlerësohet që ritmi i shtimit të popullsisë rome është 3%, i cili paraqitet më i lartë se ai i shqiptarëve. Pasaktësia e shifrave vjen nga fakti se asnjë regjistrim zyrtar në Shqipëri nuk i ka evidentuar romët.

Romët jetojnë pothuajse në të gjitha zonat e vendit. Megjithatë, numri më i madh i romëve është përqendruar kryesisht në Shqipërinë Qendrore dhe Juglindore.

Jetesë normale

Në Francë, sipas strategjive të hartuara nga shteti, romët jetojnë me të gjitha kushtet normale. Aty, shumë prej tyre janë të arsimuar dhe me punë të mira

Papunësia dhe varfëria

Në Hungari, rreth 50 për qind e tyre janë të papunë. Situata është e ngjashme edhe në Serbi, ku mbi 60 për qind të 300,000 romëve të saj konsiderohen si shumë të varfër, ndërsa përqindja e papunësisë për ta në të gjitha grupmoshat dhe nivelet arsimore është tre herë më e lartë sesa e popullsisë jo rome. Në Republikën Çeke, më shumë se 70 për qind e romëve janë të papunë ndërsa Rumani, ku 2 milionë romët përbëjnë rreth 8 për qind të popullsisë prej 22 milionësh, 75 për qind e atyre në moshë pune janë të papunë, sipas një raporti të bërë nga OKB-ja, UNDP dhe ILO



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora