Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Te keqen o socializem...!

| E shtune, 01.12.2007, 05:42 PM |


Nga Urim Bajrami

Presidenti ynë, Bamir Topi, tha një të vërtetë të madhe, teksa po dilte ditën e 29 Nëntorit nga shtëpitë e Qemal Stafës dhe Mustafa Gjinishit. "...besoj që me kalimin e viteve, natyrisht edhe politika do të maturohet, do të edukohet dhe do të shkojë në nivelin që ka mesatarja e shoqërisë sonë". Në të vërtetë, është diçka e hidhur dhe që dihet nga të gjithë, mërmëritet a thuhet hapur thuajse nga të gjithë, por kur e pranon vetë qytetari nr. 1 i këtij vendi, deklarata duhet marrë seriozisht. Vërtet që duhet marrë seriozisht. Për shumë arsye. Për ta filluar nga gjërat më ordinere e për të bitisur tek ato çfarë i duhen një klase politike. Deri para pak vitesh (për fat, janë harruar paksa tanimë), nuk mbeti politikan pa i përmendur karrocierët, brigadierët apo veterinerët e dikurshëm të Partisë së Punës, ndërsa tani, mjafton vetëm të shikosh CV-të e pjesës më të madhe të deputetëve, dhe të kuptosh se cili është realisht niveli i atyre që vetë ne i kemi votuar. E paskëtaj, të thuash, jo me zë të ulët, por sa ta mbajë fyti: Të keqen o socializëm...!

Edhe sot kemi karrocierë, por të konvertuar në mekanikë, brigadierët, që nuk i zbritën kurrë kalit në socializëm, tani janë menaxherë, dhe madje të zotë, të firmave private që vetë drejtojnë, ndërsa veterinerët janë me grada shkencore tashmë.

Sa për parantezë, para disa vitesh, një nga partitë e vogla të djathta kishte në Kuvend një deputet, të vetmin që arriti ta marrë nga lista. Të paktën ai, ndryshe nga këta të sotmit, pati kurajon të tregonte arsimin e tij: Kam tre klasë shkollë!!!

Kjo është gjysma e së keqes, pak ose aspak e rrezikshme. Gjysma tjetër mbetet potencialisht shumë e rrezikshme. Është pikërisht ajo që na drejton prej vitesh, që na flet për moral, kur nuk e ka as edhe një gramë të tillë, na flet për vizion, kur këtë fjalë, në rastin më të mirë sapo e ka mësuar ç‘do të thotë, kur i përmend fjalën "Master" mendon se bëhet fjalë për ndonjë mal diku nga Shqipëria e Jugut, apo kur inflacioni si term nuk i kujton asgjë në këtë botë (ashtu si dikur ish-udhëheqësit tanë, që pluralizmit i thoshin pularizëm).

Thua ky të jetë fati ynë i keq? Nuk besoj. Sigurisht që e kaluara jonë nuk është aq e kulluar, aq e mbarë dhe e drejtë, por vështirë që në historinë tonë shumëvjeçare të gjesh burra në Parlament me një nivel të tillë. Nuk po flas vetëm për sharjet me çfarë t‘u zërë goja, as nga grushtet sikur Kuvendi të jetë një arenë boksi dhe jo tempulli i fjalës, por për nivelin e debateve dhe fjalimeve të të zgjedhurve tanë. Dhe jo vetëm të atyre, por edhe të pjesës më të madhe të kësaj klase politike, që vazhdon të na drejtojë. Gjithkush do t‘i lexonte e rilexonte me kënaqësi fjalimet e deputetëve të paraçlirimit të vendit, duke filluar që nga i madhi Fan Noli, Pandeli Evangjeli, Koço Kota, Musa Juka apo ai që të gjithë e quanin "bilbili i Parlamentit", Ali Bej Këlcyra. E shumë të tjerë, që kishin një gjuhë fjalimesh, që këtyre të sotmëve nuk do t‘u mjaftonte e gjithë jeta e tyre për ta mësuar...

Ne, shqiptarët, kemi pikërisht atë klasë politike që nuk e meritojmë. Dhe jo vetëm për fajin tonë. Por edhe për shkak se kjo "makinë politike", në ingranazhet e së cilës hyjnë dhe dalin po ata figurantë, po ndryshket. Edhe pse po ndryshket e po degradon, kjo kastë politike nuk lejon që brenda saj të hyjnë ca të tjerë, të rinj, të pamolepsuar me idealet e së shkuarës, me vizione për të ardhmen dhe që mund ta riparojnë atë shkatarraqe. Përsëri për shumë arsye, por së pari se të gjithë po mbajnë njëri-tjetrin në politikë dhe jo pak. Prej më shumë se 17 vitesh, janë të njëjtët që na drejtojnë, na qeverisin e na komandojnë. Dhe kur ndërrohen ndonjëherë për interesat dhe mëritë e tyre, nuk harrojnë të rikthehen. Politika shqiptare është bërë prej kohësh si Unaza e vjetër e Tiranës, kur pasagjerët e saj (lexo: politikëbërësit) vetëm sa ndryshojnë stacionet e ngjitjes dhe zbritjes. Deri para pak kohësh kishim një fije shprese se diçka do ndryshonte. Në fund të fundit, vetë politika do hynte në një sistem vetëseleksionimi, për të lënë mënjanë ata që nuk kanë as edhe cilësinë më të vogël për të na drejtuar, ata që nuk kanë asnjë vlerë. Për fat të keq, tani nuk duket më asnjë shpresë. Ndryshe nga Presidenti Topi, që ende shpreson se "me kalimin e viteve edhe politika do të maturohet, do të edukohet dhe do të shkojë në nivelin që ka mesatarja e shoqërisë sonë".

Atëherë, në kushtet kur kjo klasë politike qenka nën nivelin mesatar të shoqërisë tonë, pse u dashka të na drejtojë pikërisht ajo? Ne nuk mund të vazhdojmë të luajmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe as të vuajmë mediokritetin e një pjese të madhe të politikës tonë. "Atëherë çfarë duhet të bëjmë?", do pyesë dikush. Ka dy rrugë besoj: E para, të ndërrojmë këtë popull e të sjellim një tjetër, që i përshtatet nivelit të ulët të politikës shqiptare, dhe e dyta, të ndryshojmë këtë klasë. E para është e pamundur, tërësisht e pamundur, shumë më e mundur është e dyta. T‘i nxjerrim në pension këta politikanë, shtetarë, qeveritarë, deputetë e kryetarë partish, në mënyrë që t‘u lirojmë rrugën të tjerëve, vizionarëve, për të cilët po vuajmë prej shumë dekadash. Në të kundërt do të vijojmë të shohim ëndrra syhapur si Presidenti ynë, se një ditë (ndoshta kurrë!) ne do të gdhihemi me politikanë të përgjegjshëm, të moralshëm, të ditur e profesionistë.